E marte, 12.11.2024, 03:34 AM (GMT)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Jo vetëm me fjalë!

E marte, 08.05.2018, 08:32 PM


Jo vetëm me fjalë!

Nga Reshat Kripa

Shkak për këtë shkrim u bë ballafaqimi i militantëve të Partisë Demokratike me mbeturinat e sistemit komunist në varrezat e dëshmorëve të atdheut më 5 maj 2018. Lidhur me sa më sipër dua t’ju drejtohem autoriteteve shtetërore dhe t’i pyes:

Përse  këta  ithtarë    regjimit   komunist   nuk   erdhën   aty  kur  bënit  homazhe  ju

qeveritarë por pritën deri sa të vinin përfaqësuesit e opozitës? Mos kjo ishte një nismë e juaja për të goditur opozitën?

Askush nuk është në gjendje të më kthejë përgjigjen e këtyre  pyetjeve. Jo se nuk dinë por sepse janë vetë ata që i nxitën këto skena të turpshme. Po bëhen njëzetetetë vjet që sistemi komunist është përmbysur por mentaliteti i tij vazhdon të jetojë në ndërgjegjen e njerëzve dhe më tepër në ndërgjegjen e dretuesve të shtetit të sotëm. Kjo gjë vihet re në hymnizimin e shfrenuar që i bëhet luftës së frontit nacionalçlirimtar dhe injorimit të luftës së nacionalizmit shqiptar në periudhën e luftës së dytë botërore. Vihet re në shumë simbole të regjimit komunist që ende qëndrojnë duke i bërë sfidë sistemit të ri që përpiqemi të  ndërtojmë. Le të japim disa shembuj:

Ylli i kuq i komunizmit vazhdon të qëndrojë ende në lapidarin e varrezave të dëshmorëve a thua se të rënët për atdhe që prehen aty ranë për atë yl,l aq më tepër kur atje prehen edhe njëzetedy martirët e të ashtuquajturës “Bombë në Ambasadën Sovjetike” të cilët ranë viktimë pikërisht e këtij ylli. Për më tepër kjo nuk është vetëm në Tiranë por në të gjithë qytetet e Shqipërisë.

Mu në qendër të kryeqytetit, në sheshin që mban emrin e heroit tonë kombëtar, Skënderbeut,  vazhdon të qëndrojë mozaiku i turpshëm në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar, ku dy të tretat e tij e zënë e ashtuquajtura luftë nacionalçlirimtare dhe periudha e ndërtimit të socializmit dhe vetëm një e treta gjithë periudhën tjetër të historisë së kombit shqiptar. Ku është periudha ilire dhe ajo e Pirros së Epirit apo Skëndrebeut? Ku është Kosova, çamëria dhe trojet e tjera shqiptare?

Përmenda vetëm këto dy raste por shembujt janë të shumtë. Kjo vihet re në emërtimin e shumë rrugëve, shesheve, shkollave e të tjera në të gjithë Shqipërinë.

Në këto çaste para syve më dalin fjalët e zotit Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshiilit të Europës Nr. 1481 (2006) “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”:

Nuk   ka   asnjë vend ku   komunizmi ka ardhur  në pushtet dhe të ketë qenë demokratik. Nëse nazizmi u dënua vetëm pak muaj pas rënies, nuk u bë e njëjta gjë me komunizmin. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, dihej saktë kush ishte fitimtari dhe kush i munduri. Ndërsa në përfundim të Luftës së Ftohtë, gjërat ishin të paqarta. Unë nuk kam frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar rregjimet ish-komuniste të qëndrojnë në këmbë“.

Një sentencë realiste e një personaliteti të njohur. Një gjë e tillë është gjallë ende në vendin tonë. Shembujt e mësipërm e vërtetojnë një gjë të tillë

Para disa viteve lexova një libër me kujtime të një ish-profesorit tim me përshtypje udhëtimi nga një turne që kishte zhvilluar në disa shtete perëndimore të Europës. Ishte një libër me të vërtetë i goditur. Ajo që më bëri më shume përshtypje ishte një konstatim që autori kishte bërë gjatë qëndrimit të tij në Gjermani. Lidhur me këtë ai shkruante:

Brezi i ri në Gjermani deri në vitet 80-të nuk e njihte pothuajse fare Hitlerin, pasi ai nuk studjohej nëpër shkolla. Ajo periudhë ishte një histori e harruar për ta.

Mendoj me veten time: Si ka mundësi një popull si ai gjerman që, për të thënë të vërtetën, në shumicën e tij me dashje apo pa dashje, i shërbeu me besnikëri Hitlerit, ta hedhë në koshin e harresës? Përgjigjen  ma  dha  historia  e  pasluftës    këtij  vendi. Gjermania  e   kreu      plotë denazifikimin e saj. Qytetaria, morali, karakteri i këtij populli bëri që, me  kurajo dhe ndërgjegje  të hiqte nga trupi i tij të keqen që i kishte sjellë diktatori. Dhe rezultatet nuk vonuan të vijnë. Sot Gjermania bënë pjesë në  vendet më të  zhvilluara të botës.  A do ta  arrinte  një  rezultat     tillë  sikur  të ruante mentalitetin nazist? Në asnjë mënyrë jo.

Gabriel Partosh i ka dhënë  kohë    parë televizionit “Top Channel” një intervistë ku midis të tjerave  tha:

- Në  Gjermani  dhe    Francë   dënohen   po  deklaruan  se  nuk  është  zhvilluar holokaust gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kurse tek ne gjaksorët vazhdojnë të nderohen, madje në disa raste, edhe të ngrihen në majat më të larta duke marrë tituj si “Nderi i Kombit’ e të tjera. Nëpër ekranet e shumë televizioneve, përfshirë edhe atë publik për të cilin ne paguajmë taksa, vazhdojnë të shfaqen ende filmat e kohës së periudhës totalitare ku ndihet qartë fryma komuniste. A nuk është një gjë e tillë  të kthesh rrotën e historisë nga prapa?

Në Rezolutën 1481 (25 janar 2006) “Nevoja për ndëshkimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste” të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, nënshkruar edhe nga delegacioni ynë, në pikën 7 thuhet:

“Asamblea është e bindur që njohja e historisë është një nga parakushtet e shmangies së kryerjes së krimeve në të ardhmen. Për më tepër, vlerësimi  moral dhe ndëshkimi i krimeve të kryera luan një rol të rëndësishjëm në edukimin e brezave të rinj. Pozicionimi i qartë i bashkësisë ndërkombëtare mbi të kaluarën mund të jetë pikë referimi për të ardhmen”

Kurse në kushtetutat e disa ish-vendeve socialiste të Europës Lindore ka një nen të posaçëm ku thuhet:

“Refuzimi publik, vënia në dyshim ose degradimi i faktit të genocidit dhe krimeve të tjera kundër njerëzimit, të kryera nga regjimet kombëtare socialiste dhe komuniste – është një vepër penale.      

A nuk duhet sanksionuar kjo edhe në  kushtetutën tonë?

Dëgjuam Kryetarin e Partisë Demokratike, zotin Lulzim Basha të kërkonte miratimin e një projektligji për ndalimin e përdorimit të simboleve komuniste. Lexuam edhe përmbajtjen e këtij projektligji nw shtypin e përditshëm Ne, të përndjekurit politikë nga regjimi komunist, e përshëndesim Partinë Demokratike për këtë nismë. Por, për sa kohë që në pushtet janë pasardhësit e atyre që shkaktuan këtë genocid në Shqipëri, kjo është e pamundur. Por paraqitja e këtij projektligji në Kuvendin e Shqipërisë do të zbulojë fytyrën e vërtetë të sharlatanëve që janë në krye të shtetit shqiptar dhe institucioneve të tij. Ndaj një gjë e tillë duhet vënë në programin e Partisë Demokratike. Nuk duhet mbetur vetëm me fjalë. Duhen vepra.

Me keqardhje konstatojmë se një gjë e tillë duhej të ishte bërë qysh më parë. Shqipëria i kishte këto mundësira kur, në vitet 2005-2013, në pushtet ishte Partia Demokratike, por kjo nuk ndodhi. Le të kujtojmë vetëm këto raste:

Në tetor 2006, me nismën e Partisë Demokratike, u miratua rezoluta “Mbi ndëshkimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist”, në miratimin e së cilës deputetët socialistë dolën nga salla. Deri në vitin 2013 kaluan shtatë vite dhe pothuajse asnjë pikë e saj nuk u zbatua. Përse?

Në vitin 2010 ndodhën dy ngjarje të tjera. Një delegacin i Kombeve të Bashkuara i kërkoi Shqipërisë të dënonte krimet e komunzmit. Por ky lajm kaloi në heshtje. Askush nuk mësoi për të. Ishte vetëm media online që e bëri të njohur. Gjithashtu më 14 dhjetor 2010 me nismën e Ministrit te Jashtëm të Lituanisë, zotit Audronius Azubalis gjashtë ministra të jashtëm të Europës lindore dhe pikërisht ata të Lituanisë, Letonisë, Bullgarisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Çekisë i dërguan një letër zyrtare Komisares Europiane për Çështjet e Drejtësisë, zonjës Vivian Reding, ku kërkohej dënimi i krimeve të komunizmit, e cila u mor përsipër për t’u shqyrtuar me seriozitetin më të madh nga ana  e këtij  komisioni të BE-së. Do të kishim dashur që krahas firmave të ministrave në fjalë të kishte qenë edhe ajo i ministrit tonë, si përfaqësues i shtetit me përndjekjen më mizore. Por ajo mungoi dhe për më tepër lajmi kaloi përsëri në heshtje. Ishte media online që e bëri edhe këtë lajm të ditur. Përse?

Megjithatë një fjalë  e  urtë thotë: “Më   mirë   vonë   se  kurrë”. Nisur   nga   deklarata   e fundit   e  zotit  Basha,  mendojmë  se  Partia  Demokratike  tashmë e ka marrë seriozisht zgjidhjen e këtij problemi që është kyçi i demokracisë për çdo vend, që fjalët të mos mbeten në letër si më parë por të kthehen në realitet. Këtë mendim na e përforcon më tepër pendesa e kërkuar nga Kryetari i Partisë Demokratike në një takim me të përndjekurit politikë që përfaqësonin të gjithë të përndjekurit e Shqipërisë. Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë është një pikënisje e mirë për realizimin e këtyre premtimeve.

Partia Demokratike duhet të shkëputet përgjithmonë nga mbeturinat e mentalitetit komunist të shfaqur herë pas here për të përmbysur pushtetin e korruptuar që ka zaptuar vendin. Jo vetëm me fjalë! Në të kundërt do të jetë shumë vonë.

Megjithatë unë kam besim se kjo do të arrihet.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora