E enjte, 31.10.2024, 11:50 PM (GMT)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Homazh për prindërit e mi

E hene, 12.03.2018, 06:55 PM


Homazh për prindërit e mi

Nga Reshat Kripa

Ishte korriku i vitit 1957 kur im atë filloi të shkruante historikun e familjes tonë, të cilin e vazhdoi deri më 12 maj 1966 kur u sëmurë nëna jonë  dhe pa kaluar një muaj ndërroi jetë. Humbja e nënës i shkaktoi një dhimbje të madhe sa që nuk pati më vullnet për ta përfunduar. Ideja për ta vazhduar më lindi mua në fillim të viteve 2000. Nga dorëshkrimi i lënë prej tim eti fillova vazhdimin e historisë deri në ditët tona. Atë dorëshkrim e ruaj si një relike të shenjtë

Më lejoni t’ju paraqes parathënien e këtij dorëshkrimi të shkruar nga im atë:

Kam një kohë të gjatë që dua të shkruaj diçka mbi origjinën e familjes tonë, mbi jetën time dhe shumë gjëra të tjera. Me sot me nesër kaluan plot dhjetë vjet pa shkruar asgjë. Një ditë rastësisht duke biseduar në familje çfaqa këtë dëshirë. Ata ma pritën me kënaqësi dhe m’u lutën që ta filloja për të shkruar sa më parë.

Kështu sot po filloj këtë vepër, të cilën do ta kenë kujtim nga unë gjithë brezat e ardhshëm të familjes tonë. Nëpërmjet saj do të njohin dhe dinë mirë se nga rrjedh familja e jonë që sot ka mbiemrin KRIPA dhe kush janë të parët tanë dhe nga kanë ardhur. Pastaj do të shkruaj biografinë e gjyshit tim që e kish emrin HALIL dhe të babajt tim që e quanin HAMDI. Mbas kësaj do të shkruaj biografinë dhe kujtimet e mia, qysh nga dita e lindjes dhe deri në ditët e sotme që jam gjashtëdhjetepesë vjeç. Do të tregojë shumë gjëra nga jeta ime, nga zakonet e vjetra patriarkale dhe shumë sende të tjera për të cilat brezat e ardhshëm kur t’i lexojnë do të çuditen.

Mbasi të mbaroj krejt sa thashë më lart, në fund do të shkruaj edhe një testament që do ua lë djemve dhe vajzave. Ky testament për të ardhmen e tyre do u shërbejë shumë nëqoftëse ata do  të jenë në gjëndje ta respektojnë dhe zbatojnë si duhet. Unë jam i sigurtë tek djemtë dhe vajzat e mia, se me edukatën dhe kulturën që u kam dhënë, ata patjetër do të respektojnë këshillat e Gagajt të tyre shumë të dashur. Kështu edhe unë mbas vdekjes time, në atë jetë do të flë shpirtërisht i qetë  dhe i lumtur për gjithmonë, mbasi po lë prapa katër vajza dhe tre djem si asllana, që do të dinë të më nderojnë mua dhe veten e tyre.

Një gjë dua të theksoj, se dashuria e ime për fëmijtë ka qënë e barabartë për të gjithë. Në këtë libër unë disa do t’i lavdëroj shumë dhe disa do t’i kritikoj për gabimet dhe të metat e tyre. Por nuk dua të interpretohet një gjë e tillë sikur unë nuk i kam dashur  të gjithë njëlloj.

Këtë libër po ua lë si dhuratë pasardhësve të mij, që ta kenë kujdes, ta ruajnë mirë, të mos e humbasin dhe të mos griset. Mbasi të ketë kaluar një periudhë dyzet apo pesëdhjetë vjet, kushdo qoftë nga familja e jonë, këtë histori që fillova unë, duhet ta vazhdojë më tej. Në rast se vjetërohet apo griset, duhet shkruar rishtazi ose përmbledhur në formë libri në shtyp, që t’u

mbetet përgjithmonë i vlefshëm.

Po qe se ju pasardhësit e mij do të vazhdoni rrugën time, atëhere ky libër  do të ketë një vlerë historike për gjithë familjen tonë, për shekuj me rradhë.

Ndaj tani unë e ndjej për detyrë të plotësojë amanetin e tim eti në 45 vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

 

Ka  lindur    Durrës    25  gusht  1892. Ishte biri i Hamdiut që kishte përfunduar arsimin e lartë për financë në Stamboll. Siç  shkruan  edhe  Gagaj ( kështu e thërrisnim ne dhe kështu do ta quaj edhe unë tani e tutje ) disa muaj pas lindjes  së tij, Hamdiu u transferua me punë në Prevezë. Pas  disa vitesh  kthehet në Durrës dhe transferohet me shërbim në Tepelenë. Atje qëndroi rreth një vit. Aty nga fillimi i shekullit të XX-të, emërohet drejtor i ndërmarrjes së nxjerrjes së kripës në Vlorë. (Prej nga i ka ngelur familjes tonë edhe mbiemri Kripa) Detyrohet të shesë shtëpinë në Durrës dhe të vendoset në Vlorë. Si shtëpi banimi shërbeu godina e zyrave të ndërmarrjes, një godinë dy katëshe në kriporen e Vlorës, që është edhe sot e kësaj dite.

Gagaj shkollën fillore e filloi në qytetin e lindjes në Durrës dhe e mbaroi në Vlorë. Më prapa i ati, e dërgoi të vazhdonte shkollën e mesme në Selanik. Në Selanik studioi për gjashtë vjet.  Ishte nga nxënësit më të dalluar të shkollës. Dy vitet e fundit të shkollësi i ati e dërgoi në Stamboll në kolegjin e njohur të “Robert College“ -it. Atje ai pati fatin të mësonte shumë mirë historinë e Turqisë. U bë edhe një njohës i mirë i gjuhës turke të re dhe  të vjetër si dhe të anglishtes. Jetonte në kolegj, që kishte shumë rregulla të forta  për sa i përket disiplinës. Vetëm ditët e djela kishin të drejtë të dilinin për të shëtitur nëpër Stamboll.

Shkollën  e  mesme  e  përfundoi  rreth  viteve  1911-1912  dhe u kthye në Shqipëri. Në atë kohë vendi ynë ishte në valën e shpalljes së  pavarësisë.  Ismail  Qemalin im atë e njifte mirë që kur ishte në Stamboll dhe vazhdimisht fliste me notat më të mira për  të.  Ditën e 28 nëntorit 1912 ishte në mes të turmës që brohoriste shpalljen e pavarësisë, së bashku me të atin. Për mbresat e asaj dite na fliste gjithmonë netëve të gjata të dimrit, kur mblidheshim në dhomën e zjarrit. Fliste me simpati për Luigj Gurakuqin dhe Isa Boletinin, Për Babë Dudë Karbunarën dhe Mit-hat Frashërin, si dhe për antarët e tjerë të qeverisë së Vlorës.

Pas shpalljes së pavarësisë filloi aktivitetin tregëtar për të cilin kishte një prirje të jashtëzakonshme. Hapi një kafene dhe shpejt filloi të bëjë karrierë në këtë drejtim. Një pjesë të kursimeve nga kafeneja e hiqte mënjanë për ta investuar për të zhvilluar më tej tregëtinë.

Në vitin 1920 u martua më Myneveren, bijën e avokatit të njohur të qytetit, Mehmet Radhimës.               Myneverja, ose Dedeja siç e thërrisnim ne, ishte një grua e veçantë. Kishte mbaruar vetëm arsimin fillor, por ishte një adhuruese e shkollës. Këtë e shprehte shumë herë. I kishte ngelur peng që nuk kishte mundur dot të vazhdonte. Por mentaliteti i atyre viteve nuk e kishte lejuar. Ishte nusja e djalit të madh të shtëpisë dhe dinte të mbante autoritetin e saj përpara gjithë të tjerëve. Ishte një rregullatore e mardhënieve midis tre nuseve të familjes tonë të madhe prej  njëzet personash. Ishte e sjellshme dhe e respektueshme edhe me komshijtë dhe miqtë e familjes. Ishte një zonjë nderi në tërë kuptimin e fjalës                                                                  Pas martesës me Myneveren im atë filloi ndërtimin e një shtëpie dy katëshe që ndodhej në lagjen “Vrenez“, prapa Konsullatës Italiane e cila mbaroi në vitin 1922. Atëhere u shpërngulën nga shtëpia ku ishin në kripë dhe u vendosën në shtëpinë e re. Ndërkohë kafeneja ishte djegur si pasojë e një zjarri që dogji një pjesë të qytetit. Thonë se atë zjarr e vunë qëllimisht italianët për të ndërtuar bulevardin kryesor që është edhe sot dhe lidhte rrugën që të shpinte në Sheshin e Flamurit me rrugën e spitalit. Ky bulevard në kohën e Zogut mori emrin “ Bulevardi Zogu i Parë “. Më vonë im atë u muar me tregëti materialesh  ndërtimi. Ishte ortak me Vadhim Dogën dhe i sillnin mallrat nga Italia.

Si rezultat i martesës më 5 janar 1922 lindi Liria. Më 2 shkurt 1924  Qamilea. Drita  më 4 dhjetor 1926, ndërsa Fatushja më 8 mars 1928. Pas saj e patëm rradhën ne djemtë për të dalë në jetë. Kështu Agimi lindi më 4 shtator 1930, Besniku më 9 korrik 1933, ndërsa unë më 28 janar 1936.

Im atë kishte lindur për tregëti. Ai nuk i përkiste asaj shtrese tregëtarësh që paratë e fituara i kthenin  në flori dhe i mëshihnin në dhe. Ai mendonte se rruga më e mirë për një tregëtar është investimi i kapitaleve. Kështu edhe veproi. Me kursimet e nxjerra nga tregëtia e zhvilluar (Rroga e gjyshit ishte e mjaftueshme per ushqimin e familjes) në vitin 1926 filloi ndërtimin e një fabrike për prodhimin e vajit të ullirit, e cila u vu në punë në vitin 1929. Me administrimin e fabrikës merrej vetë. Me mbarimin e shkollës tregëtare, aktivizoi edhe vëllanë e vogël Shyqyriun, të cilit i ngarkoi detyrën e financierit të fabrikës. Si sekretar të fabrikës caktoi Ymer Danin, një mik të vjetër të familjes, i cili i qëndroi besnik për tërë kohën që punoi në këtë detyrë. Si kryepuntor dhe njëkohësisht si motorist shërbente Anastas Karkallua, ose Tasi siç e thërrisnim ne. Ai shërbeu me besnikëri deri sa u shtetëzua fabrika, në vitin 1946. Mirpo fabrika punonte vetëm muajt e dimrit, në periudhën e ullinjve. Për këtë arësye blenë në Itali edhe një makinë shirëse të cilën e dërgonin gjatë stinës së  verës nëpër fshatrat e Vlorës për të shirë grurin.

Në vitin 1934 ndërtuan një dyqan të madh për tregëtimin e vajit dhe filluan ndërtimin e një shtëpie në plazhin e vjetër të Vlorës, që përfundoi në vitin 1936. Ndërtuan gjithashtu edhe një shtëpi druri në Llogora. Gjatë muajve të verës familja shkonte për verim në Llogora ose në plazh. Kjo gjë vazhdoi deri në pushtimin e Shqipërisë nga Italia.

Investimet nuk pushonin. Në vitin 1941 blenë një sipërfaqe trualli prej rreth 3000 m2, në lagjen  e  Re, ku filluan ndërtimin e një fabrike të re vaji. Kishin ndër mend të ndërtonin një fabrikë simbas teknollogjisë më moderne të kohës. Në krah të saj kishin ndër  mend    ndërtonin edhe një shtëpi tjetër që, kur të ndaheshin me vëllezërit, t’i kishin shtëpitë sejcili më vete.

Në qershorin e vitit 1942, gjyshi vdiq. Në atë kohë Tirana kishte filluar të merte pamjen e një qyteti europian. Civilizimi kishte filluar të çfaqej në jetën e njerëzve. Edhe perspektiva e tregëtisë atje ishte edhe më e madhe. Duhesh patjetër të hapej një dyqan edhe atje. Për këtë mbasi u konsultuan me vëllazërinë vendosën që fillimisht të venim familja e jonë në Tiranë. U vendosëm në një vilë me qira, që ndodhej në një rrugicë në rrugën e Kavajës, përballë asaj ku ishte godina e Radio Tiranës që sot  mban emrin Islam Alla. Vila ishte pronë e një tiranasi, Selim Farka. Ishte një godinë e bukur dykatëshe, gjysmën e së cilës  e kishim ne, ndërsa gjysmën tjetër familja e një italiani. Njëkohësisht morëm më qira edhe një dyqan në sheshin Avni Rustemi, në Pazarin e Ri, që ishte pronë e një tiranasi tjetër, Met Maleshkës. Ishin gjashtë dyqane njeri pas tjetrit. Yni ishte i pari dhe pas nesh ishte një dyqan manifature i tregëtarit shkodran Hysen Drishti me të cilin Gagaj lidhi miqësi të madhe.

Në atë vilë në shtator të vitit 1943 u bë martesa e Likës me Ali Tufën, një kosovar që banonte në Durrës, por punonte si nëpunës në Bankën Kombëtare të |Shqipërisë në Tiranë. Dasma u përgatit që të zhvillohej ashtu siç duhej. Ajo filloi që një javë para. Ishte dasma e parë që zhvillohej në familjen tonë dhe si për ironi ishte e vetmja që u zhvillua siç duhej, me të gjithë madhështinë e saj. Të tjerat janë zhvilluar sa për të thënë që u   dasmë.  Bile  për  disa,  përveç

ndonjë dreke të vogël, vetëm për të afërmit ë familjes, nuk është zhvilluar gjë tjetër.

Në muajin nëntor të atij viti, një skuadër avionësh aleatë kryen një bombardim me objektiv fushën e aviacionit. Bombardimi përfshiu edhe një pjesë të rrugës së Kavajës. Si rezultat i tij pati  shtëpi të shkatërruara dhe disa viktima në njerëz. Një gjë e këtillë i dha të kuptojë tim eti se ajo lagje ishte e rrezikshme. Për këtë u interesua dhe u shpërngulëm në Pazarin e Ri, në rrugicën Jani Vreto, në shtëpinë e doktor Kërçikut. Ishte një godinë dykatëshe, kati përdhes i së cilës ishte klinika mjekësore, njëra nga të cilat e doktor Bajramit, burrit të hallës tonë, Fitnetit. Në katin e dytë ishin nëntë dhoma në të cilat u vendosëm ne së bashku me xhaxhallarët Hysniun dhe Shyqyriun që kishin ardhur në Tiranë. Më vonë këtu u vendos edhe hallë Fitneti, pasi shtëpia e tyre, në rrugën e Kavajës ishte shkatërruar.

Gagaj ishte njeri me mendime shumë përparimtare. Shkolla që kishte kryer në Selanik dhe Stamboll kishte influencuar shumë në mentalitetin e tij. Gjithashtu edhe udhëtimet që kishte bërë jashtë shtetit si në Itali dhe Austri për problemet e tregëtisë. Kishte projekt që të gjithë fëmijtë t’i shkollonte me arsimin e lartë jashtë shtetit. Për këtë mendoi që t’u mësonte një gjuhë të huaj. Në atë kohë gjuha zyrtare ndërkombëtare ishte frëngjishtja. Mori një pedagoge, një franceze që ne e thërrisnim “ Mademoiselle “  Ajo u jepte mësime private Qamos, Dritës, Tushit dhe Agimit që ishin më të mëdhenj. Me të mbaruan të dy metodat e gjuhës frënge, “ Premiere annèe “ dhe “ Deuxieme   annèe “.

Sheshi Avni Rustemi ishte vendi i ekzekutimit në litar të shumë personaliteteve partizane. Kur ngriheshim në mëngjes dhe shkonim në shkollë, gjenim të varur persona të ndryshëm të mbështjellë me një çarçaf të bardhë. Ne ndjenim një keqardhje të madhe për ato viktima të terrorit nazist, por nuk kishim çfarë të bënim. Ishim akoma të vegjël për të kuptuar realitetin..

Në kohën e luftës së Tiranës, trupat partizane u vendosën që në ditët e para të luftës në një territor që shtrihej nga rrëza e malit të Dajtit dhe deri te rruga Mbretërore ( sot rruga e Barikadave ). Në kryqëzimin e rrugës Mbretërore me atë që të çonte tek sahati, përballë librarisë “Argus“,  gjermanët kishin vendosur një bunker. Një bunker tjetër ishte vendosur në sheshin Skënderbej, diku aty ku tani ndodhet monumenti i Skënderbeut.

Në një nga ditët e luftës trokiti porta e shtëpisë tonë. Doli nëna dhe pyeti se kush ishte. I thanë se ishin partizanë. E hapi derën dhe ata kërkuan doktor Kërçikun nëna i tha se ai nuk banonte aty

- Ku banon atëhere? - pyetën të nervozuar

- Hyrjen e ka nga ana e Pazarit të Ri. - u përgjigj nëna.

Në këtë kohë mbërriti edhe doktor Bajrami që u tha se edhe ai ishte mjek dhe po të kishin nevojë ishte i gatshëm t’i ndihmonte. Por ata refuzuan dhe u larguan. Doktori dërgoi menjëherë Agimin, vëllanë e madhë i cili lajmëroi doktor Kërçikun, që mundi të fshihej. Në ato ditë të turbullta u vranë  pa  gjyq  tridhjetetë  nacionalistë,  ish  oficerë    zogut,  gazetarë, publicistë, ekonomistë e të tjerë. Në ato ditë një predhë mortaje goditi çatinë e banesës tonë duke shkaktuar një çarje të madhe të cilën e rregulluam pas mbarimit të luftës.

Mbarimi i luftës u festua në të gjithë qytetin. Fytyrat e njerëzve dukeshin të qeshura dhe të gëzuara. Nëpër rrugët e qytetit këndoheshin këngët partizane që ne nuk i kishim dëgjuar më parë. Por viti 1945 shënoi edhe fillimin e gjyqeve kundër kundërshtarëve të rregjimit, që u pasua me ekzekutime të shumta masive  dhe  burgime të rënda të dhjetra personave. Filluan përndjekjet kundër tregëtarve të mëdhenj,    cilëve  u kërkohej të dorëzonin floririn e grumbulluar nga tregëtia e tyre. Krahas ndjenjës së lirisë, ndihej edhe ajo e frikës për një pjesë të popullsisë që nuk e ndjente veten të sigurtë për të ardhmen.

Viti 1946 ishte një vit ters për familjen tonë. Me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor u shtetëzua pa shpërblim fabrika e vajit dhe godina e re në lagjen e Re. Njëkohësisht po atë vit u gjobitëm me 170.000 franga ar si tatim i jashtzakonshëm për periudhën e luftës.  Ky ishte një dënim i madh për familjen tonë që na ktheu nga një  familje  normale   ndërtonte  me

nder të ardhmen e saj, në një familje pothuajse të varfër që mezi siguronte bukën e gojës.

Në vjeshtën e atij viti erdhi edhe dënimi tjetër. Me vendimin Nr 2, datë 21.10.1946 të Komisionit të Urbanizimit pranë Komitetit Ekzekutiv të Prefekturës Tiranë, dëbohemi nga Tirana për në Vlorë. Ishte një dëbim për motive politike dhe një gjë e tillë na habiti. Nga familja dhe bile edhe nga gjithë fisi, nuk kemi patur asnjë që të bënte pjesë në Ballin Kombëtar apo forcat e tjera nacionaliste. Dy kushurinjtë e nënës Shyqyri Alimerkua, Hero i Popullit, u vra kundër fashizmnit dhe Sinan Gjoni ishte themelues i Partisë Komuniste për Vlorën. Dajo Nuriu dhe teze Zyhraja ishin aktivistë të shquar të lëvizjes komuniste. Dy djemtë e hallës, Bardhyl dhe Petrit Emiri kishin qënë partizanë. Dy motrat tona Tushi dhe sidomos Drita që ishte pak më e madhe, pjestare të lëvizjes klandestine në qytetin e Tiranës. Për më tepër Drita ishte fejuar me Hysen Pelingun, komunist dhe partizan i vitit 1942, kompozitor i disa këngëve partizane. Po ashtu edhe Qamua ishte fejuar me Muharrem Çoratin edhe ai komunist dhe partizan, që në atë periudhë mbante detyrën e Zëvendës Ministrit të Industrisë dhe Minierave. Në këto kushte si kishte mundësi të dëboheshim për motive politike?

Kështu u detyruam të ngarkojmë plaçkat dhe të kthehemi përsëri në Vlorë. Drita që kishte filluar punë në Teatrin Popullor, qëndroi në Tiranë, në shtëpinë e doktor Kërçikut. Mbajti edhe Tushin që vazhdonte vitin  e  fundit    Institutit  Pedagogjik    tani  quhej  “ Nana Skanderbeg            Në Vlorë u vendosëm në shtëpinë tonë ku ishte edhe Shyqyriu. Hysniu, vëllai tjetër, banonte në një shtëpi me qira, në lagjen Varosh pranë kishës ortodokse të Shën Vllasit. Gagai mundi të zerë punë si teknik vaji në fabrikën e tij. Ishte specialist për atë punë.

Në vitin 1949, kur u shpall huaja shtetërore, përveç obligacioneve që blenë Gagaj me Tushin që ishin të punësuar, na detyruan që të blejmë edhe 50.000 lekë obligacione të tjera të detyrueshme, një shumë e madhe që po ta krahasosh me pagat e asaj kohe, ishte e barabartë afërsisht me rrogën e dy vjetve për një nëpunës. U detyruam të shisnim mobiljet e dhomës së pritjes, shporetin dhe disa gjëra të tjera që kishim në shtëpi, deri sa plotësuam shumën e mësipërme.

Por një goditje e madhe na u dha vitin tjetër. Në prillin e vitit 1950 arrestohet Besniku, pasi kishin krijuar një grup që shpërndante trakte antikomuniste në shkollë, së bashku më dy shokët e klasës së tij, Lavdosh Beqon, Alajdin Alemin. Vetëm pak muaj më prapa Gaganë e pushuan nga puna. Në shkresën që i dhanë shkruhej:

“ Pushoheni nga puna për shkak të aktivitetit armiqsor të djalit tuaj Besnik Kripa. “

Që nga ajo ditë Gagaj nuk mundi më të hynte në punë. Besniku u dënua fillimisht me njëzet vjet burg, dënim që nga gjykata e Lartë iu kthye në pesëmbëdhjet vjet. Gjëndja ekonomike e familjes u rëndua së tepërmi. Mbaheshim vetëm me rrogën e Tushit dhe ndihmat që na dërgonin motrat e martuara.

Goditja e dytë ishte vitin e ardhshëm. Në majin e vitit 1951 u arrestova unë së bashku me dy shokë të klasës, Myrteza Baboçin dhe Jorgo Beshon, për të njëjtin motiv si ai i Besnikut. Gjykata ushtarake e Durrësit më dënoi me pesë vjet burgim. Atë vit Agimi mbaroi gjimnazin, por rrugët e universitetit ishin të mbyllura për shkakun tonë. Mbas shumë ndërmjetësimesh mundi të vazhdonte një kurs nëntë mujor për topograf, si rezultat i  të cilit mundi të siguronte një punë, duke u endur në të katër anët e Shqipërisë me instrument në krah, kudo ku thahej një kënetë, apo gërmohej një kanal vaditës. Tushin e transferuan në shkollën e Bishanit, një fshat në derdhjen e lumit Vjosa.

Me pretekstin se do bëheshin zyra të rekrutimit dhe më vonë të fabrikës së miellit që ishte aty afër, na nxorrën nga shtëpia dhe na çuan në shtëpinë e Thoma Shytit, në lagjen Varosh, përballë poliambulancës Pasi u larguan zyrat nga shtëpia e jonë, nuk na i kthyen ne por futën qiraxhinjë të tjerë. Për  këtë  arsye  Gagaj  dhe  Shyqyriu u  detyruan     bëjnë   padi   për lirim banese. por lirimi i shtëpisë u bë shumë vite më vonë.

Në dhjetorin e vitit 1961 lirohet edhe Besniku nga burgu. Pas gati dymbëdhjetë vjetësh më në fund mundëm të bëheshim bashkë në familje. Lirimi i Besnikut dhe futja e tij në punë e lehtësuan disi gjëndjen tonë ekonomike

Por kjo nuk vazhdoi gjatë. Më 19 prill 1966 lindi djali ynë, Artani. Por ndodhi ajo që nuk pritej. Ditën që nëna përgatitej për të kremtuar të dyzetat e lindjes së djalit, goditet nga një hemoragji e rëndë cerebrale. U alarmuam së tepërmi. Megjithë ndërhyrjen shumë të madhe të doktor Isuf Hysenbegasit, me të cilin unë dhe Besua kishim qenë në burg, si dhe konsultat që ai organizoj me mjekët më të mirë të Vlorës, nëna i mbylli sytë më 10 qershor. Në ceremoninë e varrimit morën pjesë një numur jashtzakonisht i madh i qytetarëve të Vlorës. Kjo tregoi respektin     kishin  vlonjatët për familjen tonë, megjithë gjëndjen politike. Ishte një goditje e rëndë që na goditi  atje ku na dhimbte më shumë. Goditjen më të rëndë e pësoi Gagaj.    nga ajo  ditë  ai  nuk e ngriti më kokëm,  megjithse  ne  nuk  e  lamë  asnjëherë  pa përkujdesje.

Hallet e jetës, vdekja e nënës, sëmundja e tensionit të gjakut, nga e cila vuante dhe mosha e madhe e rrëzuan shumë tim atë. Në vitin 1972, sikur të mos mjaftonin të gjitha këto,  iu çfaq edhe sëmundja e prostatit që e mundoi shumë, për gati një vit. Disa herë mernim kryeinfermierin e pavionit të kirurgjisë të spitalit, Kosta Gjinopullin që, për të thënë të vërtetën u tregua shumë i gatshëm për të ardhur në çdo kohë, edhe natën, për t’i vendosur kartoterin me anën e të cilit urinonte. Edhe doktor Isufi bëri gjithçka që mundesh për ta kuruar, por më kotë. Kështu vazhdoi deri më 10 mars 1973, datë në të cilën mbylli sytë. Edhe varrimi i tim eti ishte shumë madhështor, ashtu si ai i Dedesë. Me sjelljen dhe qëndrimin e tij ai kishte mundur të fitonte simpatinë e qytetarëve vlonjatë, të cilët ia bënë nderin deri në fund. Ky ishte një nder që Vlora i bënte familjes tonë dhe për këtë e ndjemë veten shumë krenarë.

Nw antitezw me tw gjithw kwto qw shkruajta mw sipwr wshtw një dokument familjar qw mora  në arshivën e shtetit pas ndryshimeve demokratike. Midis të tjerave atje shkruhej:

Vjen nga shtresë shumë e pasur. Gjatë luftës ka simpatizuar dhe ndihmuar rregjimin zogist. Gjatë  okupacionit  ka  simpatizuar  e  ndihmuar organizatën e Ballit Kombëtar. Ka patur lidhje me Xhemil Meçon, Avdul Kuçin, Axhem Imerin, Qerim Gumbardhin, Sadik Durron, Musa Sharrën e të tjerë. Ka urryer në kulm Lëvizjen Nacional – Çlirimtare. Mbas çlirimit dhe sot  familjarisht  mbajnë  qëndrim  anti  pushtet. Biri i tij në vitin 1950, është dënuar me 20 vjet burg. Ai ishte një nga organizatorët në shkollën e gjimnazit që shpërndante proklamata nëpër mure dhe shpërndante  nëpër shkollat e larta.  Për këto arsye jemi të mendimit që t’i shtetëzohen shtëpitë pa asnjë shpërblim, mbasi është dhe në gjëndje shumë të mirë ekonomike

Ju  lutem  lexojeni   shkrimin  dhe  gjykoni  mbi  realitetin  e   ahtuquajturës  “Shqipëri Socialiste”

Nxjerrë nga libri “Historiku i familjes Kripa”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora