Mendime » Çeliku
Kalosh Çeliku: 'Besa' e dhënë politike
E merkure, 04.10.2017, 06:57 PM
“BESA” E DHËNË POLITIKE
NË ZGJEDHJET LOKALE
NGA KALOSH ÇELIKU
Partia Neokomuniste siç duket, jo vetëm që i harxhoi gati të gjitha “bombat” politike para kamerave televizive, por edhe fishekët e fundit me plumba qorr për të ardhë dhe rrëmbyer pushtetin me dhunë. Shqiptarët e ngratë t’i “shpëtojë” nga zgjedha e rëndë komuniste veshur me petka “demokratike”. E lëshoi Kuvendin dhe doli në rrugë në mes të Dimrit Madh me paratë e popullit dhe shtetit të “përbashkët”. U vendos përpara Qeverisë me valle e këngë “erotike” të “vëllazërim-bashkimit”. Flamurin shqiptar e lidhën qafëpërqafe me Diellin me rreze?! Javë të tëra nën çadra bënë piknik turistik para Kuvendit te “Parku i Grave”.
Kalorësit e saj të arratisur me yllin e kuq në ballë dhe “patriotët” shqiptar kuqezi me “Allahu Akber” dolën në ballë të popullit. E rrokën mandolinën e “Bjello Dugmes” (gishtat me kajmak). Flamurin shqiptar kuqezi me shqiponjën dykrenare e lidhën nyje me “Diellin me rreze” (ventillatorin). Patjetër, them unë: duhet të kenë pasur vapë të madhe gushti, në mes të Dimrit Madh.
Shoqatat e “pavarura” qytetare i nxorrën në rrugë me parulla nacionaliste e pankarta “revolucionare”. Studentët nga Universiteti “apolitik” (vatra e dijes) “Kirili dhe Metodi” me brohoritje, parulla e pankarta në duar për “ndryshime” politike pranë këmbëve Kalit të Skënderbeut përpara Qeverisë. Rrugët duke i bllokuar për qarkullim të lirshëm të komunikacionit, shkuarardhjes në punë.
Shtafetën e shokut Tito e dorëzuan në Kumanovë, në “Lagjen e trimave”, ku shqiptarët e puthën “shpëtimatrin” e tyre në të dyja faqet para kamerave televizive dhe syve të botës për t’i hapur shteg të hyjë në Haraçinë pa armë (?!). Haraçinën heroike, ku brate (vëllai) Lube, në Luftën e 2001 -shit me ftesën e komandant “Hoxha”, nuk pati guxim ta pi as edhe një kafe?! Edhe, sot hyri “shpëtimtari” pa luftë: ua “ndërtoi” kanalizimin, ujin ua “solli” në Katund, çerdhen e fëmijëve, spitalin. U premtoi edhe rindërtimin e shkollës fillore. Edhe pse, njëri nga fshatarët në fund të sallës e mori fjalën: Zotëri, po ne nuk kemi fëmijë? Kandidati për kryetar komune, aty për aty iu përgjigjë: Partia jonë Neokomuniste juve do t’u bëjë edhe fëmijë!
Fitorja “historike” e këtij “vëllai” të Njerkës arriti, kur në zgjedhjet parlamentare me ndihmën e “vëllezërve” shqiptar erdhi në pushtet. Partisë politike me “besë”, që deri dje kokën e kishte te Partia Neokomuniste (Bombahedhësi), e sot “bereqetin” e tundshëm në prehërin e Kaubojit të Shkupit. Krah për krahu me Mukin, dje i strukur në bythën e Kalit të Shemës, në Bit - Pazar, e sot mes herdheve të Bombahedhësit, matanë Vardarit.
Kulminacioni i politkës “madhore” shqiptare u arritë, kur u bë edhe marrëveshja politike historike: Partitë politike në pushtet t’i përkrahin kandidatët e njëra - tjetrës në disa komuna me shumicë shqiptare. Partia politike shqiptare aleate e hëngri grepin. E pranoi edhe publikisht se ka marrëveshje partiake edhe me Partinë Neokomuniste. Populli e ka thënë moti: fëlterja (tigani) në zjarr, e peshku në lumë. Gabim politik, shkaku se në politikë nuk ka besë: Tjetër thuhet, tjetër mendohet, tjetër premtohet e tjetër veprohet me kundërshtarin historik politik. Aqmëpak, duhet zënë besë. Populli shqiptar e ka edhe një porosi të urtë antologjike: Besë ki, por besë mos i zen as këmishës tënde në trup!
Pavetëdije, se: edhe me këtë marrëveshje partiake, partia politike me “besë” e fe do t’i humbë edhe votat e fituara të djeshme shqiptare. Përinatë, votuesit e “vëllezërve” dhe shqiptarët nuk do t’ua japin votën e premtuar të lirë demokratike kandidatëve shqiptar. Rrezik, që në këto zgjedhje lokale (2017) të dalin mu si motra e saj me “besë”, përfundojë me brekët nëpër këmbë në prehërin e “Shpëtimtarit”.
Kandidatët (pjella) e saj kësaj radhe dalin në fushatën zgjedhore lokale në “syrret” bostani mes fushe, rrugëve të Shkupit me sytë drejtuar nga qielli duke pritur ndihmën e “Allahut”. Amani, mosni se do t’i vjellë edhe zorrët e barkut! Çajupi për “burrat” shqiptar e ka thënë bukur: Pika që s’u bie, se nga gratë rrojnë. E, në ditën e sotshme shqiptarët, nuk e kanë gjallë Teutën Ilire. Unë, sot do ta them pak më ndryshe, mu disi në stilin e Çajupit: Pika që s’u bie, se nga djersa e popullit shqiptar rrojnë.
Fatkeqësisht, kur sot nga qielli zbriti edhe vetë Zoti në tokë. Hë për hë në qiell, sot jetojnë vetëm sorrat, çafkat dhe laraskat. Që, këtyre “patriotëve” me “besë e fe për Atdhe”, mund t’ua lëshojnë si shpërblim ndonjë gëlasë në kokë, ose gojë. Dielli, Hëna dhe yjet e mbretërojnë me shekuj Qiellin. Natyra. Njeriu ka qenë, është dhe do të jetë shërbetor i këtyre “zotrave”, që i japin dritë, ujë, ushqim dhe jetë.
Koha erdhi, mendimi im parashikues për Nesër: Shqiptarët, kësaj radhe nuk duhet të votojnë për parti politike, por për kandidatë politik dhe të pavarur të dëshmuar në jetën politike e publike. Që, e meritojnë votën e tyre të lirë dhe demokratike...