E shtune, 20.04.2024, 05:39 AM (GMT+1)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Hënorja

E enjte, 28.09.2017, 09:11 PM


HËNORJA

NGA KALOSH ÇELIKU

Moti kohë nuk marr pjesë në përurimin e librave me përjashtim të ndonjë miku ose mikeje. Shkaku, se: shumica e autorëve pa vetëdije për t’u dukur në botën artistike shqiptare “elitare”, përditë e përnatë po e përdhosin librin shqip para syve të botës. Në rendin e parë, krah për krahu ulen dhe radhiten kakademikët dhe trudëkaçët e “pavarur”. “Ajka” e popullit shqiptar. Papritmas, më vjen një mesazh - ftesë: Jeni i ftuar të merrni pjesë në përurimin e librit më të ri të Poetes Hënorja. Respekte. E përfundon ftesën autorja me tri pika përmbrapa.

Thashë me vete: haj të marr pjesë si krijues dhe mik i Hënores. Ndoshta ka ndryshuar diçka në këto përurime monotone të librave të përditshëm, që po na e zënë frymën në Qytetin Historik të Shqiptarëve. Turr bëjnë gjithë shqiptarët - shkrimtarë në përurimin  librave të tyre “kryevepra” nga të katër anët e Atdheut: Shqipëria, Kosova, Mali Zi e Çamëria, kur autorë të mirënjohur shqiptar edhe pse jetojnë në Shkup, ende nuk i kanë përuruar librat e tyre. Përmëkeq, as që turren ta përurojnë librin e tyre në Tiranë e Prishtinë me përjashtim të ndonjë kalorësi të arratisur partiak sa për t’u dukur para kamerave televizive. Them me vete: Plotësisht paska pasur të dtejtë satiristi shqiptar Niko Nikolla, kur në një Akademi Përkujtimore në Strugë (1997), tha: nuk ka popull shqiptar, por ka popull shkrimtar. E kënaqën me manifestime kulturore, që më së shumti u ngjajnë “mevludeve”, sesa takimeve poetike.

Edhe, mora pjesë si dashamir i librit. Mezi u mblodhëm dhjetë vetë me gjithë gazetarë të radiotelevizioneve shtetërore dhe private. Televizionin Shtetëror dhe ato “kombëtarë”, që i kemi me bollëk në Shtetin e “përbashkët”, askund në mesin e ngjarjeve të përditshme kulturore. Poashtu, edhe studentët e disa universiteteve shtetërore e private. Përjashtim bën si “ngjarje e librit”, nëse në ato ngjarje kulturore merr pjesë ndonjë politikan. Bërrylat i përdorin, mos them edhe grushtat, kush i pari të marrë ndonjë store në rendin e parë krah për krahu artistëve me politikanët qeveritar. Në një takim poetik, politikanëve u ndanë edhe mirënjohje në vend të poetëve. Prite një ditë, edhe kur çmimet letrare do t’i rrëmbejnë vetë politikanët. Dihet, e gjithë kjo zhurmë kulturore ndodhë në prag të fushatave parazgjedhore për deputetë e kryetarë komune.

Falë Zotit, kësaj radhe nuk merrte pjesë asnjë politikan, ose funksionar qeveritar. Rastësisht, merrte pjesë vetëm Drejtoresha e Institucionit Shtetëror. Ngase, edhe ajo vetë në shumë përurime të këtilla të librit, nuk merr pjesë si nikoqire e shtëpisë. Papritmas, shpërthej në vete si shkrimtar: kujt i duhen dhe i hyjnë në punë këto “ngjarje kulturore”, në prag të fushatës të zakonshme parazgjedhore?! I përgjigjem vetes: Drejtoreshës të Institucionit shtetëror si aktiviste partiake. Partive politike “demokratike”, që garojnë për “pushtet” në këto zgjedhje parlamentare e lokale me rrëmbimin e postit të deputetit popullit. E, kur të shpallin “fitore”, vijnë në “pushtet” dhe hipin në karrige, katër vjet me radhë do t’i harrojnë arsimin dhe kulturën shqiptare. Përurimin e librave.

Skena artistike në nivel “aristokrat”, veç më ka filluar sipas hierarkisë “kulturore”: mbi piano një shishe me verë të kuqe dhe një trëndafil. Andej-këndej, mbi tavolinë dhe nën tavolinë plot libra të autores rrinin kokë më kokë. Edhe, dikur dalin tri gra të pashme e elegante në prezentimin e librit pa asnjë burrë: Aktorja, prezentuesija e librit dhe autorja. Njëra me sa mbaj mend, më duket se ishte veshur kuqezi. Haptas shihej diskriminimi i burrave, në shoqërinë “demokratike”, gjinisë mashkullore e cila është koka e shtëpisë, por jo edhe qafa e  burrave të grave partiake, që më së shumti e ngrisin zërin për barazi gjinore. Ankesa e tyre gjatë këtij përurimi, se: të gjitha të drejtat e burrave, ua kanë marrë gratë, godiste në shenjë. Nuk e kam fjalën këtu në këtë shkrim  publicistik për Televizionin e “pavarur kombëtar SHENJA”. E as për televizionin tjetër të pavarur “ERA”. Edhe, të ndonjë Televizioni tjetër të “pavarur kombëtar”, veshur “kuqezi” me “xhamadanin vija - vija”. Burrat e grave, në këtë përurim libri e ngritën zërin, se: nuk kanë dalje tjetër demokratike, përveçëse të dalin në rrugë para Qeverisië të Shtetit “përbashkët” me parulla dhe pankarta në duar e brohoritje  dhe protesta paqësore qytetare për të fituar barazi të plotë me gratë besnike të partive politike.

Përçudi, në këtë përurim të librit nuk ishte prezente Hojdodolja azgane. Megjithatë, me siguri ajo edhe ia kishte përcjellë verën e kuqe me një trëndafil mbi piono autores të librit. Arsye, që mungonte gjatë kësaj nate festive “ashikja”, Dylqineja e Bit-Pazarit. Kutadi unë, ndodhë shkaku mentalitetit “primitiv” shqiptar, “ashikja” e priste finalen festive  dhe autoren e librit, strukur në ndonjë tavernë “bohemësh”, matanë Urës Gurit.

Mbrëmjen festive e hap aktorja elegante duke na sjellë një portret letrar dhe fragment nga libri i poetes. Pastaj, fjalën e merr reçezentja e librit. Dalldiset mbi biografinë e autores në disa faqe shkrimi, e shumë pak fjalë thotë para të pranishmëve për vlerat artistike të librit. Pastaj, përsëri aktorja me një fragment të gjatë monoton nga libri. Duartrokitjet frenetike nuk mungojnë në sallë. Brenda vetes, them: popull i çuditshmëm jemi ne shqiptarët. Duartrokisim vend e pa vend edhe nëpër shfaqje teatrore. Merreni me mend, e duartrokisim edhe Himnin Kombëtar nëpër tubime politike, arsimore e kulturore?! Vetes, ende i japim para pampurrit. Binareve të trenit nëpër tunel, ku me gjithë “fuqinë motorike” udhëton makina për në Evropë.

Mezi më në fund, pas aktores dhe prezentueses të librit, që nuk e kishin mendjen të zbresin nga skena, e merr fjalën edhe Hënorja. Në vend që t’i faleminderojë të pranishmit, ajo dalldiset dhe e shpjegon gjithë librin. Krijuesi tjetër i “përndjekur” në sistemin komunist me poste politike në redaksinë e “vëllazërim-bashkimit”, delë dhe rrëfen një përrallë të gjatë për babain e tij në arë mes fushe, që nuk ka të bëjë fare lidhje me tematikën e librit. Tjetri, një diskutim patetik - patriotik.

Në fund, Drejtoresha partiake me një tepsi me ujëra të ngjyrosur të të gjitha ngjyrave të ylberit, kur delë rrëzë malit pas shiut me shtamba, t’i rrasë pijet festive “hallall” para hundëve mbi tavolinë me meze partiake - politike.

Faleminderit, i them unë. Vetëmse, nuk e di oj dashamire e poezisë, a kam ardh në “Mevlud”, apo në përurimin e librit shqip?!...



(Vota: 27 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora