Kulturë
Ibrahim Gani: Më thuaj ç'të bëj Shqipëri?
E hene, 28.08.2017, 04:31 PM
Ibrahim Gani
Më thuaj ç'të bëj Shqipëri?
Më kot shtëpia më pret,
Kur kthehem, as vetë s'e di.
I hidhur hallemadhi kurbet,
-Më thuaj ç'të bëj Shqipëri?
Gjakmarrja si qen pas më ndjek,
Varra e saj një pus i zi…
Mali rënkon, deti buçet:
-Më thuaj ç'të bëj Shqipëri?
Plehrat ombrellë në Parlament,
Gënjeshtra, mburrje e lavdi…
Dashnorja mëshqerrë në treg…
-Më thuaj ç'të bëj Shqipëri?
Shoveni grek pis mot e jetë,
Në oborrin tim kërkon kufi.
Në kishë prifti greqisht pëllet,
-Më thuaj ç'të bëj Shqipëri?
Flas me vetveten ditë e net:
-Dëgjo zuskë demokraci,
Horllëku për ty nur e mbret…
-Më thuaj ç'të bëj Shqipëri?
Ke dhjetëra vjet, o deputet,
Na mbyte me oratori.
Eh, xhepi yt thes e tërmet,
-Më thuaj ç'të bëj Shqipëri?
Dialog brilant në Parlament:
-Unë kusar?! Vrasës je ti,
Edhe në ferr pas do të ndjek…
-Më thuaj ç’të bëj Shqipëri?
Pas sharjesh lumë, në Bozdovec:
-Koleg të gjej me shtatë dolli;
Tymnaja për në çadër, lezet…
-Më thuaj ç’të bëj Shqipëri?
Zana s’guxon të dalë në shteg,
Thepi i pushkës e mban në sy…
-Ku je moj Zanë, shkolla thërret,
-Më thuaj ç’të bëj Shqipëri?
Bilbili i policit buçet:
-Kundravajtje prit aty…
(pesëqinshe vafsh me shëndet!)
-Më thuaj ç’të bëj Shqipëri?
Osebeisti lumin a det
Sërish e derdh bajagi:
-Tolerancë! S’ka tjetër shteg…
-Më thuaj ç’të bëj Shqipëri?
Ky ligjërim mbi njëzet vjet,
Grami në brazda, monotoni…
Lotët rrungajë, pushteti qesh,
-Më thuaj ç’të bëj Shqipëri?
I dhemshuri popull Poet,
Të mbiu ferra në sy…
-E mprehta kosë ferrat i pret…
Më thotë NËNA SHQIPËRI:
Tiranë, 2004-2006