Kulturë
Puntorie Ziba: Në kohën e qershive
E enjte, 24.08.2017, 11:45 AM
PUNTORIE MUÇA-ZIBA
Në kohën e qershive
Në kohën e qershive
kalaveshët e kuq
ia çelin udhë dashurisë,
një dritë vere zbulon fijëzat e shpirtit,
buzëtrëndafilet ujiten me lëng qershie
dhe sytë shijojnë të kuqtë e saj.
Në kohën e qershive
shpirtrat marrin fluturimin drejt qiellit
sapo zbulohet faqehëna nga shtëllunga resh
dhe përloten mbi syrin e saj
për ata që dëshirohen për dashurinë
deri në frymën e mbrame.
...dhe zvarriten mbi ngrehina resh
nën dritën e ditës diellore
kur dënesin yjet
kur me këngë në gojë gjëmojnë
vetëm ata që dashurojnë dashurinë:
qershia prej rrënje shkuleshte
vashëza prej nëne ndaheshte.
Përse, o Zot nuk ua merr ditën e fundme të jetës
në kohën e vjeljeve të qershive
atyre që përgjërojnë dashurinë.
Krimbi mësymës i syve t’huaj
Mes përmes rrugëve të zemrës njerëzore
çel zhele m’zhele
krimbi mësymës i syve t’huaj.
Me galop rend
shpërprush mushkëritë e qyteteve
në tempullin e tij fut krimba tjerë,
i ul në banga për të nxënë
si të bredhin rrugëve të dheut
si t’i gërryejnë zorrët e barkut të maleve.
Lartmadhëria e tij ec n’guva shtatderdhur
njerëzit e vegjël
s’gjejnë shpirt ta shikojnë nga lart,
kujtojnë prehje nëne
në embrion valvitur
dhe n’shullatë dherash nisin rrugën e gjatë
derisa në ndonjë ngushticë dheu
vdesin e lindin
për të gërryer n’sy të huaj
për të ngrënë dynjanë.
Të rrjepur deri në asht
dheu i zi e tret
në tufë krimbash tjerë e fut
në çastin kur i zë çelën mortja.
Luan mendsh shapi i shpirtit krimbmbetur
nga dromcat n’gërmaz,
ah,në embrion balte
lind krimb përsëri.
Natës së varrit do t’i rrëfehem
( Ulni zërin t’mos dëgjoj bota si u ngujuan dy palë krushq
që vetes udhën ia zunë.)
U fut tenjë e zezë në mukozën e syve
brenga brodhi brezave
qysh nga guvat e shekujve.
Natës së varrit do t’ia rrëfej
se me finjë loti u la grania.
Nga hiri i të vdekurve erdhën këta vaki
ç’mu futën sonte në këtë varg
vajtojcat që përcollën krushqit,
nusen nazetore plot uzdajë
që çapëlonte sytë drejt rrobave të dhëndrit
dhëndëruar fushëtirave
dhe i stepej sfinksit
për spektaklin e të mëkatnuarëve n’udhë.
Gjëmat e moteve
shijen e athme të gjakut morën
dhe inati ngulte këmbë.
Plepat rënduar dhembje nuk bënin hije
hëna vetull përgjakur s’bëri dritë
kur huqemëdhenjtë mbanin frerë.
Natës së varrit do t’ia rrëfej
se me finjë loti u la grania.
Haj medet njëqind krushq në atë anë
dhe njëqind tersndjellë n’këtanë
drodhën udhën e gurtë buzë ujit
tue kërkuar kallëza n'dimër.
Hingëlluan kuajt u turfullua nahia,
vallë u vra një kalë race
nga nusja shaluar,
apo kallej Shqipëria.
U shkep një klithmë tej oqeanesh
potkonjtë mbathur ranë në udhëkryq
ditën diellnxirë.
Eh, rrëfenja e shekullit
shtrirë linjës së trishtë
frikoi foshnjet n’rrugë të embrionit.
E vërteta për mitin ndjellakeq
futet në kthinën time
kur shfletoj fotografinë vjetëruar.
Ç’më fanitet procesioni mes një udhe
ku puqeshin dy palë krushq thikarë
me ca gjembaç të shushatur
dhe toka jonë mbetej e gjymtë,
arratisej gjelbërimi
stërkala gjaku
pëlyrnin të bardhën dashni prej kashte,
nanurisnin çatitë
shkëputej nga një copë det
dhe vinte vdekja gëlltiste malet
ata çaheshin dysh e rënkonin.
Nga kumtet ogurzeza
zorrët turfullojnë:
siç duhej mbetur
nuk mbetëm,
siç duhej dukur
nuk dukemi.
...dhe kënga e gjelave mbeti dergjë
derisa varrosej viseve të egra.
Kurmi mu ngjeth
në sumbulla loti u mbyt,
unë s’mbeta shurdhe
s’i duroja as ngushëllimtarët
që molë mu bënë.
lakmova rracën e hazdisur
ah, patën male boll
dete e fusha gjelbroshe boll,
qëkur ndezën flakën fatale.
Keq më vjen
e dhembja bëhet lot
e loti mbyt syrin tim.
Një njollë n’pergamen mbetur
për krushqit e ngrirë tej rruge.
Ulni zërin bota t’mos dëgjoj
si u ngujuan krushqit tonë
që vetes udhën ia zunë.
Aty u hodh një kafkë
(Mbani mbi supe ata gjynahe
mbase, kushedi, ju duhen me muros vetveten.)
Me cigaren e dredhur
varur n'buzë
ca duar rrace
hodhën kafkën me tahmin
ngulën gozhdat thellë në asht
në një muranë të egërsuar
ku frika e vdekja mori udhë
kapur për mëngën
e legjendës teletisur xhingla-xhingla
që përplaset si jehonë
n’faqen purpur të kafkës sime
deri në lotin e syrit t’dalë plage.
Gjinjtë myshk mbuluar
squllur mes gurësh
dhe pandehma e figurës platitur
pret e përcjell beronja
kataraktë shqyer në embrion
që ia krisin vajit
nën hijen e syve të hirtë
ah,brenda kepave kërcu.
Kur u fug një kafkë faqe ngrënë,
fitoi sedra apo flijimi
sedra apo flijimi,
sedra apo të qenët i tëri njeri,
atje ku vunë peng një palë gji
një tufë floku
një palë mollëza djegur
dy sy rraskapitur.
Rozafë, e gjetshin nga mos e pandehshin,
aty mes shkrepash
ku u bënë palë, gji e sy!
Ata duar rrace
me cigaren dredhur
varur n'buzë,
le t’i mbajnë mbi supe gjynahet
mbase, kushedi, ju duhen me muros vetveten.
Shkup,
22 gusht 2017
…
Unë mbeta tëmthfryrë
në shtratin e akullt,
ti m’sheh ndër pasqyra
lum më lum kulluar
me një copë zemre në pëllëmbë
tue plas si guri majë kraste.
Asnjë dorë nuk erdhi në ëndërr
njëmijë vitet e para të lule balsamit,
kur fleja si me fle gjumin e madh
o, fjetsh të mirën!
Ti humb fillin dhe fjalët e pëlyrura
qelbën dynjanë...
Kot mba nën sjetull librat e këshillave të shenjta
ngaqë shtrydh dashninë time
kur i gris me dhëmbë jorganët e tu.
Shtiresh se i puth sytë e librave t’shenjtë
kur unë shoh sy njerëzish
eh, ma ronitën trurin
ata që shpikën vdekjen,
por ty s’të pash kurrë t’gjallë
por ty s’të pash njëherë t’gjallë.
O, fjetsh të mirën
në vera të gjata
e vjeshta të thata
me fruta e gjethe rrëzuar përdhe.
N'pikë dite do terratisi dhomën
sa ta fshi përgjithnjë emrin tënd
shkruar n’logje t’mia
me sumbulla loti.