E enjte, 03.10.2024, 06:45 PM (GMT+1)

Kulturë

Gëzim Llojdia: Kur Ali Asllani ishte kryetar bashkie

E shtune, 26.08.2017, 10:24 AM


KUR ALI ASLLANI ISHTE KRYETAR BASHKIE I VLORES

Nga Gëzim Llojdia

1.

Në çdo vend demokratik të botës, thoshte Ali Asllani, institucionet forcohen nga ana e shtetit, kurse qytetarëve iu bëhet e qartë , se ato duhet të respektohen nga të gjithë. Përveç kësaj,  porosiste Kryetari i Bashkisë,  nëpunësit duhet ti njohin mirë problemet e tyre, që mbulojnë,  dhe që i ndjekin për çdo ditë në mënyrë, që dhe rregullat e ligjet e shtetit, të bëhen shumë të kuptueshme dhe të thjeshta, për tu zbatuar nga qytetarët. Dhe këtë, ai e bënte vet i pari dhe në mënyrë të përsosur.

Ja si më ka rrëfyer  Qëndro Meminaj për të atin  im Shuhaip Meminaj, djali i dajos së tij nga fshati Trevëllazër, i cili për disa vjet , ka punuar dhe është kujdesur për lulishten kryesore të Vlorës.

”Edhe ne,  që e kishim nip bile edhe kushërinjtë tanë dhe bashkëfshatarë të tjerë nga fshati ynë, që Ali Efendiu i njihte dhe iu thërriste dajo, kur venin në Vlorë, nuk shkonim për ta takuar në Bashki, sa herë që të donin. Sepse , ai sa i dashur që ishte me ne, kur vinte në shtëpitë tona, apo edhe kur shkonim ne në shtëpinë e tij, aq serioz ishte në zyrë. Prandaj shumë herë, ose e prisnim sa dilte nga zyra, ose shkonim në shtëpi për ta takuar.

2.

Gjithmonë përpara Bashkisë,  ai kishte urdhëruar që të punonte një lustraxhi, kurse brenda në korridor, të vendosej një gardërobë me disa xhaketa e bluza. Dhe kushdo që do të shkonte për ta takuar Kryetarin e Bashkisë, duhet ti fshinte këpucët dhe ti lyente me bojë, aq sa ato mbanin. Nqs qytetari nuk kish mundësi të paguante llustraxhinë,  atë e paguante Bashkia nga fondi i saj, dhe pastaj sipas kohës dhe nevojës vishte dhe një xhaketë, e shkonte për të takuar Kryetarin, Ali Efendinë.

Dalë nga dalë,  qytetarët filluan ta kuptojnë dhe në takim me të shkonin më të pastër dhe të veshur më mirë, sipas edhe mundësive që kishin. Ali Asllani i vendosi këto kushte, jo vetëm se ato ndikonin në rritjen e kulturës qytetare, që atëherë ishte shumë e nevojshme, por edhe për të ndërgjegjësuar qytetarët, se në ato zyra të shtetit, që iu zgjidheshin problemet dhe hallet, që iu mbrohej prona dhe iu garantohej dhe jeta, të shkoje i rregullt,  ti doje e respektoje ata nëpunës e pushtetar, sepse doje dhe respektoje shtetin tënd që ahere ndihej shumë nevoja e tij. Ishte ky qëndrim dhe ky preokupim i Ali Asllanit që institucionet në qytetin e Vlorës, të funksionin normalisht,  e të ecnin në rrugë të mbarë, duke i zgjidhur më së miri, hallet e problemet që kishin në atë kohë, Vlora dhe qytetarët e saj. Prandaj ishin të shumtë e përditë jo vetëm banorët e qytetit të Vlorës por edhe banorët të fshatarëve të rrethit, që përherë shkonin të takonin Ali Asllanin, Kryetarin e tyre. Edhe  ai i priste me kënaqësi e në bazë të kompetencave dhe mundësive që kishte, iu zgjidhte ankesat që kishin dhe nuk e mbyllte zyrën , pa ikur i kënaqur edhe qytetari i fundit. Ai i realizonte këto detyra të rëndësishme, jo vetëm me punën e tij e tij të ndershme, por edhe me punën që bënin vartësit e tij, që punonin në zyrat e Bashkisë e kudo në qytet, sepse në to ai kishte zgjedhur dhe vendosur intelektualët më të mirë, ekonomistë, inxhinierë dhe teknik që kishin mbaruar shkollat jashtë vendit.

3.

Pavarësisht nga stafi që Ali Asllani kishte në Bashki, të cilët ishin me nivel të lartë dhe me arsimin përkatës, sipas funksionit dhe detyrave që kryenin, ai nuk mjaftohej me aq. Gjithmonë kur mbaronte orari zyrtar, Kryetari i Bashkisë nuk shkonte menjëherë në shtëpi, por kalonte andej nga ishin dhënë detyrat në mëngjes, dhe kontrollonte, se sa ishin zbatuar ato,  dhe në mënyrë të veçantë shërbimet urbane. Siç ishin kanalet e ujërave të bardha e të zeza, që ndërtoheshin për herë të parë apo rikostruktoheshin, deri ku kishin arritur ndërtimet, në ndonjë rrugë, objekt në ujë të pijshëm, trotuar, lulishte et.j

4.

Në mëngjes kur mblidhte nëpunësit, ai nuk priste që ata të raportonin, se si ishin kryer detyrat që kishin patur ditën e parë, por jepte direkt detyrat e reja, mbasi ai i njihte vet, volumin dhe cilësinë e punimeve, duke iu bërë edhe vërejtjet për punën që nuk ishte bërë mirë. Kjo i vinte në pozita punonjësit që punonin me të në Bashki e gjetkë, prandaj edhe ata filluan të punonin dhe të vepronin ashtu si Kryetari i Bashkisë. Kështu që  punët në qytetin e Vlorës, përmirësoheshin dhe nga dita në ditë, bëheshin më mirë.

5.

Ato vite kur Ali Asllani ishte  Kryetar Bashkie, populli i Vlorës si dhe i gjithë populli shqiptar, kishte shumë nevojë për të siguruar drithërat e bukës dhe sidomos, në vitet që kishte thatësirë të madhe. Por Kryetari i Bashkisë i merrte masat me kohë dhe ndonjëherë e sillte drithin nga jashtë dhe e mbyllte nëpër magazina. Pastaj në bazë të kërkesave që kishte qyteti por edhe nga  fshatrat,  mbështetur në sasinë që grumbullonte, bënte planin e shpërndarjes me grafik të rregullt për çdo periudhë kohore, duke u bërë furnizimi i tyre në mënyrë normale .Ja si e ka treguar Izet Dauti nga fshati Kërkovë:”Sipas datës që  na ishte  caktuar nga Bashkia, shkuam në magazinat e Portit, që të merrnin drithin që  na ishte  planifikuar për fshatin tonë.Por atje rojet italiane të portit, na nxorën shumë pengesa, mbasi ata ngrinin çmimin e kontrabandës, për të përfituar për veten e tyre, në rrugë të padrejtë dhe në kurrizin tonë. Katër –pesë burra nga fshati ynë shkuam në bashki, ku na priti menjëherë Ali Efendiu, të cilin e informuan për çfarë na kishte ndodhur. Ai u nervozua shumë sepse i erdhi keq për neve. Me të shpejt shkroi një letër dhe u foli aty tre xhandarëve të Bashkisë, ku njëri prej tyre ishte  italian.

-Do të shkoni tek depot në port dhe do të filloni menjëherë nga ndarja e drithit, se nuk ka xhandar nga Vlora apo të huaj, që të bëjnë dallavere dhe të pengojnë zbatimin e këtij urdhëri.

Kush të dojë le ta provojë, sepse i shkurtojmë nga  këmbët.

Bashkë me ta do të shkoni edhe ju-i tha italianit dhe mbas një ore jam edhe unë atje. Me tu dorëzuar letra, u hapën menjëherë depot për ne dhe për disa fshatra të tjerë që kishin radhën për furnizim. Ndarja e drithit u bë ashtu siç porositi Ali Efendiu, sepse në atë mënyrë nuk kishte asnjë kundërshtim nga ana jonë.

Ai vetë kishte ardhur më përpara seç na tha neve, por në atë kohë që ne e pamë,  Ali Efendiu kish mbledhur xhandarët dhe po u jepte porosi:”Çdo njeri prej jush u thoshte, do të  përcjell fshatarët e një fshati sa të dalin nga qyteti, për të mos patur probleme e konfuzion gjatë rrugës.

6.

Ali Asllani zgjidhte edhe probleme të tjera për fshatarësinë, mbasi në atë kohë, ka qenë edhe Kryetar i Katundisë për rrethin e Vlorës. Njerëzit e mi  rrëfen Q.Meminaj, nga fshati Trevëllazër, na kanë treguar për një konflikt që kanë patur 4-5 familje nga ky fshatë me disa familje të fshatit Kaninë, të cilat i kishin në pronësi tokat e fshatit Beshishtë që ishte  kufi me fshatin tonë. Bëhej fjalë për disa sip. toke të vogla pyll, kullotë që ishin vazhdim i kullotave të mëdha e që njiheshin prej kohësh si musha, pronë e tërë fshatit. Por për këtë problem,  kishte dëgjuar edhe Ali Efendiu i cili i kishte dërguar Kryeplakut të fshatit, që të mos bëhej asnjë lëvizje nga fshatarët, sepse për zgjidhjen e tij, do të vinte vet në fshat dhe kishte përcaktuar edhe datën e orën.

Me ta ardhur në qendër të fshatit, Ali Efendiu u përqafua me të gjithë, e menjëherë e mori fjalën:”Ato copëra kullotash që bëhet fjalë për tu zgjidhur nuk kanë ndonjë vlerë të madhe  tha ai, sepse ato janë në terrene të thyer dhe nga to nuk kini asnjë përfitim. Familjet do të kenë gjithmonë probleme se i kanë edhe larg nga fshati. Dhe meqë ato janë në vazhdim të kullotave të përbashkëta të fshatit, le ti bashkëngjiten asaj dhe atje të vendosim vetëm një kufi, që ndan fshatin Trevëllazër me fshatin Beshisht.

Ato do ta respektojnë atë kufi dhe nuk do të ketë më ngatërresa, sepse ai është kufiri i një fshati. Të gjithë ato familje që kishin pjesë në atë konflikt, u përgjigjën në një zë:”Të bëhet ashtu siç tha Ali Efendiu. Pastaj drejtuesi i mbledhjes  shprehu dëshirën që Ali Efendiu të vazhdonte të fliste edhe për problemet e tjera, sepse ata ishin mësuar me të dhe kishin kënaqësi të madhe ta dëgjonin. Kryeplaku i tha do të na plotësosh një kërkesë:të qëndrosh për drekë, se na kishte marr malli. Është shumë e drejtë,  tha Ali Efendiu , që të flasë dhe për problemet e tjera të qëndroj edhe për drekë, por sot do të përfundojmë me kaq, se unë bashkë me përfaqësuesit tuaj, do të shkojmë atje në atë vend ku është konflikti. Atje janë edhe kaninjotët se i kam lajmëruar unë që të vijnë. Që aty bashkë me Ali Efendinë shkuan në vend, vendosën kufirin të dy palët dhe i dhanë  dorën njëri-tjetrit në prezencë të tij .Qysh athere e deri mbas luftës, nuk pati asnjë konflikt ndërmjet dy fshatarëve, është për tu theksuar se pas vitit ’91 këto familje nuk i bënë dokumentet e pronësisë, për ato parcela që bëhej fjalë, pasi ato i qenë bashkangjitur kullotave të përbashkëta të fshatit. Kjo i tregon qartë , jo vetëm,  se si i zgjidhte ai hallet e qytetarëve, por edhe drejtësinë e vendimeve që merte e zbatonte Ali Asllani dhe nga na tjetër duket qartë besimi dhe respekti që kishin qytetarët për të e për fjalën e tij.

7.

Ka një të fshehtë ndoshta të panjohur, kohën e punës së Ali Aslanit dhe përqëndrimin e tij kundër këtij “kanceri”.Qëndro Meminaj ka zhbiruar duke u përqendruar më tepër tek luftimi që kërkon ndërgjegje të pastër si qelibari siç ishte  shpirti i poetit pushtetar .Kemi shqyrtuar më lartë, luftën që bënte ai në portin e Vlorës për kontrabandën që bëhej nga italianët me çmimin e drithërave që importoheshin.

Ali Asllani ishte i papajtueshëm me këto fenomene dhe në të gjitha drejtimet, u bënte luftë të pamëshirshme. Në marrëdhëniet që ndërtonte ai me nëpunësit e Bashkisë, të institucioneve të tjera të qytetit, të dikastereve qeveritare, me popullin e Vlorës dhe të krahinave, ai ishte tepër korrekt dhe i ndershëm dhe këtë transparencë e kërkonte vazhdimisht edhe nga vartësit e tij. Këto veprime i bënte Kryetari i Bashkisë, jo vetëm të tregonte transparencë për  veten e tij, por tu mësonte edhe vartësve se si të punonin, tu tregonte dhuruesve dhe tërë popullit të Vlorës, se si administroheshin dhe ku shpenzoheshin ato vlera monetare të tyre. Kështu e luftonte korrupsionin dhe kontrabandën në administratë, Ali Asllani si fenomene të rrezikshme ishin njohur në vende të ndryshme të botës. Këtë rrezik,  që i kanosej vendit nga këto fenomene negative, dhe që ishin reale gjatë lutës së II botërore, i ka patur mirë parasysh Ali Asllani, kur shkroi poemën “Hakërrim”.Në atë poemë, ai u bënte luftë shumë të ashpër atyre elementëve të pandershëm e të molepsur, që për hir të pasurimit të tyre, brenda një kohe të shkurtër ishin të gatshëm dhe bënë çdo gjë, në dëm të atdheut, kombit shqiptarë .Prandaj  ai do të shkruante:

 

Hakërrim

 

Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë,

nëpër fusha,  nëpër kodra,  vërshëllen një egërsirë!

Pra,  o burra,  hani,  pini,  hani,  pini or' e ças,

Për çakallin,  nat' e errët,  është ras' e deli ras'!

 

Hani,  pini dhe rrëmbeni,  mbushni xhepe,  mbushni arka,

të pabrek' ju gjeti dreka,  milionier' ju gjeti darka!

Hani,  pini e rrëmbeni,  mbushni arka,  mbushni xhepe,

gjersa populli bujar t'ju përgjigjet: peqe,  lepe!

 

Ai rron për zotrinë tuaj,  pun' e tija,  djers' e ballit,

ësht' kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit!

Shyqyr zotit,  s'ka më mirë,  lumturi dhe bukuri,

dhe kur vjen e ju qan hallin,  varni buz' edhe turi!

 

Hani,  pini dhe rrëmbeni,  është koha e çakenjvet;

hani,  pini e rrëmbeni,  ësht' bot e maskarenjve;

Hani,  pini,  vidhni,  mblidhni gjith' aksione,  monopole,

ekselenca dhe shkëlqesa,  tuti quanti come vuole!

 

Nënshkrim i zotris suaj nëpër banka vlen milion,

ju shkëlqen në kraharuar dekorata "Grand Cordon"!

Dhe kërkoni me ballhapur (!) komb i varfër t'ju thërres'

gjith me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkëlqes'

dhe të quheni përhera luftëtar' e patriot',

në ka zot dhe do duroj',  posht ky zot,  ky palo zot!

 

Grand Kordon i zotris'sate,  që në gji të kan' vendosur,

ësht' pështyma e gjakosur e atdheut të veremosur;

dhe kolltuku ku ke hipur,  duke hequr nderin zvarr',

ësht' trikëmbshi që përdita varet kombi në litar!

Dhe zotrote kullurdise,  diç,  u bëre e pandeh,

kundër burrit të vërtetë zë e vjell e zë e leh!

 

E na tunde,  na lëkunde,  nëpër salla shkon e shkunde,

mbasi dora e armikut ty me shok' të heq për hunde.

Rroftë miku yt i huaj,  që për dita los e qesh,

të gradoi katër shkallë,  pse i the dy fjal' në vesh!

 

Koha dridhet e përdridhet,  do vij' dita që do zgjidhet

dhe nga trasta pem' e kalbur doemos jasht' do hidhet!

Koha dridhet e përdridhet,  prej gradimit katër shkallë

nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul' e zezë në ballë!

 

Mirpo ju që s'keni pasur as nevoj' as gjë të keqe,

më përpara nga të gjithë,  ju i thatë armikut: "Peqe!"

Që të zinit një kolltuk,  aq u ulët u përkulët,

sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët!

As ju hahet,  as ju pihet,  vetëm titulli ju kihet…

Teksa fshat' i varfër digjet… kryekurva nis e krihet!

 

Sidomos ju dredharakë,  ju me zemra aq të nxira,

ju dinakë,  ju shushunja,  ju gjahtar' në errësira!

Ç'na pa syri,  ç'na pa syri!… Hunda juaj ku nuk hyri:

te i miri,  te i ligu,  te spiuni më i ndyri!

 

Dallavera nëpër zyra,  dallavera në pazar,

dallavera me të huaj,  dallavera me shqiptar'

Vetëm,  vetëm dallavera,  dhe në dëm të këtij vendi

që ju rriti,  që ju ngriti,  që ju ngopi,  që ju dendi!

 

Nëse kombi vete mbarë,  nesër ju veproni ndryshe,

dylli bëhet si të duash,  kukuvajk' dhe dallëndyshe…

kukuvajka gjith,  me lajka,  nesër silleni bujar,

nënë dorë e nënë maska,  shkoni jepni një kapar!

 

Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera

kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera…

Ja,  ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,

koha është e maskarenjve,  po Atdheu i shqipëtarve!

 

Edhe ju të robëruar,  rob në dor' të metelikut,

fshini sofrat e kujtdoj',  puthni këmbën e armikut!

Që ta kesh armikun mik e pandehni mençuri,

mjafton bërja pasanik,  pasanik dhe "bej" i ri,

dhe u bëtë pasanik,  me pallate,  me vetura,

kurse burrat më fisnikë,  japin shpirtin në tortura!

 

Vendi qenka sofr' e qorrit,  vlen për goj' e për lëfytë,

bëni sikur veni vetull',  shoku-shokut kreni sytë…

Dhe për një kërkoni pesë,  po më mir' njëzet e pesë.

Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!

 

Po një dit' që nis e vrëret do mbaroj' me bubullimë,

ky i sotmi zër' i errët,  bëhet vetëtimë

dhe i bije rrufeja pasuris' dhe,  kësi lloj,

nuk ju mbetet gjë në dorë,  vetëm një kafshit' për goj'!

 

A e dini që fitimi brenda katër vjet mizor'

nuk ësht' yti,  nuk ësht' imi,  është i kombit arbror,

ësht' i syrit në lot mëkuar,  ësht' i vendit djegur,  pjekur,

Ju do thoni si të doni… po e drejta dërmon hekur!

9.

Është e qartë për të gjithë, se karrigia ku ishte ulur Ali Asllani dhe zyra ku ai ka punuar dikur, qoftë si Kryetar Bashkie, Nënprefekt, Prefekt, Kryeskretar në Qeverinë e I.Qemalit, e S.Delvinës e ka treguar më së miri se po të punosh me ndërgjegje të lartë, këto fenomene negative, nuk ngrenë kokë.Ali Asllani e dinte dhe e shihte vet vendin e tij që ishte më pak i zhvilluar se shumë vende të tjera të Evropës, por ai nuk hoqi asnjëherë shpresat, se Shqipëria, një ditë do të bëhej, ashtu siç i përkiste të kaluarës së saj të ndritur..Shprehje më të bukur se në poemën  e tij për Vlorën nuk besoj se gjendet:

-Gjezdisa Europën, gjezdisa Azinë

-Gjer tek molla e kuqe, vajta gjer në Kinë

-E me re te bardha, dhashë edhe mora,

-Hazinera gjeja, kur më hante dora,

-E me re të bardha, mora dhe dhashë

-Porsi Vlorën time, një qytet nuk pash…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora