Kulturë
Tahir Bezhani: Kur fryjnë erërat e mallit
E hene, 27.03.2017, 06:56 PM
Tahir Bezhani
KUR FRYJNË ERËRAT E MALLIT....
Shëtita rrugëve të qytetit
Kalova Çarshisë vjetër
Me mallin e ruajtur gjatë
Të shoh katrorët e kalldrëmet
Ku patkoit krijonin ritëm,muzikalitet
Nuk ishin si më parë
I kishte kafshuar koha...
Në heshtje,i vetmuar
Numërova këndet,kthesat
Kalova Çarshisë së vogël,
Gjithë Gjakovën
Shikova katrorët e zhytur
Në balten e kohës
Ishin tjetërsuar në kohën e re
Kujtesa më sillte figura njerëzish
Banorë të ikur kujtime të gjata
Futur në thellësinë time
Shikoja gjatë,i kërrusur
Këndet e errëta ku trembej shpirti
Më kujtohen pranvera të shumta
Tërë natën dehesha
Në bukurinë e shëmtuar
Më erë lulesh të buzëqeshura
Nuk dija as për shtëpinë e zbrazët
Ecja gropëzave të kujtimeve të vrara
Nëpër prushin që më digjte
Gjurmët mbeteshin në pluhurin e syve
Një mall flakë atëherë e sot
Më tërhoqi zemra zvarë rrugëve
Me sytë futur zgavrave të dhimbjeve
Eh! Sa njerëzit i shikova !
Veshur më rrobat e imagjinatës sime
Rrugëve të qytetit përshëndeta
Siluetat e tretura hijeve të territ
Ndala kafeneve të ndiej zhurmën e lodhur
Dikur më avullohej mendja e shprishur
Thonjtë e mërdhirë si asht’ i gjetur
I grimcoja...
Si fryjnë erërat e mallit në sosje dite
Psherëtimat fluturojnë përmallshëm
Si shashka zjarri oxhaqeve dalin
Qiellin e përlotur e ndriçojnë
Me Ali Podrimën e Baclokun
Natën vonë
Gotat i cakërrojmë
Të etur u ndamë
I kallët mbeta për gjithmonë
Në prehrin e tokës nanë...
NUK VDES POETI
( Dritëro Agollit)
Kur vdes poeti
Dhimbje, pikëllim pafund
Ndien shpirti
Dritëro nuk vdes kurrë
E shikojmë kudo rrugëve të qytetit tonë
Atë flokëbardhë me llullën në gojë
Tym vjellë nga thellësia
E vargu lartësive jehonë
Meteorë pamja e tij
Vargu kryengritës e melankoli
Qan e qesh koha e tij
Kuq e zi lëngu i zemrës
Nëpër kohë flladiste shpirtin
Dridhje e varur në akrepat e orës
Kur ora maste jetën e tij
Flasim ëmbël me vargun që të dridh
Trishtimin e djeg nikotina
Mes gishtërinjve të zverdhur lapsi
Shkruante me flakën e shpirtit
Skalitur me brumin e zemrës
Me pendën e mendjes
E kush foli: “ vdiq Dritëroi ?”
Jo! Ai jeton mes nesh
Me shekuj nuk e harrojmë
Në bronz me vargun rreze
Gjakove,
19.mars,2017