E diele, 06.10.2024, 09:23 AM (GMT+1)

Kulturë

Kadri Tarelli: Ç'merake treti Dritëroin

E premte, 24.03.2017, 08:42 PM


Ç’MERAK E TRETI DRITEROIN?

Meditim mbi epitafin e tij

Nga Kadri Tarelli

Ka pak kohë që Dritero Agolli, shkrimtari dhe poeti i shumënjohur ndër shqiptarët, ndërroi jetë për të mbetur i përjetëshëm në ndërgjegjen e kombit me veprat e shumta që la. “Njeriu rron, përsa kohë kujtohet nga të gjallët”, thotë i dituri Mishel Turnie.

Të shumtë ishin ata që folën e shkruan që në ditët e para të kësaj ngjarje të hidhur për familjen dhe jetën letrare e artistike në vend, duke shprehur dhimbje e nderim për këtë figurë që i rezistoi tallazeve të forta, si në diktaturë dhe në këtë tranzicion të trazuar. Kam ndjesi, se edhe për një kohë të gjatë do të vazhdojnë të flasin e shkruajnë në media dhe nëpër faqet e shtypit, ashu siç po ndodh edhe në ditët e sotme, ku secili shpreh atë që di e atë që ndjen për Driteroin e madh, për t’i lënë vendin studjuesve dhe kritikëve të letërsisë.

Nuk marr përsipër që në një shkrim të shkurtër të analizoj veprën, e cila ze volume të tëra të botuara në afro 60 vjet krijimtari. Si lexues dhe dëgjues i rregullt i të gjitha shkrimeve dhe rubrikave kushtuar kësaj figure, vë re se ka dy lloj qëndrimesh e shkrimesh në vlerësimin e jetës dhe veprës së tij. Shumë adhurues e aty-këtu pak zëra kundërshtarësh, secili në këndvështrimin e tij, pasi askush nuk ka monopolin e të vërtetës, aq më tepër kur flitet për krijimtari. Është mëse normale, që jo të gjithë ta duan dhe ta pëlqejnë artin e një autori, qoftë edhe i përmasave të Driteroit. Të gjithë janë në të drejtën e tyre. Nuk i kundërshtoj dhe s’kam pse. Veç dua të shtoj se, të dy palët duhet të ruajnë masën, pasi siç shprehet diku, Akademiku Alfred Uçi: “Gjykatsi më i mirë i një vepre, tashmë dihet se kush është: njerëzit e thjeshtë dhe koha”.

Them kështu, pasi të parët, ata që e pëlqejnë, i bashkojnë në një të vetme, krijimtarinë letrare dhe qëndrimin politik e ideologjik, ndërsa kundërshatrët bëjnë sikur nuk e përfillin forcën krijuese, bukurinë e fjalës dhe të vargut poetik të këtij autori, duke nxjerrë në mejdan veç postin zyrtar dhe qëndrimin politik, duke u kapur te ndikimi i veprës në ndërgjegjen e të rinjëve dhe të shqiptarëve në përgjithësi, ku i këndohet lavdisë dhe bukurisë së diktaturës dhe të diktatorit. Mendoj se të dy palët të mos i nxjerrin dhe t’i tundin këta flamurë, pasi ua dogji në duar vetëm eksodi i Korrikut 1990 dhe i Marsit 1991, kur qindra-mijëra shqiptarë msynë kufirin dhe detin, si të ndjekur nga pushtuesi.

Dua të jem i drejtë me veten dhe të tjerët, kur mendoj e gjykoj, se Driteroi, si edhe shumë të tjerë, është pjesë e elitës intelektuale që u krijua pas atij vakumi të pas luftës, kur u eliminuan figura të njohura e të shkolluara në perëndim, pasi dikujt i’u pre koka e dikujt gjuha. Në këto kushte, në idelizmin e tepruar të rinisë të viteve 60-70, që shpresonte dhe ëndërronte shumë, njëkohësisht në mirënjohje të shkollimit që i bëri sistemi i kohës, duke mos qënë bukëshkalë, të gjithë pa përjashtim kënduan. Disa krijuan vepra e kryevepra hyjnizimi për sistemin, partinë dhe drejtuesit e saj. Sot mund të flasim si të duam pranë zjarrit apo duke pirë kafe, por zbrisni pak në ato vite, për të gjykuar veten dhe të tjerët.

Në këtë hulli mendimi, unë shtoj, se këto vepra, poema dhe romane u bënë çadra, apo mburoja për të mbijetuar në breshërin e shigjetave që vinin e binin pa pushim nga aparatçikët, nëpunësit e rëndomtë, apo krijuesit ziliqar, që mendonin se Driteroi u kish prerë udhën dhe dritën. Driteroi dhe Kadare, me emrin që fituan u bënë gati të paprekshëm, jo se zyrtarët ia kishin frikën, pasi askush prej tyre nuk lakmoi pushtet, por as rezikonte pushtetin e të tjerëve. Ishte diktatura që i mbajti, pasi rrezikonte të humbiste fasadën e ndritur dhe lavdinë e pamerituar. Rikujtojeni pak librin letrar dhe filozofik, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, vepër që i mbetet shekujve dhe popjve, për të kuptuar se sa pajtohej Driteroi ynë me mendësitë dhe shabllonizmin e kohës. Si mendoni, se i erdhi mirë zyrtarëve të paaftë e dembelë nga goditja që u bëhej? Nuk besoj se e pëlqyen dhe e duartrokitën, por pasi s’kishin ç’bënin, e gëlltitën. A nuk përmbajnë mllef e ulërrimë të një luani me shpirti të lënduar e të mbyllur në kafaz, kur lexoni, shijoni dhe gjykoni me mendje të ftohtë, këto vargje nga poezia: “Prit edhe pak”. Ç’do të thoni, kur ai shkruan:

“……..

Mbi mua të tundë bishtin një laraskë,

Duke më sjellë lajme nga bota.

Nga bota që e pata të mbyllur sa rrojta.

E kyçur dera, me lloze porta”.

Driteroi është figurë komplekse, që e jetoi kohën mençurisht. Mjaftojnë vetëm ato pak rradhë që citova më lart, për të vlerësuar e kuptuar karakterin, mendimtarin, shkrimtarin dhe poetin fjalëndritur. Besoj se këtu e kanë vendin fjalët e dijetarit tonë të ndritur Sami Frashëri, kur thotë: “Mos i nënçmoni njerëzit e mëdhenj për një apo dy faje të tyre, sepse diamanti, sado i prerë shtrembër, është më i vlefshëm se një gur i zakonshëm i prerë në formën më të përsosur”.

Në një vlerësim jo shumë të thelluar, unë e ndaj jetën, krijimtarinë dhe veprimtarinë e tij në dy kohë: para dhe pas viteve 1990. Sa për periudhën e parë, me ç’kam dëgjuar, edhe kundërshtarët e tij e vlerësojnë si një njeri të zgjuar, fisnik e të matur, i shtërnguar brenda nofullave të morsetës së sistemit, ku ishte e vështirë të ruaje fisnikërinë, i prirur të mos bëjë keq, por vetëm mirë, aqsa shprehen me mirënjohje e nderim, se fal zotit që në krye të “Lidhjes së shkrimtarëve” ishte Driteroi, sepse vaj halli po të ishte ndonjë partiak i egër, shpirtkeq e mendjengushtë!

Ndërsa për përiudhën e dytë, ka shumë për të thënë, por unë po mbetem në pak çaste pikante, ku secili nga ne mund të mendojë e të komentojë shumë mbi qëndrimin e tij si intelektual, si njohës i mirë i kohës që jetoi dhe paraprijës i kohëve të reja. Besoj se e sillni në kujtesë qëndrimin e Driteroit në Kongresin e 10. Të P.P.SH, kur deklaroi fjalët therrëse për zyrtarët injorantë të nomeklaturës së shkuar, që shekullin e 19, e lexonin shekulli “xix”. Më tej akoma pas disa vitesh, vetëm dy fjalë drithëruese: “Kjo nuk është meritokraci, por shkërdhatokraci”, si një shuplakë që i skuqi fytyrën drejtuesve të lartë, që mburreshin me “reformat”. Mjaftuan vetëm këto fjalë që e plasën dhe e çbënë ballonën e ngjyrosur të propogandës shtetërore të kohës. Në vijim të mendimit, po citoj dy vargje nga poezia “Në vendin tim, e në vendin tënd”, e frymëzuar nga prapësitë dhe marrëzitë e kohës.

…………

“Në vendin tim e në vendin tënd

Një kokë e çmendur, një vend e çmënd…”

Besoj se nuk gaboj, duke gjykuar rrjedhën e kohës në këto vite pluralizmi. Kam përshtypjen se të dy palët, si ata që e kritikojnë dhe ata që e lavdërojnë, i mbanin veshët ngritur, se ç’do të thoshte Driteroi. Në kushtet e lirisë së fjalës e të mendimit, të parët e kërkonin, me shpresë se shigjeta e tij e hidhur godiste politikisht kundërshatrët, ndërsa të dytët, ata që e vinin në krye të odës e të kuvendit të burrave të mençur, i druheshin, më mirë duhet thënë i trembeshin goditjes së tij, e dëgjonin me kujdes dhe nuk e ngacmonin, por e nderonin duke e lënë të qetë “luanin” me krifë të bardhë. Në përfundim, sot të dy palët e nderojnë. Kjo është merita e Driteroit të madh, i cili nuk e shprishi burrërinë e devolliut të mençur, kokëfortë, fisnik e sedërli, që nuk ndërroi kollare e kostum, as nuk shpërlau ngjyrën e grynjtë të fytyrës. Tipar i burrit, që pavarësisht dilemave, i mbeti besnik fjalës e besës së dhënë. Ndryshe do të kishte marrë mbi vete mallkimin e të gjithë atyre që e besuan, por edhe prbuzjen e atyre që s’e deshën.

Driteroi ynë ka edhe një meritë të madhe, se e la vetë të shkruar fjalët e arta, duke ua prerë hovin e fantazisë të ndokujt, që sado bukur ta ujdiste, do ta kish qullosur si mos më keq atë pjesë të shpirtit të patreguar.   E lexoj me ëndje: “Epitaf për veten time”.

“Përjetësisht këtu fle Driteroi,

Me etërit, gjyshërit dhe shokët pranë.

Të mira, bëri pak gjersa jetoi.

Më shumë mund të bënte, po s’e lanë”.

Dy vargjet e fundit të bëjnë të ndalesh. Cilindo lexues, i moshuar apo i ri nuk mund rë rrijë pa u futur në mendime, duke pyetur: Pse dhe kush?. Edhe  autori duket se shkoi i menduar, i qetë dhe i përmbajur për të mos shpërthyer. Ndaj në çdo kohë thërret dhe pret pa u ngutur këdo, lexuesin të mbjë faqen e librit hapur dhe vizitorin të ulet në qoshen e pllakës së mermertë, e kështu të kuvendojnë shtruar me të, ndërsa ai të rrëfejë më nge brengat e patretura të një shpirti të lënduar poeti.

Të gjithë ne që u rritëm dhe jetuam bashkë me të, edhe të rinjtë e mëpastajmë, lëçitëm me ëndje poezitë, shkrimet, krijimet, romanet, studimet, përkthimet e tij. Kënduam vargjet plot bukuri e mendim, plot muzikë e ritëm, kushtuar jetës, natyrës e dashurisë, bukurisë e rinisë, shoqërisë e miqësisë, luftës dhe lirisë, punës dhe tokës, baltës e kokës, misërit e grurit, burrit e gurrit, familjes dhe kombit. Ne sot po kujtojmë edhe këto vocërrima, që koha do t’i rrëzojë si gjethe vjeshte, për t’i lënë vendin krijimtarisë dhe mendimit të pjekur të dijetarëve dhe lexuesve, të cilët do të çmojnë vlerat e vërteta të një krijuesi me përmasa kombetare, siç është ky biri i Devollit.

Me siguri shkrimtari i madh V. Hygo, për njerëzit si Driteroi e ka fjalë, kur thotë: “Njerëzit e mëdhenj e bëjnë vetë piedestalin, e ardhmja u ngre statujën”. Unë them se, për të qënë ndër breza mes nesh, ai vetë e ndërtoi njërën, njëkohësisht po vetë e gdhendi dhe e vendosi tjetrën.

Kadri Tarelli

Durrës më 10. Të Marsit. 2017



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora