E diele, 03.11.2024, 12:51 AM (GMT)

Kulturë

Bajame Hoxha: Nuk u besova syve

E diele, 19.03.2017, 11:18 AM


NUK U BESOJA SYVE

Nga Bajame Hoxha (Çeliku)

Pas kaq vjetësh po hapen karta dhe unë pyes veten me keqardhje dhe më bën jashtëzakonisht përshtypje:si është e mundur që shumica e shkrimtarëve, njerëz me nivel të kenë qenë fuksa, spiunë, kanë dënuar njëri-tjetrin? Nuk e kam besuar kurrë për znj. Djana Çuli. Më vjen keq! Këto akte barbare, i falen pjesës naive të popullsisë, e cila, mund të ketë rënë pa dashje në kthetrat e policisë politike. Vetëm ata nuk e kuptonin se çfarë bënin. Të mjerët ata, binin në një pus të turbullt nga ku s’dilnin kurrë pa u lagur, madje keq, por, edhe intelektualët. Sigurisht, intelektualët e dinin se çfarë të keqe po bënin, hidheshin me pasion në atë pus të pistë e ishin të  lumtur se i shërbenin nënës parti, e jo nderit të familjeve të tyre. Ata e dinin mirë se po i hiqnin lirinë dikujt, po e çonin në litar, qoftë edhe i panjohur për ta, ç’rëndësi kishte? Ishin shërbëtorë të denjë. Të shumtit shkrimtarë, artistë, këngëtarë, regjisorë që u dënuan, u paditën nga vetë kolegët e tyre të cilët me të tilla pisllëqe, dhe pa i zënë turpi aspak, kanë bërë karrierë dhe jetë luksi. Kjo është më se e vërtetë, se ndryshe, nuk do të mbërrinin majat në atë regjim që po mos i jepje nuk të jepte asgjë. Sidomos femrat duhej të zhvisheshin nga virtytet e larta morale për të mbërritur qëllimet e tyre të egra dhe egoiste. Sëmundje e keqa kjo,  e pashërueshme, dhe e pafalshme! Bëheshin vegël e hetuesisë, apo e operativëve të policisë politike për të përfituar një emër "të mirë", sidomos ato femra që donin të ishin në qendër të vëmendjes, të ishin në ballë të shoqërisë, të gazetave e të librave. E them me bindje e prova, kishte shumë mundësi për të mos u bërë vegla e tyre dhe për të mos punuar me organet e sigurimit dhe të hetuesisë, por, në radhë të parë, duhej të kishe karakter të fuqishëm, duhej burrëri, duhej ndershmëri, duhej ndërgjegje e lartë. Por të gjitha këto, quhen virtyte të larta njerëzore të cilat nuk mund t'i gëzojë çdo kush, ato lindin me njeriun e gjithçka është në gen e bëjnë pjesë në edukatën familjare. Aq më tepër kjo klimë ndjehej tek ata ose ato që mundoheshin të anëtarësoheshin në parti. Më kujtohet kur ishim në kamp se sa të vështirë e kishim mbijetesën por kurrsesi nuk ramë në grackën e operativit të sigurimit, edhe pse kishim oferta, kurrë nuk pranuam të ndërronim punën e rëndë dhe jetën prej skllavi as me lirinë që është më e shtrenjta, e aq më pak, me një punë me leverdi në kurriz të njerëzimit të pafajshëm. Por ja, ka pasur dhe të tillë që e kanë pasur për nder të kallëzonin një shaka apo një fjalë, apo sajonin një trillim të cilin e paraqisnin përpara organeve të sigurimit si të vërtetë dhe merrnin jetë njerëzish për t’i zënë vendin e punës. Në lidhjen e shkrimtarëve dhe artistëve, ekzistonte një rivalitet i egër, i fortë aq sa hanin njëri- tjetrin. Pra, pa pikën mëshirës, për ato familje të tëra që morën tatëpjetën dhe vuajtën me dekada. Mbaj mend brenda kampit gjithmonë nga “të lirët”

(kështu i quanim ata që nuk kishin të internuar)  bëhej fjalë për një vajzë të re që çmendej të futej në parti. Ajo u kthye në egërsirë, u bë kuçedër e vërtetë, ishte gati t’i pushkatonte të gjithë të internuarit sepse kishte në krah sekretarin maskara të partisë Petraq Nushin. Kam dëshirë t’u jap çmimin që meritojnë i cili quhet: turp e faqe e zezë kudo ku janë shpërndarë në ato vende me demokraci të plotë, kur dikur, ne, na pushkatonin si armiq pse i deshëm. Në kampin e Savrës transferohen dhe vijnë me punë familje shumë të mira me djem intelektualë që shoqërinë e patën vetëm me të internuarit, dhe kjo ishte familja e zotërisë më të mirë,Yzeyr Balliu, si dhe e z.Selim Hasnalliu. Vajza e vogël në moshë të re e familjes Hasanlliu ra në dashuri me një djalë shumë të urtë të një familje komuniste, që kur ishte zëvendës brigadier të gjithë donin të punonin në brigadën e tij, se ai ishte shumë i sjellshëm me të internuarit. Pikërisht, sjellja e butë e tij, dhe familja e lidhur me pushtetin, ishin dy arsyet kryesore, që e tërhoqën më shumë atë vajzë të bukur dhe çapkëne drejt tij. Ajo një vajzë idealiste, e padjallëzuar, e shikonte partinë si gjënë më të pastër, më të vyer, të bardhën të bardhë, dhe të zezën të zezë. Entuziazmi i saj dukej në sytë e qeshur e të lumtur, ajo, po futej në një familje që ishin të gjithë me partinë dhe hodhi letrat për t’u anëtarësuar e për të qenë e barabartë me familjen e ardhshme. Zhgënjimi s’qe i largët. Atë e shikoje tek punonte punëtore krahu dhe një ditë po ngarkonte misër në kurriz në lëmin e Savrës. Aty gjithë fodullëk, i veshur bukur e me kollare, u duk prijësi i partisë, bukuroshi Petraq Nushi.

E pashë, dikë kërkonte me sy të etur dhe e ndali vështrimin mbi Bukurien, vajzën e re që kërkonte të bëhej anëtare partie. Pa iu afruar mirë, për ta dëgjuar e gjithë punëtoria, si e si ta fyente, i bërtiti aq fort sa dhe fëmija në barkun e nënës do të jetë dridhur atë ditë. Të gjithë u shtangën, mbetën të ngrirë, u trembën dhe u habitën me vërsuljen e tij prej përbindëshi:

-Bukurie Hasanlliu! Ajo e trembur dhe më shumë e turpëruar, lëshoi thesin e rëndë që kishte në kurriz, dhe u kthye andej nga erdhi ai zë i egër.- Kërkon të futesh në parti? Kjo është partia! Aty të të plasi koka, në prodhim! Partia kërkon sakrifica, kurse ti me mendjemadhësinë dhe kokëfortësinë që ke s’do bëhesh kurrë anëtare e saj, e more vesh?! Aty, aty të plasësh me të internuarit, dy vjet, tre, pesë...dhe pastaj të shohim nëse e meriton. Në sytë e saj u dukën dy pika loti që rrëshqitën në faqet e freskëta. Sekretari i partisë e zbrazi dufin mbi një vajzë fare të re, duke menduar se në këtë formë e mposhti me sytë e tij të egër dhe gishtin tregues që e tundte përpara syve të saj. Ajo ishte Bikurie Hasnlliu, vajza me karakter të fuqishëm që ai se bëri dot për vete, dhe se mposhti dot asnjë stuhi, aq më pak një sekretar partie si ai, Petraq Nushi.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora