E diele, 06.10.2024, 06:10 AM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: Në vjeshtën e parë

E premte, 24.03.2017, 08:41 PM


QAZIM SHEHU

 

Ditët deri tek ti nuk sollën gjë,

Ato ngarkuar me aq emocione

Se përtej tyre ti ishe

Si pranë diellit një vështrim hëne.

 

Kështu ato binin një nga një

Siç hiqen fletët në kalendar

A gjethet bien pa zë

Në vjeshtën e parë…

 

Ish mëshirë e tyre a humbja jote

Që përziente këtë lojë,

Veç e di se një e burgosur

Ditët i do dhe i kërkon.

 

Dhe unë e di se për to shkrihen

Në kalim të ankthit sa zemra,

Por sidoqoftë të deshën ditët

Edhe pse s`i deshe ti, zgafellë pa brenga…

 

 

SHKUMA

 

Ne u deshëm bashkë siç duhen

Qielli me ujërat,

Dhe hymë tek njëri tjetri

Si lumi hyn tek lumi e del sërish,

Prandaj kjo shkumë malli të egër

Ngrihet e kërleshet me mbetje yjesh…

A është ajo mundimi jonë

A pjalmi që s`e shtrimë nëpër lule

Të ëndrrave që këputen dhe këmbë

S`bëjnë, se u këputen gjunjët.

Ne e dimë se kjo mund të jetë

Ecim dhe s`e besojmë

Se edhe pse u shkrimë e u tretëm krejt

Sërish më vete, kithtas qëndrojmë…

 

 

SA HERË VIJ TEK TI

 

Sa herë vij tek ti  më ngjan

Se nuk je më e djeshmja,

Zjarri që ndezëm lëshoi më pak hi

E njomur nga shi pasionesh mbeti eshka.

Një ndryshim i valëzuar i pasqyrës

Së hapësirës së rrudhur në vështrim,

Ia prêt krahët dëshirës

Dhe unë prapë po vij  të gjej të njenjtin ndryshim.

Ndoshta se të njenjtë të desha

Dhe më pëlqen të mashtrohem nga i hidhti mashtrim…

 

 

VRUNDULLIMË

 

Shkon koha pa na marrë leje

Duke na pakësuar vrullin në deje,

Siç shkon vera dhe prêt vjeshtën

Dhe vjeshta dimrin tek prêt,

Vrundujt e saj me erë i këlthet

Në veshët tanë

E shkrehet në vaj të yjeve të mërdhirë,

Kjo vrundullimë ngrihet me ulërimma

Dhe s`i ngjet lëngut që pëshpërit tek bima…

 

 

NATA

 

Kur vjen mëngjesi, tortuari përballë ngjethet

Nga hapat me taka,

Ndaj unë gjithnjë aty dal herët

Për të ndjerë sa e bukur ishte nata…

Në këtë ritëm ndjej vrullin e saj

Çfarë topiti në zemwr  të femrës

Dhe sa më shumë e topiti ,ndjej si një ujëvarë

Prej trtupit të tyre të shpërthejnë rrezet…

 

 

DILEMË

 

Dilemat  që dredhojnë dhe dredhimet që shtegtojnë

Duke ardhë deri në prag të tyre,

Janë vështrime që kryqëzojnë

Bukurinë e dashurive.

Dilemat  si sirenat dhe sirenat që shurdhohen

Prej tyre,

Ngrihen lart si shkrepat

Përgjakur me një viskozitet yjesh…

 

 

TI

 

Duke trishtuar për përtimin

Që ta mundëson lumturinë e çastit,

Në Erinie  hakmarrjesh mbërrin

Çfarë nuk u dorëhoqe prej mëkatit…

Një ndërgjegje tjetër t`i bëjsh zgjimin

Dhe të falëh atë pjesë të vetes,

Kthyer në Eumenide që mëshirimin

E shkrin si stalakmite nën rreze..

 

 

FRYN KUJTIMI

 

Kujtimi s`është kurrë një rrobë e vjetër

Edhe pse si rrobë e vjetër na mbulon

Po ç`mund të jetë kjo mbulesë tjetër

Si një mburojë e ngrënë që s`jehon…

Nganjëherë padurimi dhe rënkimi

Rroben ia vjedh dhe del krejt lakuriq

Ai i mallkuari kujtimi

Që në rrugën e tij nuk bën miq…

 

 

ZJARRMIA

 

Prometeu vodhi zjarrin dhe nuk ia fali zjarrminë

Atij që zjarrin ia hoq,

Për vete e mbajti edhe atë.U bënë dy zjarre.

Njërin, dhuratë për njerëzimin

Ndërsa me të dytin veten dogj…

 

 

KULPRA

 

Ajo s`ka faj kur ia marrin purtekën

E me të ajrin fshikullojnë

Për ata që s`dinë ku të mbështeten

Nuk e shohin atë,

Vetëm purtekën i kërkojnë…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora