Kulturë
Nebi Dragoti: Kau
E diele, 26.03.2017, 11:59 AM
NEBI DRAGOTI
KAU
Tregim
Qafa e kaut, shtrirë në mezhde, ishte ënjtur nga zgjedha duke lëruar tokën. Keqardhje ndjeu Selimi, që befasisht e kishte parë, kur merrte rrugën për të drekuar tek një mik në një fshat tjetër. Në proçesin e tufëzimit ia kishin marrë pasurinë e vetme që kishte.Një hije e zezë e ndiqte nga prapa tek ecte. Hija njeri e survejonte se ku do të shkonte, se me kë do të takohej e çfarë do të bisedonte. Kaut ia kishte vënë emrin Laragan, se i larmë ishte.-Laragan të keqen, siç të dhemb ty qafa, mua më dhemb shpirti. Laragani e njohi të zotin dhe lëshoi një uuff të jargosur dhe i tundi kokën Selimit. Lotë i dualën Laraganit, lotë i dualën edhe Selimit. Mbasi drekoi tek miku, mbas dite, u kthye në shtëpi. Pa, se para derës e priste xhipsi i zi i degës. Pa u futur në shtëpi, e muarën Selimin tetëdhjetë vjeçar. Në bangën e akuzës për axhitacion politik kundër pushtetit popullor e dënuan me privim lirie tetë vjet. Dëshmitari hije deklaroi: ” Selimit i dhimbte zemra siç i dhimbte qafa kaut. Thonë se Selimi vdiq në burg…për qafën e Laraganit…
DY QENTË
Satirë
Dy qentë zhele para maternitetit, madje, herë ulen në bisht, herë ngrihen përpara derës së hyrjes. Vallë presin ndonjë lindje? Hapin sytë e tundin bishtin e presin jo haber lindjeje, por ndonjë kafshatë të mbetur t’ ua hedhin për mëshirë. Pa largohen e futen në lulishte për të kryer nevojat, se para derës së maternitetit kanë turp. Por, do ti…fillojnë zënkat, kur para derës vinë tre të tjerë. Dy qentë, si më të fortë, i largojnë, nuk i lenë t’u marrin “ kismetin e hedhurinave” të spitalit . Qenë rrugësh më, apo nuk janë shtuar shumë këta rrugaç që ecin tufë-tufë. Shfaqen e zënkës e shikon personeli bluzëbardhë i spitalit. E, unë qeshë e mendoj: bëhet luftë për ekzistencë. Ah, sikur të ishte edhe kryetari i bashkisë e të shihte këtë kacafytje, e të kënaqej,se dhe ai i ka qejf shfaqet qyl, ku nuk paguhet asnjë groshë… Mbase… prandaj nuk merr asnjë masë. Apo nuk pashë dhe një ëndërr sikur po bisedoja me ca politikanë me temën interesante: “ Do të bëhemi shumë shpejt shtet modern”. Rroftë politika!