Kulturë
Kadri Kadiu: Kulakët e Pilurit
E shtune, 25.03.2017, 08:31 AM
KULAKËT E PILURIT
(Marrë nga Libri "Dheu që dhemb" i Kadri Kadiut)
Ata që nuk janë devollinj, mbase nuk e dinë, por le ta mësojnë se në Devollin tonë të bukur është një fshat shumë i bukur dhe me histori, i quajtur PILUR. Ky Piluri ka patur shumë të pasur, të cilët pas çlirimit i shpallën kulakë, ua morën tokat dhe i zbuan nga Fshati. E këta kulakët e shkretë ikën nga sytë-këmbët dhe u vendosën në Tiranë, në Durrës e në Elbasan. Mirëpo kulakët, si kulakët, ishin mjeshtra dhe qenër të punës kështu që pas ca viteve u bënë zengjinë të qytetit. Fshati më vonë u bë kooperativë dhe të gjithë fshatarët, që nga mëngjesi deri më darkë, rropateshin duke punuar tokat, duke vaditur e duke prashitur, nuk bënin dot një ditë pushim e nuk çlodhnin dot kockat. Në vitet 1960 unë kam qenë me punë në Kooperativën e Bashkuar Vranisht-Pilur-Bickë. Gjatë muajve të beharit në Pilur vinin për të bërë pushimet pranë njerëzve të tyre të afërm, djemtë dhe vajzat e këtyre kulakëve. Ku ne të rinjtë e Fshatit e ku këta që vinin nga qytetet, dallonim si nata me ditën. Të shëndetshëm, të shkolluar, të kamur, të veshur e të mbathur mirë ishin ata, mbanin me vete edhe nga një radio dore me bateri e dëgjonin muzikë për shtatë palë qejfe. Gjithë ditën e kalonin në pikniqe nëpër hijet e burimet rreth Fshatit dhe në mbrëmje mbushnin Klubin e Vranishtit në Qendër të Kooperativës, ku pinin birra, këndonin e bënin qejf. Përballë Klubit në Vranisht ndodhej një burim me ujë brisk të ftohtë ku nuk mund ta mbaje gishtin një minutë pasi të mpihej, (Çezma e xha Minokut quhet ky burimi). Në këtë burim ata i futnin për disa minuta shishet e birrës për tu ftohur.
Brigadier i arave në Pilur në atë kohë ishte Islam Tale (shkurt i thoshin Lame). Ky Lamja, i cili gjithë ditën rrinte në fushë me brigadën, kur kthehej në mbrëmje hynte në Klub për të blerë një paketë cigare "Partizani", e po t'i tepronte ndonjë lek, mund të pinte dhe ndonjë kafe. Mirëpo befasohej me ahengun që bëhej aty nga pinjollët e kulakëve, merrte shpejt paketën me cigare dhe dilte menjëherë jashtë. Ç' të bënte i shkreti Lame, ashtu i lodhur e i uritur siç ishte, duke dalë nga Klubi pa mundur të pinte as kafe, më shumë për tu tallur me veten, iu këpuste një "mallkim" atyre ahengxhijve: "Hë, thoshte, kulakët e mutit, mirë ua bëmë që i përzumë nga Fshati, aty të ngordhin, në Tiranë, tokat e tyre i punojmë vetë ne"!