E diele, 06.10.2024, 07:56 AM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Magjia e maces Punita

E premte, 24.03.2017, 09:01 PM


MAGJIA E MACES PUNITA

TREGIM NGA KRISTAQ TURTULLI

- S’ mundja të shihja kur ta digjnin macen,- më foli e rrëmbushur nga lotët Savithri. Kokulur bëri një lëvizje me dorë dhe shtoi:- Eh, ç’më gjeti mua të gjorën, ç’më gjeti! -Shfryu hundët me zhurmë.

-E gjora mace,- ia bëra dhe mezi mbajta të qeshurën. Ajo fshiu lotët dhe më vështroi me egërsi.

Budallaqe grua. U mbyt gjemia për një mace! Ia bëra me vete. S’ i honeps macet e maçokët. Ta them troç, i urrej dhe, ndjej neveri me tipat që puthen dhe lëpihen me to...

Ndoshta ngaqë vite të shkuara, babai solli nga pazari goxha peshk, krap të freskët. Me ceremoni e ngriti në katër gishtat e futura brenda në qafën e krapit dhe tha:

‘Do ndërrojmë gojën me peshk, se na u bë barku qepë e presh’.

Nëna iu turr postafit të çezmës së oborrit dhe nisi pastrimin e krapit me zell. Por s’ shihte kobashin kuqo, maçokun e komshiut Tole, bërë njësh me hatullat e avllisë nuhaste ajrin i babëzitur. Sa ktheu krahët nëna, të merrte tepsinë e pastër, ta ndante krapin në vakte. Maçoku kuqo si vetëtimë rrëmbeu peshkun dhe kërceu mbi avlli.

‘Ua, ua, ua, korba unë ç’më gjeti!’ klithi nëna e shtangur. Pastaj bërtiti me të madhe; ‘Kapeni more, kapeni, maçoku kuqo ma mori peshkun’.

Maçoku vraponte mbi tjegulla. Tërhiqte krapin zvarrë, mbërthyer ndër dhembë e që ishte më i madh se trupi i tij. Sakaq u zhduk në qilarin e errët të komshiut Tole.

‘Moj e Toles, e Toles moj!’ i thirri nëna fqinjës, gati në të qarë:’ Ma rrëmbeu kuqoja peshkun.’

‘Ta rrëmbeu! Ah kobashi i dreqit, kobash. Prit pa do më shohë,’ bërtiti fqinja e shëndoshë, trupmadhe dhe gjoksmadhe e shfaqur mbi avlli. Ajo zihej çdo ditë me Tolen, të shoqin, pesë lek burrë, pse pinte birrë dhe bënte gargarë në banjë sa buçiste gjithë mëhalla. Avllia e fqinjës ngrihej dy metra mbi oborrin tonë, mbasi shtëpitë qenë ndërtuar në të përpjetë, anës rrugës që çon në kodër ku ngrihet kisha me tre kambanore e Shën Thanasit.

Fqinja iku. Pas një copë herë doli mbi avlli, mëngë përveshur si kasapë, me maçokun për zverku në njërën dorë dhe në dorën tjetër peshkun e qelbur, të çavalitur:

‘E kapa kobashin. Ky është dreq moj Misi, jo maçok!’ Komshia flaku maçokun nga avllia dhe shtoi: ‘ Macet e maçokët kanë njëqind shpirtra...’

Savitri vazhdonte të dëneste. U pendova që u gjenda në tavoline me të. S’ i duroj të qarat, sidomos për mace! Punojmë së bashku, roje sigurie. Ajo është rreth të pesëdhjetave, ezmere, indiane nga indianët e Indisë së veriut, kokëfortë në traditat e tyre. Edhe pse jetojnë dhe punojnë në Kanada burrat janë hijerëndë, shtatlartë, kokën e mbajnë të lidhur me turbe dhe, thikën e gdhendur s’e heqin nga brezi. Gratë kanë veti burrash, janë të ftohta, kryeneçe, dyshuese, jo shumë shoqëruese, por nëse besojnë gjen një mik të mirë.

Dikur në besim Savithri më tha:

’Vëllai i babës ka qenë shoqëruesi kryesor i Indira Gandit, kryeministres.’

‘Ashtu!’ ia bëra i habitur.

‘Jo vetëm kaq,’ vazhdoi ajo:’ Ky vëlla u bë vrasës’.

’Vrasës!’ i thashë.

‘Vrau kryeministren e vendit, Indiran. E vrau gjakftohtësish, kur ajo përbuzi dhe s’dëgjoi ankesat e popullit. Injoroi gjakun e pafajshëm në masakrën që kreu ushtria në shtëpinë e kultit. Ajo në vend të kërkonte të falur, urdhëroi reprezalje në popull. Vëllai i babës para se ta vriste i tha: “Zonja kryeministre, jam betuar të jap jetën për ty, kur i shërben me devotshmëri popullit tënd, por të vras kur atë e vret...”

Heshti një hop dhe më pyeti:

‘Po te ju?’

‘Te ne?!’ ia bëra i hutuar dhe shtova të ulët:’ Ja... ashtu si te ju...’

Savithri vazhdon të qajë. Rrufis kafen, më duket pa shije. Vështroj  përjashta, rigon shi i avashëm. Lë kafen përgjysmë, bëj të ik. Si a vlen barra qiranë të dëgjoj të qara për mace a maçokë kobashë...

Savithri fshiu lotët dhe tha:

- Është e tmerrshme.... për një gjëndër... Ndjeja dhembje në gjoks. E shtyja me sot e me nesër. Më mbërtheu një melankoli e torturuese, vetëm macja më çlodhte, ma mbushte shtëpinë. Mos qesh, s’ ke mbajtur mace... Më në fund u vizitova te mjeku i familjes. Egjiptiani koptik, ezmer, hundë poçe, e bëri vizitën sa të kalonte radhën. I tregova vendin  ku ndjeja dhembje. Preku pa kujdes gjëndrën e fortë në gjoks. Klitha dhe u prisha në fytyrë. Atëherë mjeku më vizitoi me kujdes. U vrenjt dhe më këshilloi të bëja analizat e gjakut, urinës dhe ultasaund.

Mora vajzën në telefon, më dilte e zënë... Më brente meraku, ç’ të keqe kisha që preokupoi mjekun. Grua e vetme...

‘Eja Punita, eja te mami,’ i fola zë lodhur maces.

‘Miaaauu...,’ dëgjoj mjaullimën ankuese të maces, që kërcen prej divanit, mjaullin gjithë gëzim dhe fërkohet pas këmbëve si nazemadhe. E shoh me dashuri kafshën e vogël, të bardhë si top bore, i them:

‘Të ka mare uria moj bubuzhelka e nënës, hë.’

Çanaku prej alumini në qoshe të dhomës ndris, është lëpirë. Heq uniformën e punës dhe duke rënkuar vesh penjuarin. Nxjerr nga rafti qesen plastike dhe hedh disa grushte me ushqim në çanakun e vogël. Macja turret dhe ha me nxitim.

‘Ngadalë budallaçkë e vogël, ngadalë,’ e këshilloj me dashamirësi, pastaj i drejtohem vetes:’ Torollake je moj korbë, fare torollake, i kursen ushqimin maces së gjorë.’

Macet bëhen tamahqare, hanë shumë dhe pastaj e vjellin. Një herë përleu në të vjella kuvertën me lule që ma dhuroi vajza Herniet. Prej maces s’ mund të qahem, e pastër djallushja, i ndris qimja.  Vetëm kur vjen muaji i maceve grindet, qan dhe vërtitet rreth derës e dritareve, do të dalë jashtë. Jetoj në katin e dhjetë:

‘Ku do shkosh moj korbëckë,’ i them.

Mjeku veteriner, më këshilloi t’i bëj një operacion të vogël, të zakonshëm për macet shtëpiake. Prej asaj dite macja është e qetë, muajt njësoj, pa ngjyrime dhe s’i bie ndërmend të dalë jashtë.

Kuldipi, burri vdiq nga ataku i zemrës. S’vuajti merhumi. Isha në kuzhinë. Kur u ktheva e gjeta shtrirë. Iku azgani, iku si era. Ishte disa vjet më i madh nga unë në moshë. I qetë, shtatlartë si selvi, flokë dhe mjekër argjende, humor të hollë, zemërbardhe. Më dhuroi zemërartën Herniet. Vajza ka marrë shumë nga i ati. Ka vite që jetoj me macen bardhoshe Punita. Macen ma solli dhuratë bija ime Herniet, një javë para se të martohej. Atëherë Punita ishte fare e vogël si topth bore, me sytë gjysmë të mbyllura, me sklepa. E merrja kotelen në pëqi, ia pastroja sytë me kujdes, me ujë të vakët mos e lëndoja. I vura emrin Punita, që do të thotë e pastër. Herniet punoi në doganën e aeroportit, pastaj iku me të shoqin, doganier në provincën e Albertës, kufi me Amerikën...

Ndjehem e vetmuar me dhembje të forta në gjoks. Nga mu shpif kjo e keqe. Gjithnjë isha ndjerë e lehtë si pëllumbeshë, s’ kisha vënë në gojë një aspirinë. Doktori më thirri për konsultën e dytë me një grup mjekësh për kontroll të hollësishëm. Përpara se të merrnin vendim për operacion.

Mbështeta kryet mbi pëllëmbë dhe humba. Macja si ta kuptonte gjendjen time shpirtërore, mjaulliti ultas dhe më kërceu në pëqi. E prita me bezdi. U bëra ta përzë. Ajo mbështeti butë kokën në gjoksin e sëmurë. E vështrova ngrohtë me trishtim, i thashë:

‘Nëse vdes, si to vejë halli për ty moj korbë, hë! Jemi të vetme në këtë botë. Vajzën është larg, sa të vijë ka mbaruar puna...

Macja mjaulliu, ngriti kokën, më nguli sytë e xhamta, si të më thoshte mos fol kështu. M’u ngjesh pas gjoksit. I përkëdhela shpinën dhe gishtat e mia humbën në qimet e dendura, të bardha borë e gjithë elektricitet. Mace Punita për mua është më e dashura në botë. Dhe për macen më e pazëvendësueshmja në botë.  Japin dhe marrin me njëra tjetrën...

Analizat dhe konsulta me mjekët më lanë shije të keqe dhe pak shpresë. Më ishin shtuar gjëndrat. Mjekët s’ qenë optimistë me gjendjen time dhe operacioni s’ ishte shpresëdhënës. Vajza erdhi e qëndroi disa ditë. Ç’të bënte ka fëmijë të vogël. Iku. Puna mu mërzit. Nervozohesha shpejt. Fundja sa vlen një punë kur shpejt a vonë do ikësh prej kësaj bote.

Macja u bë më e afruar, s’më shqitej prej gjoksit. Me ngulm më hipte në pëqi dhe mbështeste kokën në gjoksin e sëmurë. Të dyja të ngjeshura, dremisnim, dhe thithnim ngrohtësi prej njëra tjetrës.

Vështroja macen dhe më vinte të qaja. Ku di kafsha gjendjen time. Krijesë e vogël pa mbrojtje. E rita me dashuri si fëmijë. Në fillim e mora si lodër, pastaj prania e saj mu bë e domosdoshme si ajri. Maceve u pëlqen t’i llastojnë si fëmijët, t’u japin të hanë, dhe të gërhasin në një kënd të ngrohtë.

Macja më rrasej në gji, sikur do të hynte brenda në trup, t’ i prekte gjëndrat dhe t’ i shkrinte ato me qimet dhe mishin e saj. E ndjeja thellë afshin e ngrohtë, butësinë, elektricitetin e qimeve të kafshës së vogël, kur më mbështillej kutullaç në gji. Macja s’ lëvizte, mbledhur si topth, merrte frymë lehtë, njëlloj me rrahjet e zemrës sime së lodhur. E kur dridhesha prej dhembjeve edhe macja dridhetj e fërgëllonte, sikur t’i kish ajo dhembjet. Beson, këndellesha prej afshit të ngrohtë të kafshëzës? Më drithëroheshin të gjitha pejza e trupit. Të dyja të puthitura fort me njëra tjetrën. Edhe kur ngrihesha të bëja ndonjë punë, macja s’ lëvizte prej vendit. Hapte pak sytë dhe, në vend të largohej ngjishet akoma më shumë në gjoksit tim, aq sa një moment nervozohesha, gati sa se zboja. Për çudi mpihesha prej ngrohtësisë e kafshës s’më bëhej të lëvizja. Gjendesha në qerthullin e një fushe magnetike.

Dita ditës ndjeja një farë lehtësimi prej qëndrimit të gjatë me macen. Vonë, kur vinte koha të flinim e  shkëpusja lehtë nga pëqiri, me të dy duart, duke e kapur nga poshtë barkut. Kafsha s’ bën asnjë lëvizje, qëndronte këmbë varur, e rraskapitur prej puthitjes me mua.

E lëshoja me kujdes. Kafsha qëndronte pa lëvizur, ku e lija, hapte me përtesë njërin sy, pastaj tjetrin, ndiqte me vëmendje lëvizjet e mia nëpër dhomë, mbyllte sytë dhe merr frymë ngadalë. Dhe në mëngjes kur hapja sytë gjeja macen në puthitur pas gjirit tim.

Tre muaj jepja dhe merrja me macen. Na hipi një ngjitje e habitshme dhe, kur s’ kisha macen të strukur në gji më dukej sikur më mbështillnin trupin rryma të ftohta. Mora dy muaj pa të drejtë rroge.

Infermierja më telefonoi për vizitën e ardhshme dhe caktimin e datës së  operacionit. Kokë rënduar prej merakut dhe stresit të madh, i hodha maces të hajë dhe fillova të vishesha. Macja më përgjonte me sy. Nuk hante. Një copë herë qëndrova përpara pasqyrës si budallaqe dhe, pyeta veten:

‘A je gati të marrësh vendimin e madh, futjen në thikë?’

Macja Punita si ta kuptonte pështjellimin tim dhe rëndësinë e vizitës mjaulliti. Më shoqëroi deri te dera dhe, para se të rrotulloja çelësin në bravë, mjaulliti përsëri.

Gjithë ankth prita derisa mu thirr emri dhe hyra brenda. Shtrihem, symbyllur përgjoja prekjet e gishtave të mjekut në trupin tim, poshtë gjirit, në shpinë. Mjeku u tërhoq kërkoi kartelën time, e studioi me kujdes. Unë s’pipëtij. Sytë s’ i hap. Dëgjoj hapa që afrohen te unë. Mjeku më viziton përsëri.

‘Hëm!’ Dëgjoj mjekun:’ Çudi!’

‘Çfarë ka doktor?’ e pyeta e shqetësuar.

‘Nuk e di, duhet të bësh analizat përsëri.’

Bëra përsëri komplet analizat. Pas disa ditësh më thirrën të jepnin rezultatin. Mjekun e gjej në mes të dhomës me kartelat e mia në duar.

‘Nuk do operohesh,’ më tha: ‘Gjëndrat të janë zhdukur... Dhe bëj çudi.’

Kthehem e gëzuar në shtëpi, puth macen fort, ajo mu fërkua në faqe, qimet e buta të saj më fërgëlluan. Oh, shpëtova. Dua të këndoj, të vallëzoj, të ha derisa të fryhem, të zhvishem lakuriq, të qëndroj në banjë pa zënë gjë me dorë. Pas një stresi të tmerrshëm, muaj frike dhe ankthi po shkarkohem. Oh, çfarë tensioni... po ç fryhej, fundja njerëz jemi...

Mezi e prisja të përfundimin orari i punës dhe me mall e dëshirë kthehesha në shtëpi të luaja me macen time Punita. Të dyja jemi të lumtura, nata e keqe iku njëherë dhe përgjithmonë, s’ka forcë të na ndajë. E ngazëlluar shtrëngoja macen në gji e puthja fort- fort. Por... çuditërisht, ky entuziazëm s’ ndodhte me macen time. Ajo sa vinte dhe bëhej më e plogët. Përtonte të luante si më parë, kokat e divanit i gërvishte me thonj. I iku oreksi dhe tasi me ushqimin e ngrënë përgjysmë, më ngjante si një pellg i zi, ndoshta ngaqë pështyn në të. Përtonte të lahej dhe kur flinte gërhiste me potere aq sa më ngrinte nervat. Shtatin e maces e çova në cep të dhomës. Nisën ti binin dhe qimet.

‘Punita. ‘Eja te mami!’

Macja mjaulliu ultas, ktheu kryet nga unë me bezdi. Më vështroi, puliti sytë e xhamta, si fëmijë e lënduar dhe futi kokën mes dy këmbëve të përparme, sikur do të flinte.

‘Punita,’ e fola me ton të ashpër. E po kjo, tani që u shërova macja më hedh vickla. Përse nuk gëzohet xhamën?! Macja u ngrit me përtesë, mjaulliti zë ulët, s’u fërkua si zakonisht pas këmbëve të mia, por devijoi, kërceu në divan dhe shkoi u mblodh kutullaç në qoshe. S’ ju mërzita:

‘ Budallaçkë e vogël,’ i them, zgjatem te ajo, fut gishtat nën të dhe e marr macen në duar. Nisa ta përkëdhel, macja u mblodh, s’i pëlqeu, bëri të largohej. Gishtat e mi në bark u mblodhën ta mbaja, befas preka një gjëndër të fortë, sa një kokërr arre. Macja u ankua. U mblodh prej dhembjes. U kthye nga unë. U skërmit me kërcënim dhe u mat të më çirrte.

‘Punita!’ Klitha e trembur. E lëshova. Macja duke ecur pjerrtas shkoi dhe u ul në vendin e vet. Ndër gishta më mbeten qimet e saj.

Qëndrojmë të dyja përballë, vështrohemi si të huaja. Zbus zërin sa mund dhe i flas zë ëmbël:

‘Punita moj çupë, ç’ ke, e sëmurë je?’

Macja si njeri kthen kryet nga ana tjetër.

‘ E gjora ti, ‘i them: ’Ke dhembje, por s’ ke gojë të ankohesh.’

Gjëndra e maces ishte njëlloj nga madhësia me gjëndrën e parë që më doli në gjoks. Epo kjo ç’ është?! Iku nga mua dhe i doli maces!? U bëra nervoze. Më dridhej trupi. I telefonoj Manxhikut, mjekut veteriner. Por duhet të prisja një javë, ndërkohë shëndeti i maces sa vinte rëndohej dhe unë nuk dija ç’ ti bëja. I jepja qumësht të ngrohtë, por Punita e lëpinte dy tre herë dhe e linte.

Mjeku veteriner vizitoi Punitan dhe tha ta operojmë. Të vije më parë, shtoi. E pashë me inat. Më buçiste koka, operacioni kushtonte një djall e gjysmë, disa mijëra dollarë. Macet nuk kanë inshurancë. Jam ngushtë në të holla, për shkak të mungesave në punë dhe sëmundjes sime.

‘Ti jap me këste,’ i them dhe mendova: S’është lehtë të mbash mace në shtëpi. Ja, sëmuret, të luan tepeleku i kokës. Por në çast më erdhi turp nga vetja. Pa e zgjatur tërhoqa nga banka dollarët e fundit.

Punita më vështronte si për gjynah, me ato sytë e gjelbër, kur e lashë në tavolinën e operacionit. Sikur më thosh, këtu do më lesh? Më pikoi në shpirt. E përkëdhela, i putha kokën dhe dola në korridor. Pas disa orësh doli Manxhiku dhe më tha:

‘Unë e bëra timen... Sëmundja i ka marrë gjithë trupin.’

‘E gjora Punita. Ta marr në shtëpi?’

’ Lëre këtu, i bëjmë gjilpërë e shpëtojmë nga vuajtjet,’ mërmëriti Manxhiku dhe fshiu djersët.

‘Çdo bëhet me të?’ e pyeta zë dredhur.

‘E djegim. Siç bëjmë zakonisht me kafshët e sëmura.’

Një lëmsh i madh mu mblodh në gjoks. Më vinte të qaja, por isha në rrugë. Te ne emri Punitë ka kuptimin e pastër, e shenjtë. Me shenjtëri dhe dashuri më shpëtoi jetën. Tërhoqi si me magji sëmundjen time dhe ja dha vetes.

Ndjeja, dashuria, shenjtëria s’paska dallime në njerëz e kafshë. Nuk ka nevojë për gjuhë, të flasë, por ka forcë magnetike komunikimi që i kalon kufijtë e normales, së zakonshmes, bëhet magjike.

Savithri hesht, lë lotët t’i bien në faqet e plota dhe ezmere. Nuk di ç’ ti them. Ajo u kollit dhe shtoi:

-Ne shpesh tregohemi mosmirënjohës me to...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora