E premte, 01.11.2024, 01:03 AM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Ne dhe Trump

E enjte, 26.01.2017, 08:06 PM


Ne dhe Trump

Nga Elvi Sidheri

Seç ka një frymë të habitshme jo vetëm nga 8 nëntori e këtej, por sidomos dhe veçanërisht nga 20 janari i (sapo)shkuar, ditët përkatësisht të zgjedhjes dhe të inaugurimit të presidencës së Donald Trump në krye të shtetit më të fuqishëm dhe demokracisë më të konsoliduar në nivel planetar.

Fryjnë erëra të ftohta në kurrizin e shqiptarit të zakonshëm, ndihet thëllima e përhershme që bëhet e pranishme sa herë që diçka krejt e papritur apo edhe thelbësisht e re dhe e pahasur më parë, vërshon rrëmbyeshëm në përditshmërinë e jetës sonë, duke na hutuar, çakërdisur dhe telendisur mendimet, frikërat, çoroditjen dhe moskuptimin tonë gjer në kufijtë e jologjikes më të skajshme.

Dhe e gjitha kjo, në suazat tërësisht minimale të gjeostrategjizmit dhe rëndësisë politike kuptueshmërisht aq të anashkalueshme të Shqipërisë sonë si vend, si dhe të shqiptarëve më gjerësisht si popull, në këtë skakierë të pamatë globale ku para dhe pas nisjes së Erës Trump, ngjizen, formësohen, ngjallen e përkufizohen shtrirjet e interesave, politikat, synimet dhe lojërat e pushtetit të Fuqive të Mëdha, të Fuqive Mesatare, të Fuqive Rajonale e të atyre “vdekatarëve të zakonshëm”, ku duam ta pranojmë apo jo, bëjnë pjesë domosdo edhe shqiptarët dhe shteti ynë thuajse 105 vjeçar.

Shqipëria ka parë shumë deri më sot.

Një shtet i krijuar “controvoglia” (pa dëshirë/n) e shumë shqiptarëve (DumBabistë turk e osmandashës, filo-helenë e filo-serbë jo të pakët), me rrudhjen e turinjve të shumicës së Fuqive të Mëdha të shekullit të kaluar, me bekimin gjeopolitik të Austro-Hungarisë në grahmat e saj të fundit të ekzistencës shekullore, dhe mbështetjen e tërthortë të Italisë mbretërore në prag të shndërrimit (rrënues për fatet e saj) në një Perandori dy-kontinentale.

Një Shqipëri e lindur kundër çdo gjase e rrethane, e rritur mes përcaktimesh kufijsh të pandalura, mes revolucionesh “demokratike” antikushtetuese dhe tranzitimi nga republika në mbretëri në vitit 1920, aty ku lëkundjet tektonike të shtetësisë shqiptare, përplaseshin sërish me mungesën e gjerë të besimit lidhur me ekzistencën mbi këmbët e veta të këtij vendi riosh, sa nga popullata e tij, aq edhe nga miqtë, armiqtë, mbështetësit dhe mosbesuesit e jashtëm.

Më pas njohëm pushtimin “dritëshkurtër” dhe tërësisht të pafrytshëm apo të nevojshëm (për interesat e tyre) italian, në një vend që italianët gjithësesi tashmë e kishin marrë në duar falë depërtimit ekonomik, kulturor dhe infrastrukturor të mundësuar mençurisht nga Mbreti Zog, me synimin për të modernizuar dhe sjellë në modernitet shoqërinë shqiptare, të dalë me vështirësi të patregueshme nga mesjeta e thellë osmane më 28 nëntor të 1912-ës.

Erdhi rradha e zbarkimit zulmëmadh në rrugët e pluhurosura të Tiranës të opingave të shokut Enver dhe të 200 petritëve të tij, pas rrugëtimit qysh nga themelimi i Partisë Komuniste e gjer te vëllavrasja finale mes shqiptarësh me bekimin dhe kërkesën e hapur të Beogradit titist, kaluam diktaturën filo-jugosllave, filo-sovjetike dhe filo-kineze, duke e mbyllur eksperiencën tonë me “komunizmën, leninizmën dhe stalinizmën”, në mënyrë plotësisht të palavdishme, teksa me “forcat tona”, mbanim barkun e zbrazur me dorë dhe hidhnim të uritur “Vallen në gojën e ujkut” të pacaktuar armik, imperialist, revizionist apo monarkofashist.

Demokracia për fat na gjeti me miqësinë e rigjetur me Fuqinë e Vetme të mbetur vërtet të Madhe pas Luftës së Ftohtë, atë SHBA që udhëheqësia jonë moniste e pati sharë e leqendisur me lehje e kujisje të denja për kokorroçërinë më tipike të një koteci pulash të shpupluara të cilat i hakërrehen kurvërisht gjelit krenar.

Amerikën nuk e kishim zgjedhur si Aleatin tonë strategjik ne, sepse pavarësisht dëshirës sonë të mirë, aleatët e nivelit të tillë global, një vend si Shqipëria, apo një popull si shqiptarët, nuk i zgjedhin dot edhe po deshën.

Por, rrethanat dhe vizioni amerikan për botën dhe zhvillimet planetare pas rënies së Murit të Berlinit, na patën piketuar edhe ne, në sferën e influencës së tyre, nga e cila me ndonjë ndërprerje të vockël, kemi përfituar jo pak gjatë këtyre 26 viteve miqësi të përzgjedhur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Thuajse gjysma e popullit shqiptar falë ndërhyrjes në momentin dhe kohën e duhur nga ana e amerikanëve, shpëtoi nga gjenocidi “ala-boshnjak” në vitin 1999 dhe pas përzënies së ushtrisë serbe, Kosova sot gëzon pavarësinë e paëndërrueshme gjer 20 vjet më parë, si pasojë e vendosmërisë amerikane për ta shndërruar në shtet më vete, këtë tokë shqiptare.

Sot Shqipëria gjithaq gëzon garancinë e paprekshmërisë së saj, përsëri falë largpamësisë amerikane, duke u bërë pjesë e NATO-s, aleancës më të fuqishme ushtarake globale të kohëve moderne, sadoqë ushtarakisht, kurrë nuk do të kishte qenë në gjendje t’i bashkohej asaj, po të mos kish qenë për ngulmimin e Uashtingonit në favor të antarësimit tonë në këtë organizëm jetik për stabilitetin europian, dhe aq më tepër të shtetit shqiptar.

Domethënë që gjithçka e mirë që na ka ndodhur në këto 26 vite demokraci, në një mënyrë ose tjetrën, na ka ardhur falë dhe përmes ndërhyrjes amerikane në të mirën tonë.

Por, kjo nuk do të duhej të nënkuptohej në mënyrë folklorike, tipikisht ballkanike sipas mendësisë egocentrike të “tallava-mendimit” të sotëm gjysmagjel shqiptar, se SHBA kanë për Shqipërinë apo sidomos shqiptarët ndonjë debulesë të veçantë që i bën ata të jenë të detyruar ndaj nesh në çfarëdo situate, kohe apo rrethanash.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës përgjithësisht, që prej themelimit të tyre dy shekuj e ca më parë, shquhen për një debulesë pragmatike për vlerat e përbashkëta që kombet apo shtetet e ndryshme në botë, ndajnë me këtë vend dhe demokraci të mrekullueshme. SHBA gjithashtu kanë një debulesë për ato vende dhe popuj që dinë të ngrihen në lartësinë e sfidës që i shpie ata në të njëjtin sintonizim dhe frekuencë me interesat amerikane nëpër të gjitha cepat dhe këndet e planetit.

Shqipëria dhe shqiptarët do të bënin një gabim trashanik, nëse do të pandehnin dritëshkurtësisht se vendi ynë dhe kombi shqiptar, papritmas ka zënë vendin e Izraelit në fushën e gjerë të interesave amerikanë në botë, apo se Tajvani befasisht është spostuar dhe ka ardhur në brigjet e Adriatikut dhe Jonit, duke iu larguar kështu përballjes së përhershme ekonomiko-politiko-strategjike me gjigantin kinez.

Shqipëria është Shqipëri, e po kaq edhe shqiptarët janë shqiptarë!

Ne nuk jemi as hebrenj, as Shqipëria është e njësueshme me veçoritë unike që Izraelin e bëjnë aq të pakrahasueshëm për nga rëndësia në politikën e jashtme amerikane, gjë që vlen po ashtu edhe për Tajvanin në këndvështrimin amerikanë kundrejt Kinës dhe kërcënimit kinez në rritje për interesat ekonomike pikësëpari, si dhe ushtarake e strategjike amerikane në Azinë Jugore, Lindjen e Largët etj.

Ndaj dhe, Zotit e Perëndisë mund t’i lutemi pa kushte (sidoqoftë duke plotësuar ca kritere “përkatëse”, të vetëpërmbahemi nga mëkatet etj), kurse Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nevojitet t’u qëndrojmë besnikë në miqësinë dhe bashkëpunimin tonë të çiltër (sado minor qoftë ai krahasuar me aleatët e tjerë planetarë të kësaj Superfuqie), dhe mbi të gjitha, të dimë të kuptojmë shterueshëm momente thelbësore të ndryshimeve madhore në politikën e brendshme dhe të jashtme amerikane, pikërisht si zgjedhja e presidentit Trump.

Të arrish të kuptosh drejt se çfarë po ndodh në SHBA sot, do të thotë të jesh në pararojë sa i përket korsive të ardhshme preferenciale të mbështetjes amerikane gjatë viteve në vijim.

Kjo nuk domethënë thjesht, në gjuhë popullore “ta dish nga fryn era”, aksiomë kjo kurrë ndonjëherë e tepërt apo e nënçmueshme në politikën e jashtme, aq më tepër për ne shqiptarët, por për më tepër, kjo gjë është e barabartë me një largpamësi jetike për fatet e ardhshme të shtetit dhe popullit tonë në një botë në shndërrim të vazhdueshëm, që tani e tutje më e njëjta nuk ka për të qenë.

Pak presidentë amerikanë kanë ditur të jenë kaq inovativë qysh në fushatë elektorale apo edhe në fjalimin e parë zyrtar gjatë inaugurimit, saç pamë të tregohej Donald Trump.

Dhe e dimë fort mirë se Amerika pas Franklin Delano Ruzveltit nuk ishte më e njëjta, me krizën e fillim-viteve 1930 të lënë pas e të harruar dhe një Luftë Botërore të fituar në dy krahë, Europë e Paqësor, ashtu si edhe pas Xhon Kenedit nuk ishte më e njëjta, me të drejtat civile të ngritura në nivele të paimagjinueshme më parë.

Amerika para dhe pas Ronald Reganit, e mbarsur me paragjykime, përçmime dhe pandemi supozimesh mbi paaftësinë për pushtet dhe injorancën në politikën e jashtme të ish aktorit të Hollivudit, në fund të viteve 1980 kishte përmbysur Bashkimin Sovjetik dhe çliruar Europën Lindore nga ndikimi dhe thundra ruse, pavarësisht premisave fillestare dhe zymtësisë së parashikimeve të establishmentit mediatik dhe jo vetëm.

Njerëzit që shenjojnë epokat, janë shpesh ata që epokën e tyre e nisin nga pozitat më të vështira, që arrijnë ta ndajnë skajshmërisht opinionin pro dhe kundër figurës së tyre, ata që bëjnë propozime në dukje të çartura, që dinë të artikulojnë mendime të guximshme që në dukje nuk janë aspak të përputhshme me “politically correct-in” e ballsamosur dhe të zbërdhulur të epokës së mykur të rradhës që ata e mbyllin njëherë e mirë për të nisur epokën e tyre me hap të vendosur.

E në këtë moment ndodhemi edhe sot me presidentin Trump, njeriun që shpalli frazën dhe moton “America First” krenarisht para tërë audiencës botërore!

Që pohon se “Nuk do t’i imponojmë askujt vlerat dhe mënyrën tonë të jetësës”, por që “We will shine”, “Do të shkëlqejmë aq shumë”, saqë bota do të dojë të jetojë si ne, sipas vlerave tona unike demokratike.

Njëlloj si në kohën e ringjalljes ekonomike të kohës së presidentit legjendar Ruzvelt, atëherë kur ringritja amerikane dhe botërore nisi nga vetë prapatoka e mbytur nga kriza ekonomike në SHBA, dhe që kulmoi me triumfin në Luftën e Dytë Botërore dhe nisjen e Luftës së Ftohtë, kur “Shkëlqimi i vlerave amerikane” ndriçoi botën e opresuar nga zgjedha sovjetike për dhjetëvjeçarë të tërë.

Problemi themelor për Shqipërinë dhe shqiptarët sot do të jetë pra, jo që nga parëndësia jonë e pashmangshme të vihemi e të gjykojmë e paragjykojmë presidentin më inovativ e karizmatik amerikan të dekadave të fundit, por që t’ia dalim t’i kuptojmë para të tjerëve, fqinjëve e armiqve, prioritetet dhe synimet amerikane.

Një Amerikë e ringritur ekonomikisht dhe ushtarakisht nga presidenti Trump, një Amerikë “Veprash, jo fjalësh të zbrazëta” (“All talk, no action”), vetëm mirë mund t’i bëjë Shqipërisë dhe shqiptarëve, nëse do të jemi aq të mprehtë sa të bëhemi sadopak pjesë së këtij “shkëlqimi” të ri amerikan.



(Vota: 26 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora