E merkure, 01.05.2024, 02:19 PM (GMT+1)

Mendime

Dibran Demaku: Sërish në Kosovë

E shtune, 15.10.2016, 11:30 AM


SËRISH NË KOSOVË

Nga Dibran Demaku

Sërish në Kosovë. Sërish në Prishtinë. Në qytetin e rinisë…Në qytetin e dashurisë…Në Kryeqytetin e pjesës së dytë të atdheut që emrin e ka Kosovë. Aty ku jeta rrjedh njëtrajtshëm. Herë me tensione të ulura e herë me tensione të ngritura. Diku me shpresë e besë. Diku krejt në harresë…

Politika dhe politikanët bëjnë të vetën. Populli frymon gjithashtu në mënyrë të vetën…Ndarjet dhe përqarjet politikanë-popull ndjehen gjithandej. Politika dhe politikanët të mbyllur në guacën e vet dhe të dhjamosur, populli përanash i zemëruar dhe i reckosur!. . . Ndarje fizike e shpirtërore si kurrë më parë:Pallatet e të pasurve shkëlqejnë nën rrezet e diellit apo të neonit, kasollet e të varfërve pikojnë nga tavanet si të ishin burime të kroit!. . .

Megjithate jeta rrjedh. Rrjedh edhe në qytetin e ndarë të Mitrovicës. Andej e këtej lumit Ibër. Rrjedh si në ëndërr apo në libër! Në veri në çdo hap pankarta e flamuj të shtetit të huaj tmerrësisht të shumtë, në jug një pamje gri krejtësisht e plumbtë!. . . Ura dhe Ibri në mes për dike si një ëndërr e shpresë, për dike si makth e harresë!. . .

Ekipi kombëtar futbollistik i Kosovës niset për në Shkodër me pompë,  këngë, me flamuj e lodër. Tifozët e zjarrtë ekipin e shoqërojnë-përcjellin,  e në euforinë e tyre ëndërr e shpresë mbjellin:”Nëse do na shoqërojnë forca e fatet do i mundim edhe kroatët?!”…Veçse nga Shkodra kthehen të zemëruar keq, kroatët në futboll ishin të fortë për dreq!. . .

Në Prishtinën e rinisë…Në Prishtinën e dashurisë…Jeta akademike hapin nis. Të rinjtë e të rejat e vërshojnë qytetin. Secili në mënyrë dhe stilt ë vetin:Dikush me banesë të vetën,  me aifon e makinë, dikush me këmbë, me xhepa thatë duke kërkuar banesë-shtëpinë! Veçse që të gjithë e kanë një synim, pas mbarimit të studimeve të ikin diku në Perëndim?!. . .

Shpresa dhe ankesa më mirë se askund tjetër këtu bashkëjetojnë dhe ashtu si padashur njëra-tjetrën e ndihmojnë…Shpresa shpeshëherë me vete bartë ankesën, ashtu siç e bartë me vete shpeshëherë edhe ankesa-shpresën!. . .

Lokalet dhe shitoret gjithandej të mbushura me mall e me popull…e jeta rrjedh si në një vorbull!. . .  Pothuajse në jetën e secilit(qoftë i pasur apo i varfër) ka vetëm ankesë se as punë e as para nuk kanë, e këtej lokalet e shitoret çdoherë të mbushura janë?!. . . Dhe me karroca të mbushura plot e bartin mallin, pa ia qarë njëri-tjetrit hallin!. . . Pothuaj se çdo  dyti e ka si synim, kur të liberalizohen vizat të ikën në Perëndim?!. . . Dikush dhe diku u paska premtuar se në Perëndim u jetuaka pa u lodhur dhe pa punuar?!. . .

Ditët në Kosovë ikin shpejt…dhe vjen çasti i kthimit…Dhe ti deshe s`deshe do ta marrësh atë rrugë, sepse ti nuk je as pelegrin e as murg!. . .

Mirupafshim Kosovë, atdheu im i shtrenjtë,  edhe kështu si je, të ëndërroj dhe shpresoj në një ritakim të shpejtë!. . .



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora