Kulturë
Sabit Rrustemi: Intervistë me studiuesin e letërsisë, Nuhi Ismajlin
E merkure, 20.08.2008, 06:58 PM
Me studiuesin e letërsisë, Nuhi Ismajlin
Nuhi Ismajli
ASNJË HISTORI E LETËRSISË NUK I MJAFTON ÇDO KOHE
Nga Sabit RRUSTEMI
Kontributet (veprat) e deritashme studiuese të Nuhi Ismajlit, në fushën e letërsisë, në këto dy e më shumë dekada, nuk është I pakët.Deri më tash ka publikuar dy vepra (Nga vlerat e traditës, më 2000, dhe Kureshtje letrare, më 2001), si dhe qindra shkrime në gazeta e revista të ndryshme dhe në kuadër të botimeve shkencore të Institutit Albanologjik, Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës etj.
Në shkrimet e tija, siç mund të shihet, shprehet mendimi dhe vlerësimi shprehur për çështjet e ndryshme të letërsisë shqiptare, veçmas për letërsinë shqipe të shek. XVI-XVII, por edhe për çështje të ndryshme gjuhësore, estetike, kulturore, historike etj. Duke mos I anashkaluar edhe veprat bashkëkohohore, të viteve të fundit që botohen anekënd shqiptarisë.
Një emër që ka zgjuar kërshërinë e të tjerëve dhe ka provokuar pozitivisht shumë tema të letërsisë, madje edhe të tilla që janë llogaritur thuaja shterruse, si dhe ka rikthyer një frymë polemizuese mjaft të kulturuar dhe argumentuar në studimet e letërsisë dhe gjuhës shqipe, është shkas I mjaftueshëm për një bisedë dhe shpalim të mëtejmë të sybimve të këtij studiuesi të heshtur dhe të palodhur të letërsisë dhe kulturës shqiptare, pavarësisht kushteve aspak të favorshme në të cilat jeton dhe vepron duke u përballur çdo ditë me përditshmërinë e rëndë dhe çështje eksiztenciale.
…
Merreni me studime dhe kritikë letrare për më shumë se dy dekada. Sa e keni përmbushur deri më tash synimin tuaj në gjurmimin e letërsisë shqiptare ?
Nuhi Ismajli:
Letërsia është e tillë që, përherë të kërkon më shumë se ajo që synon e planifikon, më shumë se ajo që ke arritur të shohësh në të. Në punën time krijuese më ka ndodhur të realizoj atë që s’e kam planifikuar dhe të mos e realizoj atë që e kam planifikuar. Në trajtimin e ndonjë çështjeje, kam shkuar përtej synimeve, por, në përgjithësi, më shumë kam mbetur prapa synimeve.
…
Keni prekur nëpër vepra dhe emra që kanë lënë ndikim në historinë e letërsisë, që nga letërsia e vjetër e deri te fillet e modernitetit. Ç’ mund të na thuani, janë shterur gjetjet në këtë drejtim apo, çdo rilexim të jep mundësinë për gjetja tjera, letrare –artistike?
Nuhi Ismajli:
Së pari, më lejoni të shpreh një mendim timin rreth termave: letërsi e mesjetës dhe letërsi moderne (shqipe).
Me letërsi të vjetër shqipe unë kuptoj po atë që e thotë një rast Çabej – letërsinë shqipe të shek. XIV-XV, e cila dokumentohet nëpërmjet dëshmive të ndryshme, kurse me termin letërsi moderne shqipe, letërsi e kohës së re, unë kuptoj letësinë shqipe të shek. XVI-XVII, letërsinë shqipe pas Mesharit deri të Rilindja Kombëtare Shqiptare, në të cilën vërehen edhe elemente moderne dhe e cila u zhvillua në kohën e cila, edhe në historinë botërore njihet si kohë e re.
Sa i përket pyetjes suaj, për shkak të natyrës së letërsisë , edhe unë, siç është thënë kaherë, mendoj se vlerat e veprës letrare, nuk mund të shteren me asnjë lexim; se pas çdo leximi, vepra letrare të bën të vëresh, të ndjesh, të kuptosh diç të re, të pahetuar më parë, në realizimin e saj.
Kur marrim parasysh nivelin e studimit të letërsisë shqipe, aq më pak mund të të themi se i kemi bërë një hulumtim shterues dhe s’kemi ç’të gjejmë më në të. Dhe, aq më pak kjo mund të thuhet për letërsisë shqipe të shek. XVI-XVII, e cila, për çudi, me gjithë vlerat tejet të madhe të saj, është injoruar e lënë prapa në krahasim me studimin e periudhave të tjera të letërsisë shqipe.
“MESHARI” – VAZHDIM I LETËRSISË SHQIPE TË MËHERSHME
…
Meqë jeni marrë më shumë me shkrimet e mesjetës, kur edhe datojnë kushtimisht veprat e para, a mund të besojmë dhe a kemi argumente për një traditë më të hershme të shkrimit dhe veprës shqipe? A mund të pretendojmë se “Meshari” mund të jetë kulmi i një tradite dhe vazhdimësie iliro – shqiptare? Apo çka mund të nxjerrim më shumë nga “sitja” e hirit të bibliotekës së Pallatinait dhe arkivave të pashkundur mirë të Vatikanit për të dëshmuar se veprat e mëdha si “Meshari” nuk shkruhen rastësisht
Nuhi Ismajli:
Studiuesit, gjer më tash, duke marrë parasysh edhe atë që thotë Brokardi, japin shumë dëshmi për shkrimin e letërsisë shqipe edhe gjatë shek. XIV-XV.
Meshari nuk është vepra e parë shqipe, siç është provuar përmes shumë dëshmive. Vetë njohja e vetëm një ekzemplari të veprës së Buzukut është dëshmi e ekzistencës së një letërsie shqipe, veprat e së cilës, për shkaqe të ndryshme janë zhdukur.
Shekuj më parë se botimi i veprës së Buzukut, shqiptarët kishin një nivel të lartë të arsimit dhe të kulturës. Të përmendim faktin se Durrësi kishte universitet më 1374, pastaj Shkodra etj.
Fryt i një arsimi dhe kulture të tillë qe edhe letërsia shqiptare në latinisht, e cila pati jehonën e saj në botë.
Një nivel i tillë i kulturës e i arsimit nuk ka mundur të jetë pa ndikim edhe në krijimin e veprave shqipe, të cilat u zhdukën, siç u zhdukën edhe veprat shqipe të shek. XVII, disa prej titujve dhe autorëve të të cilave përmenden konkretisht. Prandaj, vepra Meshari, mendojmë, është vazhdim i letërsisë shqipe të mëhershme.
Kërkimin e veprave të panjohura shqipe, ndriçimin e pasqyrës së plotë të letërsisë shqipe, para Buzukut, por edhe pas Buzukut, do kërkuar në bibliotekat e ndryshme të botës, jo veç në Vatikan.
Por, për këtë duhet të jetë një institucion kombëtar, i cili financon përgatitjen dhe punën hulumtuese të ekspertëve. Këto punë nuk bëhen me inicitava individuale dhe me pak mjete.
…Përpos, emrave si Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Frang Bardhi, ju keni prekur edhe iluminizmin por më shumë jeni përqëndruar në fillet e modernitetit në letërsinë shqipe. Tema që i kanë shtjelluar edhe studiues të tjerë, me herët. Gjetjet tuaja të reja në këto hulumtime studiuese cilat janë?
Nuhi Ismajli:
Gjatë studimit të letërsisë shqipe të shek. XVI-XVII, kam vërejtur se autorët e kësaj letërsie përveç dashurisë së zjarrtë për gjuhën shqipe, kulturën dhe vlerat e identitetit kombëtar, përpjekjes për ruajten dhe zhvillimin e tyre, luftuan edhe për mësimin e shqipes, mësimin shqip, hapjen e shkollave kombëtare në gjuhën shqipe dhe shprehën ide shumë të rëndësishme për arsimin kombëta, i cili, sipas tyre, ishte kusht për ruajten dhe zhvillimin e kulturës e vlerave kombëtare dhe si kusht për të qëndruar në botën e virtytit, ndërsa shkollat e huaja si shkak të të gjitha të këqijave. Për këtë veprat e tyre ata i krijuan për t’i përdorur edhe si tekste shkollore.
Idetë arsimore të P. Budit, të F. Bardhit, të P. Bogdanit etj., janë shprehur vetëm nga fundi i Rilindjes, prandaj, me të drejtë, veprimtaria e autorëve të shek. XVI-XVII, konsiderohet një lëvizje mendore (
Studimi i teksteve të letërsisë shqipe të shek. XVI-XVII, mund ta habisë studiuesin, i cili në to mund të vërej edhe elemente të rrymave letrare të mëvonshme. Në shkrimet e mia unë kam vënë në dukje disa elemente, të cilat letërsinë shqipe të shek. XVI-XVII, e bëjnë moderne dhe e dallojnë nga letërsia e mesjetës, si: llojet letrare, mënyra e formësimit të tekstit, inkuadrimi dhe efekti i përmbajtjeve të caktuara, fryma humaniste, lidhjet me antikitetin, trajtimi i aktualitetit dhe qëndrimi kritik e autorëve etj.
Krijohet përshtypje dhe jo vetëm nga shkrimet e juaja studiuese, se qëllimisht janë heshtur nëpër kohë vlerat e mirëfillta, të themi kushtimisht edhe shenjat që sforcojnë identitetin tonë kulturor e civilizues, p.sh. , vepra e Gjergj Fishtës, së cilës ju i jeni qasur me përkushtim të theksuar. Pse na ndodhën këto heshtje të prositura dhe sa e dëmtuan zhvillimin e letërsisë.
Nuhi Ismajli:
Heshtja, injorimi e mohimi i vlerave të letërsisë shqipe ka qenë dhe mbetet edhe më një e metë e madhe në kuadër të mendimit tonë për letërsinë.
Kjo dukuri ka ndodhur dhe vazhdon të ndodh edhe sot për shkaqe të ndryshme ideologjike, politike, fetare, mendësie etj.
Për shkaqe të përmendura, vepra, segmente të tëra të letësisë shqipe të së kaluarës, vlera të lloj-llojshme dhe tejet të rëndësishme, janë injoruar, heshtur e mohuar.
Një absurdi të tillë nuk i kanë shpëtuar as letërsitë e periudhave më të studiuara të letërsisë shqipe, si, p.sh., letërsia e Rilindjes, me të cilën janë marrë shumë studiues e, megjithatë, shtresa, karakteristika dhe vlera të ndryshme të saj kanë mbetur pa u studiuar dhe vënë në dukje.
Ose ta marrim veprën e Migjenit, e cila për shkaqe ideologjike etj., është keqinterpretuar aq shumë. Të mos flasim për Fishtën, Konicën, Koliqin etj., etj., të cilët u ndaluan, u mohuan dhe u refuzuan në mënyrën më të vrazhdët, për t’u parë me syrin ideologjik, madje, edhe sot. Gjatë kohës së diktaturës në Shqipëri, jo vetëm u ndaluan veprat dhe u cenua liria krijuese, po u viktimizuan edhe shkrimtarët etj.
Për shkaqe të ndryshme ideologjike, politike, fetare, karakteri (inati, xhelozie, ambicie, egoizmi etj.) etj. , përpjekje për injorimin, heshtjen e mohimin e vlerave të letësisë së sotme shqipe ndodhin edhe sot.
Shkaku, mbase, është se, ndër ne, ekziston një prirje për të krijuar vlera të mëdha, por edhe një prirje, një shtytje natyrore, për të mohuar e rrënuar vlerat tona të mëdha!
Dëmi që i ka sjellë dhe mund t’i sjellë kjo kulturës kombëtare është i papërshkrueshëm.
…
REALITETI PSEUDOKULTUROR ËSHTË MË I FUQISHËM SE ZËRI I KRITIKUT
Ju njëkohësisht përcillni edhe veprat që botohen viteve të fundit në hapësirën gjithëshqiptare. Ç’ mund të na thoni, ka rritje vlerash artistike dhe sa mund të jenë konkuruese këto prurje të reja në rrethanat e kësaj kohe kur po flitet për integrime, globalizime etj.
Nuhi Ismajli:
Letërsia e sotme shqiptare, përkundër një procesi negativ - prodhimit të pseudovlerave, me veprat e autorëve të vjetër po edhe me ato të të rinjve, po shënon nivele të reja të realizimit artistik dhe nivele të reja të mendimit për letërsinë.
Dëshmi për këtë është edhe pritja e mirë nga lexuesit dhe vlerësimi i lartë i kritikës letrare të huaj, shpërblimet e çmueshme ndërkombëtare, që ju jepen autorëve tanë, qoftë pë veprat gjithnjë e më të shumta, të përkthyera nga shqipja, qoftë për veprat e shkruara në gjuhë të huaja.
Sa u përket vlerave integruese, synimeve të globalizmit, unë mendoj se individualitet krijuese të një populli e vendi , të përgjithshmes i kontribuojnë nëpërmjet të veçantës që sjellin me veprën e tyre.
Letërsia duhet të jetë shprehje e krijuesit, e botës së tij; shprehje e botës njerëzore-kombëtare nga vjen, shprehje e mendësisë, psikologjisë, idealeve të saj, por të cilat janë në harmoni me natyrën dhe idealin (gjithë)njerëzor.
Në kohën kur po “mbijnë” si kërpudhat vepra dhe emra krijuesish, kritikët u “humbën” .
Nuhi Ismajli:
Vlerat e veprave të letërsisë së sotme shqipe nuk mungojnë, por janë të pranishme mjaft edhe pseudovlerat.
Nuk mungon krejt as kritika letrare, të cilën vazhdojnë ta kultivojnë disa prej kritikëve të vjetër dhe disa kritikë të rinj, të cilët po dëshmohen mjaft seriozë, qoftë me përgatitjen shkencore, me talentin dhe me përkushtimin.
Në kohën tonë po bëhen edhe studime të gjata në formë monografish, të cilat në vete përmbajnë edhe vlerësimin kritik.
Por, kritika letrare po mungon në krahasim me nevojën e vlerësimit kritik, ndërsa mungesa e saj, po bëhet gjithnjë e më e theksuar, veçanërisht për shkak të përmasave të paraqitjes së sotme të pseudovlerave. Shkaku i mungesës së kritikëve qëndron në mungesën e individualiteteve të fuqishme të kritikës, të cilët nuk ngurrojnë të provojnë rrjedhojat e kritikës në rrethanat e shoqërisë së sotme ( e cila nuk është e interesuar për kritikë, po për lavdërime) .
…
Vërehen tendenca të një kritike, edhe kur ajo dëshmon ekzistencën e saj, për emra dhe vepra të porositura. Apo edhe po për ata emra me të cilet u mor edhe dje gjatë diktaturës komuniste, në të dy anët e kufirit.
Nuhi Ismajli:
Detyra e kritikës është të japë vlerësime të qëndrueshme, të merret me veprat dhe jo me autorët. Gjithçka tjetër nuk mund të quhet kritikë.
…
Mos po vërehen thyerje kriteresh në vlerësimin e veprave të reja nga ana e kritikëve letrarë, në fakt a ka shenja sipas jush të korruptimit të mendimit kritik kur, promovohen vepra shumë të diskutueshme për nga vlerat, vepra që me një vlerësim më të mirëfilltë as që kishin hyr dikur në radhë për t’u botuar?
Nuhi Ismajli:
Në kuadër të realitetit tonë shoqëror ekziston edhe një dukuri e shëmtuar – përpjekja për të afirmuar pseudovlerave! Në shërbim të afirmimit e imponimit të pseudovlerave është një lloj shkrimi qesharak, që synon të paraqitet si kritikë, por i cili, në fakt, është një lloj propagande, e cila, nga lexuesi sadopak i formuar, ndjehet si komedi (pasi është dhe nxit efekte komike). Kultivuesit e këtyre shkrimeve janë mediokrit e tipit të doktor Adhamutit ose ata që pranojnë të paraqiten të tillë, të cilët nuk dinë të skuqen nga injoranca e thellë e marrëzia!
Kritika e vërtetë nuk duhet të heshtë, por të merret me këto shkrim-lavdërime të marra, me këto pseudovlera të pseudovlerave, të cilat janë shumë të dëmshme për kulturën.
Në fakt, a mund të presim një shoshitje të mirëfilltë të vlerave letrare nga ana e kritikës, në mënyrë që, ta ruajmë edhe lexuesin nga antivlerat që po i imponohen?
Nuhi Ismajli:
Në realitetin shoqëror dhe “kulturor”, në të cilin gjendemi tani për tani, nuk ka dhe nuk do të ketë shumë të tillë kritikë, që pseudovlerat t’i quajnë me emrin e tyre të vërtetë. Realiteti ynë shoqëror dhe pseudokulturor është më i fuqishëm se zëri i kritikut.
…
Edhe nga ju, më parë, është shtruar nevoja për një rikonfigurim dhe rishkrim të historisë së letërsisë shqiptare. A mendoni se, kjo histori e deritashme, për mënyrën dhe rrathanat në të cilën është shkruar, është e pamjaftueshme?
Nuhi Ismajli:
Asnjë histori e letërsisë nuk i mjafton çdo kohe, sepse çdo histori e letërsisë, sado e përsosur të jetë në një kohë, vjetrohet në kohë.
Historia e letërsisë është rezultat shkallës së njohjes së letërsisë së caktuar, rezultat i nivelit të dijes teoriko-letrare, rezultat i pikëpamjeve letrare të autorëve, e shijes së autorëve dhe të kohës, madje edhe rezultat i kufizimeve të ndryshme që zotërojnë në kohën e hartimit të saj, siç janë edhe historitë tona të deritashme të letërsisë etj.
Për shkak të pasurimit të dijeve për letërsinë tonë, të dijeve teoriko-letrare, pikëpamjeve e këndvështrimeve të reja, të një realiteti tjetër shoqëror, të lirisë krijuese etj. , lind nevoja e hartimit të një teksti tjetër të historisë së letërsisë.
Hartimi i historisë së re të letërsisë shqipe, nuk do të thotë mohim i vlerave të teksteve të mëhershme, sepse çdo tekst i ri i historisë së letërsisë duhet të përfillë rezultatet e qëndrueshme të teksteve të mëparshme. Së këndejmi, teksti i ri nuk është refuzim i tekstit të mëparshme. Pra, hartimi i historive të reja të letërsisë është një proces, i cili nënkupton njohjen, respektimin e vlerave të së kaluarës, pastaj korrigjimin, plotësimin, pikëpamjet dhe këndvështrimet e reja letrare etj.
…
Dhe, nëse duhet rishkruar,e që, padyshim mendoj se po, kush do duhej ta bënte këtë? Akademitë tona shkencore, Institutet apo ndonjë Grup studiuesish, të pavarur nga ndikimet “akademike” dhe politike?
Nuhi Ismajli:
Në hartimin e historisë së letërsisë ndihmën e tyre duhet ta japin akademitë, institutet dhe katedrat tona të letërsisë, ndërsa hartuesit e saj duhet të jenë ekspertët, njohësit e mirë të letërsisë shqipe dhe të mendimit teorik letrar modern; studiuesit e çliruar nga paragjykimet e ndryshme; nga animet e ndryshme: politike, ideologjike, krahinore, provinciale, klanore, fetare; nga ambiciet personale dhe tendenca e imponimit të pikëpamjeve, bindjeve e qasjeve të tyre personale në historinë e letërsisë (siç ka ndodhur me disa tekste shkollore) etj.
POLEMIKA JONË DUHET TË EMANCIPOHET
Në shkrimet tuaja kritike, qofshin për letërsinë e vjetër apo edhe për atë të mëvonshme, vërehen tone polimiste që e dinamizojnë mendimin tuaj kritik. Sa është i emancipuar shkrimi polemist tek ne sipas jush, dhe a ka tradit?
Nuhi Ismajli:
Shikuar historikisht shkrimi ynë polemik ka një traditë të lashtë. Shembullin e një polemike mjeshtërore e kemi në literaturën paraarbërore ose ilire, në shek. IV, në veprat e shkrimtarit ilir, me famë botërore Shën Jeronimit (340-420), veçanërisht në veprën e tij Epistolat.
Në literaturën arbërore polemika e parë është letra e Skënderbeut, dërguar princit të Tarantos, më 30. X. 1460. Më pas vjen parathënia e veprës Historia e Skënderbeut e Barletit etj.
Por, në polemikën shqipe nuk ka një traditë të mirë dhe ka pak shembuj sesi duhet të jetë polemika, sa i përket mënyrës së polemizimit.
Kështu, në shumicën e rasteve, në polemikën shqipe, braktiset objekti i shqyrtimit e qëllimi i polemikës, injorohen argumentet dhe polemika shndërrohet në një luftë të egër, tejet primitive, në një dialog të ulët kundër bashkëbiseduesit, i cili bëhet tabelë të qitjes.
Në polemikë lejohet edhe shprehja e emocioneve të polemistit, por pa kaluar në mllef, pa harruar objektin dhe qëllimin, kërkesat esenciale të polemikës; pa lejuar që emocioni t’i zërë vendin argumentit, të cenojë dinjitetin e kundërshtarit e ta rrënojë moralisht atë.
Në polemikën shqipe ndodh më shpesh që polemika të bjerrë qëllimin dhe natyrën e vet. Duke e banalizuar tejmase, përmbajtja e saj, në vend të argumenteve, bëhen shpifjet, gënjeshtrat, urretjet, xhelozitë, smira, hipokrizia, egoizmi etj. , ndërsa fjalori i saj, në vend të termave adekuatë, epitetet më pejorative, sharjet dhe fyerjet më banale etj.
Shkaku i një polemike të tillë është injoranca ose mendësia e egër, primitive e polemistit.
Polemika jonë (pa kulturë, pa etikë, shumë vulgare dhe shumë agresive), që të përmbush qëllimin e vet, duhet të emancipohet.
…
Viteveve të fundit shquheni ndër emrat e rrallë që me një fanatizëm nuk i ndaheni shkrimit dhe publikimit të studimeve letrare. Në anën tjetër, me botime në formë libri keni munguar qe shtatë vite. Kur mund ta presim librin kritik të radhës?
Nuhi Ismajli:
Pas botimit të dy veprave, më 2000 dhe 2001, gjatë disa viteve, kam përgatitur për botim edhe disa vepra, por shpresa për botimin e tyre është e vogël. Krijuesi, sot, është i gozhduar nga pamundësia materiale, kurse mecenët po mungojnë. Institucionet përgjegjëse për botimin e librit, qoftë ato qendrore, qoftë ato lokale, për botimin e librit nuk japin, ose japin pak. Edhe kur japin, këtë e bëjnë disi fshehtazi, pa u ditur dhe më shumë u shërbejnë botuesve sesa krijuesit. Megjithkëtë, botimi i disa veprave të mia është vonuar shumë dhe, duhet gjetur gjithsesi mundësitë, që, ndonjërin prej tyre, ta nxjerr në dritë gjatë këtij viti.