E diele, 16.06.2024, 07:46 AM (GMT+1)

Mendime

Ndue Dedaj: Institucioni i librit ka rënë

E shtune, 23.04.2016, 08:07 PM


INSTITUCIONI I LIBRIT KA RËNË

NGA NDUE DEDAJ

Është një ditë në prill që na kujton se libri do “festuar” nga të gjithë dhe se prapë ka ardhur koha t’i dhurohen trëndafila atij që blen libra. Dita Botërore e Librit lidhet me shuarjen, katërqind vjet më parë, 23 prill 1616, të dy korifejve të letërsisë botërore, Servantesit dhe Shekspirit. Por sa ujëra kanë rrjedhur, që diku e kanë ngritur librin në qiellin e shtatë, me digjitalizimin e tij, diku e kanë nxjerrë në rrugë të madhe! Një ndër pamjet që kurrë nuk do ta harroj nga qyteti im para njëzet vitesh ka qenë qitja në trotuar e librave të shtëpisë nga një bashkëqytetar që po ikte me banim në Tiranë. Ai shkonte në kryeqytet pa libra, pasi tashmë kishte ardhur koha e konsumit. Ju keni parë “komshinjtë” tuaj që gjithashtu kanë bërë të njëjtën gjë. Bibliotekat ishin të parat që dolën në “anëkand”. Është e trishtueshme të mendosh që libri nuk ngjall më interes në masën e njerëzve. Ai nuk është më një institucion për shumëkënd. Ka njerëz që më shumë i gëzohen një kostumi firmato, një ore të shtrenjtë, një loje në kazino se sa një bestselleri. Askush sot nuk ka të dhëna se sa veta lexojnë. Të vetmet veprimtari kushtuar librit janë panairet dhe ndonjë promovim me miq e shokë të autorit. Po çfarë ndodh tjetërkund? Poeti dhe publicisti Ndue Ukaj, Kosovë, sjell një imazh europian të (pa)zakontë: “Në Bibliotekën Malmö-s në Suedi, shkruan ai, pashë pleq tek lexonin përralla për nipat e tyre, fëmijë tek luanin, lexonin e vizatonin, studentë të thelluar në libra, të rinj të shumtë tue huazue libra, nëna me fëmijë të vegjël në këndet e tyre speciale. Të gjitha këto brenda një hapsine të mrekullueshme, ku lexuesi mundet me gjetun libra në dhjetëra gjuhë dhe për secilën fushë. Borgesi, kishte të drejtë kur parajsën e krahasonte me bibliotekën”.

Por kjo parajsë nuk është për shqiptarët e tranzicionit. Në shumicën e qyteteve nuk ka librari. Edhe aty ku ato janë, nuk kanë libra, por sende shkollore për nxënësit, ca metodika në gjuhë të huaj, ndonjë guidë turistike dhe aq. Kjo është pak a shumë pamja dhe në Kosovë. Për më tepër verën e kaluar u dha alarmi se po mbyllen dhe ato librari që ishin. Shqiptarët po mbeteshin përfundimisht pa shtëpi të librit! Ky ishte lajmi, ani se askush nuk ia vuri veshin. Ndoshta ngaqë libraritë janë mbyllur prej vitesh dhe në vend të tyre janë hapur lojrat e fatit, “institucioni” shqiptar më produktiv i të kamurve, por dhe i fukarenjve. Lloto të pafundme e përkundin varfërinë e këtij vendi me shpresën për t’u pasuruar sadopak! Ndaj nuk ia tërheq vëmendjen askujt mbyllja e librarive, pasi kultura tek ne kurrë nuk është lajm. Lajm përbën hashashi që ka populluar gjithë gjeografinë e Shqipërisë. Por të vijmë te librari-mbylljet. Një e përditshme, në shtojcën e saj javore, gusht 2015, citonte botuesin e njohur Petrit Ymeri: “Këtë vit janë mbyllur librari gjithandej, nga Shkodra e deri në Vlorë. Ky fakt është rrëqethës për punën tonë, e sidomos për lexuesin. Kemi qytete pa librari ose me ca kioskëza të mjera...” Shkurt, libri ka mbetur pa zot. Vihet ndonjëherë mbi trotuare njëlloj si këpucët apo teshat me shumicë që rrallëkush ia hedh sytë. Drynimi i librarive të shkakton ndjesinë e mbylljes së syve, si një refuzim për të mos u takuar me dritën e diturisë, terma që si duket ia kemi lënë Rilindjes. Ka nga ato kioska që e kanë marrë liçensën për libra, por libri aty është pakicë në raport me kancelarinë për zyrat. Nga shitja e librave ato nuk mund të shlyejnë as dritat. Libraritë dhe bibliotekat nuk kanë një status për të qenë, punonjësit e bibliotekave i paguajnë bashkitë, por a është kjo e mjaftueshme, kur nuk jepet asnjë qindarkë për blerje libri?! Tregu i librit është i dobët. Botuesit me të drejtë kërkojnë mbështetje, por ecet me mendësinë “të çajë vetë biznesi i librit!” Sikur vetëm lekët për koncertin e Anastacias muaj më parë të kurseheshin do të ishin financuar disa biblioteka shkollash, apo shtëpi botuese për botimin e autorëve klasikë. Pa thënë se libri do të kishte qenë mbret në këtë vend nëse do të kishim bërë më pak beton(izim) në kryeqytet dhe qendrat e tjera urbane. Ne mund t’i bëjmë sa të duash kritika regjimit të kaluar, ama atëherë kishte librari dhe në skajin më të largët të republikës. Nëse “Një tragjedi amerikane” e Drajzerit mbarohej menjëherë në libraritë e Shkodrës, po të nxitoje mund ta gjeje pa u shitur në librarinë e Shllakut a Këlmendit.

“Teposhten” librit ia ka dhënë dhe teknologjia digjitale, të rinjtë tanë po shijojnë parajsën e iPhone, iPad, Kindle etj. dhe nuk i njohin bibliotekat. Këto pajisje i kanë dhe fëmijët suedezë, gjermanë, francezë, italianë, amerikanë, por ata nuk e kanë braktisur librin dhe leximin. Kjo është një temë tepër e rrahur dhe zor se do të ndodhë shpejt “korrigjimi”, kaq e madhe është sot marrosja pas teknologjisë së fundit. “Të presësh që në këto rrethana të shtohet lexueshmëria, shkruan Kim Mehmeti, është njësoj si të shpresosh se përnjëherë do të bjerë numri i vizituesve të internetit dhe të rritet ai i bibliotekave dhe muzeve”. Asgjë nuk ndodh vetiu, institucionet kulturore-arsimore këtë mision kanë, ta harmonizojnë librin që vjen që nga “papiruset” e lashtë me teknologjinë digjitale, pra, bibliotekat, shkollat, universitetet, akademitë e shkencave dhe arteve, shtëpitë botuese, mediat, bizneset etj.

Institucionin e librit e kanë shkatërruar dhe grafomanët. Lexuesi befas është gjendur para një “lukunie” botimesh pa pikë vlere. Është një ndër shpërdorimet e lirisë së fjalës të kësaj kohe. Pensionistët e kanë kuptuar si një gjë tepër të lehtë këtë zejen e shkrimit të librave, nëse librezë pensioni kanë vetëm një, libra të shkruar prej tyre kanë nga një në gjashtë muaj. Libri është kthyer në një “hobi” për të gjitha moshat, pak a shumë si në Islandë, ku të gjithë njerëzit zgjohen e ngryesen duke shkruar libra në ballkone. Të thuash pasaj se libri ka një histori të rëndë qysh nga Eskili e Dantja! Tashmë tek ne nuk ka pallat, rrugë, lagje ku nuk banojnë “autorë” librash. Të vjen të thërrasësh: o ju që shkruani (pa modesti) për etërit tuaj që nuk janë më në këtë jetë, lexoni njëherë “Enciklopedi e të vdekurve” të Danilo Kish, se cili është dinjiteti i të shkruarit për paraardhësit dhe për veten. E nuk janë vetëm pensionistët që shkrujnë libra, por dhe fëmijët 10-vjeçarë. Në një qytet të Kosovës promovohet libri një shtatëvjeçari, që ende nuk ka mësuar aberaren!? Ndërkohë që libri mbarëshqiptar bëhet bashkë vetëm në panairet që zhvillohen në Tiranë, Prishtinë apo Ulqin, apo në shkëmbimet miqësore mes autorëve, por jo se ai qarkullon lehtësisht, për shkak se nuk është ndërtuar një strategji për këtë.

Së fundi, a ka shoqëria e sotme mekanizma dhe vullnet që ta ndryshojë gjendjen? A duhet që ajo të bëjë presion për ta kthyer institucionin e librit? Për të gjitha këto 23 prilli mund të jetë reflektim, qeveritar, shkollor, kulturor ndaj librit. Mundësitë janë më shumë se kurrë për ta krijuar e shijuar parajsën e librit pa kufij. Një shembull u dha. Shqipëria dhe Kosova kësaj here ishin “një” në javën e bibliotekave në Prishtinë, me fokus veprën dhe Vitin e Kadaresë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora