E diele, 16.06.2024, 06:53 AM (GMT+1)

Mendime

Alban Avdulla: Nevoja për tu dëgjuar

E premte, 22.04.2016, 08:30 PM


Nevoja për tu dëgjuar, në prag të zgjedhjeve për Dekanatin e Fakulteteve.

Nga Alban Avdulla

Gjatë kësaj periudhe është duke u zhvilluar gara për zgjedhjet e Dekanatit në fakultetet përkatëse dhe si e tillë, ajo tërheq vëmendjen drejt kandidaturave dhe garës që mund të zhvillohet.

Duke qenë vëzhgues i kesaj gare, ndjej detyrimin moral të ofroj disa këshilla me vend dhe të domosdoshme - në këndvështrimin tim-  për tu patur në vëmendje për përmirësimin e realitetit ku ndodhen universitetet sot.

Do të ndalem veçanërisht në disa pika:

1.         Shërbimet e ofruara prej institucioneve arsimore;

2.         Përfaqësimi I studentëve dhe mekanizma rezervë për të percjellë problematikat që studentët do të kenë në rast se strukturat si Këshilli Studentor nuk do të funksionojnë:

3.         Shndërrimi i fakulteteve në ambiente më sociale dhe me mundësi më të shumta për tu zhvilluar profesionalisht;

4.         Krijimi i binjakëzimeve me universitete të huaja, të cilat të mundësojnë realizimin e  shkëmbimeve studentore;

5.         Hapja e mundësive të punësimit nga universitetet per studentët në nevojë.

Duke i shtjelluar në bazë të renditjes së tyre, pikë së pari le të shtjellojmë shërbimet që ofrohen në insitucionet arsimore, mes të cilave janë edhe shërbimi i sekretarisë së fakultetit, zyrës së informacionit, sekretarive apo zyrave të departamenteve të ndryshme.

Sekretaria e fakultetit është një kontakt i rëndësishëm dhe i drejtpërdrejtë me studentin për shkak të funksioneve që ajo ka. Në fakultete të caktuara, sekretaria ofron shërbim për studentët për vetëm  2 orë në ditë. Qëndroj i mendimit se është jashtë çdo koncepti të pranueshëm një interval kohe kaq i shkurtër, gjatë të cilit studentët nuk mund të përfitojnë nga shërbimet e saj. Në ditët e sotme studentët zhvillojnë leksione dhe seminare që zgjasin nga 2 deri në 4 orë dhe natyrshëm lind problemi që ky shërbim prej sekretarisë nuk arrin të merret sepse me kalimin e afatit prej dy orësh, sekretaria e fakultetit mbyllet dhe nuk ka më asnjë mundësi efektive për të përfituar prej funksioneve të kësaj zyre.

Kjo përbën një pikë të dështuar në funksionimin e fakulteteve sot: pikërisht për këtë arsye, pavarësisht kandidaturës që do të rezultojë fituese në garën për pozicionin e Dekanit të Fakultetit, propozoj një ndryshim! Orari brënda të cilit sekretaria e fakultetit do të ofroj shërbimet e saj për studentët të zgjatet, minimalisht, deri ne 8 orë në ditë. Kjo do tu jepte studentëve mundësinë që të përfitojne shërbime prej fakultetit në mënyrë më efikase.

Nga ana tjetër një problem shumë i madh dhe domosdoshmëri për tu zgjidhur është përfaqësimi i studentëve. Struktura ekzistente dhe jo funksionale, e cila ka tagrin e përfaqësimit të interesave dhe të drejtave studentore, është Këshilli studentor. Për vite me radhë kjo ka qenë një strukturë e robëruar prej militantëve politikë, të cilët e kanë përdorur për të përfituar padrejtësisht buxhetin ekonomik, qe ligji I ka njohur kesaj strukture për  plotësimin e nevojave të studentëve, ndërkohë që është përdorur për të organizuar party dhe ekskursione të ndryshme, të cilat ne bashkepunim me agjenisi udhetimi dhe pronar club-sh kane vjelur lekët e studenteve duke harruar detyrën e mbrojtjes së interesave të tyre. Për vite me radhë këto struktura kanë qenë në duart e një personi të vetëm dhe duke qenë se nuk ekziston mundësia objektive që një person i vetëm të përfaqësojë mijëra studentë, duket qartë se përfitimet personale kanë lënë në hije qellimin e veprimtarisë të kësaj stukture. Në shumë raste studentët janë ndjerë të papërkrahur, madje të kërcënuar me notë apo edhe fizikisht prej tyre kur kanë vendosur të ngrenë zërin apo të shprehin shqetësime të çfarëdo lloji.

Për shkak se problemi shkon dhe më tej, ndiej detyrimin moral të propozoj mendimin tim për krijimin e një mekanizmi rezervë, i cili të shërbejë për të përcjellë problematikat e studentëve, në rast se kjo strukture ekzistente nuk do të funksionojë, ose lehtësimin e procedurave burokratike të fakulteteve duke lejuar që dhe një student i thjeshtë të mundet të përcjellë zërin e tij dhe të studentëve të tjerë tek Dekani i Fakultetit pa rënë pre e asnjë lloj kërcënimi dhe pa ndier asnjë lloj frike.

Shumë i rëndësishëm është gjithashtu dhe imazhi që përcjell fakulteti në ditët e sotme. Çdo ditë  dëgjojmë të thuhet që fakulteti është shtëpia e dytë e studentit. Këto janë broçkulla parimore, pasi nuk mund te sherbej si shtepi per studentin ai fakultet, I cili mund tu mësoj studenteve vetëm se sa të pafuqishëm janë dhe se nevojat e tyre nuk I interesojnë këtij institucioni.

Për shkak të realitetit në të cilin ndodhen fakultetet sot, studentëve po u imponohet një botëkuptim I gabuar mbi jetën universitare, duke I bëre ata që ta shohin shkollën si një pasarelë për ekspozimin e bukurisë fizike  dhe të konkursit të mirëqenies ekonomike, ndërkohë që si gjëndja ekonomike, ashtu edhe pozita e studentit nuk përputhet me këtë sjellje. Sot studentët nuk kanë bibliotekë që të përmbushë çdo kusht të nevojshmëm për lexim dhe kërkim shkencor, nuk kanë laboratore ku të punojnë, nuk kanë salla dhe ambiente të posaçme për zhvillimin e aktiviteteve te ndryshme të organizuara prej tyre, për të mos folur për mungesën e dukshme të mundësive të punësimit të studentëve në këto fakultete, mundësi kjo e padiskutueshme ne universitetet e vendeve të tjera. Tempujt e sotëm të arsimit universitar nuk kanë as oborre ne shumicën e rasteve sepse gjithë hapësira përpara godinës përdoret si parking për makina dhe jo vetëm gjatë ditës, por edhe në orët e natës, kur parkohen makinat e banorëve të lagjes ku ndodhet fakulteti përkatës. Një shkollë e tillë nuk mundet kurrsesi të jetë një shtëpi për studentin, por as një vend ku të ofrohet dije siç duhet të ofrohet, pavarësisht kohës që mund t’i dedikosh.

Mbështetur në sa më sipër, propozoj me seriozitet të plotë caktimin e disa ambienteve specifike që të mund të përdoren posaçërisht për aktivitete të ndryshme, të investohet shumë më tepër për krijimin e një biblioteke të plotësuar me materiale të dobishme për kërkime studentore. Oborret e fakulteteve duhet të lirohen absolutisht për tu lënë në dispozicion të studentëve; shoh të nevojshme, krahas të tjerash, hapjen e praktikave profesionale nga çdo departament i fakulteteve, çka do tu jepte mundësi studentëve për zhvillim profesional: vetëm kështu fakulteti do të mund të shndërrohej në një mjedis më social.

Në ditët e sotme bota po arrin një shkallë të jashtëzakonshme globalizimi, marrëdhëniet mes shteteve kanë marrë rëndësi edhe më të madhe nëpërmjet ndërveprimeve të tyre. Për këtë arsye universitetet duhet të shfrytëzojnë çdo mundësi që paraqitet për lidhjen me universitete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, një mënyrë kjo për të krijuar mundësi për shkëmbime studentore, gjithnjë duke treguar kujdes nga praktikat arbitrare dhe abuzive dhe duke u siguruar që t’i jepet mundësia çdo studenti për të aplikuar dhe për të qenë pjesë e një binjakëzimi të tillë.

Tashmë një praktikë tjetër e njohur jashtë vendit është ajo e punësimit të studentëve nga vetë universiteti, siç përmenda edhe pak më parë. Universitetet dhe fakultetet duhet të hartojnë politika punësimi për studentët që janë në nevojë. Shqipëria është një vend me probleme të jashtëzakonshme ekonomike dhe kjo do të ishte një mundësi shumë e mirë për studentët dhe familjet që nuk i përballojnë dot shpenzimet universitare për  tu lehtësuar pak nga barra e rëndë ekonomike.

Të gjitha opinionet e mësipërme janë në kuadër të zgjidhjes të disa prej problematikave që shfaq arsimi i lartë universitar. Duke qenë një student I vitit të tretë, në ikje, nuk kam asnjë interes personal  në opinionet që shpreh. Dëshira ime e vetme e mirë është që fituesit – cilëtdo që të jenë – të skalitin në mendje se brezat e rinj kanë nevojë për përkrahjen e tyre, kanë nevojë që të dëgjohen prej tyre: nëse nuk do të mbahet parasyh interesi më i lartë i studentit në çdo veprim të ndërmarrë, tè gjitha pasojat e këtyre veprimeve në dëm të të rinjve do tu kthehen nesër, në një formë ose një tjetër.

Në fund të fundit, jo më kot, populli thotë: ‘’atë që do të mbjellim, atë dhe do të korrim’’. Le të mbjellim vlera, cilësi, përgjegjshmëri dhe le të korrim një të ardhme më të mirë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora