Faleminderit
Gjekë Gjonaj: Pjetër Dreshaj, model i arsimdhënies
E premte, 12.02.2016, 07:44 PM
Pjetër Dreshaj, model i arsimdhënies
Nga Gjekë Gjonaj
Kaherë e kam menduar dhe planifikuar të pasqyroj në media shqiptare portretin e këshilltarit tim të parë pedagogjik, profesorin e mirënjohur të gjuhës dhe letërsisë shqipe, Pjetër Dreshaj. Jo për arsye miqësie, e për t’i ngritur atij lavdi, por për meritën e tij të pakontestueshme në fushën e arsimit shqip.
I lumturuar nga lajmi se Komuna Urbane e Tuzit i ndau këtij profesori me formim të lartë, me përgatitje gjuhësore, me përvojë mësimdhënie, me kompetencë shumë profesionale dhe me aftësi drejtuese në profesionin e tij Çmimin për “Veprimtari Jetësore” për vitin 2015, po i shkruaj me përkushtim e respekt këto rreshta, në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për kontributin e tij vërtet të madh ndër vite të këtij misonari i cili, mendoj unë, e meriton “ Kartën e Mësuesit” .
Nga njohja ime shumëvjeçare me profesor Dreshajn më kanë mbetur në mendje e përherë të gjalla në kujtesën time këshilla, ndihma dhe mikëpritja në fshatin ku jeton, në Dreshaj, jo larg Tuzit. Gjithmonë pedant, siç i ka hije një punonjësi të mirëfilltë të arsimit. I etur për dituri. Njohës i mirë i gjuhës dhe i letërsisë shqipe.Pedagog i zoti. I aftë në mësuesi. Drejtues vizionar i shkollës. Njeri i qeshur. Komunikues. Pozitiv. I gatshëm për këshilla. I dashur dhe i afërt me nxënës, me prindër dhe me kolegë. Korrekt. I drejtë. Parimor e i përkushtuar në profesion.
Si mik i shtrenjtë dhe koleg i babait tim , të ndjerit Gjon, dhe dashamir i sinqertë i familjes tonë, ai më ka futur në rrugën e arsimit. Dashurinë dhe këmbënguljen për të mësuar sa më mirë gjuhën shqipe, ma nguliti edhe edhe mua në shpirt dhe zemër. Është meritë e tij që më bëri për vete për të vazhduar studimet në degën - gjuhë dhe letërsi shqipe, detyrë të cilën e ushtrova brenda viteve 1979 - 1986 në SHF “ Gjergj Kastrioti- Skënderbeu” në vendlindjen time në Triesh. Punën time gjatë gjithë këtyre viteve me ditar në dorë e mbikqyri me kujdes dhe e vlerësoi me sukses profesori Dreshaj, asohere këshilltar pedagogjik për shkollat me mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi. Udhëzimet e tij që m’i dha për të kuptuar planin dhe programin mësimor , për të organizuar procesin mësimor, për t’u njohur me të rejat pedagogjike, për përdorimin e tyre në shkollë, për të zbatuar praktikën pedagogjike e shumëçka tjetër që është pjesë e mësimdhënies dhe e jetës në shkollë ishin me vlerë të madhe për mua.
Në fillimet e mia si mësimdhënës i gjuhës dhe i letërsisë shqipe pasi përfundoi njëra nga orët e mësimit në sallën e arsimtarëve e pyeta profesor Dreshajn : ”Më duket se nuk ju kënaqa”, – i thashë disi i ndrojtur. ”Jo – m’u përgjigj butësisht e me ngrohtësi. – Ti si gjithnjë tregove se ke një përgatitje të mirë mësimdhënieje dhe meritove vlerësimin tim të lartë, pavarësisht se je i ri në profesion”. Sa m’u bë qejfi kur u shpreh kështu për mua! Kjo vërtet më inkurajoi për të vazhduar me më shumë pasion, dashuri e përkushtim profesionin e mësuesit.
Krahas këtyre dhe shumë kujtimeve të tjera, të cilat përherë do t’i ruaj në sirtaret e jetës sime me origjinalitetin e tyre, në bibliotekën time të vogël ruaj librat e tij të leximit për filloristët shqiptarë në Mal të Zi, disa nga përkthimet dhe nga shkrimet e tija të bukura dhe të kujdesshme tipik prej gjuhëtari, të cilat i ka botuar në shtypin e kohës. Por nuk arrita të siguroj asnjë raport ( vlerësim) zyrtar të tij për punën time si mësimdhënës, për shkak të jotransparencës së shkollës.
Po ju kujtoj lexuesve se Pjetër Dreshaj ishte edhe folës dhe gazetar i mirë. Si fëmijë me kënaqësi e dëgjonim familjarisht zërin e tij të ëmbël dhe imponues në valët e Radio Titogradit të atëhershëm ( sot Radioja e Malit të Zi), në emisonet shqip javore, njëorëshe, të marteve në ora 18 nëse nuk nuk kam harruar.
Dhe, në mbyllje, po shtoj se Pjetër Dreshaj e meriton të nderohet dhe vlerësohet portreti tij. Sepse ai me profesionin e tij përcolli gjithmonë dituri e kulturë tek nxënësit dhe mësimdhënësit shqiptarë në Mal të Zi. Për mua ishte dhe mbeti model i arsimdhënies. Karakteri i tij i madh njerëzor dhe ndershmëria e tij e pashoqe përbëjnë një shëmbëlltyrë frymëzuese dhe sfiduese për shoqërinë shqiptare. E për këtë atë dhe misionarët e tjerë të arsimit në Malësi dhe në troje të tjera tona etnike duhet që të vlerësohen dhe të nderohen.