Faleminderit
Florim Zeqa: Ibrahim Rugova ky profet i kohës sonë
E premte, 22.01.2016, 10:25 PM
Në 10 vjetorin e shkuarjes në amshim të presidentit historik
Ibrahim Rugova ky profet i kohës sonë
Shkruan: Florim Zeqa
Shënjetorët për me tepër janë të njohur në fushën e religjioneve. Por ka edhe shënjetor që njifen si themelues të kombeve apo shteteve më të fuqishme botërore si psh: Xhorxh Uashingtoni themelues i shtetit Amerikan, Giuseppe Mazzini themelues i shtetit unik Italian, Mustafa Kemal Ataturki arkitekt i Turqisë moderne,...e personalitete të tjera anë e kënd botës permes të cilëve identifikohen me krenari kombet e tyre.
Shënjetërimin e Ibrahim Rugovës nuk e bëri kisha e as xhamia, por të shënjtë e bëri vepra e tij madhore. Ai më urtësinë e tij, paqësisht e më plot dashuri hyri në zemrat e gjithë shqiptarëve të Kosoves, për të mbetur përjetësisht në kujtesën e popullit si shënjetor i historisë më të re, simbol i demokracisë, lirisë, pavarësisë dhe arkitekt i shtetit të Kosovës.
Poashtu edhe profetizimin e tij nuk e bëri kisha as Xhamia, por e bëri largëpamësia, pragmatizmi, vizioni dhe atdhedashuria, urtësia dhe sinqeriteti, karakteri i fortë, vendosmeria dhe përcaktimi i tij në arritjen e cakut final, që ishte liria e vendit dhe pavarësia e shtetit të Kosovës nga Serbia.
Rugova, më një shallë rreth qafe, edhe në kohë të nxehta vere, nga personalitete të ndryshme botërore ishte kuptuar si një mesazh drejtuar botës së civilizuar e demokratike, se vendi i tij është i lidhur në qafë nga vargonjët serbosllav, që dëshirojnë të mbajnë edhe më tutje Kosovën si pjesë të saj, të dhënë dhuratë nga fuqitë e mëdha një shekull më parë, dhe se nuk do të ketë qetësi në ballkan , rajon e më gjerë pa heqjen e vargonjëve nga qafa e Kosovës.
Dhënja e gurëve të çmuar personaliteteve të shumta nga ana e Rugovës, e kishte simboliken e dyfishtë: e para, për pasuritë e shumta minerale që ka Kosova, ndersa e dyta, simbolizonte bujarinë,mikëpritjen dhe traditën e lashtë Iliro-Dardane të Kosovës.
Kembëngulësia,urtësia, butësia, menquria, e tij ishin vyrtyte të një burri të madh, të cilat bota demokratike i vlerësoi lartë. Menyra e trajtimit të problemit të Kosovës para faktorëve ndërkombëtar, bëri që bota e civilizuar ta admiroj kërkesen e Rugovës për ndihmë në shpëtimin e një populli të pa mbrojtur nga makineria vrastare e regjimit gjenocidial të Serbisë.
Populli i Kosovës, sikurse e ka për nder të ketë pasur një lider të përmasave botërore, ashtu edhe e ka për obligim të qojë në vend amanetin e tij, për një shtet vërtet sovran dhe demokratik, më simbole të vetat kombëtare, në vend të dizajnimeve aktuale antikombëtare.
Ideja e presidentit Rugova e flamurit Dardan për flamur të shtetit të Kosovës, dhe e himnit "Kur ka ra kushtrimi n' Kosovë", janë ide që vetëm njerëzit e mëdhenjë mund ti projektojnë.
Ky vigan i kombit shqiptar me vizionin e tij mahniti botën mbarë. Shumë popuj edhe më të mëdhenjë se ne do të dëshironin të kishin pasur në radhet e veta një personalitet si Ibrahim Rugova.
Qysh ne vitin 1998, politikani Valter Veltroni, atë kohë lider i opozites Italiane e kishte thënë:"é un grande peccato che una grande personalità come Ibrahim Rugova faccia parte di un popolo così piccolo", që ne gjuhën shqipe i bie: "është mëkat i madhë që një personalitet kaq i madh si Ibrahim Rugova të jetë pjesë e një populli të vogël"
Ky nuk ishte mëkat, por fat i madhë për ne si popull i vogël, qe patëm një njeri kaq të madhë, një vizionar pragmatik, një lider të përgjegjëshem, një misionar të paqës i cili më urtësinë e tij shpëtoj një popull krejtësisht të pa mbrojtur nga shfarosja dhe gjenocidi serbosllav.
Sikurse profetët e kohërave më të vjetra që kishin kundershtarët e vet, ashtu edhe lideri ynë shpirtëror, Ibrahim Rugova kishte kundërshtarët e vet politik e ideor, para të cileve nuk u gjunjëzua asnjëher, dhe nuk ju pergjigj në asnjë rrethanë shpirtëligëve, fatzinjëve të kombit shqiptar.
Përkundër kërcënimeve e shantazheve, fyerjeve e sharjeve, akuzave e sulmeve, Ibrahim Rugova ishte i vendosur në rrugen e tij, në misionin e tij prej profeti, për të shpëtuar një popull nga shfarosja, dhe asnjëherë nuk u ndal në arritjen e cakut final që ishte PAVARËSIA e Kosovës, nocion ky që i rrodhi vazhdimisht nga goja deri në frymën e tij të fundit.
E pikërisht këtu qendron madhështia e Profetit, njeriut që e bëri realitet pavaresinë e Kosovës më politikën e tij paqësore.
Presidenti historik, ishte dhe mbeti pergjithmonë sinonim i së mirës, i paqës e tolerancës, i guximit e qendresës, i afrimit në mes njerëzve, i dashurisë per bashkombasit dhe atdheun e vet.
Tani, kur trupi i tij prehet në paqe, në token Dardane që aq shumë e deshti, shpirti i tij, është shëndërruar në një yll që shëndritë e na i ngrohë zemrat, na jepë forcë edhe kur ajo na mungon, na jepë shpresë kur ajo nuk ekziston.
Me presidentin Rugova, bota e civilizuar dhe demokratike na njohu si popull liridashës, të urtë dhe paqësor, të përkushtuar ndaj vlerave civilizuese, me besim të fuqishem në Zot dhe atdhe.
Sadoqë mundohemi të themi diçka për Ibrahim Rugovën, asnjëherë nuk do të arrijmë t'i themi të gjitha, ngase duhen shekuj për t'i kuptuar hapat e njerëzve të mëdhenjë të kombit siq ishte Ibrahim Rugova,...megjithate duke kujtuar presidentin historik Ibrahim Rugovën, sado pak ia kthejm një pjesë të borxhit, me nderim dhe respekt ndaj veprës së tij madhore.
Politikajt e sotëm, të të gjitha ngjyrave qofshin ata, jo vetëm që nuk mundën të dalin jasht projektit Rugovian, por po e kanë të vështirë të qëndrojnë vertikalisht në të njëjtit binar siq qëndroj ai,...të pavarësisë së Kosovës!
Bekimi i tij i vazhdueshëm për njohjen ndërkombëtare të shtetit të Kosovës u bë realitet më 17 shkurt 2008-të,...kur bota demokratike dha sinjalin e njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Edhe pse presidenti iku në përjetësi para kësaj date, ai la shtetin e Kosovës në miqësi të përjetshme më SHBA-të, si garantuesin më të fuqishëm të pavarësisë dhe ekzistencës së shtetit tonë dhe në miqësi me shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian.
Thëmelet e forta të shtetit të Kosovës, që Rugova i ndërtoj për afro një dekadë përmes rezistencës aktive paqësore,...sfidat e panumërta të popullit dhe gjaku i derdhur për liri në luftën e fundit çlirimtare janë bazament i fortë i shtetit të Kosovës.
Së paku edhe për 100 vitet e ardhshme nuk do të ketë ide apo formul tjetër më të sakt se sa ajo e Rugovës për ecjën dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës.
Projektet e Rugovës për; simbolet e shtetit të Kosovës, Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), funksionimi i rendit dhe ligjit, shëndetësia bashkohore, arsimi cilësor, infrastruktura rrugore (autostradat), krijimi i vendeve të punës për të rinjët,...dhe shumë projekte të fushave të ndryshme do të jenë udhërrëfyes i shumë qeverive të ardhshme të Kosovës.
Sa më fat paskeni qenë president që u ngritet lartë në qiellë,...për të mos përjetuar devijimet dhe deformimet e kësaj kohe të keqe, ku vlerat u zavëndësuan më antivlera, morali më imoralitet, drejtësia më padrejtësi, besa më tradhëti,...si rezultat i maskarenjëve, uzurpatorëve dhe lakmiqarëve të pushtetit, amaneti yt president-LDK-ja nuk ka mbetë as si surrogat i asaj që ishte në kohën tënde.
Oponentët e dikurshëm politik, të "vizitojnë" në çdo përvjetor,...me përulje të pasinqertë janë shendrruar në lepirësit më të mëdhenjë të mermerit mbi trupin tënd president !
Ne që sot ballafaqohemi më sfidat e kësaj kohe të keqe na mbanë gjallë ndjenja e krenarisë që jetuam dhe vepruam në epokën tënde, në epokën e krenarisë kombëtare.
Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës madhore të presidentit historik Ibrahim Rugova !