Kerko: a
Kapiti: Demokracia në Shqipëri, metamorfozë e...
E merkure, 13.01.2016, 09:55 PM
Demokracia
në Shqipëri, metamorfozë e komunizmit
Nga Skënder S. KAPITI
Politika e komunizmit në Shqipëri u zëvëndësua nga ajo pseudodemokratike, ku aktiviteti politik i sotëm është rruga, ligji dhe mundësia e artë për biznes të pisët; për pasurim të shpejtë në mënyrë abuzive, kriminale, trafikimi të paligjshëm dhe droge, kontrabande dhe korrupsioni. Prandaj pjesmarrja në politikë synohet masivisht. Kjo politikë e sotme ka ndërruar vetëm maskën, pasi ajo edhe më shumë se ajo e së kaluarës po e përdor edhe shoqërinë, edhe shtetin si vegla e mjete për realizimin e objektivave të veta personale të pushtetit, autoritetit, luksit dhe sidomos për pasurimit e vet.
Demokracia, më sakt tranzicioni në Shqipëri është një mutacion i komunizmit, që ja imponuan atij vetëdështimi dhe presioni i supermacisë politike dhe ekonomike i Perëndimit që sollën ndryshimin metamorfozik të sistemit, ku ishkomunistët u përshtatën me mjaft finesë duke ndërruar kollaret dhe kostumet, dhe ndryshuan kështu ngjyrën si kamaleoni në kushtet dhe rrethanat e reja të kohëve moderne. A ra komunizmi në Shqipëri apo thjesht ishte një metamorfozë artificiale e tij për t’i shpëtuar fillimisht ndëshkimit e më pastaj për ta sunduar demokracinë; e projektuar kjo në Katovicë nga Gorbaçov, për të mashtruar popullin dhe sidomos desidencën antikomuniste dhe Perëndimin?!
Realiteti 25 vjeçar në Shqipëri e verteton këtë pyetje konstatuese, pasi demokracia e pas viteve ’90 në Shqiperi ishte një metamorfozë, mutacion apo një ndryshim i maskuar demokratik, ndërrim i maskës së pushtetit. Dhe pse? Sepse: së pari: politikën, partitë, shoqatat e ndryshme të shoqërisë civile, mediat, universitetet madje dhe institucione fetare ranë në dorë të ishkomunistëve të konvertuar në demokratë fshehur e strehuar nën vellon mashtruese të demokracisë. Ashtu si ishbyroistët dhe antarët e KQ PPSH , në këtë pseudodemokraci u bënë deputetë të përjetshëm, shtetarë e pushtetarë të lartë, presidentë e kryeministra, ministra e zv.ministra, drejtorë, kryekomunarë e kryebashkiakë: komunistët ishfunksionarë të devotshëm, doktorët, oficerët skenderbegas gardistë më besnikë të diktaturës, ekonomistët, ishkryetarët e kooperativave dhe ishdrejtorët, skulptorët e piktorët, shkrimtarët, artistët dhe poetët, spiunët dhe hafijet e diktaturës, pinjollët e komunizmit dhe pionerët e Enverit, ata më shëmbullorët të rritur, të përkëdhelur dhe edukuar në oborrin e sistemit. Me hipokrizië e reformave dhe të “rilindjeve”, u justifikuan dhe po justifikohet “pastrimi” i administratës dhe i politikës duke promovuar pinjollët dhe pasardhësit e atyre të diktaturës, si dhe të individëve pa personalitet, të paaftë dhe servilë e që i binden lehtë urdhërave politikë dhe korrupsionit.
Së dyti: po këta: e shqyen, e rrënuan dhe e grabitën shtetin dhe pasuritë e tij, duke plaçkitur e përvetësuar edhe pronat dhe trashëgiminë pasurore të të shpronësuarve nga diktartura; spekulluan dhe manipuluan me vuajtjet dhe me padrejtëstë dhe me të drejtat e mohuara të asaj shtrese të vrarë, të përndjekur dhe të persekutuar nga diktatura, si dhe me vuajtjet, djersën dhe me frytet e punës skllavëruese të popullit shqiptar.
Së treti: E Drejta “komuniste” e terrorit dhe e luftës së klasave u zëvëndësua me të drejtën “demokratike” të krimit, të korrupsionit dhe me liberalizimin e libertarianizimit të veseve kundër virtytit e moralit. Edhe kjo ndodhi vetëm se drejtësia mbeti dhe u qeveris po nga ata juristë katilë, të pashpirt dhe kriminelë të ishdiktarturës, të pamëshirshëm që me vendimet e tyre politike vranë, burgosën, persekutuan dhe internuan me qindra mijra shqiptare për 50 vite. Dhe prej kësaj soji drejtësie akoma po paguan shoqëria shqiptare prej rreth 25 vitesh, dhe tani u zgjua apo më sakt e zgjuan të tjerët shoqërinë shqiptare nga letargjia e së keqes dhe po bindet shumë ngadalë se duhet reforma në drejtësi, tani me shumë vonesë por më mirë vonë se kurrë edhe po ndërgjegjsohet shoqëria apatike shqiptare se nga korrupsioni në drejtësi dhe nga korrupsioni i vetë asaj, se asgjë e mirë nuk vjen prej tij pëveçse të këqijave që kanë pllakosur kudo në shtetin dhe në shoqërinë shqiptare edhe sot në këtë farë tranzicioni 25 vjeçar ashtu si në diktaturën komuniste 50 vjeçare.
Por aq shqetësuese, dhe gjithnjë kohë pas kohe shoqërisë sonë vetëm të këqijat nuk po i ndahen po vetëm sa përkeqësohen dhe i shtohen ato, dhe a mos vallë kështu edhe e meriton ndoshta shoqëria shqiptare këtë gjëndje, që i vjen asaj si një ndëshkim i vazhdueshëm që nuk po i ndahet, dhe ku pasurimi i shpejtë, paraja e pisët, droga, bixhozi dhe sidomos korrupsioni janë bërë kulturë masive. Së katërti: arsimi, arti, kultura, media, akademia janë akoma në duart e zhdanovëve komunistë dhe të pinjollëve të tyre që po zhdukin çdo trashëgimi të vyer kombëtare që u shpëtoi paraardhësve të ishregjimit. Pra, për të mos u zgjatur më shumë, gjithçka, metamorfozat demokratike të komunizmit kanë privatizuar dhe monopolizuar.
Ata, pra, pasardhësit e maskuar të komunizmit janë kapitalistët dhe monopolistët e politikës, pushtetit, ekonomisë, arësimit, kulturës, medias, ligjit, drejtësisë, të krimit, të korrupsionit etj., dhe nuk është për ta aspak e vështirë që të vigjëlojnë që askush tjetër që nuk është pjesë e përkatësisë së tyre të mos lejohen të bëjnë karrierë, të mos zhvillojnë e të mos marrin pjesë në jetën politike, diplomatike, administrative, juridike, mediatike, artistike, akademike e sociale publike dhe shtetërore, po madje pengohen, bllokohen, stresohen me lloj-lloj metodash selektive gjyetish shtrigash dhe diskriminuese edhe në jetën private ekonomike me tatime, gjoba, presione e shtrëngesa të ndryshme, gjë që të kujtojnë masat e para të periudhës së viteve 1945 që u paraprinë reformave të shtetëzimeve, e që krijuan shtetin monopolist komunist.
Pra, me pak fjalë në Shqipëri fantazma ideologjike e komunizmit ateist të dhunës dhe frikësimit masiv u shndërrua në një shtazë grabitqare materialiste që ka korruptuar rëndë shoqërinë dhe e ka falimentuar sot shtetin, dhe prandaj jemi aty ku ishim; më të varfërit, më të korruptuarit, më të pasigurtët, më të papunët dhe më të paintegruarit në Europë, dhe kështu na gjeti edhe Viti i Ri 2016. Flitet, por më shumë këto metamorfoza komuniste flasin e çirren për reforma, por asgjë, përderisa nuk u bë deri sot asnjë ndëshkim, madje as ndonjë pendesë prej ishfunksionarëve të diktaturës, po as nga trashëgimtarët apo pinjollët e tyre, por përkundrazi pinjollët komunistë të metamorforizuar në demokratë perëndimorë edhe po na i dekorojnë dhe u japin tituj nderi paraardhësve të tyre; po i mbajnë dhe po i rehabilitojnë si meritorë edhe në histori: artistët, poetët, historinët dhe shkrimtarët e realizmit socialist; komandantët “legjionarë” të pushkës vrastare dhe të penës helmuese të diktaturës së komunizmit; këto metamorfoza politike e pushteti po ua nxijnë e vështirësojnë jetën shqiptarëve plot me trauma e fatkeqësi njerëzore me qëllimin djallëzor për të ngjallur nostalgjinë për ish diktaturën e ishkomandantit të tyre; dhe ata që rezistojnë dhe nuk e pranojnë realitetin e këtij neoregjimi pseudodemokratik, ky neoregjim krimi dhe korrupsioni nuk i burgos dhe as nuk i internon dot më, por i krijon mundësinë që me anë të trafikantëve të qënieve njerëzore edhe t’i zhvasin nga paratë duke u imponuar atyre largimin nga Shqipëria dhe të ndjehen kështu të lirë pë të sundur me korrupsionin dhe hajdutërinë që ua mundëson pushteti.
Ky neoregjim pseudodemokratik është properëndimor vetëm me fjalë dhe properëndimorizimi i tyre është vetëm hipokrizi që ka të bëjë vetëm me faktin se perëndimin e duan sa për fasadë dhe sa për të marrë donacione e borxhe, dhe e shohin Perëndimin si valvol shkarkimi dhe si mundësi për dëbimin dhe strehimin atje të qytetarëve shqiptarë të cilët largohen për të shpëtuar nga papunësia, pasiguria dhe nga varfëria. Ky neoregjim pseudodemokratik 25 vjeçar paska pasur si filozofi vetëm gënjeshtën, mashtrimet, premtimet e rrejshme dhe hipokrizinë, dhe madje edhe shumë më të mëdha nga diktatura e cila e polli. Mafia politiko-ideologjike ateiste e sistemit njëpartiak totalitar u duk sikur ra dhe u shpërbë në vitet ’90, por në fakt ajo u shpërnda duke uzurpuar pothuajse të gjitha partitë politike, shoqatat, organizimet e ndryshme të shoqërisë civile shqiptare dhe mediat, dhe me anë të korrupsionit, maskuar dhe justifikuar me gjoja reformat antikomuniste të deshtetëzimit të sistemit shtetëror ekonomik dhe të shpërndarjes korruptive të pasursë, komunizmi u shndërrua në një grabitqar politiko-demokratike materialist i cili shtresën e burgosur dhe të përndjekur nga ishregjimi komunist, neoregjimi i tranzicionit e manipuloi, e mashtroi, e asfiksoi dhe atrofizoi duke edhe i blerë e joshur disa nga “krerët” kryesorë të shumtë të përçarë të desidencës antikomuniste e cila puthuajse nuk egziston më politikisht, dhe si pasojë e kësaj metamorfoze sunduese e këtij neoregjimi është paralizuar shoqëria dhe nuk funksionon as demokracia, as ligji dhe as shteti, dhe që ka bllokuar edhe integrimin.
Tranzicioni paskomunist i këtyre 25 viteve konsiston në shndërrimin e ligjit komunist të lirisë së diktaturës në ligj demokratik të lirisë së korrupsionit që kriminalizoi politikën, aktivitetin shoqëror dhe drejtësinë; ligj që ka si pronarë po të njëjtët, ish-ët e djeshëm dhe pas ish-ët e tyre të sotëm; ligj që nuk ka hasur as ai i djeshmi dhe as ky i sotmi në rezistencë dhe as në ndonjë kundërshti serioze nga shoqëria shqiptare në përgjithësi, e cila nuk është çliruar akoma as edhe nga fanatizmi i xhelozisë, smirës, inatit, urrejtjes, mosmirënjohjes dhe nga egoizmi negativ të cilat pengojnë progresin, lirinë e vërtetë dhe drejtësinë, të virtytshmit dhe patriotizmin, dhe mundësojnë zgjedhjen e jo të duhurve në krye të punëve dhe politikanët, dhe qeverisjen e keqe; tipare këto për një shoqëri jo të emancipuar sa duhet civilizisht, politikisht, juridikisht, fetarisht dhe demokratikisht.
Që demokracia shqiptare është një metamorfozë politike e komunizmit, ky konkludim i imi vjen si argument dhe nga realiteti i një tejzgjatjeje kohore që nuk justifikohet ndryshe, i këtij tranzicioni më shume se gjysma kohore e sundimit të diktaturës; vjen si argument që megjithë praninë, monitorimin dhe ndihmën e jashtëzakonshme e të gjithanshme të SHBA-së dhe vendeve të BE-së akoma ne nuk kemi ndërtuar një demokraci të vërtetë mirëfunksione, jokonfliktuale dhe jo të korruptuar dhe as shtetin ligjor me vlera dhe standarte moderne shtetformuese, vjen nga fakti se nuk jemi ndarë akoma nga kultura politike korruptive, klanore, bajraktareske, nepotiko-farefisnore dhe autoritariste e trashëguar nga e kaluara jo vetëm komuniste që vetëm sa ka ndryshuar formën e dukjen.