Mendime
Gëzim Hoxha: Pse nuk vazhdohet me traditën?
E diele, 27.12.2015, 10:37 AM
Pse
nuk vazhdohet me traditën?
Nga Gëzim Hoxha
A do të zhvillohet këtë 1 Janar koncerti i madh i Vjenës? Kjo ëshhtë pyetja më budallaqe që më erdhi ndër mend kur po mendoja se si do e nisja këtë artikull. E pra ky është një paradoks për autoritetet lokale të Vjenës. Dhe kjo as mund të çohet ndër mend jo vetëm se është diçka shumë e bukur, por më së pari ata dinë ta respektojnë traditën. Unë nuk e dija edhe pse shumë herë e kam ndjekur me ëdnje përmes televizorit, por koncerti i fillimvitit i Vjenës është koncerti tradicional i Filarmonikës së Vjenës që mbahet prej vitit 1939 në ditën e parë të vitit në sallën e artë të Musikverein të Vjenës.
Koncerti është një ndër ngjarjet muzikore më të ndjekura të botës, i transmetuar nga stacionet televizive të të paktën dyzetë vendeve, me një publik prej të paktën një miliard spektatorësh nga çdo pjesë e globit. Biletat për të ndjekur koncertin shiten nëpërmjet internetit në muajin janar, pra pothuajse një vit (11 muaj) para koncertit. Vjena e mbyll shumë mirë vitin në aspektin e të ardhurave, sepse turistët që vijnë për ta ndjekur atë shpenzojnë jo pak për aq ditë sa qëndrojnë aty dhe e nisin shumë bukur vitin e ri.
Nuk shqetsohem dhe aq për Vjenën, por u shqetsova shumë kur mora vesh se këtë vit nuk do të zhvillohet koncerti i orkestrës simfonike të Fierit. Dirigjentja e kësaj orkestre zonja Marjana thotë se për fat të keq kërë vit nuk ka fonde për organizimin e tij.
Për ata që nuk e dinë u them se një koncert i bukur me pjesët më të bukura nga repertori i muzikës klasike organizohej para ose pas Krishtlindjeve në Fier. Ky koncert u kthye në traditë për qytetin në këta 4 – 5 vitet e fundit. Përpjekja e ish kryetarit të bashkisë për t’i veshur mantelin e artit këtij qyteti ishte një gjë shumë e mirë.
Zonja Marjana e krahason atë me koncertin e madh të Vjenës dhe unë them se ka të drejtë. Ndoshta nuk mund të krahasohen për nga përmasat dhe buja ose ndikimi që ka në jetët e njerëzve, po repertori i përzgjedhur me shumë kujdes nga kjo zonjë nuk ka të sharë. E keni dëgjuar ndonjëherë melodinë e këngës THE FINAL COOUNTDOWN të luajtur nga një orkestër simfonike? Unë po. E dëgjova në këtë koncert dhe u mahnita. Aty mund të dëgjoje live dhe falas Shopenin, Moxartin, Vivaldin, Bethovenin e shumë e shumë të tjerë.
Gjëra kaq të bukura është e vështirë t’i shikosh të ndodhin, ato kur kthehen në traditë përmirsojnë imazhin e qytetit në të cilin organizohen. Koncerte të këngëtarëve të muzkës së lehtë, jo se nuk janë të dëshirueshëm, por ato mund të organizohen dhe të shikohen në çdo kohë. Personalisht, prisja që këtë vit t’i jepej jehona e duhur në të gjithë Fierin, duke instaluar monitorë gjigand në qendër të qytetit dhe jo vetëm, por kurrsesi të anullohej.
Arsyeja e paarsyeshme mund të shmangej dhe dreqi ta hajë, një fond prej 5 – 6 milion lekësh të vjetra mund të gjendej fare mirë. Sikur çdo deputet i qarkut të Fierit të jepte diçka, apo t’i kërkohej MInistrisë të Kulturës, apo sikur dhe qeveria të jepte diçka nga fondet e emergjencave, apo sikur t’i bëhej thirrje bizneseve lokale, ky koncert duhej të organizohej.
Po pse do duhej që njerëzit të jepnin diçka nga vetja?? Ata dhurojnë në raste fatkeqsish natyrore dhe jo për qejfin e dikujt. Edhe ky është një rast fatkeqsie. Jo natyrore për fat të miirë, por artistike. Ndoshta do t’iu duket qesharake por unë e quaj të tillë sepse për raste të tilla të gjithë në një mënyrë a një tjetër ndërgjegjsohen dhe bëjnë jo pak, ndërsa për këtë ?. Koncert hesapi.
Ndoshta pas disa vitesh ndonjë agjensi turistike do ta fuste këtë ngjarje artistike në turet e saj dimërore. Por derisa nuk e kanë bërë, as kanë për ta bërë ndonjëherë, pasi nëse ai nuk organizohet këtë vit tradita harrohet.