E enjte, 24.07.2025, 09:31 PM (GMT+1)

Kerko: a

Viron Kona: Bubulinoja çudit pushuesit

E merkure, 28.10.2015, 08:55 PM


Bubulinoja çudit pushuesit

(Në ujin e kaltër të Jonit)

-tregim-

Shkruar nga Viron Kona

Familja e Bubulinos shkoi për t’i kaluar pushimet në plazhin e Dhërmiut. Vogëlushi kënaqej me rërën e nxehtë të plazhit, me ujin e kaltër, me peshqit që i kalonin nëpër këmbë, me shëtitjet me varkë. Ai mësoi not pashi, not qeni, bretkose, shpine ...

Kënaqësinë më të madhe, Bubulinoja e ndjente kur hidhej në ujë nga një shkëmb afro një metër i lartë. I afrohej shkëmbit ngadalë-ngadalë dhe, i bindur se të gjithë po e shikonin me kureshtje, lëshonte një britmë si Sandokani kur sulmonte tigrin dhe hidhej drejt e në ujë si të ishte peshk. Niste me kokë dhe binte me bark, me shpinë ose me këmbë, duke shkaktuar të qeshura tek pushuesit që e shihnin:

- Të lumtë, Bubulino!

- Je i madh, Bubulino!

- Ti je delfin i vërtetë, Bubulino!

- Hidhu edhe një herë, Bubulino! - i thërrisnin nga bregu fëmijët, duke përplasur gjithë kënaqësi shuplakat e tyre të vogla, por me thirrmat e tyre përziheshin herë-herë edhe disa të rritur.

Deri këtu, gjithçka tregonte entuziazëm dhe respekt për hedhjen në ujë nga shkëmbi të vogëlushit, kur, papritmas u dëgjua zëri i një burri të rrumbullakosur nga shëndeti, të cilit të gjithë në plazh i thërrisnin “Gjyshi Ambasador”:

-Më vjen keq që po e lëkund opinionin tuaj të nderuar pushues dhe pushuese, por ky Bubulinoja po më duket si një balenë gungaçe, madje hedhjen nga shkëmbi ai e bënë si një peshkaqen dhëmbësharrë...

-Çfarë thua, mor zotëri, çfarë thua! - iu drejtua me britmë një grua e re, që i ishte bërë shpina flak e kuqe nga djegia e diellit, - Me balenën gungaçe dhe me peshkaqenin po na e  krahason ti atë fëmijë faqemollë dhe topolak, hë?

-Të të vijë zor, dukesh goxha burrë, por se s`paske fare idenë e një fëmijë çapkën dhe të mençur, - u hodh e i tha një pushuese, që kishte një tufë fëmijësh dhe i qortonte të mos qëndronin vetëm të shtrirë në rërë nga frika e ujit, por të merrnin shembull nga shkathtësia dhe trimëria e Bubulinos.

-Më vjen keq, por, unë, kur u shpreha ashtu pata parasysh...

-Çfarë pate parasysh zotëri, çfarë? -u hodh përsëri gruaja, që i ishte djegur keq lëkura e shpinës dhe s`gjente rehat, ndonëse kthehej herë nga njëra anë dhe herë nga ana tjetër.

-Po ja, desha të them se, balena gungaçe...

-Ore zotëri, prapë me balenën gungaçe ti!-i bërtiti gruaja.

-Po, mirë atëherë, po flas për ngjashmërinë, dua të them për hedhjen  e vogëlushit nga shkëmbi në ujë, që është një veprim i ngjashëm me kërcimin e  peshkaqenit, i cili  njihet si njëri nga grabitqarët më të tmerrshëm mishngrënës, i pajisur me dhëmbë të mëdhenj me të cilët ai bluan si sharrë shumëllojshmëri kafshësh...

-Së pari zoti Ambasador, - e ndërpreu një burrë që  mbante përpara një shportë me fiq, - mëso të shprehesh, se sot po dëgjoj unë që peshkaqeni hidhet nga shkëmbi, dhe, së dyti, mos e zgjat shumë me këtë gjuhë të frikshme, se po na tmerron kalamajtë!

-Më ndjeni zonja dhe zotërinj pushues por...

-Lëri ato fjalë të mëdha ti zotëri, se po na dukesh  sikur po mban fjalim nga ballkoni i ministrisë së jashtme, - foli i acaruar një burrë tjetër, që mbante syze të errëta dielli. -Po ta mbajti, - vijoi ai, - lëri balenat gungaçe dhe peshkaqenët dhe hidhu vetë nga shkëmbi, ja, këtë bëj ti dhe, mos na përgojo Bubulinon! E more vesh,apo jo? Je dhe goxha ambasador...!

-Më ndje zotëri, por unë nuk e përgojova aspak vogëlushin, dhe, nga ana tjetër, desha t`ju kujtoj se një ambasadorë duhet të ruaj figurën dhe të mos hidhet nga shkëmbi në ujë...

-Edhe nëse s`hidhet nga shkëmbi, kërcen degë më degë, - iu përgjigj burri me syze të errëta dielli, - prandaj mos e zgjatë, por shko dhe vërvitu nga ai shkëmb, po deshe si balenë gungaçe, por deshe si peshkaqenë, por deshe si...një derrkuc...

Të gjithë qeshën, sepse përfytyruan gjyshin Ambasador me barkun e madh rrumbullak, duke u hedhur nga shkëmbi në ujë, madje, papritmas, qeshi edhe vetë Ambasadori.

-Diplomatë i thekur ky! - tha burri me shportën me fiq, - e kthehu menjëherë fletën, porsa e pa që të tërë iu vunë kundër...

-Prandaj e kanë ndritur me punët e jashtme këta..! - foli përsëri gruaja me shpinë të djegur dhe u kthye nga ana tjetër, duke bërë of, uf, of !

Kurse, Bubulinoja? Ai as që donte t`ia dinte se çfarë thoshin pushuesit, ai vijonte të hidhej pa frikë nga shkëmbi një metrosh, duke merituar përgëzimet dhe duartrokitjet e fëmijëve, që e shoqëronin me uraaaaa.,,! çdo hedhje në ujë të shokut të tyre...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx