Kulturë
Qazim Shehu: Porosia
E marte, 13.10.2015, 06:58 PM
QAZIM D. SHEHU
POROSIA
Me hark të shpirtit qëllova
Drejt fjalëve të errta,
Në dritën e tyre mblodha
Lëng toke për eshtra.
Kërkoje fjalën, tha im atë,
Kërkoje!-më tha dashuria,
Dhe unë u nisa që me natë
Drejt saj me marrira.
Në agnatën e mëngjeseve
Hapej korracë e saj,
Dhe ma tendoste harkun e shpirtit
Krah luleje në maj…
Kaq kohë u bënë dhe kërkimi
Më duket po më shkon bosh,
Sikur ta dinte im atë ,i miri,
S`je i zoti do më thosh…
Ai s`e dinte ,apo e dinte,
Fjala është fole petriti
Po kish dëshirë të më shpinte
Atje ku vetë s`arriti
LYPËS
Sy ujku i çakërritur
Shkëlqen pamja e pasurisë
Të fundit qindarkë i hedh një lypsi
Dhe hipi pa lekë
Në urbanin e bashkisë.
Do lyp të falur për mungesën
Ndaj faturinos zemërmadh,
S`ka gjë,të bëhem lypës,
Për lypsin që i mbush një hall…
Do më kuptojë vallë ai
Apo do më zbresë tek stacioni i parë
Po kur të më dalë lypës i ri,
Përbuzjen e fatorinës si t`ia jap?...
TOKË E HISTORISË
Në Grykë të Madhe,Dibër
Tokë e historisë
Në dy gryka
U mbush me trupa të vrarësh,
Më vonë aty u rritën lisa
Dhe dielli u përkrahësh u varet…
Shpata çeliku vringëllinë
Klithma dhe pusi,
Në një lule prek historinë
Mbjellë nga një sy.
Dhe këto livadhe e dushqe
Në këto bimë që shkundullojnë
E ndjej jehonën e një lufte
Zëra të vrarë që shkulmojnë.
Dhe në gurët e rrëpirtë
Në zaje të vegjël përdëllimtarë,
Luftrat me zë të ngjirur
Përfund rrënjëve kanë shkarë…
Më ngjan se kjo bimësi
Kjo ethe gjelbërimi pafund
Sjell pandalur historinë
Në një imazh që më përkund…
NË SHTËPINË E DASHURISË
Oxhak i dhimbjes nxjerr tym nga brenga
Në shtëpinë e dashurisë,
Sikur disa njerëz të jenë brenda
E kërkojnë zjarr ndaj ftohtësisë…
Po jam i vetëm dhe kaq zjarr
Më duhet e s`më del..
Ky oxhak ngre tymin nalt
E në ajër e shtjell.
Në shtëpinë e marrë të dashurisë
Shtëpi pa dritare,
Shoh një kështjellë mes hajnisë
Ose një kasollle verbtare…
SHKOKLIM
Shkoklohen ditët një nga një
Si kokrra misri,mbet koçani,
Do shkoj të bluaj dhe atë,
Në mulli të ditëve,
Dhe bukën nuk ua jap ta hani…
SYTHE IDILESH
Rruga bëhet shirit i djersitur
Në tymin e vapës së ngurosur,
Sythe idilesh nëpër male
Ndjejnë një ngopje të pasosur.
Të shkoj atje, po si?
Në male nuk ka njerëz,
Kjo vapë gjithë herezi
Na mposht e na ngjesh.
Kjo vapë e verdhë perandorake
Dhe ky korrik anatem,
Sy idilesh nëpër male,
Na e bëjnë me sy e na gënjejnë…