Mirë se vini mërgimtarë...!*
Nga Shefik Shkodra
Më shumë monolog, por jo krejt
fantazi
Sa të
shkelni tokën e Kosovës, qeshuni, argëtohuni, këndoni, por edhe kritikoni. Ky
vend gjithsesi është i juaj! Po thuhet se edhe koha është çoroditë. Brenda ditës
ndërrojnë stinët e vitit te ne. Edhe atje, në ato vende ku po jetoni ju
bashkatdhetarë të nderuar, nuk është më mirë koha. Mund të jetë ndryshim i
përgjithshëm klime. Njeriu është bërë imun, për aq sa mund t’i përballojë
motit, sikur edhe sistemit qeverisës te ne. E, meqë në shoqëritë e sotme,
sidomos gjeneratat më të reja përpiqen që të gjejnë mënyrën e çdoditshme për
integrime si shprehje e kozmopolitizmit, s’është çudi që edhe koha ka marrë
kahe të ndryshueshme aq të shpejta. Këtu s’kanë mundësi njerëzit e rëndomtë asgjë të rregullojnë. Nuk
varet prej neve. Madje disave në këto hapësira, nuk ua varë askush sot për
asgjë. Në shoqërinë tonë shqiptare të Kosovës, ka gjëra që do të duhej
korrigjuar, por këtë çështje, si u tha më parë, ata që janë në margjina, nuk
mund të shënojnë asnjë vizë të shkurtër në përparimin e procesit në
shtet-ndërtim. Dhe të gjithë ata skajeve, që vetëm sa rrinë në këmbët e veta,
pa ndonjë post pushteti, pos moralit të pathyeshëm, tashmë nuk u vlerësohet as
puna e tyre, që e kanë bërë deri në këtë shekull. Kjo vjen krejt nga një grup
“atdhetarësh më të shquar e më të mençur” që ka Kosova e jonë sot. Mërgimtarë, ju që keni ardhur në vendin e
juaj, qeshuni, këndoni! Tash jo veç atë këngën: “O gurbet, gurbet i zi...”, as
atë “Oj Kosovë, oj nana jonë...”, jo se, këtyre viteve të fundit po ikin shumë
prej kësaj nane. Libra e shkrimtarë, këngë e këngëtarë, sot, kemi mjaft. Mund
të zgjidhni. Bie fjala, unë njërën prej atyre këngëve veç po e përmendi:
“...Këcejna mbi tavolina/ pijna mbi tavolina/s’kemi nevojë për karrika...”,
kështu disi dhe një refren, “o hajde bre, hajde..” etj. Është punë e shpejtë,
me para bëhesh çka të duash. Bëhesh shkrimtar dhe shkruan libra, bëhesh
këngëtar dhe këndon. Krejt lehtë. Këngë me pak fjalë. E dini mirë edhe ju,
krejt. Të shkon ndërmend edhe për një
ngjashmëri e rastësi, si të shkelësh në sofër, krejt për qejf e dashuri
(rinia). Dhe vërtet, për dëfrim e lumturi! Por, kjo sikur na sugjeron edhe një
kuptim tjetër: “kurrë falë mos të kofsha!” diçka që nuk do t’ia dish të mirën
dikujt. Apo i kërcënohesh, se, nuk dëgjon
fare për te. Nejse. Mërgimtarë të
nderuar, qeshuni, argëtohuni, këndoni! ju duhet të disponoheni. Tash për tash
jeni të përkohshëm. Dhe krejt përkohësisht veproni e silluni. Jehona dhe
gumëzhima e juaj, natyrshëm i jep gjallëri këtij vend, në këta muaj të
verës. Por edhe ju “jeni Kosovë!” Në
asnjë mënyrë nuk duhet ta mohoni se,
nesër duhet të ktheheni përgjithmonë në vatrat e juaja.
Pushimet e dashura (?)
Përafërsisht,
qe nga mbarimi i qershorit dhe fillimi i korrikut, janë pushimet. Kështu deri
kah fundi i gushtit, kryhen dasma e
gazmende tjera. Gjatë kësaj kohe, qytete e fshatra janë të zgjuara natë e ditë.
Krejt tym e mjegull – këngë e piskamë! Ishit më të gëzueshëm kur vinit në
atdheun e juaj. Ardhja e juaj, përkundër pritjeve të gjata nëpër kufij dhe
ndonjë plaçkitje private apo zyrtare, ishte diçka më e lezetshme do vite më
herët. Ju që jetoni e veproni në vende të huaja, tashmë pjesa më e madhe, jeni
integruar me bashkësitë e atyre popujve,
sidomos rinia nëpër shkolla, në punë e gjetiu në jetën e përditshme. Madje,
disa kemi dëgjuar janë pjesëmarrës edhe në jetën politiko-shoqërore e kulturore
në bashkësitë komunale. Para do vite, thamë, fytyrat e juaja dukeshin më të kthjellëta
e më të qeshura. Kështu dukej dhe
kështu sigurisht do të ishte për çdonjërin. Krejt është normale të krahasohet
atdheu me diçka më të bukur e më të dashur, në liri pa ndonjë frikë. E pastaj
diçka tërheqëse, për të kaluar disa ditë pushimi shpirtërorë e truporë.
Kemi
folur për kurbetin ndonjë herë më parë dhe kemi treguar për të mirat që mund
t’i sjellë një njeri shtëpisë, familjes e rrethit; po janë përmendur nga pak
edhe të ligat e tij. Shkurt, sado që dikush është integruar, kurbeti është
“bukë e hidhur...!” këtë po e përsëris edhe këtë herë, mbase këtë e dinë më
mirë ata më të vjetrit, që janë të angazhuar më herët me punë në ato vendet. De
facto s’është e diskutueshme kjo thënie. Këtë e dëgjojmë shpesh edhe nga vetë
këta bashkatdhetarë. – Mezi po presim me
ardhë ai pushim për ne, të vijmë në Kosovën tonë. Të kënaqemi duke u çmallë me
njerëzit tanë! Me pleq e me fëmijë. Këtu ditët na kalojnë shumë shpejt e s’po
na shkohet në atë gurbet të zi!” Kështu më pat thënë, njëri i afërt, prej atyre
kurbetçarëve, para disa viteve, ose, menjëherë pas luftës. Më falni! Në këtë
vit ardhja e juaj më duket pak më e zbehtë. Pak zhurmë rrugëve e restoranteve.
Edhe dasma nuk ka aq. Mund të jetë shkak për një pjesë ramazani. Ndoshta e kanë
lënë zhurmën e sirenat si të panevojshme çarshisë. Edhe krisma (sh. mirë) me
armë nuk ka aq më, ose fare. Kjo do të ishte punë e mirë! Është mirë ta
respektojmë rendin e disiplinën edhe në vendin tonë! Presim edhe pak ditë, kah
mesi i korrikut, ngjan të vijnë një turne më e madhe.
Karvanët e shek. XXI nga Kosova
histori në vete
Ne këtu
kushtimisht mirë jemi. Ende pa ndonjë aferë të madhe. Policia nuk po na ndjek
si do kohë, po kërcënimet po na përcjellin në heshtje. Të rinjtë po e kryejnë
edhe shkollimin superior, po punë nuk ka
për ta. Punë ka vetëm për ata që kanë ndonjë njohës në pozita shtetërore.
Po të kishin mundësi, çdo ditë do
iknin nëpër ato vende ku ju jeni. Kanë ikur shqiptarët nga vatrat e tyre pa
lënë gjurmë për shpëtimin e shpirtrave:
në fund të shek. XIX nga vatrat e veta (Serbia e sotme Jugore), në fillim të
atij XX (luftërave ballkanike...) dhe disa herë pas LDB; në mbarim të shekullit
të XX, (sërish nga terrori serb) dhe përsëri në decenien e parë e sidomos në
atë të dytën të këtij shekulli. Njerëzimi është i çuditshëm! Të zhduket një
popull për të jetuar një tjetër...Po tash, nuk mund t’ua hedhim fajin e as ta gjejmë shkakun
te të tjerët. Është për keqardhje. Sa i përket migrimit nuk ka ndryshime prej
para dy-tri decenieve. Kemi pengesa në qarkullim. Nuk kemi viza. Deputetët e
Kuvendit dhe institucionet tjera shpesh flasin për viza. Thonë: “nuk po na i
lejojnë...!” këta zyrtarë e institucioneve e bëjnë çështjen krejt viza. Dhe
para se të kërkojmë viza, ne është dashur të kemi zhvillim ekonomik, punësim të
çdoditshëm, mënjanim të korrupsionit e kriminalitetit, drejtësi e barazi për të
gjithë. Vizat do t’i përdornim për vizita, për studime në shkencë, për kulturë
e sport, për diplomaci e tregti nëpër vendet e ndryshme evropiane. Asgjë më tepër. Kosova është çliruar që në te
të jetojnë e veprojnë, si vend i tyre, kjo popullatë dhe jo ta lënë shkret
rinia shqiptare. Kështu kemi mundur moti kohë të iknim edhe ne tjerët e të mos
ktheheshim më.
Ëndrrat e mia si të tuajat
Po në këtë shekull, këtyre viteve të
fundit, s’është veç për këngë lëvizja e këtij populli, si nga terrori i sundimtarit
të huaj para do vite. Edhe pse lëvizje ka në gjithë botën. Ato janë me arsye.
Ikja e popullatës prej një vendi në vendin tjetër vjen nga ndonjë problem i
shquar dhe shumë i theksuar. Këto të fundit te ne sigurisht ju kanë shqetësuar,
ndoshta edhe ju kanë hidhëruar. Mundet edhe nga ky shkak të mos jeni të
rehatshëm. Nuk i shihni krejt qytetarët, fqinjët, familjarët në gjendje të mirë
materiale. Ndoshta edhe nuk është përmbushë mundësia për një argëtim e hare si
viteve të tjera. Nuk ka diçka të re më shumë në infrastrukturën turistike e
hoteliere. Nuk është krejt realiteti që do të duhej të ishte këtu në Kosovë.
Sigurisht, gabimi është i joni. Ëndrrat e juaja si ato të miat ishin më të
mëdha, dhe tash nuk po dalin aq sa është dashur për këtë vend. Ndoshta ju, keni
pasur më shumë konsideratë e dhimbja për ata familjarë, bashkëkohës që kanë
mbetur rrugëve evropiane. Dhe ju kanë
mbetur në përfytyrim pamjet e karvanëve të bashkëkohësve e qytetarëve, fqinjëve
të juaj, duke ikë “me botën në sy”. Ju
ka tmerruar ky pelegrinazh, i paraqitur nëpër televizionet tona e më
ndjeshëm kur i shikonit nëpër ato
evropiane. Autobusët pa “visika” (viza) fishkëllenin përtej, nëpër territoret e
Serbisë, drejt asaj Hungarisë, për në vendet evropiane. Ndoshta keni biseduar
në mes veti në ndonjë takim mbrëmjeje për (mos)arsyen dhe shkakun e ikjeve,
me mundime të pashkëputshme të këtyre
familjeve, që “të shpëtonin nga zori në
vendin e tyre”. Për këtë me siguri ju
informoheni nga shtypi ditor, televizionet e Kosovës. Shkaqet për një braktisje
vendi janë të shumtë. Pra, ndiçni mediet kosovare shqiptare!
Ndihma e juaj me botën demokratike
Duhet ta
përmendi edhe një çështje që, mua më duket shumë e rëndësishme. Madje, për
lavdëritë. E atë nuk duhet ta harrojë kurrë asnjë qytetar i Kosovës.
Mërgimtarët tanë, ata të vërtetë atdhetarë, kanë qenë shumë solidarë prej
viteve të nëntëdhjeta dhe gjatë luftës, për ne në Kosovë. Ndihma e juaj ishte
materiale, financiare, por edhe politike e diplomatike. Këtu në Evropë e në
Amerikë. Pa forcat e juaja, pa angazhimin e juaj, vështirë se do ta kishim as
këtë gjendje të sotme. Personalisht dua ta shpreh falënderimin tim botërisht
për ju! Prandaj, ju keni të drejtë të krenoheni, të argëtoheni e të këndoni
edhe “mbi tavolina”, në Kosovën e lirë. Por ju keni të drejtë të kritikoni, të
sugjeroni e të këshilloni! Sepse, jo vetëm që jeni të këtij vendi, por edhe mundeni
të kontribuoni sërish në forma të ndryshme.
Evropa
dhe bota në vitet e luftës shikoi me mallëngjim dhe me një dhimbje Golgotën e
shqiptare të Kosovës. I panë se si
shqiptarët u dyndën “pa kapuç”, nga dhuna e armikut. Ishte ikje nga një
shfarosje. Ishte, ja vdekje ja shpëtim koke. Ishte përsëritje historike, njësoj
si para katërmbëdhjetë-pesëmbëdhjetë decenieve. Ishte katastrofë
humanitare...Për dallim nga ajo kohë, këtë herë Bota demokratike u habit. Nga
kush ikin shqiptarët, përse t’u bëjmë strehë e të na bëhen barrë më? Në atë
kohë të luftës, si thamë, bota
demokratike nuk ndeji duar kryq e të shikoi këtë film tragjik në Ballkan. U
ndihmoi dhe i çliroj me forcë, Amerika dhe Evropa. U gjeti strehë. Shumë shpejt,
pjesa më e madhe e karvanëve u kthyen, ata që kishin mbetur gjallë, me
entuziazëm në vatrat dhe trojet e tyre, të djegura e të rrënuara nga Serbia. Ndihma e pakursyer ishte në
koordinim me mërgatën shqiptare, kuptohet.
*Ky art. është
përgatitur më 6. 7., për njërën prej gazetave tona. Deri më tash nuk është
botuar.