E enjte, 01.05.2025, 03:49 PM (GMT+1)

Mendime

Xheladin Zeneli: Ndryshimi i kufirit, i papranueshëm!

E enjte, 09.07.2015, 07:43 PM


ÇDO NDRYSHIM I KUFIRIT,  NË DËM TË KOSOVËS,  I PAPRANUESHËM !

( Lidhur me demarkacionin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi ) 

Nga Xheladin Zeneli

Debati lidhur mbi çështjen e demarkacionit të kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi,  muar një kahje e cila nuk mund të përshkruhet ndryshe përveç si qesharake,  atëherë kur përfaqësuesit e opozitës politike në Mal të Zi,  javën e kaluar,  kërkuan që " kufiri i Malit të Zi dhe i Kosovës të jetë ai i vitit 1913 kur Metohia (Dukagjini) ka qenë në përbërje të Mbretërisë së Malit të Zi" ( !?). Kësai deklarate, më vonë iu bashkangjit edhe metropoliti i Kishës Ordodokse Serbe ( KOS),  në Mal të Zi,  Amfiloje Radoviq,  tashmë i njohur me qendrimet dhe veprimet e tija shoveniste dhe antishqiptare.

Një kërkesë e tillë, pra kërkesa e kthimit të kufijëve të Malit të Zi të vitit 1913,  aq sa është  qesharake, njëkohësisht është edhe ofenduese për shqiptarët . Çështja e demarkacionit të kufijëve në mes Malit të Zi dhe Kosovës ( apo çdo temë e cila përfshinë përcaktimin e kufijëve),  është një çështje shumë e ndieshme për shqiptarët sepse ajo evokon të kaluarën e hidhur e cila ka të bëjë me  padrejtësit e njohura historike  ndaj shqiptarëve dhe ndaj trojeve të tyre etnike.

Pala malazeze ( qoftë ajo pozitë apo opozitë),  duhet ta kenë të qartë se çdo argument i demarkacionit apo ndryshimit të kufijëve në dëm të shqiptarëve,  në këtë rast shtyrjen e kufirit brenda territorit të Kosovës,  është argument i humbur për palën malazeze,  si nga aspekti historik , demografik si dhe nga aspekti politik.

Territori i Malit të Zi para Kongresit të Berlinit në vitin 1878 kishte  4, 405 km² kurse pas Kongresit 9, 475 km² duke përfshirë edhe daljen në det të Malit të Zi. Pjesa dërmuese e ekspanzionit territorial të Malit të Zi u arrit kryesisht në dëm të territoreve shqiptare. Demarkacioni i atëhershëm i kufirit në mes Malit të Zi dhe Perandorisë Otomane u realizu nga Fuqitë e Mëdha dhe pa prezencën apo përfaqësimin e shqiptarëve, territoret e të cilëve u grabitën.Për këte fakt të pamohueshëm historik janë  të vetëdijshëm edhe vetë malazezët.

Pra,  nëse duhet të bëhet demarkacioni i ri i kufijëve,  ky demarkacion duhet të bëhet sipas kufijëve të para vitit 1878 ,  më saktësisht sipas kufijvë të vitit 1859        dhe JO  sipas vitit 1913,  atëherë kur Mali i Zi veçse kishte aneksuar dhe grabitur pjesë të mëdha të territoreve shqiptare .Shtyrja e natyrshme e vijës kufitare do të duhej të realizohej brenda kufirit të Malit të Zi dhe jo brenda kufirit të Kosovës.

Andaj edhe  kërkesa e autoriteteve të tanishme malazeze për shtyrjen e kufirit të shtetit të tyre brenda kufirit të shtetit të sotëm të Kosovës duhet të jetë rrepësisht e papranueshme nga institucionet e Kosovës sepse në rend të parë është kundër interesave të Kosovës  dhe në veçanti kundër interesave të banorëve të zonave kufitare, të cilët , kohë më parë shprehën haptas zërin e tyre protestues ndaj  demarkacionit të kësaj pjese të kufirit, të propozuar nga republika e Malit të Zi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx