E hene, 11.11.2024, 05:15 PM (GMT)

Mendime

Jon Leka: Agjentët dhe kazermat e Erdoganit

E premte, 03.07.2015, 06:55 PM


Agjentët dhe kazermat e Erdoganit

Janë xhamitë kosovare kazerma të Sulltan Erdoganit? Jo. Si ta besojmë? Si të sillet shoqëria dhe shteti me një kryehoxhë që falsifikon historinë në favor të politikës së një shteti tjetër. Naim Tërnava në Turqi foli në emër të myslimanëve dhe ata tash e kanë për detyrë ta shkarkojnë atë para se të përdhosen kultet dhe të drejtat e tyre

Nga Jon LEKA

Sapo mbarova së lexuari një artikull në anglishte (Macleans, 2015: How an America-loving country became a jihadi hub) ku autori përpiqej të kuptojë se si Kosova, një shtet i sponsorizuar që nga lindja e deri sot nga SHBA-të dhe perëndimi të bëhet furnizuesja kryesore e luftës së terroristëve të ISIS-it. Vërtet pse pikërisht Kosova? Sepse është me shumicë myslimane? Jo, po të ishte për këtë atëherë gjitha shtetet tjera myslimane të botës do ta kishin të njëjtin problem, sidomos kur kihet parasysh se shumë vende arabe janë edhe kulturalisht të lidhura me Sirinë, me zonën dhe doktrinën në fjalë. Nuk mund të jetë kjo arsyeja. As turqit, qeveria e të cilëve luan dyfytyrëshin në këtë krizë, nuk janë kaq të involvuar. Në çastin gjersa vërdallja nëpër kokë „enigmën“, portalet shqiptare shpërndanë lajmin: „Shefi i Bashkësisë Myslimane të Kosovës Naim Tërnava paska thënë zëshëm e pa druajtjen se osmanët kanë çliruar shqiptarët nga zgjedhja sllave“. Është kjo përgjigjja? E kanë zëvendësuar primatët fetarë të Kosovës historinë kulturore – atë siç e njohim shkencërisht – të shqiptarëve me një version që i bën ata borxhlinj, pra i detyron të ndihen pjesë e asaj bote aktualisht të zhytur në flakë, terror dhe krime masive?

Nëse lexojmë drejtë të parin e BIK Naim Tërnava, që tha se osmanët i kanë çliruar shqiptarët nga sllavët atëherë s’kemi zgjidhje tjetër përveç se pandehjen e shumë njerëzve që thonë; xhamitë të jenë shndërruar në shkolla për falsifikim të historisë dhe radikalizim të fetarëve ta pranojmë si të vërtetë.

Kështu qenka kjo punë. Po sa të drejtë kanë radikalët fetarë, pro-osmanlinj në këtë version të historisë së tyre?

FAKTET HISTORIKE

Bëhet fjalë për një periudhë kur Ballkani ishte aq i fragmentuar saqë pothuaj çdo rajon, grup fshatrash apo vendbanimesh edhe më të vogla luftonin kundra njëra tjetrës. E njëjta gjendje mbizotëronte edhe ndërmjet fiseve shqiptare. Prandaj betejat dhe ekspansionet e protomonrakive dhe fiseve ndihmojnë më së shumti për të vizatuar strukturën demografike faktike të vendeve ku kanë jetuar shqiptarët. Një ndër betejat më të faktëzuara deri më tani është edhe ajo e mbretit serb Milutin (1282 – 1321) që humb rreshtazi dhe nuk depërton përtej për tu futur në rajonin e Kosovës së sotme. E njëjta gjë i ndodhë në malet e Sharrit për tu lëshuar fushës së Pollogut për të nënshtruar zonat përreth Vardarit. Në vitin 1330, me ndihmën e merecnearëve nga Evropa perëndimore arrijnë serbët ta pushtojnë hapësirën përreth Vardarit. Në vitet e 1340 pushtojnë pjesë të Shqipërisë, Greqisë, kështu dhe pjesë të mëdha të të famshmes Via Egnatia. Më 1350 pas vdekjes së Stefanit copëzohet sërish dominimi serb në principata për nga madhësia dhe pushteti të njëjta me ato shqiptaret të Balshajve, Topive, Kastriotëve, Lekëve e të llojit që ndanin pushtetit (shpesh pa lidhje ndërmjet veti) në formë ishullore gjithandej vendeve ku edhe sot jetojnë shqiptarët. Pushtimi, forma dhe mënyra e depërtimit të osmanëve në viset nën sundimin e shqiptarëve është e regjistruar në mënyrën më të dokumentuar nga vetë osmanët dhe venedikasit, mbi të cilat burime edhe është ngritur e gjithë historia ballkanike në hapësirën gjermano-, frankofon- e anglosaksone. Të gjitha këto histori të ngritura mbi dëshmi deri tani të papërgënjështrueshme sepse të dokumentuara përshkruajnë një luftë të egër, të ashpër, me shumë viktima dhe djegie (po si në atë të Milutinit kur donte të depërtojë tokave shqiptare) të osmanëve kundër shqiptarëve deri në vitin 1430 kur osmanët arrijnë ta shpallin „Sancaki Arvanid e më vonë „Sancaki Arnaud“. Kjo ndodhë sidomos pa fitores pas shumë vjeçare të osmanëve kundër fiseve të Matit dhe të Dibrës ku fjalën kishte Johan Kastriot dhe pas marrëveshjeve venedikaso – osmane për ndarjen e gjahut.

Këto janë faktet për atë periudhë depërtimi të  osmanëve në tokat shqiptare. Historinë më pastaj, me ardhjen e Skënderbeut e dinë plotë njerëz. Bëhet fjalë për një pushtim shumë shekujsh dhe një rezistencë shumëshekullore në relacionin i pushtuar dhe pushtues.

MYSLIMANËT DUHET TË VEPROJNË

T’i kthehemi kryeprimatit të Bashkësisë Islame të Kosovës? Cili është motivi i tij për ta falsifikuar historinë në favor të versionit siç e preferon Erdogani, i cili bashkë me Davotoglu-në haptazi propagandojnë për ngritjen e neosmanizmit nga Ballkani e përtej? Ngase kjo nuk ka të bëjë me religjionin, pasi turqit nuk janë bartësit primarë të fesë islame, por arabët, afërmendsh se BIK paska pranuar të luaj rol politik në favor të agjendës turke dhe kështu instrumentalizuaka besimtarët e sajë për synimet politike të Ankarasë. Tashmë kur dihet edhe fakti se shërbimet turke me të madhe asistuakan grupe të ISIS rrëfimi bëhet edhe më logjik: rekrutimi i „martirëve“ nuk qenka bërë për interesa të ndonjë kalifati, por për ta katapultuar dhe faktorizuar Turqinë si të vetmen superfuqi që është në gjendje të garantojë siguri dhe paqe andej e këndej Bosforit.

Të zbresim nga politika e „lartë“ në Kosovë dhe viset tjera shqiptare. Një involvim i këtillë natyrisht se dëmton shumë shtetet shqiptare, sepse i konfronton me perëndimin dhe gjithë atë botë që gjendet jashtë hartave imagjinare të Erdoganit dhe të sëmurëve tjerë të Bosforit. Si të sillen shqiptarët ndaj këtyre provokimeve kaq të shpeshta? Si të sillen qeveritë dhe shoqëritë shqiptare ndaj këtyre bashkësive, xhamive që konkurrojnë jashtëligjshëm me akademitë e shkencave, me shtetin jo vetëm në histori por edhe në politik bërje? Si të sillet Kosova që gazetat e botës mos të pyesin më „How an America-loving country became a jihadi hub“? Të veprojnë si shtet dhe të vënë nën kontroll ligjor bashkësitë fetare. Ndërkaq myslimanët e Kosovës vetë duhet ta shkarkojnë sa më shpejtë myftiun e tyre, përndryshe marrin përgjegjësi për acarime të reja ndaj kulteve dhe të drejtave të tyre fetare.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora