Mendime
Ramiz Selimi: Ryshfeti si diçka normale?
E diele, 05.07.2015, 05:25 PM
Shoqëria kosovare e
konsideron ryshfetin si diçka normale?
Njerëzit në Kosovë nuk e kuptonin që ishin të korruptuar!
Shkruan Ramiz Selimi
Ajo që brengosë është se shumica flet hapur dhe e pranon këtë dukuri si diçka normale. “Me nevojitet njeriu i duhur për të fituar tenderin”!, “ Nuk mund të inkuadrohem në punë, pa pasur njeriun e duhur”! “ Me duhen para për tu regjistruar në fakultetin e preferuar”! Ju lutem miku im, më duhet një lidhje për të marr dokumentin, diplomën, etj., etj.
Studentja Dafina Selimi gjatë hulumtimit për temën e diplomës me titull, “Problemet dhe pengesat e zhvillimit ekonomik në Kosovë”, takojë shumë punonjës administrate, punonjës të kompanive, punonjës të arsimit dhe shëndetësisë, qytetarë, bujq dhe nxënës, ajo erdhi në përfundim se shumica prej tyre do të korruptoheshin për të arritur qëllimin, apo do të pranonin ryshfet për ti mundësuar dikujt favore, sepse ata nuk e besojnë se në formë tjetër mund të arrin atje ku duan.
Shpesh një kafe, një shishe verë apo një dhuratë sa do e vogël që të jetë është hyrje në korrupsion. Një personi zyrtarë ja ofron një dhuratë të vogël, apo një ftesë për të ngrenë me qëllimin e vetëm që personi në fjalë në rastin e kërkuar të krijojë favore. Kjo strategji në Kosovë aplikohet nga maja e shtetit e deri të qytetari i fundit. Kemi raste të shumta kur Ministritë ofrojnë vende pune duke filluar nga këshilltarë e me poshtë, në këmbim të ryshfetit apo në interes biznesi, ose kur një bujk therë qengjat për të përfituar ndonjë subvencion.
Fatkeqësisht perceptimi është i tillë tek populli, ryshfeti dhe lidhja e miqësive përmes darkave dhe dhuratave të hapë rrugën për të arritur në cakun e dëshiruar, pa aplikimin e kësaj forme je i pashpresë, se paku kështu mendohet në popull.
Korrupsioni në strukturat shtetërore është i lidhur në mënyrë zinxhirore, kjo nuk ka asnjë dyshim. Gjatë krahasimeve ajo ka takuar persona nga qeveria dhe administrata të cilët e kanë ditur, se janë duke vepruar në mënyrë të gabuar, por në anën tjetër ata ishin të detyruar të përfundonin punën, sepse kishin marr benifite që në start.
Disa prej tyre do të largoheshin nga ky rrjet, largimi nga ky rrjet i korrupsionit do të kishte pasoja ekzistenciale për ta, kishin frik edhe nga presionet dhe shantazhimi. Kurse Kompanitë në Kosovë dhe partnerët e tyre të biznesit ishin edhe një çik më të hapur në ofertat dhe kërkesat korruptive. Në rast se nuk funksiononin metodat korruptive, përdornin edhe kërcënimet.
Se nëse dikush ishte i korruptuar varej prej tre faktorëve, së pari, në qëndrimin dhe perceptimin personal, duke qenë i bindur se është rruga e vetme dhe se alternativa tjera nuk ekzistojnë për të mbijetuar, së dyti, mjedisi ku vepronin dhe jetonin i bënte kolegë të korrupsionit, ishin të detyruar nga rrethi dhe faktori i tretë ishte por në përqindje shumë të vogël, se ekziston rreziku për tu zbuluar dhe ndëshkuar, e bënin por në “besë” që të mos zbulohet.
Në shumicën e rasteve të korruptuarit ishin të gjinisë mashkullore, jo që femrat janë gjini më e mirë, por pasi meshkujt dominonin në pozitat udhëheqëse dhe ofroheshin vetvetiu në bisedë. Befasia me e madhe është se shumica e të kontaktuarve nuk dinin që janë duke u korruptuar, e sidomos shefat e kompanive prijnë me krimin ekonomik edhe pse në realitet nuk janë persona mashtrues.
Të luftohet korrupsioni në vendet ku shihet dhe trajtohet si normal është pothuajse e pamundur, i rrezikshëm për zhvillimin e shoqërisë dhe me pasoja për të ardhmen. Të kontaktuarve kur u tregonim se veprimi i tyre është kundërligjor, përgjigjja ishte: "Por kjo nuk është keq, po i ndihmojë njerëzit", apo "A është lënduar dikush, është i varfër nuk ka për të ngrenë ". Ata veprimin e tyre korruptiv e kthenin për një qëllim pozitiv, duke justifikuar dhe duke marr shembuj. Kishte edhe raste kur ata mendonin se kanë kredi të mjaftueshme në popull që u lejon veprimet korruptive, sepse ata mendonin se i gjithë shteti është i varur prej tyre.
Korrupsioni nuk duhet të tolerohet në asnjë rrethanë, duhet të përcaktojmë rregulla të qarta, të krijojmë një klimë ku rregullat dhe ligji janë kodi i etikës. Të punohet shumë me udhëzime specifike, me komunikime të qarta për situatat që mund të sjellin një punonjës të joshet për tu korruptuar. Një kod i tillë duhet të bëhet i gjallë , të jetë subjekt i trajnimit të anti-korrupsionit në të gjitha shtresat e shoqërisë.