E diele, 10.11.2024, 07:48 PM (GMT)

Kulturë

Adem Zaplluzha: Duke ecur udhëve asnjanëse

E enjte, 18.06.2015, 06:03 PM


Adem Zaplluzha

Pesë poezi nga libri “Një shi prej bryme”

 

DUKE ECUR UDHËVE ASNJANËSE

 

Duke ecur udhëve

Duke gjurmuar nëpër shpirtin e erës

Njeriu padashur

Takohet me vetveten

Nxjerr krehrin nga xhepi i vogël

I setrës së grisur

Dhe i kreh kujtimet

 

Duke mos u ndalur në asnjë lima

Udhëtimi nuk përfundon

Valixhja e vjetër

Kollitet si një njeri i moshuar

Peshqit e ngordhur protestojnë

Nëpër tasat e palara të konservave

 

Duke ecur nëpër binarët paralel

Të trenave mbërrin diku

Në fund të kotësisë

Ku gjelat e mëngjeseve të dyshimtë

Ta prishin gjumin në fillim të ditës

 

Duke ecur udhëve asnjanëse

Takon njerëz

Me dhe pa mendime

Erërat gjigande

Që i shkulin shtëpitë me rrënjë

 

Takon vetveten

Të strukur diku në ndonjë

Tregim të harruar nga njerëzit

Dhe në mes të ndonjë rruge të dehur

Ulesh buzë bregut të ngrirë

Ku qeshin dhe qajnë pemët esëll

 

 

NUK MBYLLEN AS DRITARET

 

Nëse udhëton shpesh

Nëpër rrugë sheh autobus të përgjumur

Mauna të ngarkuar me mallra kaçak

Stacione që s’dinë se si duket mikpritja

 

Nëpër trotuare sheh bajga qensh

Dhe zonja të dehura

Që çojnë dashuri me polic të shthurur

Shtëpitë që s’kanë dritare

 

Në dyert e dhomave asnjë çelës

Nuk mbyllen as dritaret

Qyteti fantazmë kollitet vetëm atëherë

Kur pushojnë të reshurat

 

Macet e lazdruara flenë mbi çatitë

Ku asnjëherë nuk kalon dielli

Nëse udhëton nëpër qytete të tilla

Të duhet një maskë e re për fytyrën tënde

 

 

FLENË ME KOKË TË NGRITUR LARTË

 

Disa lloje të statujave

Kanë filluar të ecin nëpër zbrazëtirat

E trotuareve të qytetit

Prej atyre të hershme

Deri të ato të vonshme buzëqeshin

Kalimtarëve të rastit

 

Me mauna të vjetra

Transportohen pula të ngrira

Udhëtojnë edhe njerëzit

Në qytetin tim barten rrugëve duaj

Dhe kallinj të kalbur prej shirave

 

Autobusët vijnë kohë pas kohe

Nuk ka kush t’i evitojë këto vonesa

Nëpër stacione trenash dhe të autobusëve

Njerëzit ngjajnë me rosakët e egër

Flenë me kokë të ngritur lartë

 

Kur afrohen ditët e vikendeve

Qyteti zbrazet

Asnjë njeri nuk afrohet sporteleve

Gazetat shumë pak shiten

Dhe të dielave njerëzit nuk shkojnë në kishë

 

 

NATA PASKA IKUR SHUMË LARG

 

Nëpër rrugët e pluhurosura të qytetit

Kalojnë njerëz

Me fytyra të rrudhosura

Dhe vasha të bukura

Nga lëvizjet e të cilave

Ekzaltohet secili kalimtarë

 

Kur kalon njeriu

Pranë tavernave të errëta

Sheh të dehurit se si luajnë në violinë

Kënga zbret nga degët

Dhe shoqërohet me zogjtë endacak

I tërë qyteti vallëzon një vals prej shiu

 

Nën Urën e Gurit

Një çun shkruante një letër dashurie

Algat veç i kanë përfunduar serenatat

Nata paska ikur shumë larg

Sa që mëngjesi

Duket nga çatitë më të ulëta të qytetit

 

Kalaja akoma qëndron në majë mali

Dhe me sy të gjelbër të mbrëmjes

I përcjellë të reshurat deri te Drini i Bardhë

Faltoret e lodhura dhe të përgjumura

Akoma s’janë këndellur nga nata e kaluar

 

 

I NGJAJNË PATAVE TË EGRA

 

Kalojnë rrugëve të qytetit

Njerëz me mendime të zbrazëta

Nëpër fytyrat e tyre të lodhura

Shkunden vitet

Shkunden si mollët e papjekura

Edhe stinët e lodhura

 

Njëri kalon tërmal rrugës

Kurse tjetri

Tatëpjetë turbullirës së ujit

Fytyrat e zbehta si të këputura

Nga degët e thara të limonit

Duken edhe më të verdha në shi

 

Në ajrin e ndotur të qytetit

Rri varur si në ndonjë çengel kasapi

Portreti i shthurur i erës

Një vazo me lule të fishkura

Pretë çastin e të reshurave

 

Por shirat sivjet nuk erdhën

As në pranverë

E as në vjeshtën e vonë

Ndoshta do të na vijnë dimrit

Sepse shirat e qytetit tim

I ngjajnë patave të egra



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora