Shtesë » Historia
Dëshmia surprizë: Çastet e fundit të Azem Hajdarit
E premte, 25.07.2008, 12:32 PM
Kushëriri i truprojës që i mbijetoi atentatit rrëfehet para autoriteteve amerikane: Si ndodhi natën e 12 shtatorit Neza rrefehet per autoritetet amerikane: Kush i telefonoi dhe c‘tha ai para se te dilte nga zyra e PD-se
Një dëshmi surprizë, që bart elemente të reja rreth vrasjes së Azem Hajdarit, mbrëmjen e 12 shtatorit 1998, është publikuar dje në mediat amerikane, që i janë referuar një reviste prestigjioze për të drejtat e njeriut. Në të vërtetë është rrëfimi i Xhemal Nezës, kushëriri i truprojës së deputetit të PD-së, që i mbijetoi atentatit. Xhemali ka qenë portier vullnetar te selia e Partisë Demokratike, madje edhe mbrëmjen e vrasjes së Hajdarit. Gjatë dëshmisë së tij para autoriteteve të emigracionit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë aplikimit për leje qëndrimi, ai ka treguar momentet e fundit të Hajdarit, nga dalja e tij prej zyrës deri te makinat e atentatit.
Telefonata
"Ndërsa afrohet përvjetori i dhjetë i vrasjes së Azem Hajdarit, ekzekutimi i studentit të Filozofisë që udhëhoqi lëvizjen demokratike në Shqipëri, po rikthehet në mendje nga përpjekjet e autoriteteve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të deportuar një dëshmitar në krim", shkruan shtypi amerikan.
Duke iu referuar dëshmisë së Nezës, gazetat japin detaje (një pjesë të publikuar) nga mbrëmja e 12 shtatorit 1998, "kur lideri legjendar i lëvizjes demokratike në Shqipëri, gjendej në zyrat e Partisë Demokratike, në kryeqytetin Tiranë". Azem Hajdari, shkruhet më tej, ishte lider i lëvizjes studentore që rrëzoi regjimin komunist në Shqipëri. Ai ishte edhe kryetari i parë i Partisë Demokratike. Kishte shërbyer mandatin e tij të katërt radhazi si anëtar i Parlamentit shqiptar. Në zyrat e Partisë Demokratike, Hajdari dhe truproja e tij personal, Besim Çera, ndërsa dilnin, biseduan me rojën vullnetar të selisë, Xhemal Nezën, dhe me kushëririn e Xhemalit, Zenel Nezën.
"Hajdari ishte një njeri me integritet të madh dhe ne e respektonim shumë atë", kujton Xhemali, në një dëshmi të dhënë në prill të vitit 2007, por të publikuar vetëm dje. "Para orës 9 e 30 minuta (21.30 - shënim i red.), telefoni ra dhe Hajdari foli në celular. Kur ai mbylli telefonin na tha: ‘Duhet të largohemi menjëherë, sepse Izet Haxhiaj na kërkon‘. Haxhiaj ishte në fakt truprojë personale e Sali Berishës, që u bë President i Shqipërisë në vitin 1992. Berisha ishte lideri i Partisë Demokratike. Unë personalisht e dëgjova Hajdarin të thoshte se në telefon e kishte marrë Haxhiaj". "Unë hapa derën, vazhdon dëshmia e portierit vullnetar, - dhe Hajdari, Çera dhe kushëriri im, Zenel Neza, iu drejtuan makinës së Azemit, që ishte brenda një parkingu të rrethuar me mur. Çera ngiste makinën, Azemi ishte në vendin e parë dhe Zenel Neza gjendej prapa. Ndërsa po mbyllja derën, makina doli dhe u kthye në të djathtë, pasi lëvizi edhe rreth katër metra të tjera, një ‘Mercedes‘ i zi 500-sh, me targa Vlore, u ndal dhe i bllokoi rrugën. Pas ‘Mercedes‘-it ishte edhe një ‘Xhip‘ ngjyrë gri".
Ekzekutimi
Rreth orës 9 e 30 minuta të mbrëmjes, Hajdari u qëllua. Në lajme u tha se ishte vrarë në orën 10.00, por gabohen. Unë isha vetëm katër metra larg Hajdarit kur ai u vra. I pashë personat që qëlluan dhe i pashë teksa tërhiqnin këmbëzën. Ishin katër vrasës në dy makina". Tre prej tyre dolën nga makinat, duke mbajtur në duar automatikët. Të gjithë ata mbanin veshur uniforma policie. Xhemali i kishte njohur ata si njerëz me të cilët ishte rritur. Hajdari dhe roja e tij personale u vranë në vend. Në ndenjësen e pasme, Zenel Neza, ishte plagosur rëndë. Xhemali thirri vëllain e tij, Rrustemin, dhe së bashku me kushërinjtë, Skënder dhe Gani Neza, ata e kishin çuar Zenelin te një mjek dhe më pas, për ta siguruar, në një qytet të afërt. Një ditë më pas, pati një demonstratë. Policia qëlloi mbi turmë duke vrarë disa njerëz dhe duke e lënë Xhemalin pa ndjenja.
Ditën tjetër kishte një tjetër demonstratë. Dhe këtë radhë, Rrustem Neza i tregoi turmës prej rreth një mijë njerëzish se çfarë kishte parë Xhemali natën e vrasjes dhe kush ishin vrasësit. Xhemali nisi të fshihej, lëvizte çdo javë, nga një vend në tjetrin. Gjatë një prej lëvizjeve, shoferi i tij, në të njëjtën kohë, kushëri, Skënderi, mbeti i vrarë. "Policia qëlloi mbi makinën e Skënderit me armë zjarri dhe filluan të kërkonin për mua, por fatmirësisht unë isha larguar në drejtim të kundërt". Ndërkohë, edhe kushëriri i tij, Ganiu, ishte vrarë. Nga të katër personat që ishin pjesë e misionit të shpëtimit të Zenel Nezës, dy kishin vdekur. Zeneli mundi të largohej nga vendi. Dy të tjerët, vëllezërit Rrustem dhe Xhemal, shkuan në Teksas.
Ekzekutimi
Si u vra lideri i Dhjetorit
Deputeti Azem Hajdari u ekzekutua para selisë së Partisë Demokratike, më 12 shtator 1998. Bashkë me të mbeti i vrarë truproja i tij, Besim Çera, dhe u plagos Zenel Neza. Komunikata e parë doli nga Ministria e Rendit, në të cilën thuhej se autorët ishin larguar në rrugën kombëtare nga Veriu. Trupat e qëlluar u dërguan menjëherë në Spitalin Ushtarak, i cili më pas u rrethua me policë. Ndërkohë, prokurori i gatshëm i Tiranës dhe ekspertë të policisë u munduan të realizonin këqyrjen e vendit të ngjarjes, por shiu i madh që binte dhe turma e njerëzve të irrituar, ua vështirësuan shumë këtë proces. Për këtë vrasje janë dënuar Jaho Mulosmani, vëllezërit Ismet, Isamedin dhe Izet Haxhiaj. Ndërsa Fatmir Meta, ish-shefi i policisë në Bajram Curri u shpall i pafajshëm.
Të dënuarit
Jaho Mulosmani I dënuar me burgim të përjetshëm
Izet Haxhiaj I dënuar me 25 vjet burg
Ismet Haxhiaj I dënuar me 20 vjet burg
Isamedin Haxhiaj I dënuar me 30 muaj burg
Fatmir Meta U shpall i pafajshëm
PER FAQEN 3
Odiseja e largimit në "tokën e premtuar" dhe frika për t‘u dëbuar
Neza: Jeta jonë në Amerikë
Kur vëllezërit Neza mbërritën në SHBA, Xhemalit iu dha azili, por aplikimi i vëllait të tij, Rrustemit, u refuzua. Sipas dokumenteve të gjykatës, gjykatësi në çështjen e Rrustemit, nuk e kishte besuar historinë e tij. Gjithnjë sipas shtypit amerikan, Xhemali kishte dëshmuar në gjyq, por gjykatësi kërkonte prova të tjera. Siç kishte nënvizuar edhe avokati i Rrustemit, në daljen gjatë kësaj jave para Gjykatës së Apelit, kushdo mund të lexonte artikullin në lidhje me vrasjen e kushëririt të tij, Gani Neza, vetëm duke klikuar me këtë emër në ‘Google‘. Por, kush e di pse ish-avokati i Rrustemit, këtë artikull gazete nuk e kishte prezantuar në gjyq apo pse gjykatësi nuk i beson vëllezërit. Rrustemi gjithsesi, vazhdon të këmbëngulë.
Nga picat te birra
Kur dy vëllezërit Neza jetonin në Shqipëri, ndanin tokën e familjes ku kishte ar dhe krom. Në Teksas, ata hapën një dyqan picash, në një qytezë të vogël të quajtur Nacogdoches. Gjërat shkonin mirë për ta derisa aplikuan për një licencë për shitjen e birrës. Një dëshmi nga përgatitësi i kësaj licence thotë: "Unë nuk i kisha pyetur asnjëherë Xhemalin apo Rrustemin për shtetësinë. Kisha menduar se e kishin". Më 18 janar 2007, Rrustem Neza u arrestua, pasi kishte pretenduar se ishte shtetas amerikan në aplikimin për marrjen e licencës për shitjen e birrës, por asnjëherë nuk u dënua. Në shkurt, ai u vu nën mbikëqyrjen e Agjencisë së Emigracionit dhe Doganave që e mbylli atë në një burg në Teksas. Për të dalë nga burgu, ai nuk duhet të bëjë gjë tjetër, veçse të pranojë të kthehet në Shqipëri. Por, ai vendosi të qëndronte i gjallë në Teksas, më mirë se i vdekur në Shqipëri, ndaj priti në burg, i ndarë nga bashkëshortja dhe dy fëmijët. Në korrik 2007, Presidenti Bush vizitoi Shqipërinë, ku triumfi i Partisë Demokratike u shpalos nëpërmjet fotografive plot ngjyra të Bushit e Berishës, teksa buzëqeshnin, përshëndetnin dhe ecnin përkrah. Kjo vizitë duket se ndikoi jo pak në vendimin e autoriteteve amerikane. Në fund të gushtit 2007, zyrtarë nga Agjencia e Emigracionit dhe Doganave, e nxorën Rrustemin nga burgu dhe e detyruan atë të hipte në një avion që i drejtohej Shqipërisë. Ai ishte i frikësuar për jetën e tij. Por, zyrtarët u detyruan të hiqnin dorë nga deportimi dhe e kthyen atë sërish në burg.
Në burg ose në Shqipëri
Më 4 shtator 2007, avokati i Rrustemit, u dërgoi organizatave që mbrojnë të drejtat e individit, një e-mail ku rrëfente historinë e klientit të tij. Nga këtu, historia merr dhenë dhe botohet edhe nga një e përditshme shqiptare. "Dëshmi që vjen nga Amerika", shkruante gazeta më 5 shtator. "Rrustem Neza konsiderohet si një nga njerëzit që bëri publikë emrat e vrasësve të Azem Hajdarit, më 12 shtator 1998, në Tiranë. Ndërsa në Shqipëri dëgjohen thirrje për zbardhjen e së vërtetës në procesin e hetimit, dëshmitarët dhe të gjithë njerëzit e implikuar në këtë ngjarje, vazhdojnë të ndeshen me gjyqe". Më 11 shtator 2007, Rrustem Neza pushton titujt kryesorë të "Dallas Morning News", si "Shqiptari që duke bërtitur doli nga avioni".
Krejt të pasikletosur nga e gjithë kjo, Agjencia për Emigracionin dhe Doganat, nuk zbutet aspak dhe më 1 tetor, zyrtarët amerikanë i kërkojnë një gjykate federale të urdhërojë deportimin e Nezës, duke e bërë atë farmaceutikisht të paaftë të bërtasë, herën tjetër që do ta vënë mbi një avion. Por, edhe këtë radhë, ky absurditet i trajtimit të Rrustem Nezës në Amerikë, tërhoqi vëmendjen e kongresmenit konservator të Teksasit Lindor, Lui Gohmert, që më 23 tetor, shkroi një editorial për gazetën lokale, ku e quante trajtimin e Nezës të patolerueshëm. Më 1 nëntor, kongresmeni Gohmert, paraqiti dy nisma personale ligjore, në Kongres, në të mirë të Nezës. E ndërkohë, Neza është lënë sërish në burgun e Haskell-it, në Tekas, i ndarë nga bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët.
Bashkëshortja
Fatmira Hajdari: Vrasja e Azemit, krim shtetëror
"Vrasja e Azemit? Logjika të çon në një krim shtetëror. Mund të kenë marrë pjesë deri në 120 vetë, çka cilësohet si krim i organizuar". Kështu e ka përkufizuar vrasjen e liderit të dhjetorit, Azem Hajdari, bashkëshortja e tij, Fatmira, pak ditë më parë, gjatë një interviste në "Top Channel". Ajo ka pohuar se është shumë e pakënaqur për motivin e vrasjes, pasi, sipas saj, motivi i cilësuar nga gjykata në vendim nuk është i besueshëm. Ajo ka pohuar se vrasja mund të ketë qenë politike, gjithsesi është organi i akuzës ai që do të vlerësojë të gjitha provat e reja, pas tërheqjes së akteve nga Prokuroria e Tiranës. Sipas saj, nga momenti që është ndryshuar motivi, nuk mund të quhet vendim real. Sipas saj, të dënohet ai që meriton dhe të mos dënohet ai që s‘e meriton. "Nuk është e logjikshme të thuhet se Azemi është vrarë për hakmarrje, kur në vrasjen e tij kanë marrë pjesë mbi 120 persona. Azemi u vra për motive politike dhe këtë e dinë të gjithë shqiptarët, kështu që edhe në dosjen e tij kështu duhet të jetë", deklaron Fatmira. Me një zë të dridhur ka përmendur edhe luftën e atëhershme në Kosovë, duke iu shtuar motiveve të mundshme për ekzekutimin e Azemit. Megjithatë, nuk ka treguar detaje, duke lënë të kuptohet se një rrëfim sa më i plotë mund të bëhet vetëm para organit të akuzës. Prokuroria e Përgjithshme ka deklaruar tërheqjen e fashikujve hetimorë të vrasjes së Azem Hajdarit, duke e rihapur dosjen pas 6 vjetësh. Sipas organit të akuzës, e vetmja enigmë është se ç‘e shtyu Mulosmanin të bëhet një ndër organizatorët e vrasjes së deputetit Azem Hajdari?