Mendime
Rexhep Kasumaj: Ahmeti, Ali – ky idiot me pagesë!
E diele, 17.05.2015, 08:40 PM
Reflektim
Ahmeti, Ali – ky idiot me pagesë!
(Përsëritja e fatit të keq)
Nga Rexhep Kasumaj
Pas një heshtjeje të gjatë (sa e gjatë për gjakun e dhimbjen!), Ali Ahmeti iu drejtua përmes Televizionit vernil shqiptar të Shkupit, bashkëkombësve të persekutuar.
Pa holluar e tjerrë mendimet e tij të trasha, i referohemi shkurtas ca pikëpamjeve që flasin metaforikisht për meskinërinë e klasës politike të shqiptarëve të Maqedonisë.
„Doja të shpëtoja jetë, por ata nuk më dëgjuan“, ishte teza e parë e florinjtë. Që në nisje do të shpaloste ai diskursin me pretendim këndellës e shfajsues: ruajtje e piramidës ku vegjeton politikisht dhe gllabëron pasurisht!
E pra, po të qenkësh kështu aherë pse ky vetë ( nëse njëmend ka bërë farë lufte) nuk dëgjonte të tjerët që i thoshin po këtë gjë: nuk kishte të drejtë të rrezikonte jetët e pafaj. Këtë refren përsëriste dhe Maliqi për Ushtarët e Kosovës, në mbyllje të mijëvjeçarit. ” Nuk kanë parasysh jetët reale të njerëzve”, ankohej përhumbshëm, thuase jeta e tyre që jepej pikërisht për ata të cilëve ai u qante hallin, nuk ishte reale. Por vendlindja e shtetit është lufta dhe ky është alfabeti i pandryshueshëm i lirisë. Dhe, ndaj, kumanovarët, nuk e kishin dëgjuar atë dhe tani, për habi, ndjehej i lehtësuar. Ndërgjegja nuk do ta ndiqte pas…
„Kam vënë kontakt për të ndihmuar“, pohon ai pastaj për tu shpjeguar pas pritmërisë së turmës injorante që mvesh udhëheqësin me velin e idhujtarisë. Veçse çështjë është: në çfarë cilësie vallë? Ishte ndërmjetës anësor shërbimesh të mira, dinjitar faltoresh a pleqnar kullash? Oh, sa e çuditshme dhe, njëherësh, e përgaztë kjo fjalë e figurantit të glorifikuar! Ndonëse pjesë e pushtetit, ai nuk mund të flasë a veprojë asnjëherë në emër të institucioneve të tij. Por, disi, nga jashtë dhe pa fuqinë e autoritetit shtetëror: as për të prerë shkaqet e kryengritjes, e as për të ndaluar ndërhyrjen e gjakosur – jo kundër luftëtarëve se ata ishin ballas, por kundër popullit të pambrojtur!
Në turrin
e lodhshëm të marrëzive, Ahmet-ziu hedh dhe këtë rrufe: kishte, ky i miri, i
pafajshmi, maqedonomadhi, merakun e qëndrueshmërisë së vendit të tij, të cilin
e do të integruar në ngutshëm në Aleancën atllantike dhe, më pas, në Bashkimin
e largët europian.
A s’është, rrjedhimisht, vetë pozicioni i tij politik si një dekor festivalor pa asnjë potencë vendimmarrëse, një “argumentum a contrario”, pra një argument që rrëzon vetëveten? Ja pra, për këtë ishte vrarë djemëria në Kumanovë: që dhe hierarku politik shqiptar të kishte zë. Të mos ishte qyq i shurdhër. Sherbëtor në Atdhe.
„Më kërkuan që tu ndihmoja për të dalë rrethimit“, krekoset ai tutje në rrëfimin e shpërfillshëm nga ambientet e qeta e komode të tij! Përveç palë me vrasësit dhe pjesë e autorsisë së krimit, ai, nga zilia e, natyrisht, më shumë akoma nga trëmbja mneruese për imazhin a privilegjet sulltanore, përpiqet ti poshtërojë ata. Dhe, ndaj, hedh gurë e drurë për ti paraqitur në një pamje të errtë: pa ide e ndjesi flijimi, të mashtruar e pendestarë! Shpirt më të lig e mëndje më të çoroditur, nuk kam parë as në në imagjinatön e bujshme negative sllave dhe, madje, as në lektyrat shkollore me prralla të frikshme…Mirëpo jo: ky, në fakt, është Minotauri i vockël, që ia ka dalë të ulet edipërisht mbi fatet e nëpërkëmbura të popullit të vet!..
Ndiqni tani përskajimin e tij të idiotshëm: në Maqedoni paskëshin ndodhur tevona „shumë gjëra interesante“! Domethënë: aspak të rënda, aspak prerëse, aspak tronditëse, aspak të përgjakshme, aspak tragjike! Por vetëm – interesante! Nëse, pra, ato na qenkëshin kaq të denja veç për soditje kotnare – aherë ai i bën, kësodore, figurës së vet një autoportret të rrallë: portretin e prijësit politik që është i pashkollë, i padije, i painteligjencë elementare, i paetikë e moral, i paedukatë qytetarie, i pakulturë kombëtare, i paidentitet, i paskrupullt e heroikisht mizor!..
Mandej, diku në mbyllje nënvizon ai përbuzshëm: „Nuk e di se ç’duan ata“! A nuk thoshte po kështu dhe Xhaferi për të në fillimvitet 2000, se rebelimi i armatosur ishte një „kalkulim i gabuar i interesave nacionale“ nga Uçk-ja e atëbotshme?! Por, kushedi, ndoshta, kësaj here, ka të drejtë. Këta luftëtarët e Kumanovës, me gjasë, nuk e kanë të stërholluar instinktin përfitues të tij. Ishte, pra, Arbeni, e jo ky, që kishte gabuar. Rivali i ndërkryer i tij paskësh ditur mirë dhe mori gjithë ç’donte: pushtet pa fuqi, autoritet pa moral dhe pasuri pa fund!
Ah, ironi
kohe!
Dhe do të derdhet ende për lirinë dhe lavdinë e tyre!