Kulturë
Rexhep Shahu: Parulla dashurie për Kosovën
E merkure, 13.05.2015, 07:16 PM
PARULLA DASHURIE PËR KOSOVËN DHE SHKRIMTARI ZEJNULLAH RRAHMANI
NGA REXHEP SHAHU
Me 9 maj 2015, në sallën e madhe të Akademisë së Shkencave, në Tiranë erdhi nga Prishtina shkrimtari shumë i njohur shqiptar Zejnullah Rrahmani, në një veprimtari të menduar elitare, të organizuar nga Qendra Shqiptare e Studimeve Letrare “Pjetër Budi”, të drejtuar nga studiuesit e letërsisë Behar Gjoka e Flamur Maloku.
Duke ditur e nderuar dimensionet letrare e shkencore të shkrimtarit e akademikut Zejnullah Rrahmani, kishte ardhë dhe mbajti kumtesë shkencore edhe Ministri i Kulturës i Kosovës z. Kujtim Shala, që nderoi shkrimtarin por nderoi edhe veten e tij si ministër që njeh dhe nderon vlerat kombëtare.
Kumtuan me nivel të lartë shkencor bashkë me akademikun Ali Aliu, (i cili hodhi dritë për herë të parë për Tiranën për fenomenin letrar Zejnullah Rrahmani që në moshë 17-18 vjeçe u shpall i famshëm si romancier), edhe studiues shumë të njohur Nysret Krasniqi, Bardh Rugova, Izet Duraku, Hysni Ndreu, veç Flamur Malokut e Behar Gjokës.
Veprimtaria për shkrimtarin shumë të njohur, me 13 vepra letrare, për akademikun shumë të njohur, me 17 vepra shkencore teorike letrare, për profesorin e Universitetit të Prishtinës shumë të njohur Zejnullah Rrahmani, mbahet në Tiranë, në sallën e Akademisë së Shkencave. Akademikë të Tiranës nuk pashë në sallë, ose kanë qenë e nuk i kam njoftë, ndonëse nuk pati shumë njerëz.
Ministri i Kulturës i Kosovës Kujtim Shala mbajti edhe kumtesë shkencorë për shkrimtarin e studiuesin, dhe u shfaq se është ministër që ua din rendin punëve dhe vlerat njerzve, ministër që i është mirënjohës shkrimtarit të madh, akademikut e profesorit të Teorisë së Letërsisë në Universitetin e Prishtinës.
Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, që si shefi i saj bën be e rrufe rrejshëm se e do shumë Kosovën dhe e ka shpirt, jo vetëm që nuk erdhi vetë qoftë edhe për nder të kolegut të saj të Kosovës, jo vetëm që nuk i kishte dërguar asnjë letër përshëndetje, falenderimi e mirënjohje shkrimtarit Zejnullah Rrahmani në pamundësi të pjesëmarrjes së saj, ndonëse ftesa i ka vajtur zyrtarisht me kohë, nuk kishte dënjuar të dërgonte aty si përfaqësues të saj as rojen e ministrisë, e jo më ndonjë zevendës ministër apo ndonjë këshilltar të saj. Shkëlqeu me mungesën e saj Ministria e Kulturës e Shqipërisë dhe ajo dritë shkëlqimtare po më ndriçon akoma edhe tash që po shkruaj.
Shkrimtari Zejnullah Rramani nuk humbi asgjë, pasi për shkrimtarin ajo është një përsonazh në galerinë e përsonazheve të tij dhe vetëm kaq.
Edhe Universiteti i Tiranës shkëlqeu me mungesën e tij në veprimtarinë akademike për profesorin e Teorisë së Letërsisë të Universitetit të Prishtinës. Profesorët e pashquar të Universitetit të Tiranës, druaj se hyjnë në ujë para veprës teorike të Zejnullah Rrahmanit dhe ndoshta iferioriteti a xhelozia i la pa ardhë dhe pa nderuar kolegun e Prishtinës që atje është kryetar i Këshillit të Doktoratës të Fakultetit të Filologjisë.
Refuzimi ministror nga Ministrja e Kulturës e Tiranës për shkrimtarin e shquar Zejnullah Rramani edhe për homologun e Kosovës, Kujtim Shala, refuzimi nga Universiteti i Tiranës ndaj shkrimtarit, studiuesit e profesorit të Universitetit të Prishtinës, pavëmendja nga kolegët e tij të Akademisë së Shkencave të Tiranës ndonëse Zejnullah Rrahmani si bashkëdrejtor me Akademik Bahri Becin ka organizuar në Tiranë për dy vite me radhë Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare nuk i bën nder Shqipërisë dhe tret si kripa në ujë gjithë llogjet e dashurisë që thonë e shkruajnë shtetarët për Kosovën.
Mirë që
Ministria e Kulturës e Shqipërisë apo Fakulteti i Letërsisë i Universitetit të
Tiranës nuk kanë ide e as u shkon në mendje vetë të bëjnë veprimtari të tilla
nderuese e bashkuese kombëtare, në dritë të diellit e për autorë e
përsonalitete elitë, që nuk janë të tillë për shkak të brrylave, njohjeve apo
miqësive të sëmura të të paaftëve, por të paktën të jenë vetëm pak dashamirë,
vetëm pak të vëmendshëm, ndaj veprimtarive e figurave të tilla si Zejnullah
Rrahmani.
Për anonimë të ndryshëm që shkëlqejnë në shëmti e në dëmin që i bëjnë kulturës kombëtare bëhën në Tiranë edhe në Prishtinë spektakle vërbuese.
Për përsonalitete që krenohet e sotmja dhe e ardhmja e shqiptarëve s’ka shkëlqim e vërbim rrezatues, ndonëse recitohen nga shtetarë të Shqipërisë plot parulla dashurie për Kosovën.
Kjo
veprimtari cilësore e pavlerësuar nga zyrtarët e Tiranës e të institucioneve të
Tiranës që priten me tamtame në Prishtinë, nxori për të mijtën herë në pah
mungesën e Kosovës në Shqipëri, mosnjohjen e shkrimtarëve të shquar të Kosovës
në Shqipëri, mosnjohjen e mospranimin e poetëve, shkrimtarëve e autoriteteve
morale e shqpirtërore të Kosovës në Shqipëri. Kjo mosdashje është trashëgimi e
diktaturës komuniste të cilës Kosova i është dukë diçka tjetër e diku tjetër
por jo në asht, në mish e në shpirt të kombit shqiptar. Shqipërisë se
diktaturës komuniste, që letërsinë e Kosovës e shpallte jo letërsi shqipe por
letërsi nga Kosova apo nga diaspora, ndoshta i ka tepruar Kosova, i ka dalë
tepër. Por Shqipërisë së sotme i mungon Kosova edhe nëse i mjafton apo i
Shkrimtari, akademiku, profesori Zejnullah Rrahmani 63 vjeçar është diplomuar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Studimet pasuniversitare dhe magjistraturën i kreu në Degën e Letërsisë Shqipe, 1984. Më 1985 doktoroi në shkencat filologjike në Prishtinë. Ka punuar në revistën “Fjala” katër vite si gazetar dhe redaktor. Në Fakultetin Filozofik (tash Fakulteti i Filologjisë) punon prej vitit 1977, ku është profesor për lëndën Teori e Letërsisë dhe ligjëron për studentët e studimeve master dhe doktoraturë. Ka qenë kryetar i Studimeve pasuniversitare të Degës së Letërsisë, i ka reformuar e udhëhequr ato nga viti 1992–1998. Nga viti 1992 deri më 1996 ka qenë dekan i Fakultetit të Filologjisë. Anëtar i Kolegjiumit të dekanëve të Universitetit të Prishtinës ishte në periudhën 1992-1996. Më 1995 e ka ringjallur, pasi që ishte ndërprerë dhunshëm dhe nuk ishte mbajtur disa vite, Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare dhe të njëjtin vit, si bashkëdrejtor me Akademik Bahri Becin, e ka organizuar në Tiranë për dy vite me radhë.Ka themeluar revistën shkencore “Filologjia” të Fakultetit të Filologjisë dhe ka qenë kryeredaktor i tre numrave të parë të saj. Nga viti 1970 është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Në fushën e krijimtarisë letrare shkruan zhanret e prozës (roman, novelë, tregim) dhe ka fituar disa nga çmimet më të njohura letrare të Kosovës: -Çmimin Hivzi Sulejmani, -Çmimin Naim Frashëri, -Çmimin e NGB Rilindja për roman, -Çmimin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, etj.
Nga viti 1992 ka qenë anëtar i Këshillit Nacional për programet e letërsisë si dhe anëtar i Këshillit për unifikim të teksteve e të programeve nacionale të Kosovës e të Shqipërisë 1992-1998. Nga viti 1996-1999 në cilësinë e Këshilltarit për arsim i Presidentit Ibrahim Rugova, e ka udhëhequr arsimin shqip (paralel) të Kosovës. Në periudhën 2007-2009 ka qenë anëtar i Këshillit Nacional të Shkencës së Kosovës. Aktualisht është kryetar i Këshillit të Doktoratës të Fakultetit të Filologjisë.
Vepra letrare të shkrimtarit Zejnullah Rrahmani :
1.
Zanoret e humbura, roman, Rilindja, Prishtinë 1974; 2. Udhëtimi i një pik-uji,
novela, Rilindja, Prishtinë, 1977; 3.
Vepra shkencore të Akademik Zejnullah Rrahmanit :
Nga teoria e letërsisë shqipe, Rilindja, Prishtinë, 1986; 2. Njohuri nga teoria e letërsisë, Libri shkollor, Tiranë, 1996; 3. Teoria e letërsisë, Enti i teksteve, Prishtinë, 1997; 4. Teoria e letërsisë, Fakulteti Filologjik, Prishtinë, 1996;
5. Si të shkruhet disertacioni, Faik Konica, Prishtinë, 2001; 6. Arti i poezisë, Faik Konica, Prishtinë, 2001; 7. Teoritë letrare klasike, Faik Konica, Prishtinë, 2001; 8. Shkrimi dhe leximi, Faik Konica, Prishtinë, 2003; 9. Malësorja e Nazmi Rrahmanit ose Arti i interpretimit, Faik Konica, Prishtinë, 2001; 10. Letërsia e Mesjetës, Faik Konica, Prishtinë, 2002
11. Ligjërata mbi artin e Renesancës, Prishtinë, 2004; 12. Teoria letrare moderne, Faik Konica, 2005; 13. Letërsia e Lindjes, Faik Konica, Prishtinë, 2005; 14. Gnosis, AIKD, Rilindja , Prishtinë, 2005; 15. 10 Kryevepra poezie, Faik Konica, Prishtinë, 2007; 16. Letërsi klasike greke, Faik Konica, 2008; 17. Teoria e letërsisë, Faik Konica, Prishtinë, 2008.