E enjte, 01.05.2025, 01:28 AM (GMT+1)

Mendime

Ndue Dedaj: Sari Salltiku, peligrinazh dhe turizën

E hene, 11.05.2015, 07:10 PM


SARI SALLTIKU, PELIGRINAZH DHE TURIZËM

NGA NDUE DEDAJ

Mali i Krujës, 1176 metra i lartë, i ka të gjitha përmasat, dhe hyjnoren e madhnueshme, dhe bukurinë shkëmbore të thepisur si askund, me një rënie pingule të thiktë mbi qytet, ku dhe alpinistët zor se do të mund të ngjiteshin e ku gurët e mëdhenj të dalë të fusin frikën se mos trandën dhe befas i sulen si një “ortek” qytetit të shpërndarë në brinjat e malit. Po njerëzit ndoshta bash për këtë pamje stoike e duan malin që ndonjëherë thirret dhe në emrin e Sari Salltikut, po dhe të Skënderbeut. Një mal krelartë me tre emra. Të merren mendtë kur e sheh nga poshtë-lart, nga qyteti, dhe aq më shumë kur nga maja e tij vështron qytetin si në pëllëmbë të dorës, që për çudi të duket i rrafshët, gati i bërë njësh me fushën e detin. Është lartësia që i “sheshon” të gjitha kodrat para vetes, si ta kundrosh relievin nga dritarja e avionit. Drejt Sari Salltikut të ngjit një rrugë e skalitur në gur, gjithkund shpatit të malit, e futur në gji të shkëmbit gëlqeror, e asfaltuar dhe me mbrojtëse të hekurta nga ana e poshtme ku gjendet gremina, ndryshe udhëtimi do të ngjante i pamundur, teksa për atje ka dhe një rrugë këmbësore të përpjetave e tërthoreve. Maja është një ballkon mahnitës dhe për të shkuar te shenjti duhet të ulesh shkallëve që të shpien në një shpellë 20 metra të thellë, ku është dhe një teqe e vogël me shiritat e blertë karakteristik. Njerëzit prekin gurët, falen dhe ndezin qirinj. Nuk mungon as rituali i therjes së qingjave, që turistët i blejnë për drekën e shijshme familjare në lendinat e malit. Ka një pamje mistike i gjithë dekori dhe kjo prej hirit të baba Sari Salltikut, që pati ardhur në Krujë në mesin e viteve 1300 për përhapjen e bektashizmit. Ky shenjtor gëzon popullaritet të madh në këtë vend, në mbarë bektashinjtë shqiptarë e më tej. Deri në Sari Salltik qe ngjitur dhe konsulli fracez De Grand, që ashtu si Teodor Ippen e të tjerë i ka përshkruar monumentet e këtyre vendeve aty kah nëntëqinda. Shenji u “rikthye” si të gjithë shenjtërit e tjerë pas 90-s, atëherë kur Shqipëria pushoi së qeni mburrshëm e krenisht “vendi i vetëm ateist në botë”. Atëherë u realizua dhe ky memorial i shenjtërisë së tij, për të cilin njerëzit betohen kamot. Besimtarët e vjetër krutanë nuk e larguan asnjëherë shenjtin nga vetja dhe kur feja ishte e ndaluar... Pasi kanë provuar ndjesinë e misterit të fesë atje brenda, ku është dhe një krua me uji të ftohtë për të shuar etjen, pelegrinët shpërndahen lëndinave, te Fusha e Mejdanit etj. Bletë nuk sheh, as zgjoje, por luleve u vjen era mjaltë. Freski e ëmbël, pak mjegull dhe një diell që herë fshihet e herë del për t’u parë me njerëzit që kanë shtruar “sofrat” në livadh dhe pjekin mishin në zgarë. Është një fundjavë që ata përherë e më shumë e kalojnë këtu. Dikush e krahason këtë vend me Shna Ndoin e Laçit. Shenjtorët, të  besimeve të ndryshme, por të të njëjtit Zot, kështu i kanë pushtuar lartësitë e mundimshme, si për t’i thënë njeriut se ato janë qëllimi i jetës së tij, por që për t’i mbërritur lypën sakrifica. Dikush tjetër e krahason me Razmën turistike. Sido që të jetë, tashmë shqiptarët e shijonë natyrën e tyre, e cila dikur reklamohej nga propaganda vetëm për kullotat e blegtorinë.

Kruja, si krua historie dhe nostalgjie

Nuk di se nga t’ia fillosh me Krujën, pasi njerëzit dinë aq shumë për të, kush nuk e ka vizituar e parë në dhjetëra fotografi e filma. Historia është muza e saj e pavdekshme dhe Heroi Kombëtar që pret e përcjell maje kalit. Ndoshta nuk mund të ketë një përfytyrim tjetër për Gjergj Kastriotin, vetëm ashtu kaluar nëpër majat e historisë sonë, po dhe të Europës, si një kalorës e atlet i lirisë, që jo më kot i ka në Muzeun e Vjenës shpatën dhe përkrenaren. Krujën në fillim e kemi përjetuar si një ëndërr të fëmijërisë sonë, përmes tregimeve për kryetrimin. Shqiptarët e Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare shihnin dhe më shumë ëndrra të tilla. Ata të pakët që vinin ato mote me siguri që prisnin kostumin e ri për të qenë “dhëndër” të Krujës. Na kujtohet mësues Ismeti nga Malisheva, që zhbimja millosheviçiane e kishte sjellë në Shqipëri, i cili e kujtonte me nostalgji vizitën që kishte pas bërë në Krujë aty nga 80-a. Ndaj zor se do të ketë guidë që do ta zërë ndonjëherë Krujën të tërën brenda vetes. Por çfarë do të themi të re në këto shënime, kur është folur aq shumë? Ndoshta gjëja më e veçantë e kohëve të fundit është restaurimi i Pazarit të Krujës, i cili shtrihet në 170 metra linear. Vërtet nuk duket shumë për rreth 60-70 dyqane antikuaresh artistike dhe artizanale, por është autenticiteti që i përcakton vlerat e tij. Pazari i Krujës është më i vjetri në Shqipëri sipas specialistëve të monumenteve, të cilët dhe janë kujdesur që gjatë restaurimit gjithçka të jetë në vendin e duhur. Çfarë nuk të rrok syri? Të jesh këtu thjeshtë soditës është pak, jashtëzakonisht pak. Një enografi e pashembullt shpalohet, nga librat e hershëm te nagantat e dy shekujve më parë, qeleshepunuesit dhe qilimapunueset, që janë mbase dhe tradita krutane më e spikatur. Njeri nga vizitorët përzgjedh në qilimat e punuar me art, pasi nuk i pëlqen tapetet, kurse neve na shkrep nëse vazhdon dhe Luma të thurë qilimat e saj origjinalë? Tezgjahu është aty si për treguar se çdo gjë këtu është “bio” dhe jo ndryshe. Në traditë janë dhe sendet e punuara në baker, që turistët i marrin me vete për të stolisur vilat apo restorantet. Shqiponja është futur kudo, nga qeleshet e bardha, shalli i qafës e gjer prerësrja e thonjve, sa ti mendon a thua po teprohet në këtë mënyrë? Është për t’u vlerësuar kthimi dinjitoz te tradita pa deformime e shartesa, ku jo vetëm pazare të tilla historike e bëjnë këtë, apo muzeu etnografik brenda brenda në kala, por dhe një njeri i vetëm, Shtjefen Ivezaj në Tuz që e ka kthyer shtëpinë e tij fund e krye në muze etnografik dhe vetë fle në ballkon, apo poeti Gjon Gjergjaj në Klinë (Kosovë) që gjithashtu kullën e ka kthyer në një fole të relikteve të vjetra shqiptare mjaft pikante. Kruja të zgjon mendime e ndjesi dhe përtej të sotmes. Kërkon me sy si tridhjetë vite më parë Haxhi Gocin, një studiues i përvutë i kulturës krutane, kurbinase e më tej, i cili nuk mund të na presë më si dikur... por ja tek shfaqet para nesh një tjetër njohës i kësaj kulture, Baki Dollma, mësues dhe studiues i moshuar, librat e të cilit i sheh të ekspozuar në hyrje të kalasë.

“Krujë, o qytet i bekuar...” Kështu nis poema e famshme e Naimit për Skënderbeun. Por tashmë secili nga ne ka poemën e tij të Krujës, të shkruar dhe të pashkruar. Kruja është një sovrane e historisë sonë, siç na e paraqet dhe romani “Krasta Kraus” (Kreshta e Krujës) i shkrimtarit disident Bilal Xhaferri. Në Krujë janë shtresëzuar brezat dhe kulturat. Inxhinieri i pyjeve Hysen Kuqi ishte shuar në pyjet e Qafë Shtamës, por tridhjetë vjet më parë ne do të njihnim të atin e tij plak, Memin, me shtëpinë në krye të qytetit, një ish-tregtar i vjetër vendas, mbi profilin e menduar të të cilit koha e socializmit nuk kishte lënë asnjë gjurmë. Ai sikur kishte mbetur atje në botën e tij të dikurshme prej tregtari, zanat që e kishte ushtruar dhe në Tiranë, ku sot rrojnë pasardhësit e tij nipër e mbesa. Regjimi i lejonte Krujës vetëm të vjetrën që lidhej me atdhetarinë, po jo dhe me tregtinë, pasi kjo pillte kapitalizmin. Nuk kishte delegacion qeveritar të huaj që nuk vizitonte Krujën. Në mjediset e kalasë, me kullën e lartë në sfund valltarët e Ansamblit të Shtetit xhironin klipet e kohës. Nga veranda e Hotel-Turizmit ishte një kënaqësi poetike të kundroje fushën e pamatë e gjer detin. Kruja në atë kohë identifikohej jo më me pajtorin e vet shpirtëror, por me kalanë, Skënderbeun, muzeun e tij pozant dhe pazarin karakteristik, që nuk kishte patur fatin e keq të atij të Shkodrës të prishej. Vendi me histori kishte nxjerrë shkrimtarë, gazetarë, diplomatë, juristë të dëgjuar dhe libri ishte një përmasë e qytetit. Nuk e di sa është sot i pranishëm libri artistik në institucionet e shtetit (dyshoj se jo!), teksa asokohe jo vetëm biblioteka e qytetit, po dhe zyra e prokurorit të Rrethit kishte veprat e Naimit, Samiut, Nolit, Migjenit, Çabejt, përfshi dhe seritë me lidhje speciale të botuara në Kosovë. Kruja kishte gjithashtu dhe të ikurit e vet përtej Adriatikut, ku njëri sosh ishte dhe babai i Ana Oxas, këngëtares së njohur italiane të San Remos, që mediat italiane ndonjëherë e kanë përfolur si mbesë të diktarorit shqiptar Hoxha?!

Dhe një mbresë të fundit. Sa herë veja në Krujë në vitet ’80 te njerëzit e mi, që ishin bërë pjesë e atij qyteti me vite, ndalesha te një krua i vogël në mes të pallateve, vija dorën në gurë e pija me andje (duke besuar se dhe emri i qytetit vinte nga krua), uji i të cilit me siguri buronte atje lart, ku përhapte mirësi Sari Salltiku hirnor në paqe me botën.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx