Mendime
Arben Idrizi: Kamikazët në mesin tonë
E merkure, 06.05.2015, 06:50 PM
?Kamikazët në mesin tonë
Nga Arben Idrizi
Kamikazllëku është njëra nga shkallët më mizore të krimit. Është një tregues se nëse ndodh në një vend, mund të ndodhë në çdo vend. Nëse kryhet nga një pjesëtar i caktuar fanatik i një besimi, mund të kryhet nga secili pjesëtar tjetër fanatik i atij besimi.
Me dhjetëra e qindra herë, unë dhe të tjerë, kemi dhënë alarmin, me shkrimet tona, për rrezikun që po na kanoset nga ekstremizmi islamik, më konkretisht për mundësinë e fillimit të sulmeve terroriste në vend.
Mendoj se edhe nëse nuk kemi diçka më shumë e më mirë për të thënë, duhet t’i përsërisim ato që tashmë i kemi thënë.
Por, lajmi më i fundit që na vjen është për sulmin e dytë kamikaz të kryer nga një kosovar, Bujar Avdia, i cili la të vdekur pas vetes 36 ushtarë kurdë. Këtij akti makabër, natyrisht të himnizuar, dëshiruar dhe urdhëruar nga besimtarët fanatikë, i kanë prirë, si në një ceremoni barbarie, tërë ato akte të tjera makabre, si vrasje, heqje koke, etj., të kryera nga kosovarët, apo shqiptarët e vendeve të tjera, në vatrat e luftimeve, Siri, Irak, a gjetkë, si dhe veprimi i parë kamikaz, i kryer nga Blerim Heta, para plot një viti, duke lënë të vdekur mbi pesëdhjetë veta, mes të cilëve shumica civilë.
Kamikazllëku është njëra nga shkallët më mizore të krimit. Është një tregues se nëse ndodh në një vend, mund të ndodhë në çdo vend. Nëse kryhet nga një pjesëtar i caktuar fanatik i një besimi, mund të kryhet nga secili pjesëtar tjetër fanatik i atij besimi. Nëse ndodh një herë, mund të ndodhë pafundësisht herë. Për këtë, përherë kam shprehur bindjen dhe frikën se ne nuk jemi të përjashtuar nga mundësia e afërt e një sulmi kamikaz, të kryer nga njëri prej bashkëqytetarëve tonë. Përkundrazi, jemi shënjestra më e re, e për këtë ndoshta edhe më e dëshiruara.
Dhe nuk vjen gjithnjë shqetësimi e rreziku më i madh prej atyre shqiptarëve që tashmë gjenden në vendet e huaja të luftërave. Tashmë rreziku kryesor janë ata brenda që konsiderojnë se detyrë e tyre është të nisin luftën e shenjtë në vendin e tyre.
E megjithatë, do të ketë plot të atillë, si Albin Kurti, që do të dalin të thonë se, me këtë angazhim shtetëror kundër ekstremizmit dhe terrorizmit, shteti ynë po i shpall luftë Islamit.
http://www.gazetaexpress.com/oped/kamikazet-ne-mesin-tone-99048/