E diele, 10.11.2024, 05:59 PM (GMT)

Kulturë

Qazim Shehu: Dhoma e poetit

E merkure, 22.04.2015, 06:10 PM


DHOMA E POETIT

 

QAZIM SHEHU

 

Fjala torturohet si në qeli,

Vargu në letër përdridhet.

Rrjedhë që mbi tokë nuk rri.

Dhomë e poetit

Mirazh në shkreti.

Tundet si një kaike

Mbi dallgë të paqena,

Me një llambë skeptike

Mbi flokët e rëna.

Dhe nata jashtë thërret e ngutet

Të ikë në fundësirë,

Dhomë e poetit mbushet

Me zëra të shkrirë.

Janë zëra që vijnë dhe hyjnë

Në kutizën e ngushtë,

I përpin ai me sy,

U thotë të rrinë urtë.

Si, urtë mund të rrinë

Kjo dhomë vallë i mba?

Në këtë dhomë ku qelqojnë

Sytë e mureve në suva.

Prapë e prapë nga aty,

E zhubros letrën dhe e hedh,

Shaminë e letrës s`mundi ta përbirojë me sy,

T`ia verë në ballë natës së verdhë…

 

 

KRAHËT E TU

 

Krahët e tu si pema tek rruga,

Si pemët që shtrijnë degët,

Të përqafojnë hapat tanë,

Dhe hapat u largohen shpejtësisht,

Oh, krahët e tu që përqafojnë miturisht.

Sa herë largohen ato krahë

Shoh degët e varura nga pema,

Me to më ngjajnë,

Krahë lisi,bunge,rrapi idiot,

Para më dalin krahët e tu,

E ky imazh përherë lot.

Mbi ne gjithnjë rri varur

Diçka, të na përfshijë,

Ajo degë e tharë e krahut

Të një lisi rrënjështrirë,

Ajo degë peme dhe ftoi kokërrverdhë

Oh, krahët e tua që heshtin dhe mungojnë

E në krahë pemësh dua të pushtohem

Kur krahët e tu tjetrin përqafojnë……

 

 

PLAGA

 

Kur jap veten me tepri

Mbetem plagë e fjetur,

Gabim i njerëzve i rri

Kore mbi të mbetur.

Dëshirën s`e kam shmangur gjithëherë

Të notoj në det kur not  nuk di,

Më ka pëlqyer deti i dashurisë së mjerë,

Pa zgollat në thellësi…

 

 

DASHURI E PARË

 

Të prisja si makina dritëfikur

Në një tunel pa zë.

Burimin thirrja të shpëthente

Kur etja e kërkonte doemos.

O dashuri e parë…,

Verbërisht me këto fjalë

Më nuk loz.

 

 

NATYRË

 

Furi e gjetheve jep koncert

Përdridhet në degë zogu gjimnast,

Një re shfaqet në qiell si shenjt,

Dhe një tingull ndizet me kast.

Vija qielli në horizont

Dhëmbëzohen  në pentagram,

Një note, gjer atje s`e ngre dot

Po as këtu një notë s`e kam.

Gjithçka përvidhet bujarisht

Dhe humb diku e vjen,

Natyra në vete bredh lirisht

Kur shpirtin tënd s`e gjen…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora