E marte, 30.04.2024, 01:27 AM (GMT+1)

Mendime

Halil Matoshi: “Shkenca” kosovare fyen gratë

E premte, 13.03.2015, 08:26 PM


“Shkenca” kosovare fyen gratë

Nga Halil Matoshi

Le të sqarojmë një fakt të rëndësishëm: E folura qenka një tipar që natyra ia paskësh dhuruar femrës, kurse meshkujt qenkan bërë - për të bërë - po thonë studiues kosovarë të psikologjisë!? Këtë e di mirë ish-rektori i Harwardit, Lawrence Summers, i cili humbi vendin e punës, sepse ishte shprehur se femrat janë aq pak të zonjat për të përballuar shkencën, saqë në fushën akademike kanë shumë pak sukses…

Tetë Marsi duhet braktisur si një kremte ideologjike dhe e pakuptimtë për rrethanat kosovare dhe të zëvendësohet në kalendarin e festave zyrtare me një datë tjetër që do të celebrohej si “Dita e falënderimit të gruas”.

8 Marsi nuk është Dita e Nënës, siç pretendohet ende në Kosovë, sepse në shumë vende e kultura perëndimore Dita Ndërkombëtare e Nënës është 12 Maji.

Pra, në Kosovë është krijuar një traditë e mbrapshtë (relikt i komunizmit) që për këtë datë të urohen nënat.

Protesta e grave më 8 Mars, 90 vjet më parë në Chicago, merret nga disa vende ish-komuniste si ditë e grave, duke i dhënë kësaj date një interpretim ideologjik majtist. Të rikujtojmë se kjo ditë u zgjodh në kujtim të 8 Marsit 1857, kur rrobalarëset e New Yorkut u ngritën në protestë për të drejtat e tyre e kundër shtypjes e shfrytëzimit të egër, që u bëhej në punë atyre dhe fëmijëve.

Kurse në disa vende 8 Marsi shënohet në shenjë të tubimit të Kopenhagës, ku ishin mbledhur rreth 100 gra, përfaqësuese të disa vendeve evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nën kryesinë e Klara Cetkinit, ku u vendos që çdo vit 8 Marsi të përkujtohej si Dita Ndërkombëtare e Grave, por jo si festë, por si evokim sakrificash e për të shtruar kërkesa për barazi gjinore…

Shumë lule plastike dhe imazhe lulesh në internet rëndom ta shpifin vetë idenë e evokimit (edhe ashtu në këto hapësira të modeluara nga komunizmi).

Festa e Nënës në Itali p.sh. festohej dikur më 8 Maj, por tashmë është vendosur të festohet të dielën e dytë të majit, cilado datë qoftë ajo.

Festimi në "të dielën e dytë të majit" bëhet edhe në shumicën e vendeve të BE-së dhe në SHBA. Vende të tjera si Norvegjia p.sh. e festojnë në të dielën e dytë të shkurtit, Panamaja më 8 dhjetor, India më 10 maj, Argjentina në të dielën e tretë të dhjetorit, etj.

Festa e Nënës është festë antike, e lidhur fillimisht me kultin e pjellorisë së shenjtë dhe ndërrimin e stinës së ftohtë me të ngrohtën dhe ngjyrat e pranverës.

Më pas festa mori tone religjioze, e më vonë, siç ka ndodhur me shumë festa popullore, u përdor si festë komerciale.

Shumë fjalë boshe, madje edhe të shumë femrave, sikur të thonë të kundërtën e idesë themeltare.

Sepse një ditë “festë” për gratë d.m.th. një vit i tërë abuzimi me to.

Një vit që gratë kryesisht e kalojnë në rritjen e fëmijëve, në kuzhinë, pastrim, pra 364 ditë nga shtatë orë në ditë (mesatarisht.)

Caktimi i një pragu prej 30 % për pjesëmarrjen e gruas në Kuvendin e Kosovës është arbitrare, sepse “motivon” gratë që t’u shërbejnë liderëve burra ose strukturave partiake që përbëhen nga një shumicë burrash, duke i shndërruar gratë në “specie” poltroniste, me qëllim që të arrijnë të renditen kush më lart në listat partiake për zgjedhjet vendore dhe kombëtare në Kosovë.

Dhe kjo kuotë, ndonëse është bërë rregull në Kosovë, asnjëherë nuk garanton cilësi në ligjvënie, madje dekurajon gratë vërtet të arsimuara dhe të ngritura politikisht e intelektualisht që të pranojnë të jenë në lista të tilla të përpiluara nga burrat!?

Gruaja kosovare jo vetëm që është përjashtuar (nxjerrë) nga historia dhe nga shoqëria politike dhe ekonomike, jo vetëm që është e privuar nga trashëgimia në pronë, por ajo fyhet kurdo e qyshdo nga burrat seksistë, nga klerikët, dhe, ç‘është më skandalozja, edhe nga kinse - shkenca kosovare…

Sipas një hulumtimi të D4D-së, në çdo dhjetë gra në Kosovë njëra nga to punon dhe njëra është duke kërkuar punë, tetë të tjerat nuk punojnë dhe nuk janë duke kërkuar punë.

Andreas Polterman nga “Heinrich Boll Stifftung”, organizata që ka mbështetur këtë hulumtim, ka thënë se ky raport diskriminues i punësimit mund të jetë njëra nga arsyet e migrimit.

“Shoqëria patriarkale që nuk ofron mundësi të njëjtë punësimi edhe për gratë dhe që është e pabarabartë është një arsye më shumë që po i nxit qytetarët të emigrojnë. Barazia gjinore - hap drejt bashkimit evropian. Numrat e papunësisë joaktive janë alarmuese. Duhet te zhvillohet një shoqëri e arsimuar, me barazim gjinor në punësim”, ka thënë Polterman.

Përderisa Shyhrete Berisha (e mbijetuar e luftës së Kosovës) po luftonte me rrugë ligjore për rikthimin e pronësisë mbi trashëgiminë e saj të mohuar, pakkush në Kosovë, pra fare pak gra madje, e kanë mbështetur “luftën” e saj.

Lëvizja “Fol” ia ka ndarë çmimin simbolik për “Guxim qytetar” për vitin 2014.

Pos këtij rasti vërtet prekës, që prek sedrën e burrave të Kanunit (një kod mesjetar i gjakut tek shqiptarët), edhe disa institucione ndërkombëtare në Kosovë nuk janë imune nga abuzimi me gratë.

Diskriminimi tjetër i madh dhe fyes ndaj femrës është kushti i moshës në konkurset për punë që publikohen ne mediat kosovare: Kërkohen femra të reja, kryesisht të moshës 25-30 vjeçe, por dyshohet se në Kosovë është “shpikur” edhe një faktor i ri për të marrë ose mbajtur një vend pune: Kategoria e bukurisë!?

Në këtë kontekst, një bankë me kapital ndërkombëtar në Kosovë dyshohet se masivisht po i përjashtonte punëtoret e saj nga puna, për mungesë bukurie.

Mbi 50 veta të stafit të “ProCredit Bankës ” janë intervistuar nga “Gazeta Jeta” në Kosovë, përfshirë ish-menaxhmentin e kaluar, të cilët paraqitën një figurë shqetësuese të presioneve për t’i pezulluar njerëzit nga puna.

“ProCredit Bank” ka pushuar nga puna 389 persona tre vjetët e fundit.

Nga zyra për medie e bankës konfirmuan se numri total i të punësuarve në vitin 2011 ishte 1071, kurse, sipas BQK-së, numri është zvogëluar në 711 nga fundi i 2014-s.

Kurse, në anën tjetër, të gjitha këtyre sikur u doli në ndihmë shkenca kosovare: Në librin Psikologjia të shkollës së mesme, për klasën e 11-të, jo vetëm që shprehimisht huqet shkenca, por ajo u shërben autorëve për të ofenduar rëndë gratë.

Në kapitullin ku flet për trurin e njeriut, gjinia femërore përulet, ndërsa nxirret superior gjinia mashkullore. Aty shkruan se truri i femrës është për të folur, derisa ai i mashkullit për të vepruar.

Siç raporton portali Infokusi, në librin Psikologjia, i shkruar nga tre autorë me nam, Pajazit Nushi, Neki Juniku dhe Dashamir Bërxulli, nxënësit e shkollës së mesme mësojnë se si truri i femrës dallon nga ai i mashkullit.

Në këtë libër, në kapitullin me titull “Seksualiteti dhe gjinia”, nxënësit e klasave të 11-ta mësojnë se si truri i mashkullit është për të bërë dhe ai i femrës për të folur. “Rezultati është që te trurët janë lidhur në mënyrë të ndryshme; truri i mashkullit për të bërë dhe ai i femrës për të folur”, shkruan në librin Psikologjia.

Përderisa “shkencëtarët” kosovarë nuk e shpjegojnë dot “zbulimin e tyre epokal”, se çfarë po ndodhka kështu me trurin femëror?

Për këtë arsye “llafazania femërore” është thjesht çështje e anatomisë.

Neuropsikiatrja kaliforniane, Louann Brizedine, në librin “Truri femëror”, pohon se truri i një femre dhe truri i një mashkulli ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri për shkak të aktivitetit të ndryshëm hormonal, sepse pjesët e trurit të ngarkuara për të folur janë më të zhvilluara së paku për 20 për qind më shumë tek femrat se te meshkujt.

Progesteroni dhe testosteroni janë elementet bazë të sjelljes dhe identitetit, me të gjitha pasojat e mundshme.

Porse ky tipar nuk ka fare lidhje me paaftësinë për të bërë (që sipas ekspertëve kosovarë po i shquaka meshkujt) dhe paaftësinë për t’u marrë me shkencë, sipas ish-rektorit të Harwardit, Lawrence Summers, i cili humbi vendin e punës sepse u shpreh që femrat janë aq pak të zonjat për të përballuar shkencën, saqë në fushën akademike kanë shumë pak sukses…

Në këtë kontekst, jo vetëm një vend si Kosova me një trashëgimi kanunore represive ndaj femrës dhe me një shumicë relevante islame, që po ashtu është si burim diskriminimi, porse edhe shumë vende perëndimore nuk janë imune ndaj abuzimit me të drejtat e grave.

Fituesja e sivjetshme e çmimit “Oscar” për rolin më të mirë dytësor, Patricia Arquette (“Boyhood”), nuk harroi ta falënderonte çdo grua që lufton për të drejtat e saj.

Ajo u mbështet në mënyrë agresive nga legjenda Meryl Strip dhe nga shumica e grave pjesëmarrëse, kur kërkoi që gratë të paguhen njësoj si burrat për punët e njëjta.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora