Mendime
Adil Fetahu: Më shumë respekt për Mësuesit
E premte, 06.03.2015, 08:51 PM
MË SHUMË RESPEKT PËR MËSUESIT, JU LUTEM !
- Me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit -
Nga Adil FETAHU
Sot, më 7 mars, është Dita e Mësuesit, festë e një dite që shënon një ngjarje të rëndësishme arsimore e kulturore në historinë tonë kombëtare. Në ditën e 7 Marsit 1887, do të thotë sot e 128 vjet më parë, në Korçë u hap shkolla e parë shqipe, kombëtare, publike, të cilën në një mënyrë e lejoi pushteti osman, si shkollë laike, me mësim e libra në gjuhën shqipe, pa asnjë përmbajtje fetare. Në atë Mësonjëtore vijonin mësimin nxënës të dy gjinive, të gjitha shtresave popullore e pa dallim feje. Mësohej, lexohej, shkruhej e këndohej vetëm shqip. Ishte kjo një arritje e madhe, si kurorëzim i suksesshëm i angazhimit dhe përpjekjeve të pareshtura të rilindësve e patriotëve tjerë shqiptarë. Mësonjëtorja e filloi punën me 35 nxënës, për të arritur në 60 nxënës vetëm pas dy muajve, kurse në vitin e dytë numri i nxënësve arriti në 300. Drejtuesit dhe mësuesit e parë të Mësonjëtores ishin figura të njohura të Rilindjes kombëtare shqiptare, si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj. Lëndë mësimore ishin: shkrim, këndim (lexim), histori, gjeografi, aritmetikë, dituri natyre, edukatë fizike.Të gjitha këto mbaheshin vetëm në gjuhën shqipe. Tekstet e përdorura për mësim i kishin përgatitur rilindësit e njohur: Sami Frashëri (Abetaren dhe Gramatikën), Jani Vreto (Matematikën), Naim Frashëri (Historinë). Atdhetari Diamant Terpo e kishte falur shtëpinë e tij për nevojat e Mësonjëtores (sot ajo shtëpi është muze kombëtar). Për 15 vjet sa punoi Mësonjëtorja e Korçës ishte një dritë në errësirën e kohës, e cila tregonte rrugën kah duhej dalë prej asaj errësire e obskurantizmi të imponuar nga pushtimi otoman dhe propaganda e veprimi agresiv i kishës ortodokse greke e sllave. Sado kohë të shkurtër që punoi, Mësonjëtorja zgjoi ndërgjegjen kombëtare shqiptare. Shumë nxënës të asaj Mësonjëtoreje u bënë figura të njohura në shërbim të lirisë dhe përparimit të atdheut. Katër vjet pas hapjes së Mësonjëtores së parë, po në Korçë u hap Shkolla e Vashave, e udhëhequr nga Gjerasim e Sevasti Qiriazi, që poashtu ishte me shumë rëndësi për emancipimin e femrave shqiptare.
Është e vërtetë se edhe shumë vjet para hapjes së Mësonjëtores së Korçës, madje që nga viti 1630 e tëhu, në trojet shqiptare ka pasur shkolla të ndryshme private, në të cilat është folur gjuha shqipe, sepse nxënësit ishin shqiptarë, por në ato shkolla dominohej përmbajtja fetare dhe gjuha e huaj dhe nuk mësohej, nuk lexohej as nuk shkruhej shqip, nuk mësohej për historinë as identitetin shqiptar, por kryesisht i shërbenin propagandës së huaj. Prandaj, për arsye të karakterit thjeshtë kombëtar shqiptar, Mësonjëtorja e Korçës konsiderohet si shkolla e parë shqipe, dhe 7 Marsi është caktuar si Dita e Mësuesit, për ta kujtuar atë ngjarje historike-kulturore. Kjo datë në Shqipëri festohet që nga viti 1960, ndërsa në Kosovë pas vitit 1990, kur shkolla shqipe dhe arsimi shqip u shkëputën krejtësisht nga sistemi i arsimit dhe bazave të përbashkëta të nivelit jugosllav-serb. Në shumicën e vendeve të botës, Dita e Mësuesit festohet më 5 tetor, datë të cilën e ka caktuar UNESCO.
Ish-normalistët (ish-mësuesit) kremtojnë 7 Marsin – Ditën e Mësuesit
Disa herë
kemi shkruar për ish-normalistët e Normales së Prishtinës, të gjeneratës
1956-1961, se janë gjenerata e vetme më e organizuar në të gjitha trojet shqiptare, e ndoshta edhe shumë më
gjerë, të cilët mbajnë takime të
përvjetshme, të shtunën e fundit të muajit maj, por në grupe më të mëdha apo më
të vogla takohen edhe shumë herë gjatë vitit, për raste të ndryshme. Veçmas nuk
e lënë pa u takuar për Ditën e Flamurit (28 nëntor), dhe për Ditën e Mësuesit
(7 mars).
Nga një takim i ish-normalistëve të Prishtinës, gjenerata 1956-1961
Njëqintenjezetetetë vjet pas Mësonjëtores së parë, të arriturat e arsimit në gjuhën shqipe janë kolosale, ndonëse gjithmonë arsimi ishte halë në sy të pushtuesve dhe të armiqve tanë sllavo-grekë. Në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare jashtë shtetit amë, në mënyrë të vazhdueshme është bërë presion ndaj shkollës e gjuhës shqipe, ashtu që historia e arsimit shqip është e mbushur plot me ngjarje të dhembshme. Në Çamëri nuk ekziston as germa “A” nga fjala e arsimit në gjuhën shqipe, atje madje as nuk guxojnë të “llafosin” shqip në lokale as në vende publike, përveç ndoshta kur janë të mbyllur në shtëpi. Forma e parë e gjenocidit mbi shqiptarët e Kosovës në dekadën e fundit të shekullit të kaluar ka nisur mu nga arsimi, duke i përjashtuar shqiptarët nga objektet shkollore, duke ndërprerë financimin e arsimit shqip, dhe duke ndjekur e persekutuar mësimdhënësit. Megjithatë, falë përpjekjeve maksimale të njerëzve të ditur e të përkushtuar, dhe me përkrahjen e popullit, arsimi është mbajtur, ruajtur, zhvilluar e përparuar. Jo sa e si kishim dashur, por aq sa kanë lejuar rrethanat dhe mundësitë reale të kohës. Përkundër zhvillimit të hovshëm nga aspekti i masivizimit të arsimit, nuk mund të jemi të kënaqur sidomos me cilësinë e mësimit dhe edukimit. Janë bërë shumë eksperimente me reformat në arsim, të cilat siç po shihet janë të dështuara, ngase nuk u janë përshtatur kushteve, rrethanave dhe nevojave të vendit. Ende ka përmbajtje në tekstet mësimore që duhet “herrur, hequr e futur përmbajtje të re, më të përparuar dhe në pajtim me nevojat bashkëkohore dhe perspektive. Duhet pasur kujdes në përgatitjen dhe angazhimin e personelit në arsim, sepse edhe aty ka njerëz që nuk janë në nivelin e detyrës dhe misionit të mësuesit-profesorit, nuk e kryejnë detyrën si duhet, nuk kanë njohuri pedagogjike as qëndrim e kriter objektiv.
Kemi bindjen, se në lëmin e arsimit në Kosovë është bërë punë e mirë në ndërtimin e objekteve dhe zgjërimin e kapaciteteve, pajisjen me mjete bashkëkohore, përmirësimin e pozitës materiale dhe kushteve të punës së mësimdhënësve, por përkundër këtyre investimeve të natyrës materiale, rezultatet nuk janë fare të kënaqshme, për të mos thënë se janë katastrofale, në të gjitha nivelet e arsimit. Ka rënë vlera, kriteri, vullneti, enthusiazmi i punonjësve të arsimit, angazhimi për mësim dhe disiplina e nxënësve e studentëve, autoriteti i mësimdhënësve. Degradimi ekonomik dhe moral i shoqërisë po manifestohet shumë negativisht në fushën e arsimit, gjë që është me pasoja afatgjata e të pariparueshme për shoqërinë tonë. Në kushte dhe gjendje akoma më të keqe është arsimi në viset e tjera shqiptare, jashtë Kosovës: në Maqedoni, Luginën e Preshevës, Mal të Zi, kurse për shqiptarët në Greqi as që bëhet fjalë. Këta ish-normalistë e ish-mësues, ndiejnë dhembje në shpirt kur shohin se si është degraduar arsimi e si është denigruar figura e mësuesit. Dikur mësuesi ishte autoritet në shkollë, në lagje, në fshat, në popull në përgjithësi. Sot mësuesi është një intelektual i mjerë dhe i përçmuar. Figura e tij jo që nuk vlerësohet e respektohet, por duket se urrehet; nuk ka autoritet as te nxënësit e klasës, e lere më ma tutje. Në shkollë nuk ka disiplinë dhe derisa mësuesi mund të përjashtohet prej pune për gabimin më të vogël “pedagogjik”, nxënësi nuk mund të përjashtohet për asnjë shkelje të disiplinës, madje as edhe nëse kryen ndonjë vepër penale në shkollë. Kështu është gjendja sot në të gjitha nivelet e arsimit. Prandaj, këta ish-mësues bëjnë apel, që shoqëria (shteti) të merr masa për ndryshimin dhe përmirësimin e gjendjes në arsim, të shtohet kujdesi dhe respekti ndaj mësuesit dhe arsimit.
Të gjithë mësuesve, të të gjitha niveleve të arsimit të shkollës shqipe, kudo që punojnë, ju urojmë:
Gëzuar 7 Marsin – Ditën e Mësuesit!