Kerko: Remzi Salihu
Remzi Salihu: Poezi nga Hans Georg Bulla
E merkure, 11.03.2015, 08:05 PM
HANS
Hans Georg Bulla u lind më 1949 në Dylmen (Vestfalen, jeton në Kalbrun). Merret kryesisht me poezi dhe prozë të shkurtë. Ka botuar disa përmbledhje me poezi dhe prozë. Në bibliotekën e mirënjohur ‘‘Suhrkamf’’ ka botuar përmbledhjet me poezi ‘‘Vazhdimi‘‘ më 1980 dhe përmbledhja ‘‘Notuesi’’ 1982. Poezinë e këtij autori e karakterizon shtimungu i lirizmit dhe fryma realiste. Ky autorë me mjeshtri të rrallë evokon të kaluarën, fëmijërinë e ikur dhe dashurinë për vendlindjen. Në vargjet e këtij poeti vibron një ton melankolik dhe me një stil lakonik jep momente të shpresës dhe fatit, të dëshirave dhe humbjeve të shumta, madje lidh me mjeshtëri të kaluarën me të sotmen, tërë këtë atmosferë e bën me një intensitetet të qetë. Në disa poezi jep imazhe të bukura të vendlindjes, kështu që poezia e tij, nga dita në ditë, bëhet më e kërkuar.
KËRKESA
PËR ENGJËLL
Ato vijnë nga Bambergu
esëll siç vjen fati,
me një tren më herët.
Ose shkojnë mbi liqe
me hapa të sigurt,
me pulëbardhat mbi supe.
Dhe qëndrojnë në gardërobë
ndërmjet manteleve të zbrazët,
me njërin gisht në buzë,
i mbylli unë dosjet e tyre.
NDARJE
Nën dritën pranë tryezës
së rrumbullakët, hijet mbeten
të shtanguara në mur.
Aty pranë një karrige e zbrazët
nuk mund ta sjellë
frikën më në këtë vetmi.
Kjo tryezë është vetëm një tryezë,
një karrige është vetëm një karrige
e ndarjes, çohu shko.
PËRSHKRIM I SHKURTËR
Një letër të rreckosur,
e ke dërgua, ka arritur,
në ajër e ke braktisu.
Dëshira është letër e copëtuar,
një gjurmë e rreckosur,
që s’bëhet kurrë e plotë.
HIJET
E hodha gurin
Si një zog, ai fluturon
i përhimët kundrejt qiellit,
zhytet brenda në liqe dhe
zhduket, ai fluturon
i përhimët kundrejt tokës.
AROMË E FRESKËT
Një mëngjes me diell të kuq,
me aromë të freskët nëpër livadhin e kositur.
Kaloi një fëmijëri e vogël mbi breg.
Verën e kërkova në katër gjethet e tërfilit,
lëpjetat i mbaja të shtrënguara në grusht,
dhe mbeta përgjithnjë i hidhur në gjuhë.
Pranë këtij kopshti ishte një kosë e mprehur.
Një mëngjes me një diell të kuq,
që sillte aromë të freskët nëpër livadhin e kositur.
FUNDE TË HAPURA
Përqafimi nga hekurudha,
ndarja para hotelit.
Ne të dy së bashku
nuk mund të shkojmë përpara
Funde të hapura të frikës,
por ne ushtrojmë zanatin e dëshirave.
Shputat e vetme të dorës janë ato
që na përshtaten neve të dyve.
NË LIRI
Uji nën akull,
ai rrjedh, ditët
e ngrohta do të vijnë.
Një dorë që rri hapur,
është krejt ajo çka më duhet,
është krejt ajo çka dëshiroj.
Një ditë e mbarë iku,
ajo s’është më, ajo s’mund të kthehet.
Kështu është çdo nisje e mbarë.
Uji nën akull,
ai rrjedh, ditët
e ngrohta kanë arritur.
PËRMBI VEND
Ne tërhiqemi zvarrë, ne shkojmë. Nëpër
lartësitë e kthjella, midis barit
të lagur. Eja, unë do të ndihmoj ta kalosh
ujin. Vetëm një kërcim i vogël na duhet
neve tashti s’na mungon fuqia.
Njëri-tjetrin do ta bartim në shpinë,
kodrës matanë të fluturojmë
që shalli pas neve gjatë të valëvitet,
e sytë të na hapen përmbi breg.
Këtu ne mundim përsëri të zbresim.
Ende era neve na mban për flokësh.
Eja, unë do të ndihmoj ta kalosh
ujin, vetëm një kërcim i vogël na duhet.
neve tani s’na mungon fuqia.
DITËLINDJA
Miqësisht më kanë rënë në duar
Ca zogj të vegjël.
Sytë e kuq prej qelqi.
Këmbët e blerta prej druri.
Kurse sqepi i tyre
hyn thellë në lëkurën time.
Që frika të mund të fluturojë
lart si të gjitha dëshirat e mia.
ME RËRË
A do të tërhiqet anija
nga bedeni i limanit, ti mos
rri aty më tepër se sa mundesh.
Besoi hekurit, ndryshku është i ri dhe
lulëzon freskët nëpër binarët mbi ujë.
Biseda të gjata vetëm për rërë
dhe kohë, rëra në pantallonat e bregut
ta sjell prapë rrugën ty.
Përktheu nga gjermanishtja: Remzi Salihu