E diele, 04.05.2025, 03:55 PM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Drita shqiptare e Skandinavisë

E premte, 06.03.2015, 09:14 PM


Drita shqiptare e Skandinavisë

(Daja e fshikullon pa dorëza imperializmin pansllavist, holokaustin komunist dhe fanatizmin islamik, duke medituar gjithmonë për rikthimin e organizuar të shqiptarëve në fenë e Gjergj Kastriotit tonë të shenjtë.)

Nga Baki Ymeri

I bekuar nga Zoti gjatë këtij viti me 80 pranvera (1935-2015), duke botuar dy fjalorët e fundit (Shqip-Suedisht dhe Suedisht-Shqip) me mbi 50.000 fjalë, duke botuar në ndërkohë edhe fjalorë tjerë, doracakë për fëmijë, një gramatikë të gjuhës shqipe dhe 4 vëllime me poezi, Sadulla Zendeli Daja e ka përmbushur misionin e tij historik. Kushtrimi i tij kundër shpërnguljes t’i përkujton vargjet e flamurtarit të lirikës shqipe në Gjermani, Neki Lulaj: Heeeej,  ore ju!/ Me të mirët e mi!/ Mos e braktisni djepin shqip të Arbërisë/ Se atje kurrë nuk shterren ëndrrat/ E atdhetarëve dhe heronjve/ Rrini në Parajsën e engjëjve/ Që e bekuan perenditë!? Atje  buron energjia hyjnore/ Ku sërish çdo gjë do të rilindë”.

Daja apo Mërgim Vardari, nuk është kush tjetër veçse Drita Shqiptare e Skandinavisë që i ushqen mërgimtarët me dritë. Jeta e tij është modeste, shpirti i tij është i florinjtë, ndërsa vepra e tij është titanike, një shembull i rrallë i cili përçon dritën e rilindësve tanë. U lind në Sërmnovë të Gostivarit, iku nga përndjekjet e shovinizmit pansllavist, dhe jeton sot e kësaj ditë në një godinë të bukur mbi restorantin “Shqiponja” në zemër të Suedisë. Biblioteka e tij shëmbëllen me një tempull drite. Ashtu siç nuk mund t’i thuash diellit, ndal e mos ndriço, ashtu nuk mund t’i thuash Dajës, ndal e mos pusho! Daja digjet si qiriu i Naimit për kauzën kombëtare. Lexon, shkruan, boton dhe merr pjesë në çdo manifestim të bashkatdhetarëve tanë në veri të kontinentit. Jeta dhe vepra e tij na e përkujton flamurtarin e “Dritës” shqiptare të Bukureshtit.

Në çdo manifestim që bëhej në Bukuresht, Naço i tubonte anëtarët e shoqërisë “Drita” dhe me flamur në ballë kalonin rrugës duke kënduar këngë kombëtare. Këtë e bënte në shenjë propagande për Shqipërinë dhe për lëvizjen kombëtare. Ai ishte simbol e sinonim i shqiptarizmit në Koloninë Shqiptare të Rumanisë. Nga çdo anë që do të vinte ose do të sillte rruga në Bukuresht ndonjë shqiptar, emri i tij përmendej dhe identifikohej Kolonia me xha Naçon, me dëshirë që të takohej e të frymëzohej nga ai. Shpeshherë informohej edhe nëpërmjet shtypit të Bukureshtit për ndonjë manifestim ose për vizita kolektive, duke menduar se aty do të haste ndonjë shqiptar. Zisi Stavre për këtë na e përmend një episod: “Një ditë gazetat lajmëruan se po vinte në Bukuresht një grup studentësh turq si miq të Rumanisë... Kur arriti treni, filluan të zbrisnin studentët, Naçua hyri në mes tyre dhe po i  pyeste nëse kishte ndonjë shqiptar. Në këtë moment iu afruan dy studentë dhe i thanë se ishin shqiptarë dhe se gëzoheshin mjaft kur vështronin një pankartë në gjuhën amtare. Xha Naço i përqafoi dhe u tha: “Dëgjoni more evlatët e mi. Ju keni ardhur me studentët turq, ata nuk i kemi armiq, por në shkollat e Stambollit juve nuk jua mësojnë historinë e Shqipërisë. Ne, more evlatët e mi, kemi një histori të shkëlqyer, flamuri ynë ka qenë i nderuar nga të gjithë popujt”. Në shpirtrat e tyre të njomë ngjalleshin krenaria kombëtare dhe dashuria për popullin tonë. Nikolla Naço, kudo që i jepej mundësia, propagonte shqiptarizmin dhe frymëzonte patriotizmin.

Një element interesant dhe impresionues që kultivon Daja gjatë shkrimeve apo letërkëmbimit të tij, është zhvillimi i ndjenjës së humorit. Shkrimtari po qe se e braktis humorin, duhet ta thejë pen(d)ën. Nuk është as i pari dhe as i fundit në këtë kategori krijuesish të njohur, siç ishin dikurë Çajupi, Ali Asllani, Fan Noli dhe Faik Konica, apo siç janë sot Ramiz Kelmendi, Kolec Traboini, Kalosh Çeliku e të tjerë. Kaloje kohën me njerëz që të ndihmojnë të shikosh anën e mirë të gjërave, dhe, sipas mundësive, evitoji ata që ta prishin disponimin! Daja jep lekun e fundit për botime librash, pa marrë parasysh faktin se paraja është heroi kryesor i të gjitha gjërave (përfitime legale dhe ilegale). Paraja dhe mençuria e tij shkojnë në favor të atdheut dhe respektit të tij ndaj vendlindjes, bashkatdhetarëve dhe Europës. Daja e fshikullon pa dorëza imperializmin pansllavist, holokaustin komunist dhe fanatizmin islamik, duke medituar gjithmonë për rikthimin e organizuar të shqiptarëve në fenë e Gjergj Kastriotit tonë të shenjtë.

Duke deshifruar stinët e poetit, Dajën e hasim duke çarë dru në dritën e hënës së dimrit. Pastaj vjen stina kur Daja i moshuar rradhit libra në bibliotekë. Biblioteka e Dajës është njëra nga bibliotekat më të pasura në trojet e Skandinavisë. Vepra e tij e mbron personalitetin dhe dinjitetin e poetit patriot dhe leksikograf. Vetëm me njerëz të këtillë, të kalitur shpirtërisht, mund të ngritet Shqipëria e nesërme, ku respekti është një cilësi hyjnore.  Respekti ndaj librit dhe diturisë, ndaj Kosovës kreshnike dhe Shqipërisë historike. “Ndihem e previlegjuar dhe krenare për respektin që më keni bërë. Fjala është për dërgesën e Fjalorit Shqip-Suedisht me 35.000 fjalë që u Botua nga Shtëpia Botuese ”Toena”, Tiranë 2014. Është nder dhe kreanri të shpërblehesh me fjalorin e Juaj, autor i një monumenti leksikografik. Ishte kënaqësi e madhe që ju takova prap pas 20 vjetësh, kur unë së bashku me familjen ishim të vendosur në kampin e refugjatëve në ishullin magjik Öland në Byrum, ku Ju ishit përkthyes për refugjatët nga Kosova”. (Igballe Kelmendi Nici)

Duke fluturuar përsipër reve, njerëzit e kanë mëndjen më të çiltërt. Në vargjet e Dajës shungullojnë dallgët e Vardarit, fëshfërijnë gjethet e malit dhe vërehen fluturimet lirike kur: “Era e qetë zë lëshon/ Bari i njomë loton/ Zogjtë cicërojnë/ Thërrima buke kërkojnë”. Cilat janë heshtjet e Dajës? “Njerëzit ecin në heshtje/ Asnjë zë nuk dëgjojnë// I hedhin një sy heshtjes/ Asnjë fjalë nuk e thonë/ Këmbësorët kalojnë/ Këngën e ndalojnë/ Ndalen dhe me heshtje/ Këngëtarët i nderojnë”. Duke bredhur gjurmave të ëndrrave të Dajës, kuptojmë se “Njerëzia lind e rritet/ Rruga e heshtjes përsëritet/ Armiku vjen më këmbë

Dhe pa kokë shkon...// Heshtjen me eskavator e mbulon/ Vendi dhe heshtja dëshmojnë/ Se historia ngjarjet i shënon”.

Ëdrra është rruga mbretërore drejt inkoshiencës. Ajo funksionon si një paradigmë. Njeriu me biografi të ngatërruar, zakonisht sheh ëndrra me varreza, ujq, qenj apo gjarpërinj. Ëndrra të këtilla nuk don të thotë se nuk sheh, herëpashere, edhe njeriu me biografi të kristaltë. Sipas Shilerit, “Të jetosh don të thotë të ëndërrosh. Të jesh i mençur don të thotë të ëndërrosh gjëra të këndshme”. Të vetëlavdërohem se shpeshherë kam parë ëndrra me rafte librash në natyrë, ndoshta po e teproj! Biografia e Dajës është briliante. Cilat janë ëndrrat e Dajës? Që Gostivari t’ia krisë gjumit pranë Tiranës, që Kosova historike të shtrihet deri te brigjet e liqenit të Ohrit, realizimi i dëshirave për rezolvimin e problemeve, Shqipëria e bashkuar, imagjinata erotike: “Ëndërroja për ty bukuroshe xhanë/ Përfytyroja një emër gruaje zanë/ Gjithmonë e mbaja në zemër/ E doja më shumë se vetëveten/ E kisha në shpirtin tim të ndjerë/ Ishte e bukur porsi një pranverë// Mos je në ëndërr moj bukuri/ Dua të martohem përsëdyti me ty”. (Ëndërroja). Dashuria e vërtetë qëndron vetëm në zemrat fisnike. Respekti i Dajës ndaj femrës dhe atdheut është intenziv dhe permanent. “Nderoni gratë! Ato gërshtojnë dhe qëndisin trëndafila qiellorë në jetën tokësore”, theksonte Shileri në kohën e tij. Gëzuar 80 vjetorin e lindjes, o Dajë!



(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx