E shtune, 04.05.2024, 06:48 PM (GMT+1)

Kulturë

Ndue Dedaj: Viti i Xhevahirit dhe ora e poezisë

E marte, 03.03.2015, 07:33 PM


VITI I XHEVAHIRIT DHE ORA E MBETUR E POEZISË

NGA NDUE DEDAJ

Shtypi letrar-kulturor i së dielës lajmëroi përmes shënimesh, skicash dhe ciklesh poetike vitin e Xhevahir Spahiut, poetit që për bujtinë zgjodhi “ferrparajsën”, më e virtytshmja strehë për çdo poet qysh nga zanafilla. Por dhe një takim në Akademinë e Shkencave për paraqitjen e librit “Udha”, në dy vëllime, me poezi të zgjedhura të autorit. E njoftimi për një poet të tillë të “xhevahirtë” nuk mund të vinte ndryshe, por veç kështu, njerëzisht, nga njerëzit e letrave. Si duket poetët asnjëherë nuk janë miq të hierarkive politike apo të (pu)shteteve. 70 vitet e tij janë një rebelim estetik si i çdo poeti tjetër ballkanas. Jo rastësisht ky poet i dëgjuar që nga vitet ’70 ka bërë punë të thjeshta, mësues i shkollës së mbrëmjes, redaktor, pa iu besuar ndonjë funksion zyrtar, kur funksionarët e kulturës më së shumti ishin anonimë. E gjitha kjo se vepra e tij “kishte patur një problem me lirinë”, po të përifrazojmë një frazë nga fjalimi i Kadaresë me rastin e marrjes së çmimit “Jerusalem” në Izrael. Poezia e Xhevahirit ishte marrë si shembull i dekadencës nga kupola më e lartë e shtetit, drejtpërdrejt kreu i saj. Por ai nuk mund të ishte ndryshe as më pas, 36 vjet më parë do të botonte një poezi të pazakontë befasuese me titullin “Poezia”, përmes së cilës iu drejtohet zogjve, si nga Orakulli i Delfit, duke iu kumtuar se ata kanë një armik për vdekje.

“Zogj, keni një armik për vdekje.

Do t’ju shkulë pendët e t’ju thyejë krahët,

do t’ju kthejë në gurë të palëvizshëm e pa zë.”

Duhet lexuar e rilexuar kjo poezi për kumtin e saj siperan, të tejkohshëm. Armiku më i madh i poezisë sot nuk është më diktatura që rrëmonte dykuptimësi në poezinë e viteve ’70-’80, por braktisja, mosleximi i saj. Nuk është më penguese filozofia e Xhojsit në poezinë e Spahiut (“jam ai që nuk kam qenë/ do të jem ai që nuk jam”), metafora hermetike e “fikut të detit”, “dielli dhe rrëkerat” e të tjera risi poetike të kohës. (Xhevahir Spahiu, Moikom Zeqo, Rudolf Marku, Viktor Qurku janë disa prej poetëve, poezia e të cilëve u vu në shënjestër, teksa poetëve Havzi Nela, Vilson Blloshmi, Genc Leka poezinë do t’ua kthenin në litar, e fati i Frederik Rreshpjes, Pano Taçit, Visar Zhitit ishte sigurisht në rrathët e ferrit, por këndej vdekjes.) Nuk janë më barrierat ideologjike, po nëse Xhevahirit energjik i është dëmtuar kujtesa, për shkak të një goditje cerebrale, ne të tjerëve na ka lënë “kujtesa” e poezisë, njëri nga shtatë artet e lashtësisë, por jo dhe i të sotmes. Poezia si lexim duket një gjë e largët, si të këtë shkarë në “kalendat greke”, te Safo, Arkiloku e Pindari. Nuk na është bjerrë ende vetëm një lloj poezie, a më mirë më thënë, vjershërie... ajo me tone patriotike.

Çfarë poezish mësojnë nxënësit tanë?

Në konkurset e fjalës artistike në shkolla e veprimtari të tjera letrare nxënësit thonë përmendësh ato poezi që recitonin dhe stërgjyshërit në kohën e Rilindjes. Mësuesit dhe tekstet shkollore i shtyjnë ata drejt një vjershërie që mund të mësohet më lehtë, sigurisht dhe për përmbajtjen kombëtare që kanë vjershat e asaj kohe, por nuk duhet të mbetemi vetëm aty, aq më tepër duke i deklamuar në publik në mënyrë patetike i madh e i vogël, vend e pa vend. Nuk duhet tepruar me vjersha fondamentale si: “O moj Shqipni” e Pashko Vasës, “Bagëti e Bujqësi” e Naimit, “Shqiptar” e Çajupit, “Lirisë” e Mjedës, “Lulëkuqaja” e Asdrenit, “Këngët e rinisë” të Migjenit e të tjera të një konteksti social-historik të caktuar, ku në këtë frymë dhe nga Fishta recitohen vetëm pjesë nga “Lahuta e Malësisë”, apo “Gjuha shqipe”, por jo dhe poezi si “Nji lule vjeshte” etj. Nuk deklamohen as “Këngët e Milosaos”, lirikat e Zef Serembes, lirikat filozofike të Naimit etj. Duke u marrë vetëm me këtë natyrë poezie, rrallë përzgjidhet për recitim diçka nga poezia bashkëkohore shqiptare dhe ajo e poetëve europianë e botërorë. Kjo dhe për faktin se poezia moderne nuk njihet mjaftueshëm nga mësuesit. Antologjitë nuk është se e mbushin këtë boshllek. Çudia është se ndonjëherë fëmijëve të ciklit të ulët poezitë ua zgjedhin prindërit, nga interneti (!?) Dhe mësuesit e pranojnë këtë “kontribut” amatoresk të prindërve! Nuk është fjala për t’i rënë mohit gjithçkaje, në gjimnaze bëhet mirë përzgjedhja e pjesëve nga letërsia klasike, pasi fundja nuk të lënë ta gabosh Danjta, Shekspiri, Gëtja etj., po kur është fjala për poezinë e sotme, as aty nuk bëhet ajo që do të duhej.

Ndaj lypet reflektim për këtë çështje, që ka të bëjë me formimin letrar të nxënësve, veçanërisht atyre të shkollave të mesme. Ata i njohin deri diku poetët e traditës, por a e njohin dhe poezinë e Martin Camajt, Fatos Arapit, Ali Podrimjes, Azem Shkrelit, Agim Vincës, Eqerem Bashës, Preç Zogajt, Hamit Aliajt, Ilirian Zhupës, Anton Paplekës, Sadik Bejkos, Petrit Rukës, Mimoza Ahmetit, Luljeta Lleshanakut, Lindita Arapit, Rita Petros, Ferik Ferrës, Nokë Sinishtajt etj. Në kushtet kur ka mungesë antologjish të mirëfillta letrare, mësuesit, me ndihmën e studiuesve të letërsisë dhe shkrimtarëve, mund të sajojnë vetë “antologji” me krijime nga letërsia shqiptare dhe e huaj, sipas grupmoshave të nxënësve. Janë përgatitur disa tekste letërsie alternative për shkollat e mesme dhe asnjë antologji, që nga “Maja e çelur” para njëzet vitesh, kur tashmë duhej të kishim jo vetëm antologji të poezisë dhe prozës, por dhe të satirës, dramës etj. Është një problem për të cilin është folur shumë dhe profesionalisht, po që nuk ka gjetur zgjidhje. Shtëpitë tona botuese botojnë gjithçka, por jo antologji letrare. Dhe ndonjë antologji e letërsisë për fëmijë e botuar rishtazi po kalon pa jehonën e duhur. Kohët e fundit u lajmërua një përmbledhje poetike e Dhori Qiriazit, çka do të ishte e dëshirueshme dhe për poetët e tjerë të spikatur që nuk rrojnë më, si Zef Zorba, Agim Spahiu, Frederik Rreshpja, Ndoc Gjetja, Koçi Petriti, Jorgo Bllaci etj., disa prej të cilave ikën të rinj, por lanë pas një poezi që nuk do të “vjetërohet” kurrë.

Gjithë shqiptarët, poezi vetëm një herë në vit (!)

Megjithatë... shqiptarët, një herë në vit, vihen dhe lexojnë poezi të gjithë, prindër e fëmijë, më saktë: një poezi të vetme, atë që bie në provimin e maturës. Po qe se nuk do të bjerë fare poezi, por vetëm prozë, atëherë humbet dhe ky “shans”, kalon i gjithë viti pa lexuar poezi. Ngjan se poezia është si algjebra, kimia, botanika, që mësohet vetëm njëherë në jetë. Ishte qesharake ditën e provimit të letërsisë, qershorin e kaluar, të shihje si prindërit “intelektualë” diskutonin me zjarr për poezinë e Kadaresë “Rënia e dëborës”, si të ishte fjala për një meteor që sapo kishte zbritur nga qielli. (Kështu kishte ngjarë dhe dy vite më parë me poezinë “Albatrosi” të Sharl Bodlerit.) “Rënia e dëborës” ishte e thjeshtë për t’u kuptuar, nuk kishte kurrëfarë nënteksti, pasi nuk ishte “Laookonti”, që mund të kërkonte një nivel tjetër leximi. Siç është shprehur një studiuese, poezia ishte e dlirë, e thjeshtë, nazike, krejt në përputhje me stadin psikondjesor të maturantëve. Por në provimin e shtetit mund të ketë dhe poezi të tjera alternative, që nxënësi të mund të zgjedhë mes dy a tre krijimesh. Maturantët, studentët, të rinjtë lexojnë pak letërsi dhe ende më pak poezi. Është ky një shqetësim për të cilin flitet herëpashere nga shkrimtarët, botuesit, kritikët, aktorët, sociologët, e prapë nuk e kemi gjetur veten te leximi. Kultura e leximit është ende e huaj për ne, ndryshe nga vendet e qytetëruara. Kur themi njerëzit nuk lexojnë poezi nuk kemi parasysh ndonjë lëvizje masiviste për ta nxitur këtë, pasi gjithkush e di se poezia është elitare dhe kërkon një nivel të caktuar lexueshmërie. Problemi është se lexohet pak edhe prozë, histori, encikopedi e gjer shtypi i ditës, duke qenë si duket më të “lexuarat” thathethemet dhe sagat e trishta politike.

Ka një ftohje të përgjithshme me poezinë, nuk punon mirë shkolla, katedrat, teatrot, qendrat kulturore. Shtëpitë botuese kufizohen me ndonjë promovim libri. Atëherë i bie që vetë autorët të përpiqen të bëjnë diçka, por kjo është jashtë natyrës dhe mundësive të tyre. Pse jo dhe jashtë kohe. Dikur ka patur klube poetike, rrethe letrare, tashmë ka institucione dhe më publike, që programet televizive, konkurset, orët e leximit etj. Ka gjithnjë nga një vit poeti, viti i Naimit, i Kadaresë, i Podrimjes, i Xhevahirit. Le të shpresojmë të mos mbeten “vite dekorative”, por t’i shërbejnë kthimit te poezia, leximi. Poetët shkruajnë poezi të mirë, por iu duhet të shpikin edhe lexuesit e saj!...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora