E diele, 28.04.2024, 09:52 AM (GMT+1)

Editorial

Mërgim Korça: Vendosja e komunizmit në Shqipëri

E merkure, 21.01.2015, 09:58 PM


Konsiderata  rreth  vendosjes së komunizmit në Shqipëri.

Kushtet si dhe pasojat e tij!

Shkruar nga:  Mërgim Korça

Kaluan tashmë dhjetvjeçarë të tërë edhe vazhdon e është bashkëkohës debati në se “ Dita e Çlirimit ” ka qenë 28 apo 29 Nëndori i vitit 1944.  Dakord, nisur ky nga fakti në se çlirimi i Shqipërisë nga shkelësi i huaj gjerman ka përkuar me ditën e Shpalljes së  Pavarësisë apo është përzgjedhur ky përkim, nga ana e P.K.Sh. me … Shpalljen e Federatës Jugosllavisë,  (vendim i ditës  mbylljes të mbledhjes së dytë të AVNOJ-it)  .  E doemos  diskutimi i kësaj pikëpamjeje ka rëndësí themelore sepse, duke u vërtetuar se kjo dit’e shënuar ësht’e lidhur me faktin e dytë, (sepse fillimisht Enver Hoxha në fjalimin e tij me 28 Nëndor të vitit 1944 theksoi se ajo qé edhe dita e çlirimit, ndërsa në vazhdim vitesh u përzgjodh me votim dita e 29 Nëndorit si e tillë – shënim M.K.), … i hidhet dritë një së vërtete që vazhdon e mbahet e fshehur nga të githë historianët me formacion ish komunist, të cilët nuk i ndryshojnë dot veprat e tyre që  kanë qenë përçuese të ish vijës P.K.Sh. e në vazhdim të P.P.Sh., ku as që mund të mendohet se pranohej kolaboracionizmi në dëm të Shqipërisë i zbatuar nga drejtuesit komunistë të Shtetit Shqiptar.

Sa për të shtuar një ngjarje ku mbamëndja popullore e pasuron historinë me kujtime e si pasojë edhe me fakte, për të treguar mëndjehollësínë popullore shkodrane, kujtohet se si familja shkodrane e hedhur e gjitha me L.N.Çl., familja Dedja buzëmbrëmjen e 28 Nëndorit të vitit 1944, (ditës kur edhe gjermani i fundit mendohej tashmë se ishte larguar nga Shqipëria), po e festonin me një darkë “me ahêng shkodran”, veç kur hyn nga dera e oborrit një triçikël me dy ushtarë gjermanë q’e kërkonin arsyen e asaj zhurme. Kënga u ngriu në buzë të gjithë të pranishëmve !  Mirëpo njerit, iu dhá e duke u drejtuar nga një gotë ushtarëve gjermanë u tha :  dasëm, dasëm … Hochzeit  dhe i ftoi t’a ngrinin gotën për nusen e paqënë !  Ushtarët uruan trashëgim të çiftit dhe … u larguan.  Këta ishin bishti i praparojës ushtrisë gjermane që po largohej nga Shkodra !   Dhe humori popullor shkodran vazhdon edhe me pohimin përgjatë viteve se “ … ajo qi u quejt dita e çlirimit të Shqypnisë s’kje gjâ tjetër veçse dita e zezimit të Shqypnisë! ”

Në vijim vazhdojmë me thelbin e problemit.  I lemë tashti më nj’anë ditët kalendarike 28 apo 29 Nëndor, (duke mos i konsideruar aspak si vazhdimësí të tillë por me se janë të lidhura si pasoja), a ka qenë në parim DITA E ÇLIRIMIT vërtet’e tillë apo jo? Duke e kundruar vazhdimësín’e viteve nën diktaturën komuniste nga ky këndvështrim, e për të qenë krejtësisht të paanshëm, duhet pranuar se paslufta, si vazhdim i luftës civile, qé një krim që filloi me asgjësimin e klasës intelektuale shqiptare të krijuar dhjetravjeçarë me radhë e që filloi me pushkatimin e 39 intelektualëve në pragun e asaj që quhet dita e çlirimit.  Kurse në vazhdim, duke pushkatuar qindra e qindra intelektualë të tjerë, patriotë si edhe fetarë të të gjithë besimeve!  Cila arësyeja e  urrejtjes skajore ndaj intelektualëve ? Pushtetin e kish marrë në dorë dështaku intelektual Enver Hoxha, (i cili as një vit akademik nuk arriti të merrte – shënim M.K.). Ky i printe asaj mase të cilën e mashtroi me PREMTIMIN E LIRISË, (sipas mësimeve të V.I.Leninit – shënim I M.K.), e duke u dhënë poste tamam pa shikuar fare vlerat e tyre intelektualo – teknike.  Prandaj problemin duhet t’a vështrojmë jo vetëm në thellësín’e duhur por edhe në të gjithë shtrirjen e tij !

Përkrahësit si edhe propagandistët e parë të ideve komuniste në vëndin tone kanë qenë Zai Fundua, Zef Mala, Sejfulla Malëshova e Koço Tashkua me shokë.  Të gjithë këta në vijim u dënuan nga partia si elementë kundrapartí, trockistë, deviacionistë si edhe duke u mveshur epitete akuzuese të tjerë.  Lidhur me këtë kategori intelektualësh të cilët të frymëzuar fillimisht nga Manifesti Komunist i Karl Marxit e pastaj të inkuadruar si komunistë dhe ndjekës të vijës Leninit si edhe Stalinit, me përjashtimin e Zef Malës, tre të tjerët shkuan edhe në Bashkimin Sovjetik e bile që të tre dhanë edhe mësim në fakultete sovjetike. Duke qëndruar tek kjo fazë e zhvillimit të tyre ideologjik, a mund të mendohet se nga njera anë e kishin mësuar biografín’e Marxit dhe nga ana tjetër nuk e kishin vënë fare në punë mëndjen e tyre e t’a gjykonin me sy kritik biografinë e figurës qëndrore frymëzuese të tyre për të nxjerrë edhe përfundime rreth tij?  Ç’e ka karakterizuar figurën e këtij ideollogut që u premtonte masave të të varfërve të botës lirí,  begatí si edhe zhdukjen e mbivlerës si pun’e papaguar punëtorit ? Cila përvoja e tij në fushat që trajtonte ?  Karl Marksi vetë asnjëherë nuk ka qen’i punësuar, pa lé të ketë drejtuar qoft’edhe një  sipërmarrje karakteri ekonomik. Në jetën e tij asnjëherë, e theksoj se asnjëherë, nuk ka mbajtur bilance ekonomike të ndonjë sipërmarrjeje.  Ai kurrë nuk ka mbuluar asnjë post politik.  Tërë jetën e ka mbajtur ekonomikisht miku i tij Frederik Engelsi, biri i një pronari të pasur fabrikash.  Është konsideruar nga një mas’e gjerë si filozofi m’i madh në fushat shoqërore, politike dhe ekonomike.  E si përfundim që nxirret me kalimin e një qindvjeçari të tërë, kudo që teorit’e tija u zbatuan mes gjakderdhjesh e dhune të pashëmbullt, kudo ato dështuan !  Kjo është cektësía e par’e atyre që qenë ideollogët e parë të komunizmit në Shqipëri !  Po arësyeja prej nga rodhi ky dështim? Sepse duke qenë masat popullore të painteresuara në vazhdim lidhur me zhvillimin e ekonomisë si pasoj’e mungesës interest personal si pasoj’e zhdukjes pronës private, ekonomija ishte e të gjithëve por e askujt !

Nga ana tjetër, derisa e kishin marrë përsipër t’a ngrinin e t’a zhvillonin shoqërinë komuniste në Shqipëri duke pasë krijuar edhe grupet komuniste t’asaj kohe, nuk ka mundësi mos t’a dinin citatin e famshëm dhe të zgjedhur të Leninit sipas të cilit :

“Një revolucion socialist ësht’i pakonceptueshëm pa një luftë të brëndë-shme, e gjithashtu pa një  luftë civile ”.  (Vepra të zgjedhura, vëll. 2, faqe 277).  Ky mësim leninist, përbën pikën e dytë të dobët të atyre q’e mbollën farën e komunizmit në Shqipëri, duke qenë të vetëdijshëm se mbi cilët binarë duhej drejtuar revolucioni socialist.  Por, nga ana tjetër, marr shkas t’u them edhe historianëve tanë ish komunistë si edhe ithtarëve në vazhdim të sistemit diktatorial komunist, të cilët çirren edhe shqyhen duke pohuar se L.N.Ç. nuk u shndërrua në LUFTË CIVILE, se ky pozicionim i tyre jo vetëm që bije ndesh me orientimin e dhënë botërisht nga Lenini, por nga ana tjetër u kujtoj edhe se në ç’mënyrë të fundme e ka trajtuar këtë problem mbështetur në fakte e dokumenta arkivi,  studjuesi Uran Butka në veprën e tij LUFTA CIVILE NË SHQIPËRI !

E për të mos u zgjatur shumë nuk kam se si mos ta përqëndroj vëmëndjen edhe tek pika e tret’e dobët e ideollogëve të komunizmit shqiptar e cila, sipas meje, përbëhet nga letra e dërguar Bela Kunit, (drejtues terrorist komunist i Hungarisë përgjatë 200 ditëve sundimi nga ana e tij me terror përgjatë periudhës 1918-1919), nga ana e Leninit ku ky i fundit i shkruan :  “Në qoftë se ndërmjet socialistëve ose borgjezisë së vogël shfaqen mëdyshje ose lëkundje lidhur me diktaturën e proletariatit, zhduki nga faqja e dheut pa mëshirë.  Nuk hiqet dot dorë nga përdorimi i terrorit pavarësisht nga ç’thonë hipokritët si edhe  përhapësit e shprehjeve të bukura.”

Ç’përfundime nxirren tashti me shikim mbrapavështrues ?  Mjafton t’I hedhim një sy kundrues radiogramit të dërguar nga Enver Hoxha me datën 21-09-1944 komandantit të Korparmatës I-rë Dali Ndreut, (të cilin në vazhdim e pushkatoi së bashku me të shoqen Liri Gegën) :  “Zai Fundo është armik i poshtër i partisë … torturojeni deri në vdekje dhe pastaj pushkatojeni andej.” Dhe Zai Fundua u pushkatua pa gjyq më 23 Shtator 1944 duke ia hedhur kufomën nuk dihet se në ç’rrëzë !

Po me ideollogët e tjerë të komunizmit ç’ngjau ?

Koço Tashkua, fillimisht zv/kryeministër i qeverisë kryesuar nga Enver Hoxha, që nga viti 1960 u përjashtua nga partia si revizionist dhe antiparti. U internua për tetë vite radhazi e në vazhdim u burgos për dhjetë vite të tjerë.  Katër vitet e fundit të jetës qé liruar nga burgu por i kaloi n’internim dhe në mjerim të plotë !

Sejfulla Malëshovës, nga që në Plenumin e Beratit e kishte quajtur terroriste veprimtarín’e P.K.Sh., kurrë nuk ia harroi Enver Hoxha atë akuzë dhe sapo i forcoi disi pozitat e tija ky i fundit, më 1946 e largoi nga udhëheqja e partisë dhe që nga viti 1955 e largoi edhe nga Tirana duke e çuar magazinjer në Fier.  Në magazinën ku punonte, Sejfullai vendosi një fotografi të Enver Hoxhës dhe kur e pyesnin si e kishte vendosur … ai përgjigjej shkurt : “E kemi udhëheqës të shtetit. Ne nderojmë shtetin !”

Sejfulla Malëshova i mbylli ditët e tija më 9 Qershor të vitit 1971 në spitalin e Fierit ku, (siç dëshmohet), me shumë vonesë e çoi automjeti i Degës së Punëve të Brëndëshme të Fierit që të ndërhyhej me operacion.

Sa i takon Zef Malës, krijuesit si edhe drejtuesit të Grupit Komunist të Shkodrës që në vitet ’30, i cili themeloi që në muajin Korrik të vitit 1939 me elementë komunistë të grupit lartpërmëndur edhe një Parti Komuniste, (dy vite para 8 Nëndorit të vitit 1941), kjo punë e tij avulloi e nuk la gjurmë që në çastin kur pushtuesit italianë e internuan Zefin në Ventotene.  Lidhur me Zef Malën, e shtrijmë pak më gjerë rrethin e hedhjes vështrimit si edhe të gjykimit, duke sjellë një “shkëndijëzë”, por shkëndijëzë tejet kuptimplote, të qëndrimit vërtet djallëzor të udhëheqësit të ardhshëm të partisë, Enver Hoxhës me të.  Ky i fundit i dërgon një letër Zef Malës ku i thotë se autokritika e tij si edhe përmirësimi i qëndrimeve të tij mbajtur para gjyqit do të ndikojnë që partija t’ia falë të gjithë gabimet në mendime si edhe në veprime pararendëse të tijtë. (A.Q.Sh. Fondi 14 / Dosja 33 / Viti 1943). Por, kur Zef Mala lirohet nga internimi dhe shkon në Pezë, babë Myslymi i thotë shprehimisht  “… Hik or babë ene mçifu m’Tironë se dun me t’vrá”. Në ktë përfundim kishte arritur Myslym Peza sepse kishte dijeni lidhur me letrën q’i kishte dërguar Enver Hoxha Nako Spiros ku i theksonte “ … Zef Mala mos të shkojë në Kosovë por jepini një plumb pas koke.” Dhe un’e pyes lexuesin me sinqeritetin më të madh :  A nuk është ky një shëmbull tipik q’e karakterizon figurën e Enver Hoxhës si njeri skajshmërisht intrigant dhe me shumë faqe i cili, për t’ia pastruar vetes rrugën nga pengesa eventuale, nuk stepet as para krimeve nga më të përbindëshmit ?

E për t’a mbyllur krejtë fluturimthi edhe me Zef Malën, njerin nga ideollogët më të hershëm të komunizmit në Shqipëri,  nuk rrijmë dot pa ia vënë në dukje faktin se më 1978-ën ai ka patur kurajën civile t’i pohojë Mehmet Shehut : “… Komunizmi si sistem politik është një zbythje për njerëzimin, është një utopí !”

Kaq, sa për të vënë në dukje se si njohurit’e atyre që deshën t’a instalonin komunizmin në Shqipëri, ishin më se të mjaftueshme që ata t’a kishin të qartë  kuadrin e së ardhmes së menjëherëshme.  Pra, ata nuk mund të quhen viktimat e komunizmit nga që nuk e dinin se ç’do t’i priste. Përkundrazi, ata vijën e përgjithëshme e kishin të qartë.  E vetmja gjë që ata nuk kishte se si t’a merrnin me mënd, as me fantazinë më të çfrenuar, ishte se me çfarë krimineli djallëzor, të pabesë dhe egoist të skajshëm kishin të bënin, të personifikuara këto  në udhëheqësin e ardhshëm Enver Hoxhën !

Pa u zgjatur më, por ama edhe pa dashur të mospërfill zërin e historisë të viteve të diktaturës komuniste në Shqipëri, që na tregon se si mbas eliminimit të qindra tradhëtarëve, duke filluar që me themelimin e P.K.Sh., në vazhdim me intelektualët, klerikët e pastaj me deputetët dhe grupin e tyre imagjinar, duke vazhduar me gjeneralët e ushtrisë, drejtuesit  tradhëtarë të ekonomisë, disa zv/Kryeministra e gjithashtu edhe ministra të Punëve të Brëndëshme, e së fundi edhe vetë Kryeministrin e 27 viteve me radhë, duhet pranuar se Enver Hoxha e drejtoi vëndin nëpër një rrugë të drejt’e parimore shumë atdhetare për dyzet vite me  radhë veç i rrethuar prej tradhëtarësh të atdheut !   Kjo logjika që duan t’u trashëgojnë brezave historianët e diktatorit, ata që përgjatë dyzet vitesh dridheshin e veç sipas mësimeve të partisë edhe të diktatorit mendonin si edhe vepronin duke i shkruar veprat si edhe disertacionet e tyre.  Kurse sot e kësaj dite, të trimëruar se shtetarë jo më vëndi diktatorial, por të lirë të thon’e të shkruajnë sa e si të duan se nuk i pret më arrestimi e tortura, siç bënte pusht-shteti i tyre, vazhdojn’e duan t’a mbajnë të shtrembëruar historinë si dikur … sepse veprat e tyre shkencore, shkruar e publikuar përgjatë diktaturës komuniste, nuk i lenë të flasin ndryshe !

Në vazhdim nuk kemi se si mos t’i zemë në gojë disa fakte, qoft’edhe fluturimthi. Më 23 Nëndor të vitit 1944 zhvillon punimet Plenumi i II-të i Beratit i quajtur nga Enver Hoxha në vazhdim “Prapaskena e Beratit”. Gjatë atij plenumi u dënua ashpër sektarizmi si edhe oportunizmi duke theksuar : “… Sektarizmi në vijë e ktheu partinë në një bandë terroristësh q’e ka humbur zemrën e komunistit e që nuk i dhimbset jeta e njerëzve.”  Në vazhdim Enver Hoxhës iu drejtuan 14 pyetje me të cilat ai u gozhdua pas muri e kësisoji, mbasi u kërkua që ai të shkarkohej si Komisar Politik i Shtabit të Përgjithshëm,   të përjashtohej edhe nga P.K.Shqiptare. Në këto kushte ai u detyrua të bëjë një autokritikë shumë servile si edhe të kërkojë falje. Në ato kushte atë e shpëtoi ndërhyrja e Sejfulla Malëshovës i cili prozoi që qëndrimet si edhe veprimet e Enver Hoxhës të diskutoheshin pas kongresit të I-rë të P.K.Sh. Si rrjedhim Enver Hoxha falënderoi që iu dha edhe një here dora !

Për periudhën diktatoriale mbas ditës që e quajnë ajo e çlirimit, E PËR 47 VITE RADHAZI, duket qartazi, sipas përcaktimit të studjuesit të filozofisë dhe kritikut të marxizmit prof.Karl Popper-it, se edhe Shqipëria e përforcon pohimin e tij se :

“ DUKE I ANALIZUAR MBAS FAKTIT TË GJITHË REVOLUCIONET NË BOTË ARRIHET NË TË NJAJTIN PËRFUNDIM :  U PREMTOHET MASAVE TË VARFËRA LIRIA DHE BEGATIA E MBAS FITORES SË  REVOLUCIONIT, KUDO PËRFUNDOHET NË SHTET TOTALITAR E DIKTATORIAL ! “ E pra në Shqipëri ky sistem u vendos dhe veproi si sistemi më gjakatar, (duke bërë krahasimet përkatëse), ndër të gjithë shtetet e ish kampit socialist për 47 vite me radhë!  Kaq lidhur me të kaluarën.

Kundrojmë tashti situatën bashkëkohore për të nxjerrë përfundime rreth së ardhmes që duhet ndjekur nisur kjo … nga përvoja e kaluar.

Kaluan që nga SHKËRMOQJA E DIKTATURËS, jo pak por 23 vite!  Nuk ka se si të mos na shqetësojë nga njera anë gjëndja skajshëm e rëndë e kategorisë pensionistëve e gjithashtu edhe papunësía, në përgjithësí.  Por shumë shqetësues në qytet ësht’edhe liveli skajshëm i lart’i korrupsionit me të cilin ballafaqohet përdit’e më shumë popullata, shto këtu edhe rritjen e madhe të krimeve. Kurse në fshat tregues vërtet i trishtueshëm është qoftë ulja drastike e banorëve të zonave rurale, (në 46.3 % ku 20% e popullatës iu bashkangjit krejtë artificialisht popullsisë qytetare), të cilët nga prodhues e furnizues të qyteteve u bënë thjeshtë konsumatorë !  E sa për një shëmbull tipik të politikës gabuar ndjekur nga shteti që nga shkërmoqja e diktaturës, kemi faktin se si 80 % e tokës bujqësore u nda sipas ligjit tamam famëkeq 7501, gjë e cila solli dora dorës gjëndjen aktuale në bujqësi me të gjitha pasojat  e saja në ekonomin’e përgithëshme të vëndit !  E përgjatë këtij vështrimi krejtë fluturimthi të gjëndjes, nuk mundemi t’u shmangemi dy momenteve tejet të rëndësishëm përgjatë kësaj vazhde :  porosia e Katovicës ishte që klasa komuniste në pushtet për dy-tri legjislatura të shndërrohej në klasë kapitaliste, porosí e cila u zbatua deri në një nga Ramiz Alia e në vazhdim nga të përzgjedhurit e tij ku drejtuesit e vëndit, të mëkuar me metodat diktatoriale të drejtimit, i gërshetuan këto me strategjitë më të sofistikuara të pasurimit të tyre vetë si edhe të përzgjedhurve prej tyre.  E si moment të dytë nuk kemi se si mos t’a theksojmë se si pa gjë të keqe, mbas mbi dy dhjetëvjeçarësh që ligji 7501 vazhdon e zbatohet, ish kryetari i P.D.-së si edhe për tetë vite radhazi k/Minister i Shqipërisë, zoti Sali Berisha, deklaron në vitin 2014 se pas shpërbërjes së kooperativave bujqësore u gabua rëndë me zbatimin e ligjit 7501! (?)

Së fundi vijm’e i hedhim dritë një qëndrimi të papërgjegjshëm, (sipas meje), të Presidentit të Shqipërisë zotit Bujar (Mehmeti) Nishani.  Për këtë i kërkoj ndihmë lexuesit t’i gjykojë situatat.  Çvendosemi me mëndje në fund marsin e vitit 1945.  Listat emërore të vullnetarëve si edhe të dorëzuarve kosovarë janë nënëshkruar nga komandant Rahman Parllaku si edhe nga komisari politik Ramiz Alia dhe i dorëzohen Shtabit Operativ për Kosovë e Metohí . Ngjarjet do të mbeten në kujtesën historike të popullit Kosovar nga ngjarjet më tragjike sepse u vranë dhe u therën, me pak fjalë “u masakruan”, 3447 bij kosovarë.  Ishte zgjedhur gjeografikisht zona jashtë qytetit bregdetar të Tivarit për t’u ruajtur anonimiteti i ngjarjes. Krimin e kreu Brigada e X-të malazeze !

Sot, ish komandant Rahman Parllaku, doemos e mohon përgjegjësín’e tij për atë masakër. Dakord, le t’a quajë shpifje. Por ama si mund të mos na kalojnë para syve si vegime të filmuara faktet se si nga njera anë Presidenti Z. Nishani e dekoron Rahman Parllakun më 17 prill 2014 me titullin “NDERI I KOMBIT” me motivacionin “ DREJTUES I TALENTUAR I LUFTËS NACIONAL ÇLIRIMTARE DHE I FORCAVE TË ARMATOSURA TË SHQIPËRISË, e nga ana tjetër po ky person ka qenë anëtar i K.Q. të P.K.Sh. e në vazhdim të P.P.Sh. nga viti 1944 e deri në vitin 1974. Ka qenë për 11 vite zv/Ministër i Mbrojtjes. E të gjitha këto shfaqje besnikërije ndaj partisë së tij i sollën me vete veç tjerave që për merita të veçanta t’i jepej edhe titulli HERO I POPULLIT !  Pikërisht këtu ndalemi një çast.  Kjo rrugë rritjeje të përgjegjësive të tija e çon lexuesin në një përfundim të qartë rreth figures së tij :  Në mos tjetër por Rahman Parllaku duhet të ketë patur veç shpirtit kriminal q’e filloi me komandant njësiti guerril në Vlorë, por të ketë qenë edhe trim me fletë !  E pikërisht ky përfundim na bën t’ia paraqesim lexuesit qëndrimin e tij në mbledhjen e Plenumit të Gjashtë të K.Q. të P.P.Sh. kur Enver Hoxha ia dha fjalën dhe Rahman Parllaku shprehet me kulmin e servilizmit :

“Unë, shokë, kam bërë gabime të rënda, kam bërë faje, por lidhje as nuk kam me ndonjë, as nuk kam menduar dhe as nuk di jo tani, por gjatë gjithë jetës sime. Edhe në varr në qoftë se Partia do të gjejë qoftë dhe sa filli i flokut që unë të kem patur lidhje kundër Partisë, ajo të më dënojë”.

Dhe mua krejtë natyrshëm më lind pyetja: Kjo mungesë karakteri e shquan personin të cilit Presidenti Nishani i akordoi titullin e lartë NDERI I KOMBIT ?  Pa lé që mbas 1974-ës, për 17 vitet e kaluara në burgjet komuniste, atij i sintetizohet merita e ish heroit, ish gjeneralit, ish zv/ministrit komunist me motivacionin : “ QËNDRESTAR I PAEPUR NË BURGJET E DIKTATURËS KOMUNISTE, VEPRIMTAR I RRALLË NË MBËSHTETJE TË DEMOKRACISË, SI EDHE VENDOSJEN E FORCIMIN E SHTETIT LIGJOR. “

Pra kemi të bëjmë me dy faza :  Ajo e para, e përbërë nga tridhjetë vite radhazi (1944 – 1974), përgjatë të cilëve ky NDER I KOMBIT zbatoi verbërisht urdhërat e K.Q. si edhe të Shtabit të Përgjithshëm duke filluar në mënyrë të drejtpërdrejtë që nga krimi i Tivarit, miratimi enthuziast i pohimit të Enver Hoxhës më 15 Dhjetor të vitit1947 në mbledhjen e Byrosë Politike të K.Q.P.K.Sh., në pranín’e të dërguarit të Mareshallit Tito, Sava Zllatiç-it ku Enver Hoxha deklaron, (proçes-verbali i asaj mbledhje ruhet në Arkivin e Shtetit - shënim M.K.) :” ... Tani që e likuiduam këtë pengesë, (Nako Spirun - shënim M.K.),  duhet t’a fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejtë bashkimin DE FACTO të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat, (parti, ekonomi, ushtri, etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë Socializmin, PA U BASHKUAR ME JUGOSLLAVINË ...” e duke vazhduar pastaj me të githa format e kolaboracionizmit NË DËMIN E ATDHEUT në vazhdim pas Jugosllavisë me B.S. etj. derisa në 1974 Rahman Parllaku u dënua vetëm me burg, gjë e cila tregon se ai dijti të distancohej prej atyre që u pushkatuan aq sa e bindi edhe partinë e tij t’ia falte jetën !

Kurse faza e dytë, si i dënuar nga partija e tij, a mund të quhen 17 vitet e qëndrimit në burgjet komuniste si qëndrim i tij i paepur, teksa Xhevat Korça, po n’atë burg famëkeq e shoi jetën e tij me grevë urije duke kërkuar të drejtat e njeriut, ose Osman Kazazi që bëri mbi 40 vite burg e pa i lënë në harresë as Pjetër Arbnorin me gjithë Aqif Selimin ose Ilia Thereckën me një varg të tërë të burgosurish të tjerë që bënë nga 30 vite  burg !

Vijmë tashti edhe tek dhënja nga ana e Presidentit, zotit Bujar Nishani, i titujve NDERI I KOMBIT tre të pushkatuarve me vendim të Gjyqit Special në prillin e vitit 1945 si kolaboracionistë dhe tradhëtarë të Atdheut me ç’rast kryetar gjykate qé Koçi Xoxi, (i pushkatuar nga partia më 1949-ën), kurse prokuror Bedri Spahiu, (edhe ky i kalbur burgjeve të partisë si tradhëtar). Të dekoruarit janë Bahri Omari, Kol Tromara si edhe gjeneral Aqif Përmeti.  Duke i gjykuar të dekoruarit për akuzat në bazë të cilave u dënuan me vdekje, mjafton t’u hidhet një sy të kaluarave të tyre ku veç dashuria vetmohuese ndaj Atdheut i shquan këto figura. Sa i takon faktit që u mbiquajtën “kolaboracionistë”, këta vërtet pranuan të bashkëpunonin me “pushtuesit italo-gjermanë”, por bashkëpunimi i tyre së rishmi shquhej për frymën e tij kombëtare në të mirën e Atdheut. Ata bashkëpunuan që në masë madhore t’u vinin kufinj ndërhyrjeve qeverisëse italiane në punët e brëndëshme të vëndit tone. Kurse sa i takon bashkëpunimit me drejtuesit gjermanë, ai qé një bashkëpunim me një fuqí ushtarake e cila Shqipërin’e kishte vetëm “korridor kalimi” dhe  bashkëpunimi kishte vetëm një pikësynim : Të mënjanohej vendosja e sistemit diktatorial komunist në Shqipëri !  E pikërisht këtu e shikoj dhe dua t’a nënvizoj qëndrimin i cili mua më duket me plot kuptimin e fjalës hiç ndryshe veçse “SHPOTITËS NGA ANA E PRESIDENTIT TË SHQIPËRISË” teksa i dekoron të pushkatuarit nga diktatura me titullin NDERI I KOMBIT e po me këtë titull ka dekoruar pikërisht me 17 prill të këtij viti edhe Rahman Parllakun!  A nuk ka qenë vetë presidenti, kur ai militonte në radhët e Akademisë Ushtarake të P.P.Sh., e gjithashtu para tij edhe HEROI KOMUNIST I POPULLIT Rahman Parllaku,  kok’edhe këmbë mbështetës e brohoritës të diktatorit Enver Hoxha në të gjitha vendimet si edhe urdhërat e tij duke filluar që nga krimet gjatë si edhe pas luftës e gjithashtu me kolaboracionizmin e tij n’interesa fillimisht grupi, (e dora dorës, duke i zhdukur si armiq’e tradhëtarë të gjithë shokët dhe mbështetësit e tij), e pastaj thjeshtë egoistike – personale pa i marrë parasysh fare interesat e vëndit dhe bile në dëmin e atyre interesave! Dhe vazhdimësia historike e tregoi plotësisht ku sot, veç me një shikim mbrapavështrues, del sheshit se ku e katandisi ekonominë shqiptare dhe mirëqenjen e popullit ai sistem diktature personale gjysëmshekullor, pa lé të ndiqet rruga e krimeve të pakonceptueshme si edhe dhunës skajore së cilës iu nënështrua pjesa m’e vyer e kombit tonë gjatë periudhës 47-vjeçare duke qen’i rrethuar me tel me gjëmba si edhe “klon” kufiri shtetëror dhe vetëm t’a shfaqje mendimin e largimit nga Atdheu … shkonte informacioni tek sigurimi i shtetit dhe dënoheshe deri më dhjetë vite burg për famëkeqen akuzë AGJITACION - PROPAGANDË si edhe TENTATIVË ARRATISJE!

nË vËnd tË pËrmbylljes : Ësht’e qartë që me kaq radhë nuk trajtohet dot gjëndja e sotme, shqetësimet që lindin nga kjo gjëndje, pa lé pastaj të jepen edhe mendime, (qoft’edhe modeste), lidhur me shtigje që nuk duhen ndjekur si edhe rreth mundësive si të dilet nga ky qorrsokak !  Mirëpo, nga që shqetësimi ësht’i madh, skajshmërisht’i madh, së paku do të mundohemi të vendosim ndonjë “piketë”.  E bëjmë këtë nisur nga fakti se përgjatë këtyre 23 vitesh t’ashtuquajtur “ tranzicioni ” nga diktatura e egër dhunuese si edhe gjakatare në një t’ashtuquajtur demokrací, vihen ré shfaqje tejet shqetësuese.  Cila pamja që vihet ré me shikimin e parë? Dy vitet e para kriminelët e pashpirt dhe zbatuesit e egër të luftës së kllasave, as e nxirrnin majen e hundës së tyre nga pragjet e shtëpive sepse mendonin se do t’i gjente ata, (q’e dinin se kishin qenë skajshmërisht fajtor’edhe të pashpirt), po ajo q’i kishte gjetur të tjerët, paçin qen’edhe krejtësisht të pafajshëm, nga ana e të parëve.  Mirëpo duke u vënë ré dora dorës se askush nuk po burgosej pa lé të dënohej për urdhra të dhënë si edhe krime të kryera, avash, avash jo vetëm që filluan të dilnin nga strofullat e tyre por … filluan të përjetonin një realitet që për ta nuk ishte i padëgjuar : u kishte pas thënë Ramiz Alia se duhej ndjekur rruga e porosive të Katovices me pikësynim kryesor që pushtetin të vazhdonin t’a mbanin në dorë komunistët por … me kushtin që të pranohej sistemi shumëpartiak si edhe zbatimi, (deri në një fare mase), i të drejtave të njeriut ! E doemos në krye të të gjitha partive, t’ashtuquajtura të majta e gjithashtu të djathta, drejtuesit e tyre të caktoheshin nga partia komuniste akoma në pushtet !

Ndalemi kështu tek një pike tejet e nxehtë dhe skajshëm trishtuese, se si po vazhdon e transformohet historia edhe të vërtetat e saja nga historianët e dikurshëm, hymnizuesit e diktaturës dje shtrembëruesit e të vërtetave edhe në vazhdim ! Qëndrojmë pra edhe trajtojmë një fakt historik i cili skajshëm e trishton çdo njeri të ndershëm dhe që i di ngjarjet, e sot përjeton situata tejet trishtuese. Në vitin 1974 u botua në Lyon në gjuhën frënge “HISTORIA E SHQIPËRISË – NGA ORIGJINA DERI NË DITËT TONA” kurse në Londër u botua po ky tekst në vitin 1981 nga Routledge & Kegan Paul Ltd. me bashkautorë  të vëllimit shkencor profesorët si edhe akademikët zotërinjtë Stefanaq Pollo si edhe Arben Puto e me bashkëpunëtorë profesor Kristo Frashërin si edhe Skënder Anamalin.  Në përkthimin anglisht, në faqen 245, është vendosur pohimi i përfaqësuesit të Jugosllavisë Velimir Stojniç-it në Plenumin e 2-të të Beratit të dates 23 nëndor të vitit 1944 sipas të cilit ai shprehet si vijon :  “Shqipëria jo që nuk e rrit dot ekonomín’e saj, por as e zhvillon dot atë sepse imperializmi do t’a gëlltiste; … e  vetmja  zgjidhje e saj është të bashkohet në një konfederatë me Jugosllavinë.” E me kaq mbyllet në tekstin e historisë nga autorët problemi që ngriti në Plenumin e 2-të të Beratit përfaqësuesi jugosllav.  Me këtë mosvazhdim, nisur nga diktatura gjakatare që ishte e pranishme në Shqipëri, sinqerisht  as që më shkon në mëndje t’i ngarkoj me përgjegjësí lidhur me heshtjen e tyre bashkautorët e vëllimit historik në fjalë.  Por ama, heshtja e këtyre historianëve mbas shkërmoqjes së diktaturës në vitin 1991 e në vazhdim, sinqerisht që jo vetëm më bën t’i kundroj ata me përçmim nga ana karakteriale, por nga ana tjetër edhe më bën t’a ngré fuqíshëm zërin ndërsa ata jo vetëm q’e kërkojnë me force së rishmi tashti parësínë në gjykimin e historisë por e konsiderojnë edhe një të drejtë të tyre legjitime duke i ngarkuar në vitin 2014 me RISHKRIMIN E TEKSTEVE TË HISTORISË !  E ftoj tashti lexuesin e këtyre radhëve t’a japë gjykimin e tij krejtësisht të paanshëm dhe të ndershëm duke i kujtuar se pikërisht tre vite e 22 ditë mbas fjalës së përfaqësuesit jugosllav në Plenumin e Beratit, e pra në mbledhjen e Byrosë Politike të K.Q.P.K.Sh. e 15 dhjetorit të vitit 1947, Enver Hoxha u shpreh tekstualisht :

. ” ... Duhet t’a fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejtë bashkimin DE FACTO të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat, (parti, ekonomi, ushtri, etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur  dhe  aq më pak të ndërtojë Socializmin, PA U BASHKUAR ME JUGOSLLAVINË ...”.

Pa as më të voglin mllef dhe krejtë sinqerisht, (duke u munduar të jem skajshëm i paanshëm), por nuk mundem t’a pranoj që trysníja e V.Stojniç-it në Berat të publikohet kurse, pohimi i Enver Hoxhës tre vite më vonë, që nga dita e shkërmoqjes së diktaturës në vitin 1991 e deri më sot, jo vetëm që nuk paraqitet nga historianët në fjalë  ashtu siç ka qenë por  bilé  anashkalohet !  Ky ballafaqim faktesh çfarë shpreh?  Asgjë më shum’e asgjë më pak por qëndrimin e historianëve në mbrojtje me çdo mënyrë të tradhëtísë Enver Hoxhës lidhur me atë çfaqje kolaboracionizmi skajor deri në shitje të interesave kombëtare shtyrë veç nga egoizmi personal i tij !

Nuk qëndroj dot pa shtuar edhe faktin se si sot janë dhjetë gjuhët e huaja në të cilat teksti historik i zënë në gojë më lart është përkthyer, por ama pa iu bërë shtesat e nevojëshme që deri në vitin 1991, vetë zotërinjtë historianë autorë të tekstit nuk guxonin t’i shtonin.  Kjo, pa u zënë në gojë  në vijim se si as historianët e tjerë si Z.Paskal Milo me shokë, të zënë ngushtë nga çka kanë shkruar duke e hymnizuar sistemin diktatorial dikur, këta edhe sot, me gjithë heshtjen e tyre kuptimplote rreth fakteve që deri në vitin 1991 as mendohej se mund të paraqiteshin, e kanë për ndér t’a rishkruajnë historinë për tekstet shkollore ! (?)

E si përfundim natyrshëm lind pyetja : A ka mospërgjegjësí më të madhe nga ana e drejtuesve shtetërorë të sotëm që vazhdojn’ edhe ecin përgjatë të njajtit shteg si në kohën e diktaturës ?  Kujt i shërben ky qëndrim i mohimit të së vërtetave siç u bë për 47 vite me radhë  ? E pikërisht ky qëndrim zyrtar çon në valavitjen nga njera anë të pankartave me portretin e diktatorit mbas shpatullave të drejtuesve të sotëm të vëndit e deri në shpotitjen madhore që u bën kategorive të ndryshëme popullore Presidenti Nishani duke u dhënë titullin Nderi i Kombit si kriminelëve e gjithashtu edhe viktimave të tyre !

Përkundruall këtij fakti sjellim shëmbullin tjetër :  Cili qé ai që atdhedashurinë e shtynte deri në vetëflijim ?  Ja si shprehej në vargje Patër Gjergji Fishta :

Qé mue tek m’keni, merrni e m’bâni flí, / Për shqyptarí, me shue çdo mní mizore./

Oh ! Edhe pa mue Shqypnija kjoftë e rrnoftë,/ E nami i sajë per jetë u trashigoftë !

Pikërisht Ai duhej mikluar e pastaj tulatur.  Dhe hapin e parë qeveria fashiste italiane e bëri : i akordoi Patër Gjergj Fishtës, Provincialit te Françeskanëve të Shkodrës, me dekret mbretnor, një nga dekoratat më të larta që akordonte fashizmi italian.  Por përgjigja e Titanit qé e papritur, qé e prerë : E refuzoi dekretin mbretnor duke u shprehur :

“KJO DEKORATË NUK ÂSHT PËR MUE!”

E megjithëse ky qëndrim i Patër Gjergjit dihej botërisht e gjithashtu edhe fakti se Ai ndërroi jetë që në vitin 1940, historianët shtypen e përtypen dhe meazalla se ia heqin cilësorin fashist,  tradhëtar, agjent i Vatikanit e shto të shtojmë! E për t’i vën’edhe kapak historiani Arben Puto e cilëson sot’e kësaj dite Patër Gjergjin edhe si KUISLING ! (???)  Dhe unë shtroj pyetjen : Si mund t’u besohet rishkrimi i historisë kësaj kategorie historianësh të komprometuar deri në palcë me bëmat e diktaturës të cilët në veprat e tyre kanë shkruar vetëm njerën anë të së vërtetës, atë që u vjen atyre për mbarë, (fjalën e V.Stojniçit në Plenumin e II-të të Beratit, por me heshtje e kalojnë fjalën e diktatorit në mbledhjen e Byrosë Politike të 15 dhjetorit 1947), ose, për të mos lejuar t’i hidhet dritë  servilizmit të tyre, heshtin kur krimineli dekorohet dhe … vazhdojn’e heshtin kur viktimave të po atij krimineli u akordohet e njajta dekoratë ! Prandaj vijmë edhe në përfundimin logjik se duhet shkruar dhe shkruar intensivisht që të mos quhet dhe të mbetet si histori ajo që kanë shkruar dhe vazhdojn’e shkruajnë historianët e diktaturës, shtrembërues të historisë. E këtë pozicionim’e mbështet fuqimisht njera nga tezat e quajtur nga më të famëshmet e historianit si edhe filozofit të madh Benedetto Croces i cili në librin e tij me famë botërore me titull: - TEORIA SI EDHE HISTORIA E HISTORIOGRAFISË – pohon ndër të tjera se “E VETMJA HISTORI E VËRTETË ËSHT’AJO BASHKËKOHORJA” !   Dhe unë shtoj :

PA VËNË DORË HISTORIANËT E POLITIZUAR NË TË !



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora