E enjte, 01.05.2025, 08:49 AM (GMT+1)

Editorial

Bedri Tahiri: Ikja

E diele, 28.12.2014, 06:06 PM


Problemore

IKJA

Nga Bedri TAHIRI

Një fjalë vetëm me katër shkronja: IKJA. E vogël në të parë, por me domethënie shumë të madhe në jetë. Ka llojlloj ikjesh. Ikje nga rreziku. Ikje nga e keqja. Ikje nga fatkeqësia. Ikje nga beteja. Ikje nga belaja. Ikje  nga shtëpia. Ikje nga shkolla.  Ikje nga puna. Ikje nga marrëzia. Ikje nga nga vdekja. Ikje e ikje...

Dhe, që të gjitha këto, kur ua gjurmon gjenezën, ndoshta disi edhe mund të arsyetohen.

Po ikja nga atdheu?!

Ah, të keqen vëllai, kjo është histori në vete që kërkon studim më të hollësishëm. Po, po, studim analitik, përmbajtjesor, psikologjik e sociologjik. Një fenomen i vjetër sa vetë njerëzimi. Zë fill qysh me dëbimin e Adamit e Evës nga parajsa. Paskëtaj, pasuan: ikjet kolektive e individuale, të dhunshme e të vullnetshme, të largëta e të afërta, të kthyeshme e të pakthyeshme, normale e jonormale...

Shqiptarët këtë mynxyrë e përjetuam më rëndë se të tjerët. Fatin e patën të tillë, gjithmonë nopran, që ua hodhi me të pabesë. Ikja e tyre qe e dhunshme dhe masive. Bukuria e trojeve të tyre të begata u bë kob për vetveten. Të gjithë e lakmonin dhe, kur u jipej rasti, vërsuleshin pamëshirshëm, si bisha të pangopura, duke i shqyer pjesë të dhimbshme nga shtati. Kështu, ata, nga zullumi e barbaria, u detyruan të iknin e të iknin, duke u tkurruar, sa u bën lëmsh e tërkuzë në cepin e poshtëm të Ilirisë hireplote.

Edhe kjo sikur nuk mjaftoi. Lëvozhga e tendosur e kësaj Mbretërie të zvogëluar skajshmërisht, nuk arriti t’i mbajë zogjtë e vet. Ajo u çjerr nga brenda e nga jashtë dhe ikjet vazhduan. Në çdo kohë e në çdo periudhë. Nga zori e nga qejfi. Për mirë e për keq. Vetëm e me familje. U degdisen larg e larg. Një farë shpërndarëse që u quajt Diasporë. Një emër jo i këndshëm, mbase edhe përbuzës e fyes. Kohëve të fundit, besa edhe në fillimet e hershme, është parapëlqyer pagëzimi Mërgatë e Mërgimtarë.

Sidoqoftë, ata gjelluan e mbijetuan faqebardhë, duke ruajtur për mrekulli qenësinë kombëtare e duke u bërë pjesë e pandarë dhe shumë e rëndësishme e mëmëdheut.

Ikjet na përcollën edhe më vonë. Për këtë u hartuan edhe elaborate e u nënshkruan konventa. Ato kulmuan gjatë luftës sonë të fundit çlirimtare në Kosovë. Një ikje biblike që tmerroi botën e civilizuar. Gjithë arsenali luftarak i një perandorie të qujatur Jugosllavi u zbraz në Kosovë dhe, natyrisht, popullata vendëse u shtrëngua ta marrë botën në sy. U boshatis sa nuk mbahej mend ndonjëherë tjetër. Shumica vajtën tek vëllezërit, në Shqipëri e në Maqedoni. Brenda ngelën luftëtarët e lirisë që i bënin ball kësaj lubie shfarosëse dhe pak familje që lëviznin nën hijen e vdekjes. Veçse, edhe kthimi i tyre në vatrat e bëra shkrumb e hi, qe mahnitës, u bë jashtë çdo parashikimi, saqë bota ngeli gojëhapur.

Po ikja e sotme?!!!

Kjo, vërtet është një kafshatë migjeniane që nuk kapërdihet dot. Sot, pesëmbëdhjetë vjet pas çlirimit, kur kemi Shtetin dhe Pavarësinë, e gjithë kjo zbrazje si me gurgule, nuk mund të përthekohen me mendjen e atij që ka një trohë logjikë.

Dorën në zemër, Dita e Bardhë, nuk solli gjithë ato që i pritëm. Dhe, lindën edhe pakënaqësi e zhgënijme. Edhe shkaktarët po dihen hapur: varfëria, papunësia, mosperspektiva e të rinjve, në njerën anë dhe, pasurimi, depërtimi e mospërfillja e disave që, siç shprehe një rilindës yni, të pa brekë i gjeti nata e milionerë i çeli dita, në anën tjetër.

Mirëpo, varfëria të rrëzbit, por nuk të korit, thotë populli ynë përvojëhidhur. Apo ta kujtojmë Çajupin tonë të madh që thoshte, më e ëmbël balta se mjalta! Jo, more nuk ka nevojë të lodhermi aq shumë e të shëtisim nëpër histori. T’i kujtojmë djemtë e vashat tona që lanë luksin perëndimor dhe rrokën armët e erdhën me i dalë zot atdheut të sakatosur. Me gjakun e tyre mbëltuan lirinë që ne sot po e gëzojmë, por edhe po e nëpërkëmbim, po e përbuzim, po e braktisim. Edhe ne jemi ma hallet e atyre që ia kthejnë shpinën trojeve të veta, por, më e madhe është gjëma  e mëkatit ndaj gjithë atyre sakrificave që sollën lirinë e pritur me shekuj.

Andaj, mos ikni! Qëndroni, se do të bëhet mirë!

Vallë, çka ua merr mendja, a do të lejonte një gjë të tillë Serbia, po të ishte në të mirën tonë?! Kurrë e kurrë! Ajo është mplakur vetë dhe ashtu kërcune e do edhe vendin tonë. Ardhmëria e çdo vendi është rinia, atëherë ç’na duhet Kosova, pa ardhmërinë tonë? Asgjë fare! Politika e saj perfide reflekton përtej kodrash. Karemi i hedhur, për lumturi përrallore përtej atdheut, është shndërruar në një verbëri të babëzitur. Një ëndërr e parealizuar. Rrushi sheh rrushin dhe piqet. Dikur, po kjo Serbi, na rrahte, na burgoste, na torturonte, na vriste, na digjte, vetëm e vetëm që të iknim larg, e ne, përkundrazi, qëndronim të palëkundur në vatrat tona stërgjyshore. E sot, mjerisht, po ngjet e kundërta!

Obobo, sa keq!

Mjerim fare!

Kjo është një kambanare që duhet të tingëlloi ashpër në ndërgjegjjen a atyre që kanë mundësi të bëjnë diç në parandalimin e kësaj kataklizme mbytëse. Aman, aman, një e keqe, që në heshtje e pa shumë zhurmë, po na gërryen si kanceri, e sikur nuk po i bëjmë turr vençe e pa hile që ta ndalojmë.

Nesër, sigurisht, do të bëhet vonë dhe, kot, mund të çirremi:

Ore, po ku ishim dje?!



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx