Editorial
Ramiz Selimi: Emigrimi shpresë dhe zhgënjim!
E diele, 30.11.2014, 08:12 PM
Emigrimi shpresë dhe zhgënjim!
Oficiel
Shkruan Ramiz Selimi
Fotografia më e poshtër për shqiptarët e Kosovës të këtij fillim shekulli është padyshim Emigracioni. Ky është vendi i kosovarëve, ku banorët e saj duan më patjetër ta braktisin atë vend. Pse? Vend i cili ka patriotizëm dhe fjalë të mëdha kombëtare për të eksportuar, ndërsa nuk ka bukë për të ngrënë, ky është turpi i madh për kombin tonë. Cili komb në rajon dëshiron të largohet nga vatrat stërgjyshore? Nuk ka asnjë komunitet që jeton në këtë rajon e që është bërë lakuriq aq fort sa ne. Ekonomia në nivele të ulëta, gati e shkatërruar, politika punon në dobi të interesave personale, iniciativa nuk ka askund fare, idetë e tyre injorohen, pra, këta njerëz ftohen nga jeta tyre dhe me çdo kusht kërkojnë një vend ku së paku do të sigurojnë bukë për veten dhe për fëmijët e tyre.
Ajo që
shqetëson më shumë është fakti se nga Kosova ka pothuajse vetëm largime, pa
pasur të riatdhesuar apo azilkërkues nga vende tjera. Ta marrim shembull
Gjermaninë apo vende tjera të Bashkimit Evropianë numri i ardhacakëve është më
i madh se sa numri i atyre që largohen nga vendi. Largimi i banorëve nga këto
shtete nuk përbën asnjë problem pasi ka vazhdimisht ardhje të reja. Natyrisht
mungesa e këtyre qytetarëve është boshllëk për shtetin tonë, ku
Qeveritarët apo faktori përgjegjës për jetën dhe mirëqenien e qytetarëve ka shpikur një term tani më të njohur, emigrimi po bëhet për“një jetë më të mirë”! Por realiteti tregon se kjo përfshin një gamë të gjerë faktorësh që i detyrojnë shqiptarët të largohen dhe është i reflektuar në mungesën e njëtrajtshmërisë ndërmjet qytetarëve kosovarë. Unë këto ditë vizitova qendrën për pranimin e refugjatëve në Traiskirchen. Ky lokacion ishte i stërmbushur me refugjat edhe nga Kosova, sa që në dhoma ishin të vendosura nga 30 persona.
Personat përgjegjës ishin në siklet nga numri i madh i azilkërkuesve, shumica prej tyre vinin nga vendet arabe, por shqiptarët gjithashtu përbënin një numër të madh aty. Drejtori i Qendrës së pranimit në Traiskirchen zoti Shabytl thotë se, komuna e tyre është tepër e ngarkuar dhe stërngarkuar me azilkërkues. Ai po kërkon ndihmë prej landeve tjera që ti dalin në ndihmë. Ai mbetet i befasuar se si numri i azilkërkuesve shqiptarë mbetet në kuota shumë të larta. Ai thotë se numri i azilkërkuesve nga Kosova pas lufte është më i lartë së para lufte!
Pak si më humor mu drejtua drejtori duke më thënë se:”Shqiptarët janë racë e mirë, e bardhë, punëtorë të mirë dhe e duhur për Evropën, racën shqiptare e pëlqejnë gjithandej, më shumë se popujt tjerë. Është popull që asimilohet shumë lehtë kur emigron, këta njerëz na duhen neve para afrikanëve apo arabëve sepse Evropa ka rënie të natalitetit!.
Punëtorë informal, por të detyruar!
Aty takova familje dhe shumë të rinj shqiptarë. Bisedova me disa prej tyre. Adnani një djalë i ri 25 vjeçar ishte nga Prishtina kishte përfunduar Fakultetin Ekonomik. Ai tregon: “ Pasi përfundova fakultetin shpresova shumë, konkurrova në të gjitha vendet e mundshme, gjithkund me refuzuan! Vitin e kaluar punova dy muaj si Kamareir dhe këtë vit për pesë muaj në një Kompani private në sektorin e ndërtimtarisë. Kjo ishte e tëra, në të dy rastet i pa lajmëruar dhe i pa siguruar, sikur të isha një shtazë. Punën në profesionin tim as që mund ta imagjinojë. Në sektorin privat je i përbuzur deri në maksimum sepse nuk ka kontroll askund. Me parat që fitova nga puna pagova ndërmjetësin për të më dërguar në Hungari. Pata fatin që erdha direkt këtu pa u sistemuar në Hungari. Por, tani jam jashtëzakonisht i dëshpëruar sepse këtu nuk pranojnë qytetarë nga Kosova, kam frikën se do më kthejnë. Me kthimin tim do të përfundon gjithçka nga jeta ime, sepse unë nuk kamë pronë, banesë,e as punë”!
Gentriti
një tjetër djalë 27 vjeçar i martuar me
dy fëmijë, kishte regjistruar Juridikun, por për shkaqe të vështira financiare
ishte detyruar ta ndërpriste, ai vinte nga një fshat i Rrafshit të Dukagjinit.
Gentriti tregon:” Unë kamë gjithsejtë një parcelë toke truall(12 ari) dhe një shtëpi të vjetër të
trashëguar nga prindi, kjo është e tëra. Një ndihmë sociale prej 84 eurove kamë
marr nga shteti i Kosovës për nënën . E pamundur të jetojmë si njeri me këto.
Punova për disa vite të një Fermer nga 6 e mëngjesit e deri në orën 22 të mbrëmjes
për 200€ në muaj. Fermeri ishte i pamëshirshëm, më thonjte se unë duhet të
gënjejë fshatarët apo miqtë e fermerit
se jam duke punuar në formë të rregullt dhe me sigurim shëndetësor. Kur vinin
inspektorët që luftonin kinse informalitetin, apo ata për subvencione, Fermeri ju therte mysafirëve nga shteti
Qengja dhe Vica, ju përgatitke koktej me këngë e alkool deri në mëngjes. Unë
duhej të isha i lumtur më thonin të gjithë sepse kisha një punë për të
mbijetuar, por nuk isha i lumtur aspak, sepse punoja punë të rëndë gjithë ditën, nuk pata kohë
fare për familjen . Fermeri shiste qumështin rregullisht të Vita, fitonte para
të mira, përfitonte edhe subvencione,
nga shteti. Blinte makina të shtrenjta, Traktora të rinj me punën time. Unë nuk
kisha mundësi të blejë veshmbathje për familje, thashë, ta hajë dreqi këtë
punë, vendosa të iki nga Kosova.
Investimi në gjeneratën e dytë në perëndim është çelësi i zhvillimit ekonomik!
Njëkohësisht emigracioni është bërë ëndërr dhe zhgënjim, problem i cili do të vazhdojë të mbetet një plagë e shoqërisë shqiptare edhe për sa kohë situata ekonomike të ne mbetet e vështirë.
Zgjidhja më e mirë është që qeveritë të punojnë për stabilizimin e vendit, hapjen e vendeve të punës, dhe rikthimin e fuqisë punëtore, por edhe intelektuale, e cila po e lë vendin çdo ditë e më shumë. Emigracioni është një ndihmesë e konsiderueshme për një jetë më të mirë për momentin, por është një iluzion dhe zhgënjim i madh për të ardhmen e vendit dhe të fëmijëve tanë.
Kombëtarja shqiptare tregoj se mentaliteti dhe përvoja perëndimore është vendimtare për të pasur sukses. Këtu nuk ka dallim edhe politika, ekonomia apo sporti, ata kanë nevojë për disiplinë vullnetare dhe respektim të ligjit, duke pasur prioritet suksesin e kolektivit(shoqërisë). Sa do që të ketë ndryshime politike rezultatet do të mungojnë gjithnjë, sepse këta njerëz nuk munden dhe nuk dinë ndryshe, po të kenë në dispozicion edhe qindra miliarda, e kotë do të jetë, sepse mentaliteti i tyre orienton këto miliarda në gjiro-llogaritë private.
Çelësi i
zhvillimit të rajoneve shqiptare gjendet në perëndim tek gjenerata e dytë e
mërgimtarëve. Sa më shpejt ta kuptojmë aq më shpejt do kapim hapin e duhur. Në
futboll e kuptuan dhe tani ngritja është duke ndodhur.