Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Një malsore që nderon kombin
E diele, 09.11.2014, 07:00 PM
NJË MALËSORE QË NDERON KOMBIN
SHQIPTAR
Tringë Smajlja në pullën postare të Kosovës
Nga Frank Shkreli
Të hënën me 3 nëntor, Posta e Republikës së Kosovës njoftoi publikun se lëshoi në qarkullim një pullë postare, kushtuar "njërës prej luftëtareve më të shquara shqiptare" Tringë Smajles ose Tringës së Maleve. Në njoftim thuhet se Tringa ishte vajza e bajraktarit famëmadh Smajl Martini (Ivezaj) dhe jep një biografi të shkurtër të Tringës dhe familjes nga e cila ajo rrjedhë. Ajo u lind në vitin 1870, në Grudë, në periudhën e rëndësishme të përpjekjeve historike të shqiptarëve për të ruajtur trojet etnike në luftërat e tyre kundër turkut e kundër sllavit. Rrreziqe të mëdha po i kërcënoheshin Shqipërisë dhe shqiptarëve prej synimeve të të huajve ndaj trojeve shqiptare, në atë kohë. Posta e Republikës së Kosovës, në njoftimin e saj duke shkruar për familjen dhe meritat e Heroinës shqiptare të Maleve, shënon se në luftën për mbrojtjen e trojeve shqiptare, në vitin 1883, ranë heroikisht dy djemtë kreshnikë të Smajl Martinit, Zef e Gjon Smajli, duke e lënë ketë shtëpi fisnike pa asnjë djal. Është ky moment i hidhët i sakrificës në familjen e Smajl Martinit që e bën Tringën të bëjë betimin dhe të jepte fjalën se do të bëhej burrneshë -- trim e fisnik ashtu siç ishte edhe i ati i saj, i cili thuhet se qe rrëmbyer dhe fati i të cilit nuk dihet as sot. Në përputhje me këtë betim të saj, në vend të stolive të asaj kohe për vajzat, Tringa veshë "çakçirë e xhamadan, ngjeshë alltinë dhe rripin e fishekëve dhe në krah vendosë pushkën".
Në lidhje
me pjesëmarrjen e grave malësore --siç ishte Tringa -- në luftën për liri
e pavarësi të kombit shqiptar fillim shekullin e kaluar, gazeta shqipe, "E
Vërteta" që dilte në Stamboll, më 27 Mars, 1911, boton artikullin me
titull, "Trimëresha gra malësore", marrë nga një gazetë turke e kohës
dhe e cila vërteton pjesëmarrjen e grave të Malësisë së Mdhe në luftërat
për çlirimin e trojeve shqiptare nga pushtuesit e huaj. "Pas lajmeve të veçanta që kemi, u
vërtetua se midis kryengritsve malësorë gjënden edhe gra të armatosura si burrat
dhe luftojnë me trimëri dhe inat më tepër se burrat, duke dëshiruar më
mirë vdekjen se të këthyerit prapa", shkruante gazeta turke e cituar nga
gazeta shqipe “
Tringa, dallohej si e urtë e trimëreshë sa që me veprat e saja kishte frymëzuar edhe Poetin Kombëtar At Gjergj Fishtën i cili në veprën e tij "Lahuta e Malëcisë" ia dedikon asaj “Kangën e Njëzetedytë", të titulluar thjeshtë, "TRINGA". Poeti kombëtar tregon për "vashën" e quajtur Tringë, e cila jetën dhe rininë ie saj ia kushton vëllait të saj të plagosur në luftë me "shkje". Kujdeset për të, por më në fund i vëllai vdes nga plagët. Tringa mbetet vetëm, ndërsa armiku i afrohet tek dera, ajo megjithëse e tronditur nga vdekja e vëllait, çohet e merr armën, ndërkohë që "një çetë shkjeshë" përpiqet ta kapin në dorë. Por ajo, sipas portretit që i bën poeti kombëtar, Tringa drejton pushkën për të sulmuar armikun dhe i këndon kësaj heroine:
"Hiqi
gisht he, bujareshë!
Se njëmend kenke nji bi prej fisit!
Bjeri Shkjaut, bre sokoleshë,
Mu në parzme për mjedisit!
E t'a ndjejë Knjazi n' Cetinë
Se edhe n’i qitët Shqyptarët ai fare,
Pasha Zotin në Shqypni s'hinë,
Der të jetë gjallë ndoi bi shqyptare,
Që për erz e Besë e Atdhe
Këto edhe vdesin si me le.
Edhe dielli dheut i ra,
Gjallë por Tringa Shkjaut n'dorë s'ra!
Për veprimtaritë dhe luftërat patriotike të malësorve për liri e pavarësi të popullit shqiptar, ndër të tjerë, ka shkruar edhe nglezja Edith Durham e cila ka jetuar me familjet e kryengritsve malësorë shpesh të fshehur nepër shpella. Edhe veprimtaria e Heroines së Maleve, Tringë Smajles kishte marrë dhenë, falë korrespondentëve të disa gazetave të huaja të kohës, përfshirë edhe gazetën amerikane Nju Jork Tajms që e kishte cilësuar Tringën malësore si "Joan of Arc e Shqipërisë", duke e krahasuar atë me vajzën fshatare franceze e cila sipas gojëdhënës ishte caktuar nga Perëndia për të udhëhequr Francën drejtë fitores në luftën e gjatë të atij vendis me Anglinë në mes të viteve 1400, dhe e cila sot e kësaj dite konsiderohet si simbol i qëndrueshëm i bashkimit dhe nacionalizmit francez. Gazeta Nju Jork Tajms, në korrespeondencën e saj të 9 majit, 1911 nga Cetina, e përshkruan Tringë Smajl Martini Ivezaj, si njërën prej legjendave të Ballkanit dhe heroinave luftëtare më të guximshme në historinë e rajonit, duke shkruar se "Ajo zuri menjëherë vendin e babait të saj dhe udhëhoqi fisin e Martinajve në fitoren kundër Turqve." Gazeta Nju Jork Tajms e përshkruan këtë "Joan of Arc" të re e cila ende nuk i kishte 22 vjetë, si të "gjatë, të bukur, dhe si një vajzë të re të zhvilluar mirë". Të gjitha femërat shqiptare janë trimëresha, shkruante gazeta amerikane mbi Tringën dhe se ç'prej moshes së re ato mësohen të përdorin armët.
E vërtetë se Tringa e Maleve ishte trimëreshë dhe e bukur, siç e përshkruan Nju Jork Tajms, por ajo ishte më shumë se aq. Ajo e dinte se trimëria është e nevojshme e dinte se trimëria në vetvete nuk mjafton për t'i sjellur kombit dobi dhe një të ardhme të lumtur afatgjatë. Thuhet se kjo kjo atdhetare, përveç flijimit personal dhe familjar në altarin e Atdheut, Tringë Smajlja që ndryshe njihet edhe si Tringa e Grudës dhe Tringa e Maleve, shkriu tërë pasurinë familjare për të hapur shkolla në gjuhën shqipe në Malësi.
Mirënjohje
Postës së Republikës së Kosovës për vendimin e saj për të përjetësuar me
pullë postare Heroinën shqiptare Tringë Smajlja, sepse njeh me këtë nismë
veprën dhe sakrificën që është përjetësuar dhe vlerësuar atëherë dhe sot nga të
huajt dhe nga historia. Në shkrimin mbi
Tringën, para më shumë se 100-vjetësh, gazeta Nju Jork Tajms i përshkruan
Shqiptarët si "Racën më të mirë në Europë. Gratë e tyre janë shumë të
bukura... t'i shikosh duke ecur është një kënaqësi...u kënaqa për së tepërmi
kur i pashë për herë të parë Shqiptarët duke ecur. Ata janë të hijshëm,
elegantë dhe të fuqishëm, “shkruan korrespeondenti. Ata janë një
racë e mirë dhe të talentuar. Ata janë raca më e mirë si nga pikëpamja fizike
ashtu dhe intelektuale në Ballkan”. Artikulli vazhdon duke nënvijuar
se po të shkosh në Konstantinojë, atje do të zbuloni se ndër burrat më të mirë
-- jo vetëm në radhë të ushtarëve por edhe në radhët e burrave të shtetit
-- janë shqiptarët. Njëkohsisht, gazeta
Nju Jork, para më shumë se 100-vitesh, fatkeqsisht raporton edhe se “
Kam drojë
se i njëjti korrespondent i huaj, po të vizitonte trojet shqiptare sot, do
të vinte re patjetër shumë përparime: do të shikonte dy shtete
shqiptare, përparime në shumë fushë, por
ama do të vinte re -- siç ka venë re më se 100 vite më parë –se interesat e
klasës politike të shqiptarve sot, ndonëse nuk janë të bazuara në nivel klanesh
fisnore si atëherë, por do të arrinte në përfundimin se interesat janë në bazë
të klaneve politike, pasi duke se shqiptarët edhe sot sikurë e kanë të
vështirë të vendosin interesat kombëtare mbi interesat e klaneve politike.
Por, shpresojmë që siç ka thënë e dhe Nju Jork Tajms 100- e ca vite
më parë, se kjo do të ndodhë me kohë, por kur?
Liria që gëzon sot kombi shqiptar ka kushtuar gjak e sakrifica, mund e djerës, vuajtje e mjerime të shumë brezave. Shembulli i sakrificës së Tringës së Maleve dhe familjes së saj -- si dhe i mijërave familjeve të tjera shqiptare gjatë shekujsh, anë e mbanë trojeve shqiptare -- duhet të shërbejë si simbol i përpjekjeve që edhe sot me urtësi dhe me atdhedashuri, kombi shqiptar të sigurojë vendin dhe emërin e ndershëm në radhë të kombeve të tjera europiane, duke hequr dorë nga interesat e ngushta klanore të partive dhe t’i përveshen interesit të kombit, duke ndërtuar shtetin funksional dhe juridik. Ky do të ishte justifikimi më i mirë dhe më atdhetar për të kujtuar meritat, sakrificat dhe trimërinë e Tringës së Maleve dhe malësorve trima. Në këtë mënyrë, bota do t’i konsideronte shqiptarët, jo vetëm si "raca më e mirë, më e pashme dhe më e talentuara në Europë", por edhe si një racë me ndërgjegje dhe vetdije kombëtare që nderon e respekton lirinë e vet dhe të fisit, për të cilën luftoi Tringa e Maleve.