E shtune, 20.04.2024, 12:12 AM (GMT+1)

Faleminderit

Gjonaj: Gjekë Gjonlekaj, faqja e bardhë e Trieshit

E enjte, 06.11.2014, 08:36 PM


Gjekë Gjonlekaj, faqja e bardhë e Trieshit  në Amerikë

Nga Gjekë Gjonaj

Unë personalisht nuk e kam takuar asnjëherë  protagonistin e këtij shkrimi.Me këtë  bashkëvendas nuk kam zhvilluar asnjë bisedë. Si emër e mbaj mend  qysh   se ai punonte gazetar i Zërit të Amerikës, në vitet 80-të të shekullit të kaluar.  Nëse nuk gabohem ishte  shqiptari i parë nga trevat etnike shqiptare në Mal të Zi    përmes valëve të këtij radiostacioni prestigjioz ndërkombëtar informonte  opinionin  për problemet e shqiptarëve në Ballkan dhe diasporë.  Prej  atëherë  kam fituar bindjen  se  fjala është për një intelektual të mirëfilltë i përkushtuar  vendlindjes dhe kombit shqiptar. Ky respekt   ndaj  tij  vazhdon edhe sot.  E përbashkëta jonë është se jemi nga e njëjta trevë ku respektohet shumë tradita, trashëgimia   familjare dhe virtytet e malësorëve. Të  rritur e të edukuar  në një rreth shoqëror në  frymën kombëtare, të ushqyer me brumin shqiptar. Kemi  të njëjtin emër. Të njëjtat iniciale GJ.Gj. Kemi studiuar në Kosovë.  Kemi qenë dhe jemi koleg ( gazetar) . Dhe çka është më me rëndësi  na bashkon përpjekja jonë modeste që me fuqinë e pendës të afirmojmë vlerat tona kombëtare.

Personalitet me veprimtari të  gjithanshme

Veprimtaria e Gjonlekajt   është e pasur, e gjërë dhe shumëdimensionale, me një shtrirje në disa fusha. Renditet në mesin e gazetarëve më të rëndësishëm shqiptar  të diasporës në fundshekullin e kaluar. Ai ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon  me shumë gazeta e portale shqiptare, por edhe me shtypin e huaj. Emri i tij tashmë  është një zë i njohur në botën e gazetarisë shqiptare.  Me veprimtarinë e tij në fushën e shtypit   Gjonlekaj ka propaganduar zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare ashtu siç bënte bashkëvendasi i tij Nikollë Ivanaj dhe shumë publicistë të tjerë shqiptarë në periudhën e Rilindjes Kombëtare.   Përveç gazetarisë, ai është i njohur si intelektual, si humanist, si botues, si atdhetar i devotshëm i angazhuar gjithnjë për zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve në Ballkan,por edhe si orator,apo siç themi ne trieshjanët gojëtar,që flet bukur para popullit. Në gjykimin tim Gjekë Gjonlekaj  është një intelektual i angazhuar, që nuk pajtohet kurrë me atë që mendonte se nuk duhet të ishte ashtu. Është një mendje e pavarur  që vazhdimisht merrë pjesë në shqetësimet e popullit të vet dhe jep mendimin e tij të pavarur. Dhe kjo nuk është pak.

Profili gazetaresk

Me anë të shkrimeve, komenteve, ngjarjeve historike, reportazhe dhe profile historike, qytetare e intelektuale, Gjonlekaj  solli  nëpërmjet   Zërit të Amerikës , jetën e komunitetit shqiptar në Amerikë, e të shqiptarëve jashtë trungut amë.Profili i publicistit , intelektualit dhe gazetarit të njohur Gjekë Gjonlekaj në vitet 1982-1992, kur punoi si gazetar në Zërin e Amerikës  i përket brezit të artë të gazetarëve në  mëgrim, të cilët me    fuqinë  e mendjes së mprehtë, në sajë të përkushtimit, pasionit e përgjegjshmërisë  morale, qytetare e intelektuale na ka dhënë  gazetarinë bashkëkohore, profesionale . Përmes profesionit të gazetarit vlerësoj se  na dha profilin    e tij shoqëror e qytetar të njojhur jo vetëm nga kritika e kohës ,por edhe nga opinion publik shqiptar.

Preokupimi kombëtar

Nga njohjet dhe informacionet  e mia ky veprimtar  e aktiviist i palodhur  i komunitetit shqiptar në Amerikë  gjatë gjithë jetës së tij në këtë kontinentë të mundësive dhe lirive të mëdha ka qenë i preokupuar për mbrojtjen e çështjes shqiptare.  Sidomos u shqua për veprimtarinë e tij  në realizimin e aspiratave të popullit shqiptar në Ballkan, veçmas në dekadën e fundit dhe të parafundit të shekullit të kaluar, periudhë kjo tepër e rëndësishme  për çështjen shqiptare. Ka marrë pjesë aktive  në organizimin e veprimtarive të shumta të tilla atdhetare në  Nju-Jork, Uashington e qendra të tjera , duke e njohtuar Qeverinë  Amerikane me padrejtësitë që u bëhen shqiptarëve nga sistemet totalitare komuniste dhe për kërkesat e tyre për  liri e pavarësi . Në formimin e tij  kombëtar  ndoshta  kanë ndikuar  sadopak  edhe bashkëvendasit tonë: Prof.dr. Mirash Ivanaj, ministër i Arsimit  në Shqipëri, njëri ndër intelektualët më të njohur të kombit shqiptar dhe Atanas Gega, autor i një vepre të rëndësishme për  Skënderbeun.

Takimi  me  nobelisten shqiptare

Në jetën e përditshme  si gazetar Gjonlekaj  ka patur kontakte me personalitete të kulturës, intelektualë e qytetarë të thjeshtë, figura të njohur të politikës  shqiptare dhe asaj të huaj. Në  karrierën e tij  në fushën e  gazetarisë,si çdo gazetar, besoj se ka përjetuar momente të ndryshme, të këndshme, kritike, dëshpruese e të trishta. Por   jam i sigurt se momenti më mbresëlënës nga eksperienca e tij është  intervista me  Nënë Terezën- simbolin e identitetit modern shqiptar.  Takimi i tij i parë me humanisten  shqiptare të përmasave botërore ishte në vitin 1988 në Nju- Jork. Gjonlekaj, duke raportuar për Radion e Zërit të Amerikës   për nobelisten  shqiptare, arriti    regjistrojë  zërin e Nënë Terezës në recitimin e uratës tradicionale “ Puna e Pendimit”, në gjuhën shqipe

Nga ky fragment i inçizuar nga  z. Gjonlekaj dhe i transmetuar , siç theksova, nga Zëri i  Amerikës, të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës   mësuan se Nënë Tereza  nuk e kishte harruar gjuhën e origjinës – shqipen  edhe pas   një largimi prej 60 vjetësh nga  qyteti i Shkupit dhe qëndrimit të saj  në ambijente joqshqiptare, apo siç  thoshte  Ali Podrimja  “ Çështë e vërteta, lutjet as uratat  në gjuhën shqipe Nënë Tereza nuk i kishte harruar për të gjallë , as nuk mund t’i thoshte  në një gjuhë tjetër”.    Gjonlekaj ka patur fatin e madh   të takojë disa herë  Nënë Terëzën dhe ka pasur korrespondencë  me të.  I lumi ai që e ka takuar dhe njohur personalisht  këtë  simbol të humanizmit shqiptar, këtë  ikonë të mbarë njerëzimit.Ndërkaq  Nëna Terezë  në vitin 1997 kur Kongresi Amerikan e shpalli qytetare nderi,iu kishte drejtuar vëllaznisë Gjonlekaj : “ Çdo punë e bërë/ me zemër të plotë/ e ofron njeriun/ pranë të madhit Zot… ( E juaja fisnike, shtator 1997).

Kontributet  në fusha të tjera

Përveç veprimtarisë  publicistike dhe atdhetare  Gjekë Gjonlekaj    ka lënë gjurmë  të pashlyera edhe në fusha të tjera.  Të flasësh për    dhe të mos përmendet kontributi i tij  i  madh në   fushën e  botimeve  dhe  në rrafshin humanitar   është e pamundur dhe e pashmangshme. Shtëpia  botuese “ Gjonlekaj” në Nju-Jork ka botuar kryesisht në gjuhën angleze shumë vepra kapitale nga letrat shqipe, ndër të cilat veçojmë : veprat madhore të Faik Konicës dhe  Kanunin e Lekë Dukagjinit të At Shtjefën  Konstantin Gjeçovit. Me këto dhe botime të tjera në gjuhën angleze Gjonlekaj  mundësoi  njohjen e kulturës shqiptare në vendet anglishtfolëse. Sponsoroi shumë aktivitete kulturore e shkencore në Nju-Jork kushtuar figurave  të mëdha të kombit shqiptar. Gjekë Gjonlekaj dhe  vëllai  i tij   Luca, përpos kontributit  që kanë dhënë në shumë drejtime të tjera  në të mirë të popullit shqiptar, janë angazhuar  edhe në fushën e humanizmit njerëzor. Në këtë aspekt  nuk ka  munguar as kontributi i tyre në vendlindje. Trieshjanët  ndjehen krenarë për vëllezërit  Gjonlekaj. Ata thonë  me bindje  se Gjonlekajt  janë faqja e bardhë e Trieshit në Amerikë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora