E enjte, 01.05.2025, 09:03 PM (GMT+1)

Editorial

Selmani: Karremi i serbëve në gojën e shqiptarëve

E merkure, 22.10.2014, 08:20 PM


Në shënjestër

Karremi i serbëve në gojën e shqiptarëve

Shkruan: Ahmet Selmani

Loja e futbollit që ishte paraparë të zhvillohej në Beograd ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, por që shpejt degjeneroi në një dhunë tepër barbare, nxori në shesh disa gjëra të vjetra dhe të reja njëkohësisht, mbi të gjitha, djallëzinë serbe dhe naivitetin shqiptar. S’do mend, e gjithë kjo mbase i ka edhe arsyet e veta të cilat nuk janë aq lehtë të shpjegueshme, siç mund të mendojë shumica e njerëzve me mendësi folklorike. Prandaj, duke u nisur nga kjo pikëpamje, këndej medoemos nevojitet që gjërat të ndiqen në një kontekst më të gjerë e më të thellë për të kuptuar sadopak esencën.

Për sa i përket çështjes në fjalë, dy janë arsyet kryesore që Serbia nuk mund t’i honepsë në asnjë mënyrë; e para, takimi i Berlinit ku kryeministri shqiptar, Edi Rama gati u shpall si një lider ballkanik nga ana e kancelares gjermane, Angela Merkel, me çka i bëri xheloz shumë liderë të rajonit, e sidomos Serbinë dhe, e dyta, vizita e Papa Françeskut në Tiranë, kur gjithë botës i tha haptazi se Shqipëria është një shembull i harmonisë dhe tolerancës fetare që duhej ta ndiqnin të gjitha vendet. Prandaj, kjo i shqetësoi së tepërmi shpirtërat e atyre që asnjëherë nuk ua duan të mirën shqiptarëve në përgjithësi. Dhe duke marrë parasysh mendësinë anakronike dhe inercinë e moçme serbe të cilën e ka treguar qindra e mijëra herë, u desh që patjetër të ndërmerrnin ndonjë hap për ta rrënuar këtë imazh pozitiv të ndërtuar në mënyrë aq të shpejtë në favor të shqiptarëve. Thënë fare thjesht, një rast shumë i volitshëm ishte pikërisht ndeshja e futbollit ku sytë i përqëndrojnë të gjithë dhe ku askujt nuk i shkon mendja se mund të ndodhin edhe gjëra aq të mprehta politike.

Në radhë të parë duhet ta kemi të qartë faktin se, çdo veprim që planifikon Serbia për ta zbatuar në një moment, paraprakisht ajo e hap rrugën e saj me një fushatë të furishme propagandistike, kuptohet për të bindur publikun e gjerë rreth asaj që ka ndër mend ta bëjë, e që më vonë, pasi të mbarojë punën, çdo gjë të përputhet dhe të duket bindëse me gënjeshtrat e përhapura më parë. Pra, e ka thënë publikisht edhe i ashtuquajturi babai i kombit serb, Dobrica Qosiq se gënjeshtra është virtyt i patriotizmit serb. Pikërisht ky parim shërbeu edhe tani. Me sa duket, e udhëhequr plotësisht nga logjika e skuthit, ndodhi edhe skenari i lojës futbollistike ndërmjet dy vendeve fqinje në stadiumin e Partizanit në Beograd.

Në të vërtetë, siç e dimë të gjithë, ende pa filluar kjo lojë aq shumë e përfolur, terreni ishte përgatitur mrekullisht; pra Serbia zhvilloi një luftë mjaft satanizuese, pikë së pari duke ngulmuar që të mos kishte tifozë shqiptarë në stadium, mandej të mos shfaqeshin askund flamuj shqiptarë me shqiponjë dykrenore, madje edhe lojtarët shqiptarë të mos visheshin me ngjyrat kuqezi etj. Me një fjalë, ajo a priori e rikrijoi mitin e rrezikut që vjen nga shqiptarët dhe atë të viktimizimit të serbëve të cilët nuk janë të qetë as në shtëpinë e tyre. Dhe kështu mund të thuhet se qysh në hapin e parë ajo e arriti qëllimin e saj, për arsye se e bindi edhe UEFA-në që të merrej një vendim i këtillë, thjesht duke ua ndaluar tifozëve shqiptarë udhëtimin drejt Beogradit. Po ashtu, e detyroi edhe ekipin e kombëtares shqiptare që të mos visheshin kuqezi, të mos shfaqej në asnjë cep flamuri kombëtar me shqiponjë. E gjithë kjo u bë me një trysni të pashembullt duke krijuar mitin e agresorit të rrezikshëm, pra të shqiptarëve, që sipas Serbisë, kishin përgatitur një skenar të llahtarshëm për ta destabilizuar këtë vend.

Pasi u arrit qëllimi i parë, atëherë ishte shumë afër mendsh se do të vijohej më tej edhe me planin e kurdisur nga shërbimet e fshehta serbe. Sigurisht, arena e vërtetë tani do të ishte në kryeqytetin serb, atje ku vetvetiu Serbia e ka çdo gjë në duart e saj dhe mund të luajë si macja me miun. Kjo u vërejt fare qartë që nga zbritja në aeroportin e Beogradit, ku u pritën nga policët e maskuar serbë, vendosja dhe zhvendosja e shqiptarëve nga njëri hotel në tjetrin, e deri te hyrja në stadium, fishkëllimat gjatë këndimit të himnit kombëtar, brohoritjet për vdekjen e shqiptarëve dhe, në fund, te shfaqja e dronit me të ashtuquajturin flamur kombëtar (me një shqiponjë, me një hartë të ashtuquajtur të Shqipërisë së Madhe, dhe me sfondin e ngjyrave të ISIS-it), vrapi për ta zbritur atë nga një lojtar serb, pastaj vërsulja për ta mbrojtur atë nga një lojtar shqiptar, përleshja e tyre në fushën e futbollit, hapja e dyerve dhe përfshirja e tifozëve, policëve, rendbajtësve serbë etj., ishin vetëm një plotësim i përpiktë i skenarit të paralajmëruar nga autoritetet serbe.

Që nga ky moment loja u ndërpre dhe u harrua krejtësisht nga të dyja palët e konfrontuara. Dhe këndej as që ishte e rëndësishme më; gjithçka u shndërrua në luftë dhe politikë. Siç mund të pritej, menjëherë pasuan deklaratët e zyrtarëve të lartë të shtetit serb, që nga ministri Ivica Daçiqi, ky epigon i S. Millosheviqit, i cili u prononcua i pari duke theksuar se nuk mbanin asnjë përgjegjësi ngaqë, sipas tij, kishin qenë të provokuar nga shqiptarët, konkretisht duke e fajësuar vëllain e kryeministrit shqiptar, mandej me kryetarin serb, Tomisllav Nikoliqin i cili tha se shqiptarët u përpoqën të shkaktonin trazira dhe ta destabilizonin gjithë rajonin, e që, sipas tij, Shqipëria nuk bëhen kurrë një shtet normal, e deri te kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq i cili paturpësisht deklaroi se e mbrojtën krenarinë dhe fytyrën nga shqiptarët provokatorë. Madje ky sqaroi se tri orë më parë i kishte paralajmëruar edhe zyrtarët e Bashkimit Evropian se shqiptarët po përgatisnin një provokim dhe incident të rëndë.

Në këtë mënyrë, para një furtune të këtillë tepër djallëzore, shqiptarët u gjetën krejtësisht të hutuar dhe të papërgatitur. Në vend se të denonconin Serbinë për këtë skenar të llahtarshëm, ata çuditërisht vrapuan  pas meritave patriotike se kush i pari e lëshoi nga qielli atë flamur, siç e cilësuan, dhe kush e mbrojti nga dora e serbëve. Pré e kësaj loje të kurdisur u bënë edhe vetë lojtarët shqiptarë, të cilët nuk u mburrën me faktin se kishin vajtur atje për të bërë lojë cilësore, por, për paradoks, për ta mbrojtur flamurin (që nuk ishte flamur). Si rezultat i kësaj, edhe retorika e mëtejme u shndërrua në një garë kryekëput folklorike.

Ndërkaq, nga ana tjetër Serbia vetëm po e forcon akuzën e saj satanizuese në dëm të shqiptarë për të arritur edhe te më e keqja, pra për të bindur botën tërthorazi se as Edi Rama nuk mund të konsiderohet një lider me frymë evropiane, ngase ai na e paska dërguan vëllain e tij, Olsi Rama në Beograd për ta dirigjuar me celular dronin mbi stadium, e aq më pak shqiptarët mund të quhen popull tolerant, siç i shpalli Papa Françesku. Rrjedhimisht, sipas kësaj logjike perceptuese, po na del se serbët janë viktimat në shtëpinë e tyre, ndërsa shqiptarët janë vrasësit që nuk i zgjedhin mjetet, madje as ndaj fqinjëve të tyre.

Prandaj, ideja e një Shqipërie të Madhe, siç e quajti Ivica Daçiqi, po na del se është rrezik jo vetëm për Serbinë, por edhe për Ballkanin dhe për gjithë botën. Por epilogu i aventurës së fshehtë ende nuk ka ardhur, çdo gjë do të shihet pas rezultatit të UEFA-së. Pa dyshim, atë do ta shohim të përshkallëzuar më vonë me hapat e tjerë që do të ndërmerren, atëherë kur Serbia do të përpiqet gjithçka për ta lidhur me flamurin e ISIS-it, pra me shqiptarët si një popull terrorist që po na e kërcënojnë jo vetëm Serbinë, rajonin, Evropën, por edhe mbarë botën. Tashmë shenjat e këtilla janë dhënë qartë; ajo ka shpallur një fletarrest ndërkombëtar për djaloshin e quajtur Ballist Morina (ose Ismail Morina), i cili, sipas saj, na paska hyrë disa ditë më parë në Serbi me dokumente italiane, kuptohet me mjekër të gjatë si pjesëtarët e ISIS-it, fsheruazi qenka përgatitur për këtë veprim “destabilizues”, pastaj qenka ngjitur edhe mbi kupolën e Kishës Shën Gabrieli afër stadiumit, thjesht për t’u perceptuar se shqiptarët (radikal sipas serbëve) po i dhunojnë edhe faltoret e krishtera, nëpër errësirë e paska lëshuar dronin dhe pastaj ia paska mbathur drejt Italisë, domethënë drejt selisë së Papa Françeskut që po i mbron shqiptarët antikrishterë.

Suksesi më i madh i Serbisë në këtë luftë të shëmtuar antishqiptare, nuk është vetëm te zhvillimi i fushatës tejet satanizuese, te diplomacia djallëzore në dëm të shqiptarëve, por edhe te tendenca e rikthimit të politikave serbomëdha, përkatësisht te fryma rankoviqiste e millosheviqiane.

Megjithëse kryeministri serb, A. Vuçiq i fitoi zgjedhjet me frymë dhe ide evropiane dhe la për të dëshiruar se më në fund Serbia do të shkëputej nga idetë e vjetra, fatkeqësisht kjo doli e pasaktë, sepse që nga rrahja e vëllait të tij nga xhandarmeria serbe, u dha sinjali i qartë se ai nuk mund të ndiqte një rrugë europiane. Prandaj, që të mos e pësonte të njëjtin fat si të Z. Xhinxhiqit, simbas gjasash, ai u detyrua që të futet në skenën e vjetër të politikës serbe, ku protagonistët e vërtetë janë Ivica Daçiqi dhe Tomisllav Nikoliqi, të cilët e kontrollojnë edhe shërbimin sekret, edhe policinë, edhe ushtrinë, ndaj edhe mund të bëjnë ç’të duan.

Në gjithë këtë katrahurë të shëmtuar, nuk na habit fare veprimi i Serbisë, por naiviteti i skajshëm i shqiptarëve që nuk dinë të kontrollohen në situata të caktuara, të zmbrapsen apo të veprojnë ashtu siç duhet në interesin e tyre. Ata e gëlltitën me lehtësi karremin që ua kishte hedhur Serbia në mes të stadiumit. Po aq e shëmtuar është edhe biseda ndërmjet gazetarit të Top Chanelit, Sokol Ballës dhe kryeministrit, Edi Rama, e cila u zbulua dhe u publikua. Duke e pyetur Edi Rama se çfarë po ndodhte me vëllain e tij, Olsi Ramën, ai i përgjigjet se e kishte sajuar vetë për të mbledhur ndonjë pikë patriotike në prag të vizitës që duhej ta bënte pas disa ditësh në Beograd. Gjithsesi, është shumë e dyshimtë kjo punë me shenja konspirative; prej nga e gjithë kjo përputhje e veprimit të Sokol Ballës me akuzën e Serbisë se dronin e kishte dirigjuar vëllai i Edi Ramës? Mbetet dilema nëse Sokol Balla ka ndonjë lidhje me këtë apo fare rastësisht ka ndodhur?

Për fat të keq, shqiptarët kështu po e gëlltisin djallëzinë e kurdisur nga serbët, dikush pa qëllim e dikush me qëllim. Edhe pse të fyer e të rrahur, askush s’u kërkon falje; edhe pse viktima, ata quhen agresorë. I tillë duket karremi i serbëve, lehtë shkon në gojën e shqiptarëve. Në vend të vetëdijes së shëndoshë, ata zgjedhin krenarinë folklorike.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx