NGJARJA NË STADIUMIN E BEOGRADIT
KA VETËM NJË PËRGJEGJËS: SERBINË
(Europa ta lexojë
drejt racizmin antishqiptar serb!)
NGA NDUE DEDAJ
Ndeshja e
famshme mes Shqipërisë dhe Serbisë fshiu çdo iluzion se kjo e fundit është duke
ecur në udhën e demokracisë. Serbët nuk ishin përgatitur për një ndeshje të
tillë, ata ende nuk ishin të gatshëm për t’i pritur shqiptarët. Nuk ishin të
tillë shpirtërisht, moralisht dhe psikologjikisht. Ky është problemi. Dhe kur
themi këtë fjalën e kemi në radhë të parë për qeverinë serbe dhe shtetin serb.
Si mund të kishte deklarime aq të ashpra, me një gjuhë të tejkaluar shovene,
nga udheheqës në moshë të re, për një gjë që ata e kishin keqorganizuar vetë?
Befasi për shumëkënd që don të besojë në vullnetin serb për integrim europian.
Indoktrinim i vjetër i një elite politike të re vetëm nga mosha. Era e re e
Serbisë kishte mbetur te Xhinxhiçi. Si është e mundur që nuk ishte bërë asgjë
gjithë këto vite për të çmontuar urrejtjen ultranacionaliste shekullore ndaj
shqiptarëve? Jo për ne, por për vetë kulturën demokratike serbe të munguar, kur
në kancelaritë europiane Serbia përpiqet të tregojë se nuk është
ajo e djeshmja. Europa moderne kërkon dhe sot falje për ato që ka bërë keq
dikur ndaj shqiptarëve, kurse shteti serb nuk gjen mënyrën për të kërkuar falje
për genocidin njëqindvjeçar karshi tyre që ka zgjatur deri para 15 vitesh. Pra,
janë një mori gjerash që të lënë shije të hidhur nga ndeshja e futbollit që
qysh në krye të herës nga vendësit ishte orkestruar si një ndeshje trup më trup
me shqiptarët. Nëse nuk ishin të përgatitur për ta pritur mikun si mik dhe jo
si armik në shtëpinë e tyre, serbët duhej ta kishin refuzuar që më parë
takimin, duke i thënë UEFA-s se ne nuk e përballojmë dot diçka të tillë. Nuk
jemi gati, nuk mundemi. Le ta thonin si të donin, por ta thonin ama! Dhe
ndeshja do të ishte zhvilluar në një vend tjetër, me apo tifozërinë e të dy
palëve. Në të kundërtën duhej ta përballonin sfidën shqiptare të një ekipi më
të vërtetë qytetar nga të gjitha pikëpamjet. Lojtarët tanë ishin sa shqiptarë,
aq dhe europianë për nga loja, sjellja, etika në stadium dhe jashtë tij. Kurrë
nuk duhet të ndodhte me ta ajo që ndodhi. Për më tepër që ata futbollistë nuk
ishin aty si individë, por si skuadër futbolli përfaqësuese e një kombi, ashtu
si ajo serbe, që, sa ç’është përfaqësuese zyrtare e Serbisë, është dhe
përfaqësuese morale e gjithë serbëve kudo në botë. Nuk i mohohet e drejta,
askujt të një etnie, të gazmojë për përfaqësuesit e saj shpirtërorë, kulturorë,
sportivë etj. Tjetër është politika e tjetër futbolli, pa asnjë lidhje mes
tyre.
Për të
gjitha këto Europa lypet t’i nxisë drejt një kultivimi real demokratik
udhëheqësit e rinj të Serbisë, që ata të jenë vërtetë demokratë dhe jo të
shtirën si të tillë, pasi përndryshe BE mashtron veten. Ti prisje që ndokush nga
udhëheqësit serbë në stadiumin “Partizani” të kapte “megafonin” dhe t’iu
kërkonte tifozëve të nacionalizmit serb që të hiqnin dorë nga dhuna verbale e
fizike ndaj shqiptarëve, nga shashkat, shishet e karriget e hedhura në stadium,
por ndodhi e kundërta, ata u shndërruan në “gjuetarë të balonave”. Nuk është e
drejtë aspak të gjenden artifice për të vënë shenja barazimi mes një qëndrimi
të dhunshëm, racist dhe një qendrimi normal në një ndeshje. Droni ishte
preteksti, jo shkaku. Ai mund të jetë “yni”, por shkaku është i tyre, urrejtja
proverbiale që mjerisht ata kanë ndaj nesh. Prandaj të kërkosh terma më të butë
diplomatikë në këtë histori dhe aq më tepër barazim është absurde(!!!) Është
njëlloj si përpjekjet për të gjetur krime dhe nga ana e shqiptarëve në kohën e
Luftës së Kosovës. Por të gjithë e dinë tashmë, vetëm kush nuk ka sy, se “kulla
e verdhë” e Matit ishte vetëm një alibi. Po a mund të pranohet sot që Europa
e insititucioneve të mos di, apo të mos dojë, të lexojë drejt dhe qartë ngjarje
që ndodhin në sy të gjithë botës? Presidenti i UEFA-s është për të bërë futboll
dhe jo për të parë mbi stadiumin e Beogradit fantazma me “bomba atomike”. Ai si
i botës së sporteve që është e di mirë se mjete të tilla fluturuese i hedhin
amatorët dhe janë vetëm pak më shumë se tollumbacet festive. Ndaj nuk mundet që
një shaka, qoftë dhe pa vend, të merret me seriozitetin më të madh nga
presidenti, kryeministri dhe ministri i jashtëm i një vendi, që presupozohet të
jenë burra shteti. Të nxehtit do të kalojë dhe diplomacia serioze
euro-atlantike do të qeshë me sulmin politik serb ndaj një balone modeste me
simbolikë shqiptare, mbase do të ironizojë se si të zotët e fajit mundohen ta
hedhin atë mbi njerëzit paqësore të ekipit shqiptar. Dhe kur të vijë puna për
t’i vënë notë diplomatike qeverisë serbe, me siguri ajo nuk do të jetë
pozitive, paçka se sot për sot në opinionin publik disa faktorë europianë nuk
duan dhe aq t’u bien ndesh serbëve. Në vitin 2014 Serbia duhet të kishte kuptuar se
futbolli është vetëm sport dhe ka kaluar koha për të dhënë mesazhe nacionaliste
me anë të tij. Ky është një sens i gabuar i kësaj kohe dhe Europa këtë nuk
duhet kurrësesi ta kalojë me ndëshkimin me “barazim” si të atyre që lëshojnë në
kor thirrje vrastare, si të atyre që respektojnë rregullat e lojës
futbollistike e diplomatike.
Pas kësaj
se si të vjen të thuash: duhet të shkojë apo jo Kryeministri Rama në Beograd në vizitën e planifikuar me 22
tetor, paçka se ai e ka konfirmuar diçka të tillë. Udhëheqësia serbe nuk ishte
e gatshme të priste një skuadër futbolli, ku bëhen vetëm gola, ndaj nuk ka se
si të jetë e gatshme të presë vizitën politike të kreut të qeverisë së
Shqipërisë. Nuk është e gatshme në asnjë plan. Deklaratat jo realiste serbe nuk
lënë vend për miqësi dhe siguri. Në këto kushte Kryeministri ynë duhet të
shkojë në Bruksel dhe jo në Beograd, pasi këtij të fundit i duhet kohë të dalë nga urrejtja e
vet. Nëse presidentin rus e priti me përulësinë tipike ballkanike ndaj “vëllait
të madh”, Kryeministrit shqiptar u përpoq t’i implikonte të vëllanë në sulmin e
“artilerisë së rëndë” me dron!? A mund të shkojë deri këtu serioziteti politik
i një shteti që kërkon të bëhet pjesë e BE-së? T’i kesh ndjenjat urrejtëse të
së kaluarës ende të pashuara në shtresëzime të ndryshme të popullit, kjo dhe
mund të mendohet, por që një establishment politik të notojë sërish në ujëra
nacionaliste kjo është krejt e papranueshme. Nëse në Serbi gjerat do të kishin
ndryshuar më të vërtetë, përpos kostumeve firmato të udhëheqësve të rinj në
moshë, atëherë ishte rasti për ta kaluar me një buzëqeshje, qoftë dhe ironike,
incidentin e “avionit” mbi stadium, duke nënkuptuar se ne tashmë jemi pjekur
politikisht dhe nuk përdorim pretekste të vockla për të ringritur kauza të
shuara. Por që të ndodhë kjo kërkohet më të vërtetë qasje europiane politike
dhe jo frymëzime e bekime nacionaliste kryepeshkopësh provokues si Irinej. Ndaj
themi se Europa duhet të bëjë leximin e duhur të kësaj ngjarje sportive, që
zbuloi shkëlqimin e rremë të politikës së një të vendi të rajonit, që ne si
shqiptarë nuk do ta dëshironim ashtu.
Tashmë
nuk mund të injorohet fakti që shqiptarët janë bashkë në shumë vendimarrje
politike në rajon, si dy shtete që bashkëpunojnë në të gjitha fushat, për më
tepër duke patur një abetare të përbashkët, ngaqë nuk ka si të jenë dy të
tilla, prej se është i njëjti alfabet, e njëjta gjuhë dhe e njëjta histori. Ata
nuk kanë faj që brohorasin shqip, luajnë shqip, këndojnë shqip dhe qajnë shqip.
E nëse kjo është “Shqipëria e Madhe” cili është faji i tyre? Këtë realitet të
ri të shqiptarëve e kanë krijuar vetë ata me ndihmën e Europës, Amerikës;
kësisoj serbve iu mbetët vetëm ta pranojnë pa i futur gurë në rrota, në
Mitrovicë, në manastirin e Deçanit apo në stadiumin e Beogradit. Një
“shqiponjë” e rastësishme rrethanash joshtetërore nuk ka asgjë të ngjashme me
platformën antishqiptare të Cubrilloviçit dhe gjenocidin e Millosheviçit. Nuk
ka një filozofi shqiptaromadhe ndër shqiptarë, i madh është vetëm dinjiteti i
tyre historik i pandërruar.