Editorial
Anton Kodrari: Shpirti i Shqiptarit gati per pritjen e mbasardhësit të Sh’Pjetrit
E enjte, 18.09.2014, 08:27 PM
Shpirti i Shqiptarit gati per
pritjen e mbasardhësit të Sh’Pjetrit.
Nga Anton Kodrari
Sh’Pali, nji ndër apostujt e parë misionarë të përhapjes së Kshtenimit nëpër rruzullin tokësor në Letrën e tij drejtue Romakëve, kap. 15 rreshti 19 dokumenton se ai vetë nëpër udhtimet e tij ka predikue ungjillin e Krishtit qysh prej Jeruzalemit e deri në Iliri, po ashtu dihet se edhe bashkëpunëtorët dhe nxanësit e apostujve e kanë shpallë këtë lajm të hareshëm në të gjitha viset e tjera të ketij Jeruzalemi të vogël që vetë dora e Zotit e mote ma përpara e mbolli në jugperëndim të gadishullit ballkanik. Po prej pluhunit të këtyne trojeve e gjakut që u derdh në Golgota u stërpikën tri kolonat e fuqishme të politikës, të shenjtnisë e të mendimit mbaruniversal, Kostandini i Madh, Sh’Jeronimi, Justinjani, po në këtë farishte Shën Asti, ipeshkvi i Durrësit në kohën e Perandorit Trajan (sundoi 98-117 mnas Krishtit) u martirizue e dha jeten për dashninë ndaj Krijuesit të tij. Pra, dimensioni i jetës njerëzore në tanësi, populli ynë e gjaku ynë në veçanti morën një kuptim të ndryshëm, ma të bukur dhe ma të plotë seç e kishin ma perpara.
Me këtë parantezë të vogel historiko-biblike due me thanë me bindje të plotë se Bekimi i Zotit per Ne lindi që me lindjen e Krishtit, që me lindjen e historisë, fryma e ungjilllit, që âsht fryma e dashnisë, e dhurimit, e faljes, e paqes mori formë konkrete gjithkund nëper kaltërsitë e hapsinave tona shpirtnore, e Mira ngadhënjeu në token e të parëve tanë.
Kjo e Mirë na shoqnoi gjithmonë dhe po vazhdon me të njajtin ritëm, edhe pse disa herësh e persekutueme me lufta të ndryshme, me diktaturë, nga gabimet e dobësitë tona, por gjithnjë e bukura e kesaj të Mire âsht se nuk zhgënjehet prej nesh sepse e njeh brumin me të cilin jemi gatue e në fund na do kështu siç jemi, sa të mirë po aq edhe mëkatnor. O shqiptar, mishnoje këtë të vërtetë sepse kësaj i thonë e Mira e shpresës, që po orvatet pa prâ me i shpluhunosë sytë e zemrës sonë e me na bâ të ndërgjegjshëm se edhe ne i perkasim kësaj të Mire. Cila asht pergjigja jonë? Sa të gatshem kemi qenë dhe jemi ende me iu përgjigjë?
Miq e dashamirë, vëllazën të besimeve të ndryshme pikërisht për këtë dhe vetëm per këtë besoj se Ati Shenjtë e ka begenisë tokën e shqiponjave, me na tregue se secili prej nesh âsht shqiponjë e thirrun qysh në lindje me fluturue nëpër rrathët qiellorë, me iu avitë kësaj të Mire, me e dashtë e me e dëshmue me veprën e jetës ashtu na mësuen Sh’Pali, Sh’Asti, Papa Klementi shqiptar, Nanë Tereza, martirët e komunizmit etj. Ne si farë krenohemi me historinë tonë, me lavdinë e të parëve tanë, me dijet tona, me punën që bajmë, me harmoninë fetare që ekziston ndër ne, me natyrën tonë të bukur, me traditat e hijshme të mikpritjes, të besës, bujarisë etj, etj.
Bilè edhe Kanuni i përforcon dhe i naltëson shumë, sidomos vlerat e besës, mikpritjes e shpirtgjanësisë saqë në faqet e para shkruhet se: “Shpia âsht e Zotit dhe e Mikut”.
Realisht
kjo u vërtetue dhe po vërtetohet në këtë kohë në pergatitjet e lloj-llojshme që
po bâhen nëpër krejt qytetet e Shqipnisë e sidomos në Tiranë ku do të jetë edhe
solemniteti i pritjes se mikut tonë, Papa Françeskut. Kjo falë çdo shqiptari,
falë politikanëve, falë çdo të kshtëni, muslimani e ortodoksi e kjo âsht buçeta
ma e bukur e luleve qe ne mund t’i dhurojmë bariut shpirtnor, e jam i sigurt që
çdo njanin prej nësh ai e ka
Pastaj pyetja tjetër, edhe kjo e personalizueme, por në një diapazon ma të shtrimë ishte: po shpirti i shqiptarit çka po bân në këtë drejtim? Besoj se Papa nuk ka nevojë për reklama e për mirëseardhje, për postera e bluza me emnin e tij, per shkrime lavdëruese në drejtim të tij, për grupe që bajnë “like” në facebook, ai ka kërkesa të thjeshta karshi nesh, do bij që i drejtojnë sytë drejt së Mires që cilësova mâ sipri, do shqiptarë që e mishnojnë këtë dimension ekzistencial në t’kenunit e tyne dhe e dëshmojnë me veprën e jetës, do që të ulet kambëkryq me ne rreth sofrës së dashnisë. Tuj ndjekë të perditshmet dhe mediat e ndryshme kam vu re herëmbashere këta 2 muaj spekullime shumë të pavend, disa teori konspirative të disa shpirtligëve që mundohen me pá terr të verbët në dritën që të verbon, që kanë frikë prej hijës së tyne e projektohen me mendime e me dallavere që nuk i shërbejnë ndërtimit dhe konsolidimit të vlerave tona si komb me dinjitet bilateral hyjnor dhe njerëzor. Vetë Papa në bisedën e tij para njerëzve cilësoi se: “shkoj në Shqipni per faktin se âsht nji popull i vuejtun e se harmonia fetare âsht në nivele të nalta” pra ky duhet të jetë nji vlerësim i madh për ne. Mos t’i lamë disa individë dashakeqas, servilë, ekstremistë që ta përhapin këtë frymë negative në popullin tonë. Papa âsht simpoli i paqes, i dashnisë, i jetës në dialog, në mirëkuptim, përçuesi mâ i mirë i vlerave njerëzore, ura lidhëse e gjinisë njerëzore me të përtejmen. Kjo duhet të na bajnë ne si popull krenar sepse jemi populli i parë i zgjedhun prej këtij prijësi në mbarë Evropën kristjane e kjo duhet të jetë një ftesë personale për secilin individ i çfarëdo race, gjinie, feje e spektri politik që të marrim përgjegjësitë që na takojnë e mbi të gjitha të përkujdesemi për rritjen e fisnikisë shpirtnore, morale dhe fetare. Duhet të rrisë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe sovranit, që âsht populli ynë i vuejtun.
Papa me dhuraten që po na bân po na tregon se dyert e Evropës, shtigjet e përparimit po hapen çdo ditë e mâ shumë për ne, por ne duhet të përshtatemi me këtë ecuni dhe t’i pergjigjemi kësaj thirrjeje e kështu t’ia kthejmë edhe një herë vendit tonë lavdinë e Gjergj Kastriotit e të Nanë Terezës, pra t’i hapim zemrat që të rrezatojnë veç dashni per shoqi-shojn e po ashtu edhe per anmikun, t’ia hapim mendjen që të prodhojmë dije në përkim me vullnetin hyjnor e të mundohena me kalue nëpeër rrugën e vuejtun të kryqit, të përshkojmë po atë kalvar që përjetoi populli ynë në kohën e regjimit, sepse ngadhënjimi ma i madh i nierit vjen vetëm tuj lundrue në lumë të rrjedhshëm.
Ardhja e Atit të Shenjtë kjoftë bekim për tokën e Gjergj Kastriotit të vaditun me gjakun e martirëve, e gjaku i pafajshëm i martirëve kjoftë uji i shuemjes së etjeve të ndryshme të shqiptarëve, kjoftë drita e shpresës dhe e mirësisë se çdonjanit prej nesh anekand globit.
Le ta presim Atin e Shenjtë me fytyra të gëzueme, me uratë, e me duer e shpirt të naltuem drejt qiellit, t’ia besojmë Atin e Shenjtë dhe mbarëvajtjen e vizitës së tij nanës sonë, Zojës së Këshillit të Mirë e ndërmjetsisë së lutjeve të tij t’ia besojmë popullin tonë Shqiptar.
Atë i Shenjtë më beko, Atë i Shenjtë na beko se të gjithëve na bashkon vetëm nji Zot.
Ashtu Kjoftë.