Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Legjenda urbane për Haki Tahën
E merkure, 10.09.2014, 06:38 PM
Legjenda urbane për Haki Tahën
Nga Gani Mehmetaj
Nga dritarja e autobusit urban, në krahun e djathtë më ra në sy tabela “Haki Taha”, në një copë llamarinë që shënonte një rrugicë të kryeqytetit. Përtej kësaj cope llamarine më pak shtëpi, rrugica ishte pa krye. Autobusi kalo tutje nëpër rrugën e dendur të qytetit, ku kolona e makinave mezi lëviznin, ndërsa mua më vërshuan kujtimet e fëmijërisë, të lidhura me këtë emër dhe më fantazitë tona fëmijërore...
Ne nuk e njihnim, Haki Tahen, nuk e dinim as cilit përcaktim politik i takonte, nuk merrnin vesh nga përcaktimet politike: njerëzit i ndanim ne ata që flisnin gjuhën tonë dhe ata që flisnin gjuhën e pushtuesit. Në mes ishin ata që bartnin fjalë, ndërsa na thoshin t’u ruhemi si atyre që kofshin tretë. Nuk dinim shumëçka për kohën e situatën, por dale ngadalë nga bisedat e shkëputura mbrëmjeve të vona të dimrit të ftohtë na vinin në vesh fjalë mahnitje e lavdërimi për trimërinë e tij...
Haki Taha, poet e intelektual i Normales së Elbasanit, i përcaktimit të djathtë, ishte ndër emrat më të përfolur dhe më të mistifikuar të historisë së re shqiptare. Për breza të tërë ai u bë sinonim i rezistencës kundër okupimit, guximit të pashoq, por edhe i kundërvënies dy shteteve komuniste: Jugosllavisë e Shqipërisë, që kishin dal në gjah kundër shqiptarëve. Bëri luftë të pavarur, apo fati e zgjodhi për të krijuar mitin e qëndresës. Doli në sipërfaqe papritmas si maja e ajsbergut e një rezistence të organizuar që u shua në mënyrë të përgjakshme, ku morën pjesë së bashku shërbimi sekret jugosllav dhe shërbimi sekret shqiptar. Ndërkaq, e paraqitën individualist të rastit, si shumë shqiptar të tjerë që luftonin dhe humbnin, sepse ishin të vetmuar, ndërsa herën tjetër si vrasës (propaganda e Enver Hoxhës), sepse shoi jetën e Miladin Popoviçit, një antishqiptari të tërbuar, themelues të Partisë Komuniste Shqiptare, që diktatori i Tiranës e kishte idhull frymëzimi për krime..
As sot e kësaj dite nuk e çmbështollën asnjëra palë lëmshin e kësaj enigme. Askush nga bashkë kohanikët e tij politikan, andej dhe këndej kufirit nuk thanë shumë për te, as në kohën, kur s’kishte fije dyshimi që s’guxonin të flisnin ndryshe nga versioni zyrtar, por as më vonë kur patën mundësi. Diç më shumë për personalitetin e tij na rrëfejnë miqtë: Prenk Gruda, përtej Atlantikut, tregon përcaktimin e tij politik e kombëtar, vendosmërinë e gjakimin. Dhe, me dashuri e pietet të veçantë për Haki Tahen rrëfen Lasgush Poradeci!
"
- Të lutem - më tha Haki Taha, - të na bësh një parathënie.
- Unë nuk shkruaj në prozë, - i thashë - po për Kosovën do ta bëj.
Njëherë vajta në Shenavlash, - vijoi Lasgushi, - dhe më ftoi për drekë prifti i fshatit. Duke ecur rrugës përmes fshatit, takova Haki Tahën, i cili më tha: - Nëna dhe unë po të presim për drekë.
- Më ka ftuar për drekë prifti i fshatit, - thashë unë, - por do të vij te ti”.
Pastaj Lasgushi rrëfen për aktin burrnor të Haki Tahës: “ Një ditë, Haki Taha vajti në komitet dhe i tha rojës me pushkë që ruante te dera: "Lajmëroje Miladin Popoviçin se e kërkoj unë". Pas pak, roja e lejoi të hynte brenda në komitet dhe atje, në zyrën e Miladinit, ai nxori koburen dhe ia numëroi të dhjetat mu në ballë. Hakiun e fshehën kosovarët me javë të tëra, se e ndiqnin serbët. Më së fundi, kur e rrethuan dhe donin ta kapnin, Haki Taha vrau veten, se vetëm trimat vrasin veten”, shkruan në kujtimet e tij Lasgushi.
Ndërkaq, miku i Haki Tahes, Prenk Gruda:pas 53 vjetesh në "Albania Gazette of Boston", Florida, me 8 Janar 1998, shkruan: “ Për kryetrimin Haki Taha mund te flasësh e shkruash një libër të tërë, por unë po marr përsipër veç një kujtim të shkurtër nga njohja e miqësia në rininë time shkollore e më pas.
Ishte prej Gjakove, qe ka qenë gjithmonë një çerdhe e shqiptarizmit. Hakiun e njoha për herë të parë në konviktin "Malet Tona" në Shkodër, mandej na ra për disa vjet me kalue së bashku në Normale te Elbasanit e Shkollën Teknike në Tiranë, gjatë pushimeve shkollore.
Hakiu ishte i gjatë e i hollë me një trup të hijshëm burrnor. Ishte i dashtun e shumë i njerëzishëm por i padurueshem me ata që anonin nga e majta, duke mendue se kështu i shërbenin Kosovës e Shqipërisë Etnike. Bile një herë u ngatrrue keq me Asim Vokshin e gjithnjë i kritikonte Emin Durakun e Xheladin Hanen, tue ju thanë se Rusët kanë ndryshue kryeqytetin e taktiken, por kanë gjithmonë të njëjtën strategji pansllave, përpimjen e shqiptareve për dalje në ujrat e ngrohta të Mesdheut e tjerë.
Fjalët e Hakiut ishin bindëse sepse ai thoshte të vërtetën pa zbukurime si dhe pa frike...
Ka qene shkrimtar i mprehtë e prozator e poet. “Përshëndetja e Kosovës nga Qafa e Prushit” 1938, në "Hylli i Dritës" është shumë mallëngjyese, një hymn i djelmenisë Shqiptare për Nanën Kosovë. Ma vonë shumë shkrime të tjera të botueme, apo dorëshkrime provojnë aftësitë e Hakiut si shkrimtar. Ai ndiqte gjurmët e Apostujve te Rilindjes. Fishta e Naimi ishin për te Ungjilli e Kurani, admironte Mjedën e Asdrenin, Prenushin e Çajupin. Interesant ishte për mue kur vinte Padër Anton Harapi e Fratel Gjoni me u takue me Haki Tahën në Normalen e Elbasanit e ne Shkollën Teknike në Tiranë. Me 28 shkurt 1937, Hakiu formoi një celule te fshehtë, në formë organizate, vetë i pestë: Haki Taha, kryetar, Minush Lipoveci, Zeki Shehi (te tre gjakovarë), Murat Llabunishti nga Struga e Prenk Gruda prej Malësisë së Madhe të Shkodrës. Ne ishim te gjithë të betuem për çdo gjë me e mbajt sekretin, me qenë të gatshëm po të jetë nevoja, me e dhanë jetën për kauzën e shejtë të Kosovës.
Haki Taha i qëndron besnik betimit dhe me 14 mars 1945, i hyn në zyrë në Prishtinë Miladin Popoviçit tue i thanë se mjaft ma i ke mashtrue e tradhetue shqiptarët dhe e vret. Hakiu nuk ja duel me u arratis prej Prishtine, prandaj vret vehten. Minush Lipoveci e Zeki Shehu kanë vdek ndër tortura në Goli Otok, ndërsa Murat Llabunishtin, Sigurimi i Shqipnisë e ka arrestue në Elbasan e dorëzue UDB-së jugosllave në Shkup, ku e kanë mbyt me tortura, ndërsa Prenk Gruda ka mbet dëshmitar i shokëve të tij dhe i shumë çështjeve tragjike shqiptare”. Ky ishte rrëfimi i Prenk Grudës.
Imazhi për Haki Tahën sa herë e kujtoj me duket më i mistifikuar se herën e parë kur e dëgjova në fëmijëri. Përpjekjet e mëvonshme për të ndriçuar këtë personazh tragjik me dalin edhe më të mjegullta, më të largëta, me rrëshqasin dhe më bëheshin edhe më misterioze, sidomos kur dëgjoja rrëfimet gojore. Sa mendoja që e kapja imazhin e fëmijërisë, kur me dilte ndonjë rrëfimtar tjetër, i cili me shpinte rrugëve të përbaltura, apo dhiarëve gati të pashkelura më pak romantike e më shumë tragjike, më pak epike e më shumë konfuze.
Sa më shumë që kalojnë vjetet aq më shumë më errësohet pamja e tij dhe bëmat që i kishim dëgjuar. Miti për te me duket po aq interesant sikurse në fëmijëri, kur e përmendnin aq shpesh, duke shikuar më frikë se mos hynte dikush që ka përgjuar prapa derës. Haki Taha u bë yll ndriçues, fanar për brezin tonë, që e gjakonte lirinë,
Të rinjtë mbase nuk e kanë idenë kush është Haki Taha, atë kohë për neve i barabartë me Oso Kuken. Brezi ynë dhe ai para nesh, pra brezi i baballarëve tanë e ngriti në mit, simbol të guximit, fanar të luftës për rezistencë kundër pushtuesit, njeriu që nuk lejoi ta torturonin e të shkelnin mbi dinjitetin e tij, patriot që para se të vriste vetën, u mbështoll me flamurin kuq e zi dhe thirri Shqipërinë etnike. Ashtu e tregojnë të gjitha versionet e rrëfimeve për trimërinë dhe fundin tragjik. Ashtu dëgjonim ne të strukur prapa stufave të ngrohta në netët e ftohta të dimrit, ndërsa imagjinonim se si bëri përpjekje të ikte në Shqipëri, por i dolën në kufi.
Aq na duhej neve. Por rrëfimi vazhdonte në gradacione. Në duar të armikut, nuk donte të binte. Ne dëgjonim me bebëza të zmadhuara, mrekulloheshim me guximin e tij dhe qanim për fundin tragjik. Sepse, heroi nuk duhej të vdiste. Megjithatë ai vdiq. Secili nga ne, netëve të gjata të dimrit të ftohtë, para se ta zinte gjumi fantazonte të bënte trimëri të ngjashme. Dhe të këndohej në këngë, sepse edhe për te ishte një këngë që këndohej fshehtë.
Sipas rrëfimit, Haki Taha, vrau Miladin Popoviçin, njeriun i cili kishte bërë krime në Shqipëri kundër shqiptarëve, i ndihmuar nga komunistët e Enver Hoxhës, sepse diktatori shqiptar e pati mentor e urdhërdhënës. Ai, pra Miladini i cyti komunistët shqiptar të vrisnin njerëzit më të zotë, duke e shkaktuar luftën civile ndër shqiptarë. I vrari pastaj ishte edhe shkaktar i shumë krimeve të tjera në Kosovën e copëtuar të Haki Tahës, prandaj e mbushi kupën. Dhe derisa e dëgjonim aktin e vrasjes rrëqetheshim, fërgëllonim jo nga tmerri i vrasjes sa nga guximi i shkrepjes së atyre plumbave. Kosova e kohës së Haki Tahës ishte e okupuar dhe e rrethuar nga serbët e malazezët: ushtarë, milicë e spiun gëlonin gjithandej. Ishte gjendje e jashtëzakonshme.
Asnjëherë nuk kërkova më shumë sqarime nga të mëdhenjtë. Babai apo miqtë e tij të pasdarkeve shqiptare, rrëfenin njëri një detaj, tjetri e plotësonte me detajin tjetër, duke krijuar mozaikun e këtij heroi të pashembullt. Trimi i rrugicave urbane të qyteteve tona.
Përderisa Oso Kuka më dukej disi ndryshe, sepse ai i priste armiqtë në grykë të pushkës, ai s’priste besë nga ta, Haki Taha, në psikologjinë e fëmijës shtatë vjeçar, mbronte besën e shkelur, premtimin e dhënë. Thjeshtëzimi i dialogut në mes të Tahës dhe të vrarit, shkaut Miladin dukej aq i kapshëm dhe aq fluror njëkohësisht: “Ku i ke fjalët për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë?” (Ku e ke besën që na e dhe, do të këndonte rapsodi popullor më vonë fshehurazi), - e pyet me mllef Haki Taha, Miladinin e Komitetit Krahinor të Kosovë-Metohisë që kishte ngrënë në një çanak me Enver Hoxhën gjatë luftës.
Miladini
i buzëqesh dhe i kënaqur me atë që ishte dhe me atë që kishte arritur, ia kthen
shqip: “Ato ishin fjalë
Haki Taha, sipas rrëfimeve të fëmijërisë, ngjashëm me këngët e rapsodit plotë mllef dhe i zhgënjyer me fjalët e tij, ia kthen: “kështu e mbanë fjalën ti?
Miladini i pamësuar me këtë gjuhë, përpiqet ta shndërroj në humor: “Leje Shqipërinë ti, jam marr vesh me Enver Hoxhën unë, po eja ta shtrojmë me raki”.
Taha në kulm të hidhërimit i drejtohet me mllef: “shka i pabesë”, dhe ia shkrep shtatë plumba. Roja të dera, duke menduar se i ka kapur nostalgjia e shkrepjeve, sepse krisma revolesh në zyre kishte çdo ditë, nuk shqetësohet, vazhdon të bëjë gjumë në karrigen para dyerve të hyrjes.
Me të mbaruar punë Haki Taha, me gjakftohtësi të mahnitshme, e mbyll derën, - me shpalohet imazhi i rrëfimeve nga fëmijëria, ndërsa i drejtohet rojës: “Mos e shqetëso shokun Miladin se po bënë gjumë”, - dhe vazhdon shkallëve teposhtë.
Se kur u dha alarmi i vrasjes dhe kush e mori vesh i pari, askush nuk e di me saktësi, nuk e thotë as tregimtari popullor, i rrëfyer nga mijëra gojë. Disa thonë se roja priti sa priti, dikur deshi t’ia kujtonte shokut Miladin se, ishte bërë koha e drekës. Por me të hapur dyert sheh se Miladini ishte i larë në gjak dhe pa pikë shpirti. Këtu përfundon episodi për fundin e Miladin Popoviçit, njërit ndër figurat më të errëta serbo-malazeze që rëndon aq shumë mbi shqiptarët. Këtu vazhdon drama e Haki Tahës, heroit urban me kollare e kostume gri, pa mustaqe dhe i dobësuar nga tuberkulozi. Nga t’ia mësyj? Ku të fshihet? Ishin mëdyshjet hamletiane të trimit. Në Shqipëri do ta vrisnin, ashtu sikurse i vranë apo i kalben në burg shokët e grupit të Tahës pas vrasjes se Miladinit. Të shkonte të ndonjë i afërm, shok apo mik e dinte se vetëm do t’i merrte në qafë. Ai megjithatë vazhdoi i qetë xhadesë kryesore, i vetëm dhe pa mbështetjen e askujt.
Në pritë i dolën forcat jugosllave të sigurisë...
Rrëfimi i fëmijërisë thotë se ai niset drejt Prizrenit dhe kufirit shqiptar...
Dëshmitë thonë se ai nuk doli nga Prishtina. E vranë në rrugë. Kur e rrethuan ushtarë e milicë të shumtë, ndërsa me një revole s’mund të bënte gjë, nxjerrë flamurin nga kraharori, e mbështjell trupin me te dhe lëshon një zë të thekshëm: “Rrnoftë Shqipëri Etnike”, duke ia shkrepur vetës!
Shuhet jeta e tij, por merr dhenë bëma për trimërinë e tij.
Për ta shuar zjarrminë e euforisë për guximin e tij, krrokaste burizani i Enver Hoxhës nga Tirana që e mbronte kriminelin Miladin, kinse dashamirës të shqiptarëve dhe e njolloste trimin Taha. Por këto krrokama sa krijonin huti, shiheshin më mosbesim e pështirosje.
Rrëfimi që e kisha dëgjuar në fëmijëri, sikurse mijëra bashkëmoshatarë, ishte rrëfimi i njerëzve të nëpërkëmbur e të okupuar nga forcat serbo-malazeze. Është ky rrëfimi që ata e kanë ndjerë apo që e kanë dashur. Por nuk është edhe rrëfimi i atyre që Miladinin donin ta paraqisnin sikur i digjej zemra për shqiptarë! Një gënjeshtër cinike që fshihte brenda krimin dhe diktaturën, që hutonte njerëz dhe përpiqej të shlyente nga kujtesa mesazhin e Haki Tahës.
Legjenda urbane e krijuar menjëherë pas vdekjes së trimit urban, ishte e kundërta e legjendave me shumë shokë e më shumë beteja. Ishte një luftë vetmitare, mbase e njeriut më të dëshpëruar në vend. Ishte klithja e popullit të vetmuar, të braktisur e të terrorizuar që kërkonte lirinë. Legjenda thotë se, ndërsa kureshtarët e panë me frikë e të mrekulluar njëkohësisht, përderisa flamuri i përgjakur ia mbulonte trupin e shtrirë në kalldrëmin e një rrugice të Prishtinës, armiqtë që kishin shpresuar shumë ta zinin të gjallë e shihnin me sy të çakërritur.
Një javë
para bëmës heroike ai u kishte premtuar shokëve se do ta ndëshkonte pabesinë
dhe tradhtarin, pra e dinte detyrën që e priste, ndërsa armiku i tij me t’u
ballafaquar me te, shpresonte se do ta hutonte me debate shterpe për premtimet
që i anashkalonte, apo që ua kthente me arrogancë: “Ta q... Shqipërinë etnike!”,
ashtu sikurse kishte thënë pas Konferencës së Mukjës. Thua t’i ketë thënë të njëjtën gjë edhe Haki
Tahës si Enver Hoxhës?
Heroizma
e Tahes me ka ndjekur gjatë gjithë fëmijërisë dhe rinisë së hershme. Më vonë me
ndiqte kureshtja:
Imazhin për Haki Tahën e plotëson libri monumental: “Rrno vetëm për me tregue”, rrëfimi tronditës i At Zef Pllumit. Ka disa pasazhe interesante nga Qazim Vula, bashkëpunëtori i Haki Tahës në vrasjen e Miladin Popoviqit, po ashtu gjakovar, trim i pa tundur. At Zef Pllumi na e bartë gati pesëdhjetë vjet më vonë bëmën: “Gjatë nji mbledhje të këtij grupi u provue se përgjegjës i vetëm i fatkeqësisë kosovare ishte Miladin Popoviqi. Në ketë mbledhje u vendos që ai të vritej sa ma parë. Kur u desht të hidhej shorti se cili do të kryente ketë detyrë patriotike qe çue e kishte fol mësuesi... i cili kishte thanë: “Mos qiti short. Un e kam jetën të shkurtueme nga tuberkulozi dhe i kam ditët e caktueme. Për shpëtimin e Kosovës un i baj flije të gjitha ditët që me kanë mbet. Këtë detyrë ma leni mue se e kryej menjiherë , por due prej jush nji revole të sigurt që mos t’i shkrep kot asnji plumb”.
Qazmi Vula tregon se si e përcolli deri të Zyra e Miladinit Haki Tahen. “Si mësues që ishte bani nji kërkesë për t’u takue me Miladinin, i cili e priti në nji orë të vonë të mesditës”. Ai tregon se si shkuan së bashku, “e kur erdhi radha hini brenda mesuesi, un ndeja në korridor. Nuk vonoi e u ndie krisma e pistoletës”. Qazim Vula tregon se si polici hyni brenda më vrull, se si e pa Miladinin e rrëzuar , kurse mësuesi kishte hap dritaren e ishte hedh në rrugë, pastaj duke ikë më vrap, ai tregon se si mësuesin e vranë në rrugë.
Versioni i Vulës është i drejtpërdrejtë, tronditës, më i besueshmi që nxjerrë fakte të reja. Pra, Haki Taha e Miladini nuk kishin të njohur, ai nuk e takoi mikun e vjetër, por armikun e shqiptarëve, që i kishte vrarë gjatë luftës dhe pas luftës, ata nuk pinë se bashku, por Hakiu e kërkoi takimin, duke e pritur deri pas dite vonë. Haki Taha nuk ishte vetëm, por pati bashkëpunëtor, i cili priste në çdo rast për mundësinë e ndonjë të papriture, por edhe që të mos dështonte atentati. Ai u vra që atë ditë, ndërsa Qazim Vula u zu më vonë, u dërgua në burgun e Mitrovicës së Sremit nga ku iku në Shqipëri, pas peripecive njëmujore nëpër Serbi. Pritja që iu bë në Shqipëri, kur e kaloi kufirin, ndërsa shpresonte se shpëtoi, ishte dëshpëruese.
“Hë, klysh i Titos, i thanë, - paske bashkëpunue në vrasjen e mikut tonë ma të madh, që ishte më të vërtet internacionalist proletar” Dhe mori dënimin tjetër 25 vjet burg, pos torturave çnjerëzore.
Mozaiku për Haki Tahen plotësohet: pra ishte një grup nacionalistësh shqiptarë, e kundërta e komunistëve të zhlyer në krime. Grupi kishin marr vendim të vritej Miladini njëri ndër armiqët më mizor; vrasja nuk qe akt dëshpërimi, por mënyrë e organizuar për të dënuar kriminelët. Grupi u shpartallua. Mbase i fundit i këtij grupi, Qazim Vula, vdiq në Gjakovë pas çlirimit të Kosovës, duke e mbajtur dënimin për pjesëmarrje në vrasjen e Miladinit deri në fund.
Edhe pasi i lexova shumicën e shkrimeve për Haki Tahën, mistifikimi për këtë burrë të pazakonshëm dhe të jashtëzakonshëm njëkohësisht, më bëhet edhe më i madh. Shumë më vonë e mora vesh kush ishte ai, ku lindi, ke e pati shok e mik, çka lexonte dhe çka shkruante, por askush ende nuk ma qartësoi aktin e tij më të madh burrëror në shekullin XX: ndëshkimin e të pabesit dhe vetëvrasjen që të mos binte në duar të armikut që do ta zhburrëronin, duke e torturuar sikurse dinin vetëm ata.
Ai nuk pati tirq me gajtan e xhamadan vija-vija, as kobure të gjatë në brez, nuk kishte as mustaqe vesh e m’vesh, por ishte heroi urban i qyteteve tona provinciale e katundeve të varfra. Ai na frymëzonte në çdo situatë të vështirë.
Me te e mbajtëm gjallë shpirtin e qëndresës...